Faruk Kalleshi: Pjesëmarrja në Evropian është mundësi, medaljet janë objektiv

60
Nga Agron Kaja
INTERVISTA/ Për një përshkrim profesional rreth performancës së peshëngritësve shqiptarë në Kampionatin Evropian, flet për “Telegraf” Mjeshtri i Madh i shtangës
Cila ishte atmosfera e peshëngritjes sonë gjatë ditëve të Kampionatit Evropian që ju e ndoqët në Split të Kroacisë?
Unë dua të falënderoj së pari kolegun e mikun tim, trajnerin Ilir Çela, i cili më ofroi këtë mundësi për të parë nga afër ditë të bukura në Kampionatin Evropian të Peshëngritjes. Ndërkohë që peshëngritësit e stafet e tyre ishin optimistë për rezultate të mira, çka na e bëri edhe më të ngrohtë atmosferën tonë në ditët e qëndrimit aty, edhe pse nuk u arritën të gjitha pritshmëritë.
Shqipëria aty u përfaqësua me 10 peshëngritës (2 femra dhe 8 meshkuj), e justifikuan të gjithë pjesëmarrjen e tyre në këtë event evropian?
Çdo pjesëmarrje në evente të tilla është vlerë, dhe këto rriten më shumë kur ke edhe medalistë sikundër tre peshëngritësit tanë: Qerimaj, Godelli e Calja merituan në këtë Kampionat Evropian. Por, federata jonë e peshëngritjes nuk duhet të jetë e kënaqur me çka u arrit, pasi peshëngritësit tani kishin mundësi për të dhënë më shumë, e këtu do ti referohesha Briken Caljes, i cili me pak kujdes do të ishte Kampion Evrope në dygarësh.
Sipas jush, këtu ishin pritshmëritë për rezultate më të mëdha, apo tek i gjithë ekipi ynë në këtë event?
Me aq sa unë e njoh gjendjen, mendoj se Briken Calja duhet të ishte për Kampion Evrope, minimumi vendi i dytë në dygarësh. Por unë do të thoja se fatkeqësitë gjatë garës i penalizuan, pse jo: Caljan, Qerimajn e Godellin, të paktën këta medalistë që pritshmëritë i kishin më të larta. Për peshëngritësit e tjerë, mendoj se sukses ka qenë përfaqësimi, por unë do të veçoja garimin e suksesshëm të dy femrave tona, Evangjeli Veli e Romela Begaj.
Vetëm një medalje ari në një stil me tre peshëngritës medalistë, kaq ishin mundësitë?
Unë jua përmenda më sipër se, rezultatet që u arritën ishin poshtë pritshmërive, kryesisht për tre medalistët. Ndërsa për Erkand Qerimaj mund të jetë objektiv i realizuar, për Briken Caljan që unë pretendoj se e njoh më nga afër, mundësitë ishin për më lart, po kështu edhe Godelli.
Sipas jush, çfarë nuk funksionoi mirë që nuk u arritën rezultate më të larta nga të gjithë peshëngritësit tanë në këtë Kampionat Evropian?
Ndoshta do të thosha se nuk funksionoi fati, edhe pse Federata Shqiptare e Peshëngritjes duhet të jetë e gëzuar për të tre medalistët. Por, unë i kuptoj mirë të gjithë peshëngritësit e trajnerët e tyre, kryesisht medalistët, se asnjeri prej tyre nuk do të jetë i kënaqur me çka arriti në këtë Kampionat Evropian.
Në këndvështrimin tuaj, i ka mundësitë peshëngritja shqiptare për rezultate më të larta në evente të tilla?
Daniel Godelli duhej që ta ngrinte peshën 190 kg në shtytje, e po kështu Brikeni dhe Erkandi në provat që nuk i realizuan në të dy stilet. Por provat e para, të cilat edhe psikologjikisht janë të vështira, vendosën gjithçka për vazhdimësinë e tyre. Ky është sporti, jo gjithmonë të jep atë që kërkon, edhe pse mundësitë i ke.
Nisur nga ky event, sa garantojnë elementët e infrastrukturës dhe financat që peshëngritësit tanë të jenë në nivele të larta garuese?
Nëse do ti referohem peshëngritësve, unë për ta personalisht kam fjalët më të mira, sepse së bashku me trajnerët e tyre kanë sfiduar shumë faktorë që nuk u kanë dhënë mundësinë për më shumë rezultate. Të jesh peshëngritës që futesh në pesë, apo gjashtë më të mirët e Evropës, dhe përgatitesh në kushte me standarde më të ulëta se rivalët, kjo është shumë për të gjithë peshëngritësit tanë, dhe besoj se duhen falënderuar. Natyrisht që duhen kushte stërvitore dhe financa më të mira, që peshëngritësit tanë të arrijnë edhe më sipër në rezultate.
Nisur nga Kampionati Evropian, ju ngjalli ndonjë dëshirë që ti riktheheni trajningut në peshëngritje?
Asnjëherë nuk mund të thuhet JO në sport, dhe për moshën time kur është fjala për punë të mira në trajning. Për mua ende nuk ka ndonjë hapësirë konkrete, edhe pse kam pasur biseda me peshëngritës të veçantë. Në të ardhmen, ndoshta çdo gjë mund të ndodhë.
Të jesh peshëngritës që futesh në pesë, apo gjashtë më të mirët e Evropës, dhe përgatitesh në kushte me standarde më të ulëta se rivalët, kjo është shumë për të gjithë peshëngritësit tanë, dhe besoj se duhen falënderuar. Natyrisht që duhen kushte stërvitore dhe financa më të mira, që peshëngritësit tanë të arrijnë edhe më sipër në rezultate
8 meshkuj
Në Kampionatin shqiptar të futbollit, Shqipëria u përfaqësua me tetë peshëngritës, të cilët garuan në pesë pesha
2 femra
Evangjeli Veli në peshën 53 kg dhe Romela Begaj në peshën 69 kg, ishin dy peshëngritëset shqiptare në Evropian
Trajneri Ilir Çela: Në Evropian, pritshmëritë dolën “huq”
Trajneri i mirënjohur i peshëngritjes shqiptare, Ilir Çela, në një deklarim të tij për gazetën “Telegraf”, u shpreh se në Kampionatin Evropian të Peshëngritjes pritej që nga shtangistët shqiptarë të kishte më shumë medalje e kampionë. Por sipas tij, ato dolën “huq”, dhe pse? “Nuk u arritën synimet, apo pritshmëritë në këtë Kampionat Evropian, jo se peshëngritësit nuk i kishit mundësitë, por se organizimi dhe menaxhimi i garave të tyre nuk ishin plotësisht garantuese për rezultatet më të larta. Këtu duhet parë më shumë edhe ana emocionale dhe ajo reale e peshëngritësve para dhe gjatë garave, prandaj unë mendoj se ata dolën huq me mundësitë e tyre reale”, kështu theksoi fillimisht në deklarimin e tij trajneri Ilir Çela, i cili në këndvështrimin e tij shikon mundësi për ndryshim më cilësor. “Unë besoj shumë tek të gjithë peshëngritësit shqiptarë se do të arrijnë rezultate më të mira, madje në dy eventet e këtij viti do të kemi medalistë e kampionë në Lojërat Mesdhetare dhe në Kampionatin Botëror të Peshëngritjes. 
KAMPIONATI EVROPIAN PESHËNGRITJES
Medalistët shqiptarë
Pesha Peshëngritësi Shkëp. Shtyt Dygarësh 
69kg Briken Calja – Bronz –
77kg Erkand Qerimaj – Argj Bronz
77kg Daniel Godelli Ari – –
Kampionati Evropian
Peshëngritësit shqiptarë
Datë 2 prill 2017
Arbër Çerçizi 62 kg, V. 9-të
R. Avdiraj 62 kg, V. 10-të
Datë 3 prill 2017
Evangjeli Veli 53 kg, V. 4-ët
Datë 4 prill 2017
Briken Calja 69 kg, V. 3-të
(Vetëm në shtytje)
Datë 5 prill 2017 
Romela Begaj 69 kg, V. 5-të
Erkand Qerimaj 77 kg, V.3-të 
(Në dygarësh)
Daniel Godelli 77 kg, V.4-ët
(Në dygarësh)
Datë 6 prill 2017
Krenar Shoraj 85 kg, V.6-të
Ermand Tabaku 85 kg, V.14-të
Datë 7 prill 2017 
Endri Karina 94 kg, V.14-të