Faruk Sejdini: “Futbolli shqiptar po merr fund”

768
Sigal

 Flet veterani i bankinave: “Humbjet në Europë janë sinjali më i qartë, sesa e keqe është gjendja jonë”

Trajneri i njohur shqiptar, Faruk Sejdini, është nga ata që dëshiron të vendosë pikat mbi “i” problemeve të shumta që ka futbolli shqiptar. Ish-tekniku i Dinamos dhe një sërë klubesh të tjerë shqiptarë, tha për gazetën “Telegraf” se, “dështimi i Skënderbeut, Tiranës, Teutës dhe Flamurtarit, në Europë, është një pasqyrim i cilësisë së dobët të futbollt tonë, dhe jo një moment i shkëputur”. “Vazhdimisht ne eliminohemi, ose në raundin e parë, ose në të dytin, – tha Sejdini, – dhe kjo i ka shkaqet në realitetin e varfër të kampionatit tonë”. Sejdini ka një eksperiencë më shumë se 30-vjeçare si trajner dhe ka fituar titullin kampion me Dinamon, në sezonin 2001-2002. Ai ka qenë ish-ndihmësi i Astrit Hafizit me Kombëtaren, në periudhën 1997-1999. Si lojtar, ka fituar pesë tituj kampionë (1966-1967, 1972-1973, 1974-1975, 1975-1976 dhe 1976-1977), por dhe tri Kupa të Shqipërisë (1971, 1974, 1978).

 Zoti Sejdini, paraqitja në Europë e katër skuadrave shqiptare, Skënderbeut, Tiranës, Teutës dhe Flamurtarit, ishte një dështim i turpshëm. Cilat janë arsyet sipas jush?

Problemi nuk duhet të shohim një optikë shumë të ngushtë, u kualifikuam, apo u eliminuam shpejt. Mund të kalosh dhe ndonjë tur, dhe ta konsiderosh atë një sukses të madh. Por, për mua kjo nuk ka shumë rëndësi, pasi është një sinjal fals. Për mua, dështimin në Europës duhet ta shohim që nga rrënjët. Pra, nga organizimi jo vetëm i klubeve tona, por dhe nga mungesa e theksuar e infrastrukturës sportive. Nuk mund të gjesh kurrë një ekip në Europë, që të vuajë nga probleme të tilla, duke përfshirë edhe skuadrat modeste nga Luksemburgu, San Marino apo Andorra. Si mund të pretendojmë ne, për të pasur rezultate të mira në Europa, kur vetë futbolli ynë vuan nga mungesa e kushteve elementare.

Skuadrat tona koleksuan një “thes me gola” në paraqitjet e tyre ndërkombëtare jashtë, madje me rezultate të frikshme: 6-1, 5-0, 3-0. Përse kaq jemi kaq të dobët?

Duke mos dashur të arsyetoj për ndonjë gjë tjetër, mendoj se humbje të tilla janë vërtet të dhimbshme. Ne karikohemi shpejt pas një fitore minimale në vendin tonë, por jashtë e kemi kthyer në traditë humbjen e thellë, për të cilën pak shqetësohen më pas klubet. Ne nuk kemi kulturën profesionale, në paraqitjet ndërkombëtare. Të mos harrojmë se ne kemi shumë pak lojtarë të mirëfilltë profesionistë. Po marr si shembull Turqinë, para 20-30 viteve, pra në vitet 1980-1990, nuk kishte rezultate të mira, por me investimet e mëdha që bënë në infrastrukturë në 15 vitet e fundit, marrjen e trajnerëve të spikatur nga Europa, ia dolën të ndërtojnë ekipe cilësore. Nuk mund të marrësh rezultate sot për sot. Nuk zgjidhet çështja se merr një trajner të huaj, apo disa lojtarë të huaj. Futbolli ynë nuk duhet të varet nga ardhja apo ikja e një presidenti. Kam parasysh këtu rastin e Skënderbeut. Ekipi duhet të ketë përbërjen për të dalë kampion. Futbolli nuk është si një tavëll, që mund ta blesh një me 100 lekë nëse s’ke para në xhep, apo një tjetër të artë me 100 mijë lekë. Skënderbeu doli kampion në dy sezonet e fundit, kjo falë financimeve të jashtëzakonshme, por nuk ka traditë futbollistike. Iku ish-presidenti Agim Zeqo, dhe shikoni çfarë situate u krijua vetëm në pak ditë.

Cilësia e futbollit tonë është një çështje financimesh, tradite apo lojtarësh?

Ajo që duhet ndryshuar është mentaliteti. Fusha mund të ndërtohet, ndriçimi do të vendoset, por ajo që ka rëndësi në futbollin tonë modest, është ndërtimi i terreneve të futbollit të bazës, dhe atyre stërvitore. Trajnerët e moshave duhet të ndjejnë përgjegjësinë e furnizimit të ekipit të parë me lojtarë. Duhet ta pranojmë me dhimbje, por futbolli shqiptar po merr fund. Këtë e theksoj me forcë. Federata Shqiptare e Futbollit dhe Presidenti i saj, Armand Duka, duhet të punojnë fort për ta shpëtuar atë. Të gjejnë mekanizmat, që ta fusin lojtarin e ri, 18-vjeçar në skuadër. Është e domosdoshme. Për ne është jetike.

Merkatoja është në kulmin e saj. Si ju duken ekipet me lukun e ri të tyre?

E kam ndjekur me vëmendje, por në Shqipëri lëvizin nëpër klube të njëjtët lojtarë. Janë vetëm 9-10 futbollistë cilësorë. Ende nuk kemi parë futbollistë të huaj cilësorë. Nuk mund të gjykoj ende sesa janë forcuar skuadrat. Presidentët duhet të heqin dorë nga ndërhyrjet në ekipet e tyre, pra të vendosin ata për blerjen e atij apo këtij lojtari. Kjo është çështje teknikësh. Futbolli ynë po bëhet si telefon dylekësh, ke para blen lojtarë, s’ke mbetesh në rrugë.

Si e vlerësoni formulën e këtij sezoni, kur duhet të dalin direkt katër skuadra nga Kategoria Superiore?

Ne gjithmonë kemi qenë në një vend, që nuk heqim dorë nga eksperimentet. Futbolli nuk është çështje formulash. Gjithsesi, unë do ta quaja vrasëse që të dalin katër skuadra njëherësh. Klubet tona janë të përafërta, dhe nuk është çudi që të dalë edhe ndonjë me emër. Dinamo e provoi këtë sezonin e kaluar, ndërkohë që Partizani ra disa vite më parë. Gjithsesi, futbolli nuk është tabu. Me përjashtim të Tiranës, të gjitha ekipet e tjera kanë rënë një kategori më poshtë.

 Ministria e Sporteve, fajtore për Dinamon

 Faruk Sejdinit i dhemb shumë fakti që, Dinamo e tij do të luajë në Kategorinë e Parë sezonin e ri. Ai akuzon direkt Ministrinë e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve për rrënimin e klubit blu. “Ministria e Sporteve duhet të kujdeset për klubet, jo të kthehet në ‘vrasëse’ të ekipit të Dinamos. Ta lërë atë pa fushë ku të stërvitet. Ajo ka rol negativ. Ata drejtues nuk kanë dashuri për futbollin”.

 Bashkia të financojë jo vetëm Tiranën

 Kryeqyteti ka tre ekipe futbolli: Tiranën, Partizanin dhe Dinamon, por vetëm e para merr financime nga Bashkia e Tiranës, ndërsa blutë dhe të kuqtë jo. Sejdini tha: “Të gjithë banorët e kryeqytetit janë taksapagues në Bashkinë e Tiranës dhe, mua nuk më duket e drejtë që Tirana të marrë nga paratë tona, pra dhe të miat, si mbështetës i Dinamos, dhe t’ia japë vetëm Tiranës. Edhe Dinamo dhe Partizani duhet të përfitojnë nga financimet bashkiake. Të mos diskriminohen”.

  LEGJIONARËT

 Jahmir Hyka

Lucern, skuadra zvicerane e mesfushorit shqiptar, Jahmir Hyka, humbi 2-1 në transfertë me Tunin. Hyka luajti vetëm pjesën e parë, pasi u zëvendësua me fillimin e fraksionit të dytë. Për Lucernin luajti edhe kosovari Hekuran Kryeziu. Lucern nuk po bën një fillimsezoni të mirë, pasi në katër ndeshjet e para ka grumbulluar vetëm dy pikë, duke mos fituara asnjë takim.

 Edmond Kapllani

FSV Frankfurti, skuadra gjermane e Bundesligës 2, ku militon sulmuesi shqiptar Edmond Kapllani, barazoi 1-1 në ndeshjen e parë të sezonit të ri, në transfertën kundër Sandhauzenit. Durrsaku luajti 90 minuta të plota, duke dëshmuar një formë të mirë gjatë debutimit të tij me skuadrën e tij të pestë në Gjermani, pas Karlsruhes, Augsburgut, Padebornit dhe Tus Koblencit.

 Hamdi Salihi

DC Junaitid, skuadra amerikane ku militon sulmuesi shkodran Hamdi Salihi, fitoi 1-0 me Kolumbus Krju. Shkodrani nuk ishte as në bankinë gjatë atij takimi. Për herë të fundit, Salihi ka shënuar kundër Montreal Impaktit, në atë fitore 3-0. Ndeshja e fundit e Salihit, ishte miqësorja kundër Paris Sën Zhërmenit, ku ai luajti 15 minuta kundër ekipit të Zlatan Ibrahimoviçit.

 Bakaj fiton duelin me Dallkun

 Elis Bakaj u shndërrua në heroin e Çernomeretsit, pas fitores 1-0 në transfertë kundër Vorksla Poltavës, të vlefshme për javën e 4-t të kampionati ukrainas, Vysha Liga, në një duel ukrainas, ku u përfshinë tre lojtarë të Kombëtares, përfshirë dhe Armend Dallkun dhe Ahmed Januzin, që të dy të Vorsklës. Kjo ishte fitorja e dytë në katër ndeshjet e këtij sezoni e Çernomeretsit, ndërkohë që Elis Bakaj shënoi golin e tij të parë sezonal. Mesfushori i Çernomoretsit dhe i Kombëtares shqiptare realizoi në minutën e parë shtesë (45’+1), pas një asisti të shërbyer nga rumuni Lusian Burduian, duke përfituar edhe nga një gabim i portierit të Vorskla Poltarvës, Sergei Dolganski. Nëse mbrojtësi kosovar Armend Dallku luajti si titullar nga minuta e parë, sulmuesi Ahmed Januzi hyri me fillimin e pjesës së dytë. Bakaj u ndëshkua edhe me një karton të verdhë në minutën e 60-të dhe u zëvendësua në minutën e 77-të, dhe po me karton të verdhë u ndëshkua dhe Dallku (63’). Vorskla luajti me dhjetë lojtarë nga minuta e 73-të.