Faruk Sejdini: “Kampionat i varfër”

778
Sigal

Mjeshtri i bankinave flet për “Telegraf”: “Sezoni aktual është më i dobët se i edicionit të kaluar”

Trajneri i njohur shqiptar, Faruk Sejdini, është nga ata që dëshiron të vendosë pikat mbi “i” problemeve të shumta që ka futbolli shqiptar, edhe pse i përdor gjerësisht batutat. Ish-tekniku i Dinamos dhe një sërë klubesh të tjerë shqiptarë, tha për gazetën “Telegraf” se, kampionati aktual është më i dobët se ai paraardhës dhe mungon cilësia. “Xhaxhi”, i cili ka një eksperiencë 14 vjeçare si lojtar dhe 30 vjeçare si trajner, duke drejtuar gjatë këtyre viteve me mijëra lojtarë dhe qindra ndeshje me skuadrat që ai ka drejtuar. Sejdini shtoi se, ai pret një luftë të madhe midis ekipeve që do të luftojnë për zonën Europiane, ashtu si për ato që do të dalin nga kategoria.  Sejdini, i cili ka fituar titullin kampion si trajner me Dinamon, në sezonin 2001-2002, preku dhe temën e nxehtë të shkarkimit të shpejtë dhe të shpeshtë të trajnerëve. Si lojtar, ka fituar pesë tituj kampionë (1966-1967, 1972-1973, 1974-1975, 1975-1976 dhe 1976-1977), por dhe tri Kupa të Shqipërisë (1971, 1974, 1978).

 – Zoti Sejdini, nga përfundimi i fazës së parë të Kategorisë Superiore kanë mbetur edhe tri ndeshje. Tashmë, gjatë këtyre tetë javëve të para janë krijuar edhe profilet e skuadrave, midis atyre që luftojnë për titull dhe zonën europiane dhe atyre për mbijetesë. Cili është vlerësimi juaj?

– Mendoj se, çdo sezon që kalon në gjithë botën futbolli përmirësohet në cilësi dhe bën progres, vetëm në Shqipëri ndodh e kundërta, ai varfërohet gjithmonë e më shumë. Duke marrë në konsideratë edhe kampionatin e kaluar dhe krahasuar me sezonin aktual, mendoj se të gjitha ekipet pa përjashtim janë më dobët se një edicion më parë.

– Cilat janë argumentet tuaja në këtë konkluzion?

– Arsyet janë të shumta, dhe një ndër to mund të jetë edhe kriza financiare që kanë klubet, ashtu siç kemi parë edhe ekipe që i kanë reduktuar ndjeshëm financat e tyre dhe kanë ndryshuar filozofinë dhe strategjinë e tyre. Kjo influencon jo pak në formatimin e skuadrave.

– Kemi një Teutë të pathyeshme në këto tetë javë, ndërkohë që kemi edhe një Kukës që është në kontrast të plotë me sezonin e kaluar, kur u shndërrua edhe në surprizën e bukur të atij edicioni. Cili është mendimi juaj?

– Teuta është një shembull pozitiv në futbollin shqiptar. Teuta ka disa vite që gërsheton elementin e ri me disa lojtarë me përvojë. Bën blerje pa bujë, por shumë cilësore. E ruan bërthamën e vet dhe e kemi këtë skuadër jo vetëm në Europë, por dhe rivale për titullin kampion. Teuta është skuadra tipike e kampionatit tonë: buxhet i vogël dhe administrim i shkëlqyer i klubit. Ka një fushë ku stërvitet dhe kjo është e rëndësishme, dhe di të harmonizojë të gjithë elementët. Futbolli kërkon njerëz që ta njohim mirë atë.

– Një kampionat pa shumë emra të bujshëm, madje me pak lojtarë të perspektivës…

– Në fakt,  kemi në grup lojtarësh që qarkullon viti pas viti nga një ekip te tjetri. Gjithsesi,  thuhet se jo çdo gjë e keqe ka vetëm të keqen brenda saj. E theksoj këtë, pasi është rasti që disa lojtarë të rinj dhe me perspektivë mund të kenë shansin të evidentohen. Ndoshta faktorët e dobët ekonomikë u japin mundësi këtyre talenteve të afrohen te Partizani, Tirana, Vllaznia, Flamurtari,  apo diku tjetër.

– A konsideroni financimin si një nga faktorët thelbësorë, për të ndërtuar një skuadër kompetitive dhe dominuese në kampionatin tonë?

– Sigurisht. Nëse do të merrnim Skënderbeun, skuadrën që ka fituar tre kampionatet e fundit dhe kryeson renditjen në këtë sezon, me pikë të barabarta me Teutën, atëherë bindesh se financat janë faktori kyç në dominimin e gjatë të korçarëve. Nëse  nesër, pra në një të afërme të afërt, t’i ndodhi Skënderbeut, ajo që ndodhi me Tiranën dhe Dinamon, pra të iki presidenti, do të shohim një Skënderbe në pozita krejt të tjera, pasi të gjithë lojtarët i ka të blerë dhe jo nga qyteti i Korçës, me ndonjë përjashtim të rrallë. Shkrihet.

– Si mund të parandalohet kjo?

– Unë jam i mendimit, dhe prej disa vitesh e theksoj këtë se, Federata Shqiptare e Futbollit duhet ta bëjë taksative aktivizimin e të paktën dy apo tre lojtarëve të rinj, pra në një limit moshe të caktuar. Kjo mund të duket si një ide e kohëve që lamë pas, por pa e paragjykuar do të thosha se do të kishte vetëm efekte pozitive. Edhe atëherë, kur ajo u propozua dhe mori vendim taksativ, u diskua shumë, ndonjëherë edhe me skepticizëm, por më pas solli rezultate të jashtëzakonshme.

– Kjo ide e juaja nuk funksion në vendet me futboll të zhvilluar?

Ndoshta vende të tjera nuk e kanë këtë, por ne jemi një vend i veçantë dhe duhet ta marrim në konsideratë. Kur them jemi vend i veçantë nga të tjerët, kam parasysh edhe mungesën e infrastrukturës që shtetet e tjera nuk e kanë fare problem. Ne nuk kemi stadiume, që të marrin licencën e UEFA-s. Të gjithë e pamë se ku i zhvilloi ndeshjet Kukësi, Laçi apo Skënderbeu në turin e tretë. Federata të diktojë që çdo ekip të ketë dy lojtarë nën moshën të paktën 17-18 vjeç. Nëse do të zyrtarizohet kjo ide, atëherë çdo ekip duhet të ketë të gatshëm të pakt në tre apo katër, pasi në rast dëmtimi të njërit janë të tjerët. Ndoqa në televizion ndeshjen midis Partizanit dhe Kukësit dhe pashë të paktën gjashtë lojtarë të rinj, të talentuar dhe me perspektivë që, po të trajtohen dhe të investohet si duhet mund të kenë një të ardhme të sigurt. Jam i sigurt që,  në të gjitha ekipet ka lojtarë të rin të talentuar, por ne jemi mbështetur te një grup i vogël lojtarësh që shëtisin në të gjitha ekipet.

KATEGORIA SUPERIORE

JAVA IX

26.10.2013

Partizani-Vllaznia

Teuta-Laçi

Bylis-Lushnja

Flamurtari-Kukësi

Kastrioti-Skënderbeu

Besa-Tirana

RENDITJA

1        Skënderbeu  8        +5      16

2        Teuta           8        +5      16

3        Partizani      8        +2      14

4        Vllaznia       8        +5      13

5        Laçi             8        -1       13

6        Lushnja       8        -1       11

7        Tirana                   8        -4       10

8        Bylis            8        +1      9

9        Kastrioti      8        -2       9

10      Kukësi         8        -2       9

11      Flamurtari   8        -3       5

12      Besa            8        -5       5

– Flamurtarit i janë zbritur tri pikë nga Komisioni i Disiplinës

  “Xhaxhi”: “Pak e besonin se, Partizani do të ribëhej. Tirana, në krizë prej strategjisë së klubit”

 “Partizani është ringritur”

Trajneri Faruk Sejdini është një nga specialistët më realistë të futbollit tonë dhe flet pa “dorashka, sidomos kur bëhet fjalë për tri skuadrat e kryeqytetit: Tiranës, Partizanit dhe Dinamos, njëherësh edhe tre ekipet që kanë fituar më shumë tituj në vendin tonë, respektivisht me 24, 15 dhe 18. Në këto tetë javë, Partizani është rishfaqur si një ekip pretedent, ndërkohë që Tiranë po kalon një krizë. Nga ana e saj, Dinamo ndodhet në sezonin e saj të dytë në Kategorinë e Parë. “Partizani është në rimëkëmbje e sipër, – tha Sejdini për gazetën “Telegraf”. – Kështu që, nuk ka pse dhe opinioni të mbarset dhe të kërkojë të pamundurën nga Partizani. Shkallët duhen ngjitur një nga një dhe një ‘bravo’ e madhe për Partizanin, që u ringjit në Kategorinë Superiore, kur askush ndoshta nuk e kishte besuar. Partizani hap pas hapi do të ngjitet dhe do të kapë vendin që e meriton, kjo dhe për faktin se ka një tifozerisë së madhe që e mbështet kudo”. Në lidhje me paraqitjet jo bindëse të Tiranës, Sejdini ndau për gazetën këtë opinion: “Me thënë të drejtën, ndeshjet e Tiranës i kisha parë në televizion, por të dielën e ndoqa në stadiumin “Selman Stërmasi” në ndeshjen kundër Bylisit. Mu duk një ekip që mundohej, por që nuk e jepte dot më të mirën e tij. Ndoshta ishte dhe presion i madh i tifozerisë, ndoshta dhe i stafit drejtues. Duke qenë dhe një kontingjent i ri, atëherë nuk janë ende në lartësinë e emrit që ka skuadra. Tirana nuk duhet të jetë në atë vend ku është. Duhet të ishte më lart”.

“Kompleksi t’i kthehet Dinamos”

 Ka kaluar gjithë jetën e tij te Dinamo, për gati më shumë se 50 vjet, si lojtar dhe trajner. Sejdini ka qenë i pranishëm kur u vendos guri i parë i Kompleksit Sportiv “Dinamo”, një nga më të mëdhenjtë në Ballkan dhe i bazuar në projektin e klubit të njohur francez, Paris Sën Zhermen. Prej disa vitesh, klubi i futbollit të Dinamos është detyruar të braktisë ambientet stërvitore, zyrat, hotelin dhe restorantin, të cilat tani administrohen nga  Agjencia e Shërbimit të Sporteve. “Është koha që Kompleksi Sportiv t’i kthehet të zotit, pra klubit të futbollit të Dinamos. Ne nuk kemi nevojë për zyra, por për ambiente sportive. Kompleksi mund të menaxhohet në atë mënyrë që të dalë me fitime. Dhe mundësi për këtë ka shumë. Kukësi, bie fjala stërvitet në kompleks, por dhe mund të flejë atje kur ka ndeshje. Është mirë që lekët e fituara nga sporti të investohen sërish në sport”. Sejdini shton se, deri tani nuk ka konstatuar ndonjë lëvizje në këtë drejtim, madje edhe zyrtari më i lartë i sportit në vendin tonë, pra zëvendësministri përgjegjës i Sporteve në  Ministrinë e Arsimit dhe të Sporteve ende nuk ka dhënë ndonjë sinjal.