Europa League/ Zbulohet axhenda, Skënderbeu do të kthehet me urgjencë nga Beogradi

531
Zbardhet axhenda e Skënderbeut para ndeshjes së sotme ndaj Partizanit të Beogradit, që do të luhet në orën 19:00. “Panorama Sport” mëson se në orën 14:00, drejtuesit më të lartë të klubit do të bëjnë një takim zyrtar me përfaqësuesit e UEFA-s dhe homologët e tyre serb, për të bashkrenduar punët që kanë lidhje me organizimin e takimit.
Ndërkohë, në orën 11:30 trajneri Ilir Daja do të vendosë para TV-së lojtarët për një analizë me video të kundërshtarit. Mësohet se trajneri ka preferuar që bashkë me futbollistët të shikojnë pjesën e dytë të takimit që u luajt dy javë më parë ndaj serbëve në “Elbasan Arena”.
Por, mbledhjet nuk mbarojnë këtu. Pak minuta më parë ekipi u njoftua se do të ketë edhe një analizë të dytë në orën 14:30. Në këtë të fundit Daja do të konfirmoj titullarët që pritet të hedhë sot nga minuta e parë. Sipas asaj që është shkruar edhe në numrin e sotëm të gazetës, nuk pritet të ketë surpriza.


Në portë do të jetë Shehi, ndërsa në mbrojtje nga krahët do të luajnë Vangjeli dhe Mici. Në qendër janë Jashanica dhe Radas, për të vazhduar me repartin e mesfushës, ku treshja Lilaj, Taku dhe Muzaka do të kenë detyra specifike, për të dyja fazat e lojës. Në majë do të jetë i zakonshmi Soue, që sot ka një motiv më shumë, pasi ka marrë ftesë edhe nga Kombëtarja e Gambias. Nga krahët e ofensivës do të luajnë Gavazaj në të djathtë dhe Xhejms në të majtë. Skuadra do të niset drejt stadiumit në orën 16:45.
Udhëtimi nga hotel “Crown Plaza” deri te stadium është rreth 10 minuta me autobus. Ndërkohë, menjëherë pas ndeshjes, ekipi do të kthehet në hotel për të konsumuar vaktin e darkës. Ndërsa në orën 23:00 do të lërë hotelin për të shkuar direct në aeroportin e Beogradit. Kthimi në Shqipëri do të bëhet në orën 01:00 të natës me linjën direkte Beograd-Tiranë.
Është zgjedhur ky itenerar për faktin se ekipi duhet të jetë sërish në fushë të dielën kundër Vllaznisë. Pjesa tjetër e delegacionit që shoqëron korçarët do të niset nesër me një tjetër itenerar: Beograd-Podgoricë-Tiranë. Edhe këtë herë klubi nuk preferoi të prenotonte një avion çartër për udhëtimin në Serbi
Sigal