Falenderim i Presidentit të FSHF

431
Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit Armand Duka, gjen rastin të falenderojë të gjithë ato institucione, shoqata, personalitete dhe individë, brenda dhe jashtë Shqipërisë, të cilët kanë sjellë urimet e tyre për festat e fundvitit, duke shprehur mbështetjen për punën e Federatës Shqiptare të Futbollit, ekipit kombëtar dhe të gjitha strukturave të tjera të futbollit shqiptar.

“Duke ju uruar edhe njëherë gëzuar Vitin e Ri 2016, unë gjej rastin të përshëndes të gjithë ato institucione, shoqata, personalitete dhe individë, të cilët nëpërmjet urimeve të tyre, kanë mbështetur dhe janë krenuar për arritjet e deritanishme të futbollit shqiptar. Në emër të Federatës Shqiptare të Futbollit, të të gjithë komunitetit të sportit më të dashur në botë dhe në emrin tim personal, dua të falenderoj për ato mijra mesazhe që kanë ardhur në FSHF, gjatë gjithë kësaj periudhe festash”- thekson Presidenti Duka.

“Mbështetja juaj, na bën edhe më të përkushtuar në misionin tonë, për zhvillimin e futbollit shqiptar dhe arritjen e rezultateve sa më të mira, të cilat shpresojmë dhe po punojmë, që të na shoqërojnë edhe në vitin 2016. Ne kemi përpara një sfidë të madhe, siç është pjesëmarrja për herë të parë, në finalet e Kampionatit Europian Francë 2016. E cila, nuk është vetëm një sfidë futbollistike në kuptimin e thjeshtë të fjalës. Ai është një obligim i madh i institucionit tonë, për të treguar një imazh sa më pozitiv për Shqipërinë dhe për të gjithë shqiptarët, në sytë e të gjithë botës. 

Ne po punojmë shumë, që gjithçka të jetë sa më dinjitoze dhe e suksesshme. Edhe njëherë urime dhe punë të mbarë, për të gjithë miqtë dhe dashamirësit e futbollit shqiptar, kudo që ndodhen”-përfundon falenderimin e tij, Presidenti Armand Duka, për mijra mesazhe që kanë ardhur me rastin e festave të fundivitit nga institucione, shoqata, personalitete dhe individë, nga Shqipëria dhe e gjithë bota.
Sigal