Faruk Sejdini: “Kemi nevojë për një revolucion tëvërtetë në futboll”

503
Sigal

Mjeshtri i bankinave flet për “Telegraf”: “Faza e dytë do të jetë e ashpër, me shumë tension”

Trajneri i njohur shqiptar, Faruk Sejdini, është nga ata që dëshiron të vendosë pikat mbi “i” problemeve të shumta që ka futbolli shqiptar. Ish-tekniku i Dinamos dhe një sërë klubesh të tjerë shqiptarë, tha për gazetën “Telegraf” se, faza e dytë e Kategorisë Superiore do të jetë akoma më e fortë. “Uroj që të zhvillohet sa më normalisht, pasi ekziston edhe rreziku që të tejkalojë edhe ndonjë cak sportiv, pasi janë jo pak, por katër ekipe që do të dalin nga Kategoria Superiore”. “Xhaxhi”, i cili ka një eksperiencë 14- vjeçare si lojtar dhe 30- vjeçare si trajner, shtoi se pret një luftë të madhe midis ekipeve që do të luftojnë për zonën europiane, ashtu si për ato që do të dalin nga kategoria. Sejdini, i cili ka fituar titullin Kampion si trajner me Dinamon, në sezonin 2001-2002, preku dhe temën e nxehtë të shkarkimit të shpejtë dhe të shpeshtë të trajnerëve. Si lojtar, ka fituar pesë tituj kampionë (1966-1967, 1972-1973, 1974-1975, 1975-1976 dhe 1976-1977), por dhe tri Kupa të Shqipërisë (1971, 1974, 1978). Faruk Sejdini, ish-ndihmës  i Astrit Hafizit me Kombëtaren, në periudhën 1997-1999.

  – Zoti Sejdini, rifillimi i kampionatit nuk ofroi spektaklin që pritej pas pushimeve, ku spikasin barazimet pa gola. Në këndvështrimin e një specialisti futbolli, si do ta gjykonit panoramën futbollistike që ofroi java e 17-të?

– Të gjitha ekipet, në bazë të nevojave dhe buxhetit të tyre ndërhynë në merkaton dimërore, për të bërë rregullimet apo korrigjimet e atyre që ata mendojnë se kanë bërë gabim apo nuk i kanë kënaqur në fazën e parë. Mendoj, faza e dytë do të jetë akoma më e fortë dhe uroj që të zhvillohet sa më normalisht, pasi ekziston edhe rreziku që të tejkalojë edhe ndonjë cak sportiv, pasi janë jo pak, por katër ekipe që do të dalin nga Kategoria Superiore. Kjo skemë i fut të gjitha ekipet, duke filluar nga vendin i katërt në një presion jo të vogël, pasi këto kanë një probabilitet të bien nga kategoria. Ne nuk jemi mësuar me këtë lloj trysnie kaq të madhe, pasi për herë të parë bien katër nga 12 skuadra që ka kampionati.

– Në ndeshjen Besa-Laçi, gjyqtari Enea Jorgji, anuloi golin e shënuar me penalltinë nga ana e kavajasve, duke krijuar jo pak polemika në ambientin futbollistik. Cili është mendimi juaj?

– Në fakt, për hir të së vërtetës edhe unë nuk arrita ta kuptoj vendimin e gjyqtarit. Asnjë instancë e Federatës Shqiptare të Futbollit nuk ka dhënë një gjykim të saj, nëse ka të bëjë me ndonjë detaj të ri të rregullores për në të tjerët, apo ishte një gabim i arbitrit. Ndoshta, mund të ketë edhe një ndryshim të rregullores, por klubet duhet ta dinë atë. Duhet të jemi të qartë, s’duhet ta lëmë evazive këtë gjë.

– Skënderbeu është shkëputur nëntë pikë nga dy ndjekësit më të afërt, Partizani e Teuta. Edhe pse janë ende 16 javë për t’u luajtur, a mund të themi se titulli po duket si një kapitull i mbyllur?

– Skënderbeu është një nga ekipet më të konsoliduara në kampionatin tonë: skuadër kompakte, lojtarë që e njohin prej disa vitesh njëri-tjetrin, financa të siguruara, klub model për nga organizimi dhe drejtimi, si një kompleks detajesh që e veçojnë atë nga klubet e tjera. Kjo është në vazhdën e viteve të fundit, ku është shpallur kampioni i tre sezoneve të fundit. Gjithsesi, Skënderbeu nuk do ta ketë aq komod fitimin e titullit, pasi do ta luftojnë të gjitha ekipet që do të luajnë për mbijetesë. Do të synojnë t’i marrin pikë, sidomos në fushat e tyre.

– Teuta bëri një fillim dominues, duke e mposhtur me rezultatin 6-2 Lushnjën…

– Teuta është një skuadër që nuk bën shumë bujë, por ka një ekip të konsoliduar. Ndeshja kundër Lushnjës ishte domethënëse, kjo edhe për shkak të punës apo mentalitetit që ka futur trajneri italian i saj. Trajnerët e huaj dëshirojnë të bëjnë revolucion tek ekipi që marrin në dorëzim, mori disa lojtarë cilësorë, ndërkohë që bazën e kishte. Gjithsesi, ndeshja kundër Lushnjës mund të mos jetë një pikë referimi, por duhet pranuar se pamë një Teutë të frikshme.

– Të premten do të luhet derbi Tirana-Partizani. Dy ekipet ndodhen në ekstremet e renditjes, bardheblutë në vendin e fundit, ndërkohë që të kuqtë në vendin e dytë. Si e parashikoni?

– Në fakt, disa vite më parë kishim pamjen e kundërt, kur ishte Partizani i fundit dhe Tirana e para. Këto janë ndeshje të traditës, dhe nuk mund etiketohen ndryshe, veçse si derbi. Unë mendoj se, do të jetë një ndeshje shumë të fortë dhe unë shoh një Partizan, që nuk do ta tolerojë kurrsesi Tiranën pasi shikon nga Europa. Tirana do të luajë fort kundër Partizani, se tani e ka lakun në fyt dhe bëhet fjalë për mbijetesë. Nuk i lejohet të bëjë hapa fals. Tensionin dhe presionin më të madh do ta ketë Tirana. Ndeshja do të jetë e hapur dhe e fortë, pavarësisht nga pozicionet që ndodhen të dyja skuadrat.

– Të shtunën fillon faza e dytë e Kategorisë së Parë. Elbasani, Apolonia dhe Dinamo duken se janë dhe tre pretendentët kryesorë për t’u ngjitur në Superligë…

– Po, është e vërtetë. Mendoj se, me pak kujdes dhe me më shumë impenjim Dinamo do të mund të rikthehet në Kategorinë Superiore. Do të ishte një ekip që do ta zbukuronte Superligën sezonin që vjen. Sigurisht, që nuk është e lehtë, pasi Elbasani dhe Apolonia kanë bërë ekipe të mira, por fakti që, elbasanasit do t’i luajnë jashtë ndeshjet e tyre brenda, kjo për shkak të rikonstruksionit të stadiumit, mund të lërë ndonjë pikë. Mund të jetë një minus për Elbasanin dhe një plus për Dinamon.

  “Klasat sportive, të domosdoshme”

 Klasat sportive është një tjetër ide që, pritet të zbatohet nga Qeveria “Rama”. “E shoh si një gjë shumë të mirë e të nevojshme. Dihet dobia që pati sporti ynë, kur funksionin klasat sportive. Këtë muaj do të vijë edhe Presidenti i UEFA-s, Mishel Platini, për ta nxitur akoma dhe mbështetur këtë ide. Por, problemi shtrohet se tashmë nuk kemi terrene të mjaftueshme nëpër shkolla. Pra, duhet të bëhet me themel. Duhen terrenet, pasi nxënësit nuk kanë nevojë për teori futbolli, por të zhvishen, të luajnë dhe ta ndjejnë atë”, – tha Sejdini.

 

Trajneri i njohur: “Futbolli ka nevojë për oponencë. Këtu po fole kundër, të shpallin armik”

 Zgjedhjet në FSHF, histori manekinësh

  Në fund të këtij muaji, më 28 shkurt, do të zhvillohet Asambleja e Përgjithshme Zgjedhore në Federatën Shqiptare të Futbollit. Deri tani kemi një kandidat zyrtar për Presidentin e ri, atë aktual, Armand Dukën. “Atmosfera e zgjedhjeve duket e vakët, pasi aktorët e duan të tillë. Është një ndeshje futbolli që, kur ajo është pa interes dhe dihet rezultati i saj, asnjë nuk shkon në stadium. Tashmë jemi mësuar zgjedhjet që, bëhen si zgjedhje manekinësh: me ulje dhe ngritje duarsh, gjë që mua s’më pëlqen. Futbolli ka nevojë për oponencë dhe për kontradikta, gjë që nuk pëlqehet shumë në Federatën e Futbollit. Më duket e palogjikshme që, kush mendon ndryshe të shpallet armik, duhet të përjashtohet dhe të dënohet. Me mënyrën sesi duam t’i zgjidhim gjërat ne, nuk besoj se futbolli do të ecë përpara. Dhe këtu nuk flitet për shtrimin e një tapeti, apo vendosjen e disa stolave”, – tha Sejdini. “Shembulli më i mirë është aneksi pranë stadiumit “Selman Stërmasi”. Në atë ambient që, nuk mund ta quash kurrsesi fushë futbolli, pasi kur bie shi ai shndërrohet në një moçal, luanin dy ekipe fëmijësh, që zhvisheshin në kushte të mjerueshme, pranë një kanali. M’u duk sikur ishim në vitin e parë pas Çlirimit. Turp. Mund të thuash se do të investosh në këtë apo atë stadium, kaq milionë apo aq milionë, por kur s’ke terrene për të përgatitur elementët e rinj, atëherë nuk mund të pretendosh kurrë se je duke përgatitur sportistë të rinj e cilësorë për të ardhmen. Ne, vërtetë kënaqemi kur dëgjojmë për Adnan Januzajn e Mançester Junaitid, por të jeni i bindur se, ai nuk është formuar si futbollist në ambientet tona të mjeruara. Nëse UEFA do të na kërkonte që t’i zbatonim me rigorozitet kushtet e licencimit, ne nuk do të licenconim në Kategorinë Superiore më shumë se katër apo pesë ekipe”, – tha Sejdini.

 “Po ‘kalben’ futbollistët e rinj”

 Pak preferenca ka nga ekipet për lojtarët e moshave, duke preferuar të huaj. Merkatoja dimërore e vërtetoi dhe një herë tjetër këtë. Por, cila do të ishte zgjidhja më e mirë?  “Të huajt që kanë ardhur në vendin tonë nuk e kanë civilizuar futbollin tonë, nuk kanë qenë dukshëm më të mirë se lojtarët tanë, ata, sipas mendimit tim, thjesht kanë marrë ca para më shumë. Gjithmonë, kam këmbëngulur se duhet hedhur sytë nga të rinjtë tanë. Ndoshta nuk e kemi këtë luks, por duhet të themi se futbollistët shqiptarë po “myken” e po “kalben”, pasi shumica prej tyre nuk kanë të ardhme. Në vendin tonë duhet të një revolucion i vërtetë në futboll. Kemi një praktikë të gabuar, nuk mund të ndërtosh godina të mëdha, pa pasur themele të fortë. Ky rregull vlen dhe në futboll. Nuk kemi nevojë për reklamë, por për investime”, – tha Sejdini.