Europa League/ Kukësi, mision “përmbysja” në Podgoricë

531
Nënkampionët synojnë kualifikimin në Malin e Zi në përballjen e dytë me Mladost. Malazezët hapin dyert e stadiumit Disfata 0-1 e pësuar në Tiranë nga Mladost e bën shumë të vështirë misionin e Kukësit për të vazhduar ecurinë në Europa League. Mladost-Kukësi do të luhet sot në orën 20:30, në stadiumin e Podgoricës, ku nënkampionët e Shqipërisë do të kërkojnë përmbysjen ndaj fqinjëve malazezë. Veç forcës së kundërshtarit as statistikat nuk janë në favor të Kukësit që në tre sezonet e tij në Europë ka dështuar në dy raste për të përmbysur rezultatin e ndeshjes së parë, por besimi në rradhët e formacionit të Marcelo Troisit është maksimal. Kukësit i duhet patjetër të shënojë. Mladosti edhe në takimin e parë shfaqi si pikën e saj të fortë mirorganizimin në mbrojtje por këtë herë Kukësi e ka marrë leksionin. Formacioni i nënkampionëve për ndeshjen e sotme do të jetë pothuajse i njëjti me të vetmin ndryshim se në vend të brazilianit Biringueta në mbrojtje do të jetë Hasani. Nënkampionët e Shqipërisë kanë kryer dje dhe seancën e fundit stërvitore në Pogoricë dhe janë gati për të realizuar përmbysjen e madhe. Takimi do të drejtohet nga një trupë gjyqtarësh danezë të kryesuar nga Michael Tykgaard.
Gjici: Besoj tek përmbysja
Ashtu si futbollistët dhe stafi teknik, edhe presidenti Safet Gjici beson te përmbysja dhe kualifikimi në fushën e kundërshtarit. “E komplikuam situatën e kualifikimit me humbjen në Tiranë. Ishte vërtet rezultat i hidhur, sepse Kukësi luajti mirë, zhvilloi volum loje, por na mungoi goli.
Futbolli matet me gola dhe jo me lojë, kështu që donim apo s’donim ne, humbëm. Nuk dua të përdor shprehje, por më erdhi një: Humbëm një betejë, por jo luftën. Natyrisht, është e vështirë, sepse duhet të shënojmë patjetër dhe nga ana tjetër, të mos pësojmë. Besoj se do të shënojmë,kam bindjen se do ta përmbysim dhe do e kalojmë këtë tur.”
Pejic kërkon golin e lamtumirës
Sytë e të gjithë kuksianëve janë nga Pero Pejiç. “Këpuca e Artë” e Superiores në sezonin e kaluar ka mbi supe peshën e sulmit të nënkampionëve të Shqipërisë, ndërkohë që mund të luajë ndeshjen e fundit me ta në Podgoricë, të enjten mbrëma. Shtatlarti kroat shpreson shumë që të shënojë ndaj Mladostit në ndeshjen e kthimit të turit të dytë kualifikues të Ligës së Europës, duke hapur luftën për në turin e tretë. “Kemi gabuar në ndeshjen e parë, por kështu e ka futbolli. Me rëndësi është të korrigjohemi dhe të mos përsërisim gabimet tona. Mladosti ka një avantazh të mirë, që e favorizon, por ne nuk jemi dorëzuar, do të bëjmë më të mirën në fushën e tij. Nëse malazezët fituan në Tiranë duke goditur vetëm një herë portën tonë, pse të mos e bëjmë edhe ne këtë në Podgoricë, kur kemi një ekip më të mirë e më sulmues në çdo drejtim.” Ndërkohë, ditët e fundit ka pasur mjaft zëra që e shikojnë Pero Pejiçin të ndryshojë skuadër për sezonin e ri. “Esteghlal i Teheranit më ka bërë një ofertë, ç’është e vërteta, por nuk kam vendosur asgjë për momentin. Jam i përqendruar te ndeshja e kthimit me Kukësin, ndërsa me çështjet e së ardhmes sime po merret menaxheri. Klubi nga Irani më ka bërë ofertë shumë të mirë financiare, por do të vendos pas Kupave të Europës,” – thotë sulmuesi.
Hyrja në stadium falas
Kundërshtari i Kukësit në turin e dytë eliminator të Europa League, Mladost Podgorica, kërkon ndihmën e tifozëve të vet. Për këtë qëllim, klubi malazez ka vendosur që hyrja në stadiumin ku do të zhvillohet ndeshja të jetë falas. Klubi malazez nuk ka stadium të madh të vetin, kapaciteti është 2 mijë vende, ndaj për këtë arsye do të zhvillojë ndeshjen të stadiumin kombëtar të Podgoricës, që zë afërsisht 17 mijë vende. Gjithsesi, nuk priten shumë tifozë, afërsisht rreth 5 mijë të tillë do të jenë në stadium. Edhe tifozët e Kukësit do të kenë hyrjen falas. Priten të jenë rreth 300 tifozë kuksianë në Podgoricë, nisur edhe nga afërsia gjeografike me Malin e Zi. 
Sigal