Fakte dhe statistika, Armenia një kundërshtar i barabartë në shifra

566
Armenia është kundërshtari i radhës për Kombëtaren Shqiptare, kundërshtar që luan një rol të rëndësishëm tashmë në ecurinë e ekipit tonë, duke u bërë, ashtu siç tha edhe trajneri De Biasi, një ndër ndeshjet më të rëndësishme jo vetëm për karrierën e tij, por edhe të shumë futbollistëve që luajnë. Sigurisht që shumica e futbollistëve që luajnë për ekipin kuq e zi, janë të mësuar me presionin që ndeshin me klubet e tyre, duke luajtur në turnetë më të rëndësishëm europianë, por kjo është diçka ndryshe, pasi do të luajnë për Kombëtaren e tyre, përballë tifozëve të tyre, çka e shton shumë presionin, qoftë pozitiv apo negativ. E duke u përqendruar më shumë tek kundërshtari, duhet thënë se nuk kemi shumë ndeshje të luajtura kundër tyre, çka sigurisht ndikon në parashikimet fillestare që mund të kryejnë tifozët, por jo trajnerët, sepse këtë të fundit e njohin shumë mirë njëri-tjetrin. 
Takimet kokë më kokë
Takimi i fundit-Deri më tani, me skuadrën armene jemi ndeshur vetëm 3 herë, e duke filluar nga ndeshja më e freskët, ajo e 2013-ës, ku Shqipëria fitoi në miqësore 2-0 me gola të Ramës dhe Kaçe, duke marrë kështu një fitore të pastër dhe rezultative, e në këtë rast mund të thuhet se De Biasi i njeh armenët dhe sigurisht që shpresohet që të arrihet e njëjta fitore, si atëherë, edhe pse tani stadiumi nuk do të jetë i njëjti. 
Takimi i dytë-Takimi tjetër është ai i vitit 1997 për kualifikuese të Kupës së Botës “Francë 98”, takim që u mbyll me fitoren e thellë 3-0 të Armenëve, duke kujtuar për Shqipërinë vetëm atë karton të kuq të Altin Rrakllit. 
Takimi i parë- Duhet thënë se me Armeninë e kemi nisur me një barazim 1-1, në vitin 1996, po për kualifikuese të Kupës së Botës, ku kujtohet goli i shënuar nga Fraholli në minutën e 54’, por, ashtu si gjithmonë, shije të keqe do të linte barazimi i armenëve në minutën e 90-të, duke humbur një rast të mirë për të fituar një tjetër takim. Në fakt, në kualifikueset për në Kupën e Botës “Francë 98”, Shqipëria arriti vetëm një fitore dhe një barazim në total, të tjerat ishin humbje, duke u renditur kështu e fundit në grup. Një ecuri aspak pozitive kjo, por që tregon se sa shumë ka përparuar kjo skuadër, pasi tani pretendojmë qartësisht për një vend në më të mirët e Europës.
Përplasja e rastësisë- Siç u cek më sipër, me Armeninë jemi ndeshur tre herë, por vetëm dy janë ndeshjet për kualifikuese, për Kupën e Botës në “Francë 98”. Edhe sot, ashtu si shumë vite më parë, shorti na vë pikërisht përballë Armenisë, për kualifikueset e Euro 2016, një turne që do të luhet po në Francë. Por ndryshe nga atëherë, ne kemi shumë më shumë fitore, ende pa mbaruar të gjitha takimet, duke dhënë padyshim një imazh më të mirë falë arritjeve të bëra. 
FAKT
Shqipëria deri më tani ka luajtur tre ndeshjes, por këto de jure, pasi de fakto janë vetëm 2 të tilla, duke përjashtuar takimin me Serbinë që u luajtën vetëm 41 minuta. Nisur nga kjo, jemi e vetmja skuadër që akoma nuk ka pësuar humbje, duke fituar ndaj Portugalisë dhe barazuar ndaj Danimarkës në “Elbasan Arena”.
07.09.2014 Portugali 0-1 Shqipëri
11.10.2014 Shqipëri 1-1 Portugali
14.10.2014 Serbi 3-0 Shqipëri* (fitore në tavolinë e Serbisë)
14.08.2013 Shqipëri 2-0 Armeni (Miqësore)
06.09.1997 Armeni 3-0 Shqipëri (Kualifikuese, Kupa e Botës “Francë 98”)
06.09.1998 Shqipëri 1-1 Armeni (Kualifikuese, Kupa e Botës “Francë 98”)
Kartonët, ja shtatë kuqezinjtë që rrezikojnë Danimarkën
Fitorja duket se nuk do të jetë kërkesa e vetme për futbollistët e Kombëtares Shqiptare, pasi janë 7 futbollistë që në rast kartonësh gjatë ndeshjes me Armeninë, nuk luajnë në takimin e ardhshëm ndaj Danimarkës, më 4 shtator të këtij viti, e prandaj kërkesa e dytë është kujdesi. Emrat që rrezikojnë janë Taultan Xhaka, Mërgim Mavraj, Ansi Agolli, Etrit Berisha, Amir Abrashi, Odise Roshi dhe Ergys Kaçe, që janë të gjithë futbollistë të formacionit bazë, prandaj mungesa e secilit do të sillte probleme të mëdha për De Biazin. 
Masat që do të merren nga policia për ndeshjen Shqipëri-Armeni
Policia e Elbasanit ka publikuar dje masat që do të merren me datë 29, para, gjatë dhe pas ndeshjes së Shqipërisë ndaj Armenisë. Sipas komunikatës, nuk do të ketë hyrje të lirë për fëmijët, pra duhet të jetë gjithkush i pajisur me bileta, pavarësisht moshës. Akset përreth stadiumit do të jenë të bllokuara, ndërkohë që është bëri i ditur numri i policëve që do të merren me sigurinë, numër që kap shifrën e 320 policëve. 
Armenia do të ketë 150 mbështetës në “Elbasan Arena”
Nuk do të jetë shumë i madh numri i tifozëve armenë që do të vijnë në Shqipëri për të mbështetur kombëtaren e tyre, teksa është bërë i ditur numri i saktë i tyre, duke kapur shifrën e 150 mbështetësve, që sigurisht nuk është shumë i madh dhe nisur nga kjo nuk pritet që të nxjerrin probleme apo të shkaktojnë trazira. 
Herdi Prenga: Shqiptarët duhet të përfaqësojnë vetëm Shqipërinë 
Fanella e Kombëtares kuq e zi po grumbullon rreth vetes çdo ditë e më shumë futbollistë që as nuk kanë lindur e as nuk janë rritur në Shqipëri, por e ndiejnë privilegj që të përfaqësojnë vendin e origjinës në një sport kaq të dashur dhe të përhapur. Ndoshta një thirrje krenarie, ndoshta paraqitjet shumë të mira të Kombëtares, ndoshta ndonjë arsye tjetër, por përsëri ajo që numërohet dhe ka rëndësi është padyshim fakti se skuadra po gëlon nga talentet e reja, ashtu si në rastin e Herdi Prenga, i lindur dhe rritur në Kroaci por që ka pranuar thirrjen e Kombëtares Kuq e Zi, ashtu si babai i tij, Besnik Brenga, që ka luajtur për përfaqësuesen shqiptare në vitet 92-94. duke u kthyer tek Prenga i ri, ky ka preferuar që të zgjedhë Kombëtaren kuq e zi, duke thënë ndër të tjera se është shqiptar dhe prandaj duhej të luante për Shqipërinë. “Unë jam shqiptar. Babai im ka luajtur për Kombëtaren Shqiptare. I thashë vetes që duhet të luash për Shqipërinë. Fola me babanë tim dhe me presidentin e federatës kroate dhe nxorëm si përfundimin më të mirë për të luajtur me Shqipërinë. Nuk kam çfarë të them pasi secili e di vetë rrugën e tij. Por nëse je shqiptar duhet të zgjedhin Shqipërinë”. Debutimi i tij nuk do të kërkojë shumë kohë, pasi këtë të shtunë, me datë 28 mars do të ndeshen ndaj Lihtenshtejnit, në një ndeshje eliminatore për Euro 2017, që do të luhet në Eschen në ora 20:30.
Berisha dhe Agolli: Ndaj Armenisë do japim maksimumin, objektivi janë 3 pikët
Një ndeshje vendimtare dhe kjo jo vetëm në sytë e trajnerit dhe të tifozëve, por edhe në sytë e lojtarëve, që shprehen mbi rëndësinë e takimit ndaj një kundërshtari që nuk mund të quhet modest, pavarësisht se qëndron shumë poshtë nesh në renditjen e përgjithshme të FIFA-s. Në konferencën e djeshme për shtyp, Kombëtaren e përfaqësuan Agolli dhe Berisha, ku u shprehen mbi rëndësinë e ndeshjes dhe faktin se do të japin më të mirën e tyre për të arritur objektivin e vetëm dhe kryesor, fitoren. 
Berisha: “E dimë që do të jetë një ndeshje e vështirë ndaj një skuadre që ka treguar forcën e saj ndaj të gjithë rivalëve por për ne objektivi është marrja e 3 pikëve”.
Agolli: “Të gjithë kërkojmë të bëjmë të lumtur tifozët tanë dhe të marrim rezultatin që kërkohet prej nesh. Megjithatë duhet të jemi me këmbë në tokë, por nuk mund ta fshehim që objektivi ynë është fitorja”.
Sa i përket Berishës, deri më tani ka pësuar vetëm një gol, atë ndaj Danimarkës, duke shpresuar që të vazhdojë të mbajë përsëri portën e paprekur në të mirë të rezultatit final pozitiv. Berisha: “Kam punuar shumë kohët e fundit dhe këtë ndeshje e kam menduar gjatë. Do bëj maksimumin tim që skuadra të mos pësojë. Nuk do të jetë e thjeshtë sepse kanë lojtarë të shpejtë dhe zbresin mirë në kundërsulm, por asnjëherë nuk ka ndeshje të thjeshta dhe e dimë atë që kërkojmë”. Futbollisti më problematik i armenëve është padyshim Mkhitaryan, sulmuesi i Borusias së Dortmundit në Bundesligë, futbollist që do të vërë në provë si mbrojtjen tonë ashtu edhe portën e Berishës. Agolli: “E kemi studiuar kundërshtarin në çdo detaj dhe po punojmë fort për të mësuar pikat e tyre të dobëta dhe ta ndalim atë në pikat më të forta, siç është dhe Mikhitaryan”. Duket se politika edhe në këtë ndeshje do të ceket pak, edhe pse në rang shumë të lehtë, apsi dihen marrëdhëniet mes Armenisë dhe Azerbajxhanit, e duke qenë se Agolli luan në Karabag, skuadër azere, ka shprehur se i kanë kërkuar në ekip që të mos kthehet pa fitore. Agolli: “Në Azerbajxhan e ndjejnë shumë këtë sfidë dhe fakti që luaj në atë vend e bën këtë sfidë një derbi për mua. Te Karabag më thanë të mos kthehem në skuadër nëse nuk mundim Armeninë, bëj shaka. Por herën e fundit që fituam, presidenti i klubit më dha shpërblim dhe besoj dhe këtë herë do më jap shpërblim nëse fitojmë me Armeninë”, përfundoi mbrojtësi. 
Bylis dhe Tërbuni, matin forcat me Superligën nëpërmjet Partizanit
Sigal