Faruk Sejdini: “Dhuna në fillim të sezonit nuk është mesazh i mirë”

148

Ish-trajneri i njohur: “Kampionati mund të kthehet në një ‘bombë’, nëse nuk menaxhohet me ndershmëri”

Trajneri i njohur shqiptar, Faruk Sejdini, është nga ata që dëshiron të vendosë pikat mbi “i” problemeve të shumta që ka futbolli shqiptar. Ish-tekniku i Dinamos dhe një sërë klubesh të tjerë shqiptarë, tha për gazetën “Telegraf”: “Nëse drejtuesit e Federatës Shqiptare të Futbollit apo përgjegjësit që merren me organizimin e tij nuk do të tregohen rigorozë, në të gjitha veprimet e tyre apo vendimet që marrin, dhe këtu kam parasysh ndëshkimet e atyre që gabojnë me sanksionet që duhen, gjithmonë në kuptimin profesional, atëherë ky kampionat do të jetë shumë i vështirë për t’u menaxhuar”. Sejdini ka një eksperiencë më shumë se 30-vjeçare si trajner dhe ka fituar titullin kampion me Dinamon, në sezonin 2001-2002. “Skënderbeu tregoi se, është një ekip i konsoliduar dhe favorit i fortë për titull, ashtu si Tirana dhe Teuta. Sigurisht që, në këtë grup futet dhe Flamurtari”, – thkeksoi Sejdini. Ai ka qenë ish-ndihmësi i Astrit Hafizit me Kombëtaren, në periudhën 1997-1999. Si lojtar, ka fituar pesë tituj kampionë (1966-1967, 1972-1973, 1974-1975, 1975-1976 dhe 1976-1977), por dhe tri Kupa të Shqipërisë (1971, 1974, 1978).

Zoti Sejdini, Superliga dhuroi pak surpriza në fushë, por shumë të tilla bankina. Cili është vlerësimi juaj për ndeshjet e javës së parë të Kategorisë Superiore?

Këtë sezon, duke e përfshirë dhe atë që prodhoi java e parë, dëshiroj ta shoh në një optikë më të gjerë. Nëse drejtuesit e Federatës Shqiptare të Futbollit apo përgjegjësit që merren me organizimin e tij nuk do të tregohen rigorozë, në të gjitha veprimet e tyre apo vendimet që marrin, dhe këtu kam parasysh ndëshkimet e atyre që gabojnë me sanksionet që duhen, gjithmonë në kuptimin profesional, atëherë ky kampionat do të jetë shumë i vështirë për t’u menaxhuar.

Përse e thoni këtë?

Në përfundim të sezonit do të dalin katër skuadra direkt. Për mua janë shumë. Të zbresin katër ekipe direkt, do të thotë gati 1/3 e 14 skuadrave që marrin pjesë në Superligë. Do të thotë luftë e hapur midis ekipeve që do të luftojnë për mbijetesë. Stresi është shumë i madh, ngarkesa emocionale e tifozëve, po ashtu. Dhe do të vijë dita kur tifozët do të shpërthejnë, kur do të shohin se skuadra e tyre i ka humbur shpresat, apo po shkon drejt fundit. Përvoja e sezoneve të tjera e ka treguar këtë. Nëse do të ndodhin fenomene të shëmtuara, dhe njëri do të falet, ndërsa tjetri do të dënohet, atëherë të jeni të sigurt, atëherë ky kampionat do të shndërrohet në një kampionat kaotik.

Në dy nga shtatë ndeshjet e javës së parë, pamë tifozë që protestuan duke hedhur shishe në Berat, apo të tillë në Shkodër, ashtu sikundër pati përplasje fizike edhe midis lojtarëve. Si do ta gjykonit këtë situatë?

Absolutisht, si jo normale. Madje absurde. Të ndodhin këto ngjarja qysh në javën e parë të kampionatit, atëherë sinjali është i qartë. Ndoshta nuk ndodhi një gjë e madhe, por situata të tilla janë anormale. Duke e parë në këtë kontekst kampionatin, e mendoj shumë të vështirë. Duhet seriozitet nga instancat përgjegjëse që, ky kampionat të vazhdojë normalisht.

Zoti Sejdini, lë t’i kthehemi këndvështrimit teknik. Skënderbeu regjistroi edhe fitoren më bindëse, për më tepër ndaj Vllaznisë në Shkodër. Përse e pati kaq të lehtë kampioni në fuqi?

Skënderbeu tregoi se, është një ekip i konsoliduar dhe favorit i fortë për titull. Vllaznia, për mendimin tim, po të përdorja një batutë, rrahu më shumë ujë seç e ka ajo stofin. Futbolli nuk do të thotë se, një ditë të bukur gjete një donator, more disa lojtarë dhe një trajner, dhe t’i do të arrish gjithçka. Është e natyrshme që, dhe një fëmijë që të çohet më këmbë do dy vjet, kështu dhe puna e futbollit. Në Shkodër e karikuan shumë ambientin. Sipas meje, Vllaznia nuk diti të luaj prapa, dhe këtë nuk e them për mbrojtjen, por për organizimin në tërësi të lojës. Nuk pati strategji dhe kjo e favorizoi shumë Skënderbeun. Korçarët kanë futbollistë shumë të mirë dhe e ndëshkuan Vllazninë, në të gjitha rastet që ata patën.

Si do t’i vlerësonit fitoret në transfertë të Tiranës dhe të Teutës?

Tirana, edhe pse nuk është ajo e dikurshmja di të fitojë, edhe pse nuk e ka stofin. Këtë e dëshmoi edhe ndaj Tomorit në Berat. Tirana di ta bëjë detyrën e saj. Teuta vazhdon të jetë ekipi me këmbë në tokë. Nuk fluturon se, përndryshe do të shkatërrohet. Durrsakët janë më pragmatistë. I bënë hyzmet golit që shënuan dhe ditën ta ruajnë, kundër një Shkumbini që luajti me lojtarë të rinj dhe nga ana tjetër, ndeshja në Peqin u luajt pa spektatorë.

Flamurtari bëri shpenzime të mëdha në merkato, por ndaj Bylisit nuk shkoi më shumë se barazimi, çka solli edhe shkarkimin e tranerit Shkëlqim Muça. Sipas jush, pse nuk funksionoi Flamurtari?

Do të thosha se, Flamurtari po vuan nga fenomeni “Vllaznia”. Shpenzoi shumë, dhe për këtë duhet vlerësuar drejtuesit e klubit, por kjo nuk do të thotë se me patjetër do t’i fitojë ndeshjet. Bylisi, vërtet është një ekip pa shumë bujë, por trajneri Agim Canaj, ka bërë një skuadër simpatike. Vlonjatët duhet të jetë shumë i kujdesshëm në projektet e tij. Flamurtari në Vlorë luan vetëm në sulm, pasi këtë ia detyron ambienti. Mund të lërë pikë fare lehtë në shtëpi. Dhe ky kampionat do të vlerësohet edhe nga pikët që do të lësh në shtëpi. Kjo do të ndihet më shumë në vazhdim të kampionatit.

Kukësi bëri paraqitjen e tij të parë historike në Kategorinë Superiore. Cili është mendimi juaj?

Kukësi do ta fusja tek ekipet euforike. Por, Kukësi bëri një hap shumë serioz e që duhet përshëndetur: investoi në stadium. Dhe kjo është një gjë shumë e mirë. Jam i bindur se, një ambient i mirë sportiv do të japë frytet, por do të ndikojë dhe në kulturën sportive. Nuk duhet të harrojmë se është një ekipi i ri. Edhe pse ka blerë lojtarë, që kanë fituar me ekipet e mëparshme, ata kanë nevojë për t’u përshtatur dhe harmonizuar. Kukësi duhet të jetë me këmbë në tokë, pasi duhet të konsolidohet si skuadër. Të krijojë stabilitetin e ekipit. Përsa u përket ekipeve të tjera, Laçi ka kohë që nuk lufton më për të mbijetuar, por këtë sezon duhet të bëjë shumë kujdes. Besa ka problemet e saj, ka vite që hyn dhe del. Nëse nuk do të ketë luhatje në paraqitjet e saj, do ta ketë më të lehtë. Apolonia është një ekip i lehtë, pasi mundet shumë lehtë si jashtë dhe brenda. Kastrioti dhe Luftëtari, mendoj se e nisën mirë sezonin me barazimet në transfertë.

________________________________________________________________________

TOMORI, KATËR NDESHJE PA SHIKUES

Komisioni i Disiplinës pranë Federatës Shqiptare të Futbollit u tregua i ashpër në vendimin e tij, duke mos i toleruar aspak fushat dhe lojtarët problematikë, gjatë javës së parë të Kategorisë Superiore, ku pati tension në ndeshjet Tomori-Tirana, Vllanzia-Skënderbeu dhe Apolonia-Kastrioti. Pasi u njoh me relacionin e Sekretariatit Teknik, dhe shqyrtoi dokumentacionin e paraqitur, Komisioni ndëshkoi Tomorin me katër ndeshja pa shikues, për shkak se tifozët e tij hodhën sende të forta në fushë, gjatë ndeshjes së humbur me Tianën, çka solli edhe ndërpërprerjen për disa minuta të takimit. Kështu, Tomori do të luajë pa shikues takimet kundër Flamurtarit (java e 3-të), Skënderbeut (java e 5-të), Vllaznisë (java e 7-të) dhe Bylisit (java e 9-të). Edhe sezonin e kaluar, Tomori u dënua me zhvillimin e katër ndeshjeve pa praninë e shikuesve dhe me 300 mijë lekë gjobë, për shkak të sjelljes së gabuar të tifozëve gjatë ndeshjes Tomori-Dinamo. Po, për hedhjen e sendeve të forta nga tifozët, më pasojë ndërprerjen e ndeshjes, Vllaznia-Skënderbeu (1-3), klubi shkodran do të luajë një ndeshje pa shikues, atë me Luftëtarin (java e 3-të). Komisioni i Disiplinës ndëshkoi dhe mesfushorin e Tiranës, Renaldo Kalari, me pesë ndeshje pezullim dhe 100 mijë lekë gjobë, për shkak se goditi me grusht në kokë, sulmuesin e Tomorit, Elvis Frashëri, në minutat e fundit të takimit, kur dhe situata degjeneroi. Tirana fitoi 1-0 me Tomorin në Berat, me golin e realizuar me penallti nga ana e Klodian Duros.

DËNIMET E VITIT TË KALUAR

Ndeshjet pa praninë e shikuesve

27 shtator 2011- Tomori u dënua me zhvillimin e katër ndeshjeve pa praninë e shikuesve dhe me 300 mijë lekë gjobë, për shkak të sjelljes së gabuar të tifozëve.

2 nëntor 2011 – Bylisi, për shkak të hedhjes së gurëve ndaj zyrtarit të ndeshje, me pasojë dëmtimin fizik, u dënua me katër ndeshje pa shikues dhe 1.5 milionë lekë gjobë.

7 dhjetor 2011 – Laçi, për dështim të organizimit të ndeshjes dhe dhunimin e zyrtarëve kundërshtarë, u dënua me zhvilluan e ndeshjeve të mbetura të sezonit futbollistik në fushë asnjanëse dhe me heqjen e gjashtë pikëve.

21 dhjetor 2011 – Pogradeci u dënua me zhvillimin e të gjitha ndeshjeve të si pritës në fushë asnjanëse dhe pa shikues, për shkak të dhunimit të zyrtarëve të ndeshjes. Pogradecit iu hoqën dhe tri pikë nga renditja.

3 shkurt 2012 – Skënderbeu, për hedhje të sendeve të forta në fushën e lojës duke shkaktuar goditje të zyrtarit të ndeshjes dhe ndërprerje të përkohshme të lojës u dënua me zhvillimin e tetë ndeshjeve jashtë fushës.