F1, Raikkonen “mbret” i provave të lira në Kanada

657
Çmimi i Madh i Kanadasë premton të jetë e paparashikueshëm, edhe pse ajo që dihet është se dueli për fitimin e etapës së radhës të Formulës 1 do të jetë sërish mes Ferrarit dhe Mercedesit, me përjashtim të ndonjë ngjarjeje të pazakontë.
Nëse në sesionin e parë të provave të lira ishte Mercedesi që merrte frerët e alternimit me Ferrarin për 4 vendet e para, në sesionin e dytë, “mbret” i pistës së Montrealit ishte finlandezi Raikkonen me kokëkuqen e tij.
Kimi duket se ka ditur sesi ta përqëndrojë në rrugën e duhur zhgënjimin për atë vend të dytë në Montekarlo, duke bërë që të merrte më të mirën e irritimit të treguar në pistë.
Pas krahëve të finlandezit Raikkonen u ndal britaniku i Mercedesit, Hamilton, me 215 të mijëtat më shumë, ndërkohë që gjermani i Ferrarit, Sebastian Vettel u rendit i treti me 5 të qindtat më shumë sesa Hamilton. Katër herë kampioni i botës në Formula 1, Vettel bëri një dalje të gabuar në kthesën e fundit, gjë që e sinjalizoi edhe në komunikimin në radio me drejtuesit e “kokëkuqes”, por gjithsesi ia arriti të dilte përpara Bottasit, i cili ishte 375 të mijëtat më i ngadaltë sesa Raikkonen.
Sa i përket të tjerëve, Verstappen u rendit i pesti, Massa i gjashti, Alonso i shtati, Ocon i teti, Kvyat i nënti dhe 10-shen e parë e mbylli Perez.
Provat zyrtare dhe garën për Çmimin e Madh të Kanadasë do të mund t’i ndiqni në Top Channel, të shtunën në orën 19 dhe të dielën në orën 20.
Sigal