Faruk Sejdini: “Pres një kampionat të ashpër”

552
Sigal

Flet për “Telegraf” veterani i bankinave: “Kemi bërë një mrekulli në Europë. Treguam vlera dhe moral”

Trajneri i njohur shqiptar, Faruk Sejdini, e konsideroi të jashtëzakonshme aventurën e pazakontë të Skënderbeut dhe Kukësit në arenën Europiane. Ish-tekniku i Dinamos dhe një sërë klubesh të tjerë shqiptarë, tha për gazetën “Telegraf” se, “një herë e përgjithmonë duhet të shkëputemi nga ndjenja e inferioritetit, por dhe nga mentaliteti apo iluzioni se, futbolli shqiptar është jo vetëm i dobët, por dhe i pamoralshëm”. Sejdini ka një eksperiencë më shumë se 30-vjeçare si trajner dhe ka fituar titullin kampion me Dinamon, në sezonin 2001-2002. Në lidhje me kampionatin e Kategorisë Superiore që, starton sot, Sejdini u shpreh se duket një kampionat i brishtë, pa shumë pretendime, pa shumë kërkesa. “Efekti i krizës financiare i ka bërë shumë të kursyer shumë nga presidentët e klubeve. Bashkitë kanë reduktuar buxhetin, kanë hequr dorë nga kontratat dhe rrogat ndoshta të ekzagjeruara. Me ardhjen e Partizanit, kampionati ynë merr më shumë ngjyrë. Do të kemi derbin e përjetshëm me Tiranën”. Ai ka qenë ish-ndihmësi i Astrit Hafizit me Kombëtaren, në periudhën 1997-1999. “Kombëtarja nuk duhet të bjerë viktimë e presionit të medias. Me përkushtim mund të arrijmë që, siç fituam në Oslo me Norvegjinë, mund fitojmë edhe në Lubjanë me Slloveninë dhe Islandën në Rejkavik”, – tha ish-lojtari i Kombëtares. Si lojtar, Sejdini ka fituar pesë tituj kampionë (1966-1967, 1972-1973, 1974-1975, 1975-1976 dhe 1976-1977), por dhe tri Kupa të Shqipërisë (1971, 1974, 1978).

 – Zoti Sejdini, me ndeshjet e fazës “play-off” të Ligës së Europës, u mbyll një aventurë e jashtëzakonshme e ekipeve shqiptare në Europë. Si do ta vlerësonit?

– Do ta thosha me plot gojën që është një mrekulli, por besoj se kemi nxjerrë edhe mësimet e duhura, që kjo aventurë kaq e bukur në Europë të mos mbetet e vetmja dhe të përsëritet në të ardhmen. Logjika dhe konkluzioni natyrshëm të thotë se, një herë e përgjithmonë duhet të shkëputemi nga ndjenja e inferioritetit, por dhe nga mentaliteti apo iluzioni se, futbolli shqiptar është jo vetëm i dobët, por dhe i pamoralshëm.

– Kurrë më parë, s’kishte ndodhur që një skuadër të kalonte tre ture dhe të zhvillonin nga gjashtë apo tetë ndeshje ndërkombëtare në një edicion dhe këtë e arriti një skuadër si Kukësi. Gjykimi juaj?

– Përsa i përket Kukësit është me të vërtetë shembulli i një heroizmi në futboll, pasi vetëm dy vjet më parë militonte në Kategorinë e Dytë. Erdhi nga Kategoria e Parë, u shpall nënkampion i Superligës dhe kaloi tre ture në Ligën e Europës, duke eliminuar skuadra me emër. Kjo tregon se, po të investohet me seriozitet në futboll, mund të arrish shumë. Në fakt, Kukësi nuk ka fushë ku stërvitet, është muhaxhir në vendin e vet, por pasioni i presidencës dhe përkushtimi i lojtarëve solli ato rezultate. Edhe me sakrifica të tilla, kur presidentë serioz dhe dinë të ndërtojnë punën dhe ka staf teknik që, është në unison në mendimet dhe vendimet e veta, rezultatet patjetër që do të vinë.

– Skënderbeu u eliminua vetëm me penallti nga faza “play-off”…

– Skënderbeu tregoi se është skuadra më e mirë shqiptare e 20 viteve të fundit dhe që luan futbollin më të bukur. Në të gjitha ndeshjet ka qenë i barabartë me kundërshtarin. I ka fituar të tri ndeshjet në shtëpi. Përsa i përket ndeshjes kundër Çernomoretsit, ishte vërtet një dramë. Natyrisht, një ekip do të humbiste, pasi bëhej fjalë për gjuajtjet e penalltive, por mënyra sesi u largua nga Liga e Europës, mendoj se i takonte kualifikimi. Ajo që më bëri përshtypje: Skënderbeu luajti tepër kompakt, nuk hyri në aventurë. Kërkoi të luante futboll të bukur dhe sulmues. Kjo është shumë e rëndësishme për një ekip në Europë. Të dish, se kush je, çfarë do dhe çfarë mund të bësh. Skënderbeu ishte në kolona të shëndosha. Më erdhi keq për Orelesin, i cili humbi penalltinë, kur ai bashkë me Shkëmbin ishte ndër më të mirët në fushë.

– Nisin kampionatet e Kategorisë Superiore dhe Kategorisë së Parë. Si e shihni Superligën e këtij edicioni, duke u nisur edhe nga përforcimet që kanë bërë skuadrat në merkaton verore?

– E kam ndjekur me vëmendje fazën përgatitore të gjitha skuadrave. Më duket një kampionat i brishtë, pa shumë pretendime, pa shumë kërkesa. Efekti i krizës financiare i ka bërë shumë të kursyer shumë nga presidentët e klubeve. Bashkitë kanë reduktuar buxhetin, kanë hequr dorë nga kontratat dhe rrogat ndoshta të ekzagjeruara Në këtë këndvështrim më duket, disi edhe më mefshtë, jo shumë entuziast. Nuk duhet të harrojmë edhe faktin se, Skënderbeu dhe Kukësi, kanë gjatë gjithë verës që kanë qenë në aksion dhe kanë shpenzuar ngarkesa të mëdha fizike dhe psikologjike. Ndoshta, mund të mos e nisin mirë sezonin.

– Partizani është rikthyer pas katër vitesh mungesë në Superligë. A besoni se të kuqtë do ta zbukurojnë kampionatin me rivalitetin e tyre?

– Me ardhjen e Partizanit, kampionati ynë merr më shumë ngjyrë. Do të kemi derbin e përjetshëm me Tiranën. Në fakt, Tirana kaloi një moment të vështirë muajt e fundit, por tashmë nëse i ka financat e siguruara, e ka të vështirë të bëjë brenda pak ditësh një skuadër kompetitive. Lojtarët kur janë të sigurt nga ana financiare, gjithmonë japin më shumë. Partizani është një ekip tradite më shumë se 65-vjeçare, ka një tifozeri të zjarrtë. Skuadrat e tjera, që përgjithësisht varen nga bashkitë kanë mënyrën e tyre të menaxhimit.

– Nga 12 skuadra pjesëmarrëse në Superligë, do të bien direkt katër prej tyre. Një “skemë e frikshme”, apo jo?

– Po, është e tillë, pasi do të bjerë një kategori më poshtë jo pak, por një e treta e tyre. Do të bëhet një kampionat i egër dhe tek ne, ekuilbrat janë shumë të brishtë. Një gjë e vogël mund të të bëjë gjëmën. Marrim zjarr menjëherë.

– Dinamo do të luajë sezonin e dytë në Kategorinë e Parë. Si një ish-lojtar dhe ish-trajner i saj, e besoni se ka ekipin e duhur për t’u ringjitur në Superligë?

– Dinamo ringrihet shumë shpejt, pasi ka traditën, ka njerëzit dhe lojtarët afrohen. Mendoj se, Dinamo duhet ta fillojë nga e para, pra nga marrja e ambienteve të saj. Nëse ajo do të ketë fusha, ajo do të ringrihet.

 

Mund të fitojmë si Norvegji

 Kombëtarja do të luajë në fillim të shtatorit me Slloveninë dhe Islandën, që të dyja në transfertë. Në testin e fituar me Armeninë (2-0), treguam një futboll të bukur. “Ekipi Kombëtar deri në këto momente është në rrugë të mbarë. Megjithatë, frika ekziston, pasi lojtarët mund të bien nën presionin e medias apo opinionit. Duhet t’i shohin si ndeshjet e radhës, vetëm kështu mund të jenë të suksesshëm. Nuk duhen të bien viktimë e frikës së humbjes. Siç fituam në Oslo me Norvegjinë, mund fitojmë edhe në Lubjanë me Slloveninë dhe Islandën në Rejkavik”, – tha Sejdini, një ish-lojtar i Kombëtares në vitet 1970-1980.

Pres ringritjen e klasave sportive

 Tashmë në Qeverinë e Kryeministrit të ri, Edi Rama, Sporti është bashkuar me Ministrinë e Arsimit. Sejdini tha: “Mendoj se nëse aktualisht ishte vetëm një zgjatim i Ministrisë së Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, pra ishte në fund të saj edhe për nga shqetësimi dhe preokupimi, tani Sporti është ngritur në podium: Arsimi dhe Sporti. Është në një vend nderi. Besoj se, Qeveria e Re do t’i japë përparësi sportit që, jo vetëm fëmijët të largohen nga rruga, por dhe të edukohen. Unë jam për ngritjen e klasave sportive, të futbollit, basketbollit, volejbollit. Do të kemi më shumë përparim në sport”.

Humbet afrikani Albert Fataki, të kuqtë kërkojnë ndihmën e Policisë për ta gjetur

 Partizani firmos me sllovenin Patrik Bordon

 Partizani do të ketë një sulmues race kur të përballet sot me Kastriotin në Krujë. Bëhet fjalë për sllovenin Patrik Bordon, i cili është zyrtarisht lojtar i të kuqve dhe do të jetë në dispozicion të trajnerit Hasan Lika për transfertën krutane.

Me presidentin Lulzim Sallaku kanë firmosur Besnik Krasniqi, Gëzim Krasniqi, Ertan Demiri, Mevlan Murati, Labinot Ibrahimi, Behar Maliqi, Alban Hoxha, Aldo Mitraj, Anton Mazrekaj, Armir Rrahmani, Renato Hyshmeri, Mentor Mazrekaj, francezi Fataki dhe serbi Vladimir Buac. Partizani bëri një fazë përgatitore në Grevena të Greqisë, ku zhvilloi edhe ndeshje miqësore. Të kuqtë janë rikthyer pas katër sezonesh mungesë dhe tani synojnë të jenë pretendentë për një nga vendet që të çon në Europë. Dje, klubi i kuq bëri publik edhe një njoftim të pazakontë, në lidhje me lojtarin afrikan me pasaportë franceze, Albert Fataki, duke kërkuar ndihmën e Policisë për gjetjen e tij. “Qytetari francez me origjine afrikane Albert Fataki, i datëlindjes 25.05.1989 me pasaportë Nr. 10CY71941, pasi ra dakord mbi termat e kontratës individuale të punësimit që do të nënshkruante me Klubin Partizani u ftua nga Klubi të vinte në Tiranë për nënshkrimin e kontratës dhe atashimin e tij pranë skuadrës së këtij klubi. Lojtarit iu dërgua bileta përkatëse dhe nwdatën 29.09.2013 mbërriti ne aeroportin “Nënë Tereza” ku u prit nga përfaqësuesi i Klubit i cili e trasportoi për në hotel “Guva” që ishte planifikuar nga klubi si rezidenca e tij e përkohshme.

Pak pas largimit nga hoteli të përfaqësuesit të Klubit, punonjësit e hotelit njoftuan se lojtari u largua nga hoteli me një person të panjohur dhe në drejtim te paditur. Deri në këto momente Klubi nuk ka marre asnjë njoftim për vendndodhjen e lojtarit dhe qëllimin e largimit të fshehtë të tij. Bashkangjitur po ju dërgojmë të skanuar edhe kopjen e pasaportës së personit ne fjalë, Albert Fataki. Me respekt, KF Partizani”, thuhej në njoftimin dërguar Policisë së Shtetit.