Europa kurorëzon sot “mbretin” e ri

90

Liga e Kampioneve/ Në mitikun “Uembli” të Londrës do të jenë përballë njëri-tjetrit Bajerni dhe Dortmundi

Finalja e madhe e “Uembli”-t do të kurorëzojë sot kampionin e ri të Europës në Ligën e Kampioneve, ku përballë njëri-tjetrit do të jenë Bajerni i Munihut, që e ka fituar katër herë kompeticionin më të rëndësishëm për klube (e fundit në vitin 2001), dhe Borusia e Dortmundit që e ka fituar vetëm një herë atë (1997). Kjo finale midis dy ekipeve gjermane do t’i dhurojë Gjermanisë trofeun e Ligës së Kampioneve për të shtatën herë, duke ngjitur kështu shkallët e renditjes së përgjithshme dhe duke lënë pas Holandën që numëron 6 trofe, por në të njëjtën kohë duke nisur një ndjekje të Italisë dhe Anglisë që e kanë fituar 12 herë Champions-in dhe Spanjës që kryeson me 13 suksese. Kjo është finalja e katërt që diskutohet nga ekipe e një shtetit në 21 finale të Ligës së Kampioneve me formatin aktual (pasi në perudhën 1956-1992 quhej Kupa e Kampioneve). Finalet e tjeta nga i njëjti shtet janë: Real Madrid-Valencia (3-0 pas kohës së rregullt në vitin 2000), Milan-Juventus (0-0 pas 120 minutave dhe 3-2 për kuqezinjtë pas goditjes së penalltive në vitin 2003) dhe Mançester Junajtid-Çelsi (1-1 pas 120 minutave dhe 6-5 për Mançesterin pas goditjes së penalltive në 2008-n). Bajerni është i frikshëm në sulm, pasi kanë shënuar 29 gola kundrejt 23 të Borusias së Dortmundit.

Gjigantët e Mynihut nuk kanë treguar asnjë dobësi këtë sezon. “Arkitekti” Juo Hejnkes ka një plan të qartë edhe për Dortmundin, pasi më parë ndëshkoi Barcelonën dhe Juventusin. Bajerni duhet të ketë kujdes, që Dortmundi të mos dominojë mesfushën me skemën e tij 4-5-1 me tre mesfushës defensivë, ku të minimizojë mbajtjen e topit të bavarezëve. Në momentin kur Dortmundi reagon me agresivitet në qendrën e mesfushës së Bajernit, automatikisht krijohen hapësira boshe në formacion në krahët e verdhezinjve. Bajerni mund të përpiqet të kundërsulmojë në diferencë më të madhe numerike me Riberinë dhe Robenin. Mario Manxukiç nuk luan vetëm rolin e “vrasësit” për Hejnkesin, por ai është nismëtari i presingut. Taktika në këtë finale do bëjë diferencën dhe trajneri i Dortmundit, Jurgen Klopi, është një fenomen. Qëllimi i parë për Dortmundin duhet të jetë agresiviteti, ngacmimi i bavarezëve në qarkullimin e topit.

  Gjykon Ricoli

Italiani Nikola Ricoli do të jetë arbitri i finales me Dortmundit dhe Bajernit të shtunën në “Uembli”. 41-vjeçari nga Bolonja është një arbitër i FIFA-s që prej vitit 2007, ndërsa gjykon në Serinë A prej 11 vitesh. Ricoli do të ketë asistentë të tij Renato Faveranin dhe Andrea Stefanin. Arbitri i 4-t do të jetë slloveni Damir Skomina, ndërsa asistentët pas porte Xhanluka Roki e Paolo Taljavento. Në total Ricoli ka gjykuar 26 ndeshje në Ligëne e Kampioneve. Dortmundi nuk ka asnjë precedent në të shkuarën me këtë bilbil, ndërsa Bajernin e ka gjykuar në dy sfida, në të cilat bavarezët kanë humbur.

  Kafshët janë me Dortmundin

 Më i famshmi është oktapodi Pol, i akuariumit të Oberhauzenit, që bëri bujë duke gjetur të gjitha parashikimet e Botërorit 2010, ku parashikoi humbjen në gjysmëfinale të Gjermanisë me Spanjën dhe të Holandës në finalen me spanollët. Në pritje të finales së Ligës së Kampioneve mes Bajernit të Mynihut dhe Borusias së Dortmundit, nuk kishte sesi të mungonte një sondazh i tillë i bërë në kopshtet zoologjike të disa qyteteve të ndryshme të Gjermanisë. Bota e kafshëve ka vendosur se trofeun në “Uembli” më 25 maj do ta ngrenë në qiell verdhezinjtë e Jurgen Klopit. në një nga kopshtet zoologjike të Dortmundit dhe të Lajpcigut, janë testuar një majmun orangutangu, një tapir dhe një kunadhe që kanë zgjedhur ushqimin e tyre, pikërisht në ato kuti ku ishte vendosur logoja e Borusias së Dortmundit. Në Europianin 2012 parashikimet e bëra nga kafshë të ndryshme, si një ari polar, një elefant, një papagall, apo edhe një gjirafë.

  Tre fakte për “Uemblin”

  1. “Uembli” organizon finalen e 7-të të Ligës së Kampioneve. Rikonstruksoni i fundit ka kushtuar 1.4 miliardë euro

 2. “Uembli” është stadiumi i dytë më i madh në Europë pas “Kamp Nou”-t në Barcelonë, me 90 mijë vende. Kjo vepër u ndërtua në vitin 1923.

 3. I vetmi sukses i gjermanëve në këtë stadium është Europiani 1996, kur Bierhof shënoi “goldengol” në shtesë 2-1 ndaj Çekisë.

Pikante nga Liga e Kampioneve

 31 shtete kanë sjellë ekipet e tyre në fazën e grupeve të Ligës së Kampioneve. Spanja kryeson me 13 ekipe pjesëmarrëse në Ligën e Kampioneve. Është vendi që ka paraqitur më shumë skuadra në fazën e grupeve, qysh kur kompeticioni ka këtë emër: Atletik Bilbao, Atletiko Madrid, Barcelona, Selta de Vigo, Deportivo La Korunja, Majorka, Real Betis, Real Madrid, Real Sociedad, Sevilja, Valencia, Vijarreal dhe Malaga. Në podium janë dhe Gjermania me 10 skuadra (Bajer Leverkuzeni, Bajern Munih, Borusia Dortmund, Hamburg, Hertha e Berlinit, Kaizerslautern, Shalke, Shutgart, Verder Bremen, Volfsburg) dhe Franca me 9: Osker, Bordo, Lens, Lilë, Lion, Marsejë, Monako, Nantes, Paris Saint-Germain. Nga vendet e tjera, Anglia dhe Italia përfaqësohen me 8 ekipe, Holanda (7), Belgjika (5), Portugalia (5), Rusia (4), Zvicra (4), Turqia (4), Austria (3), Danimarka (3), Greqia (3), Rumania (3), Izraeli (3), Sllovakia (3), Suedia 3.

 Skuadrat e pamundura

Shumë skuadra ja kanë dalë të fitojnë Ligën e Kampioneve pa pësuar humbje gjatë ecurisë së kompeticionit. Milani, Liverpuli, Ajaksi dhe Mançester Junaitid janë të vetmet ekipe qe kanë fituar trofeun të pamundura në dy edicione. Barcelona (2005-2006) dhe Mançester Junaitid (2007-2008) kanë këtë bilanc: nëntë fitore dhe katër barazime. Marseja fitoi shtatë dhe barazoi katër në edicionin 1992-1993. Interi (1963-1964), Ajaksi (1971-1972) dhe Liverpuli (1983-1984); fituan kompeticionin me 7 fitore dhe 2 barazime. Crvena Zvezda e fitoi titullin me 5 fitore dhe 4 barazime (1990-1991), ndërsa Mançester Junaitid ka një rekord prej pesë fitoresh dhe gjashtë barazimesh (1998-1999).

 Fitoret më të thella

Janë shumë ekipe që kanë fituar thellësisht ndaj kundërshtarëve të tyre, duke shënuar 10 apo më shumë gola. Dinamo e Bukureshtit mundi 11-0 Krusaders nga Irlanda e Veriut në vitin 1973. Fejenordi mundi Rejkavikun e Islandës 12-2 në vitin 1969. Mançester Junaitid mundi 10-0 Anderlehtin në vitin 1956, dhe po më këtë rezultat fitoi Ipsuiç Toun kundër Flirianës (1962), Benfika kundër Djudelanxh (1965), Lids Junaitid kundër Lin, Borusia Mënshengladbahut fitoi 10-0 ndaj Larnakës (1970). Edhe Ajaksi mundi 10-0 Omonian në vitin 1979.

SHPËRBLIMET NË EURO

Plejof:              2 100 000

Faza e grupeve:            3 900 000

Çdo ndeshje në grup: 550 000

Fitore në grup:            800 000

Barazimi në grup     :    400 000

Raundi i 16:         3 000 000

Çerekfinalet:        3 300 000

Gjysmëfinalistët :   4 200 000

Finalisti humbës:    5 600,000

Fituesi i finales:   9 000 000

  Fituesit e Ligës së Kampionëve

 1992-1993 Olimpiku i Marsejës-Milan 1-0

1993-1994 Milan-Barcelona 4-0

1994-1995 Ajaks-Milan 1-0

1995-1996 Juventus-Ajaksi 1-1 (4:2 pen)

1996-1997 Borusia Dortmund-Juventus 3-1

1997-1998 Reali i Madrid-Juventus 1-0

1998-1999 Mançester Junajtid-Bajern 2-1

1999-2000 Reali i Madridit-Valencia 3-0

2000-2001 Bajern-Valencia 1-1 (5-4 pen.)

2001-2002 Real Madrid-Bajer Leverkuzen 2-1

2002-2003 Milan-Juventus 0-0 (3-2 pen.)

2003-2004 Porto (3:0 kundër Monakos)

2004-2005 Liverpul-Milan 3-3 (3-2 pen.)

2005-2006 Barcelona-Arsenal 2-1

2006-2007 Milan-Liverpul 2-1

2007-2008 Mançester Junaitid-Çelsi 1-1 (6-5 pen.)

2008-2009 Barcelona-Mançester Junaitid 2-0

2009-2010 Inter-Bajern 2-0

2010-2011 Barcelona-Mançester Junaitid 3-1

2011-2012 Bajern-Çelsi 1-1 (4-2 pen)

INFO SHKURT

 -Françesko Xhento është i vetmi lojtar që ka qenë pjesë e gjashtë formacioneve fituese së Kupës të Kampioneve, të gjitha të fituara gjatë kohës së tij te Reali i Madridit (1956, 1957, 1958, 1959, 1960, 1966).

 – Xhento (1956, 1957, 1958, 1959, 1960, 1962, 1964, 1966) dhe Paolo Maldini i Milanit (1989, 1990, 1993, 1994, 1995, 2003, 2005, 2007) janë dy lojtarët e vetëm që janë paraqitur në tetë finale.

 – Bob Paisleu është trajneri i vetëm që ka fituar tre Kupa të Kampioneve: 1977, 1978 dhe 1981 (të gjitha me Liverpulin).

 – Holandezi Klarens Sedorf (Ajaks 1994-1995, Real Madrid 1997-1998, Milan 2002-2003 dhe 2006-2007) dhe Samuel Eto’o (Real Madrid 1999-2000, Barcelona 2005-2006, 2008-2009, Inter 2009-2010) janë dy lojtarët e vetëm që për tre ekipe fituese.

 – Vetëm katër lojtarë e kanë fituar dy herë rresht me dy ekipe të ndryshme kopmeticionin: Marsel Desaji (Marsejë, Milan), Paolo Suza (Juventus, Borusia Dortmund), Xherard Pike (Mançester Junaitid, Barcelona) dhe Samuel Eto’o (Barcelona, Inter).

 – Vetëm tre persona e kanë fituar Ligën e Kampioneve me të njëjtin klub, fillimisht si lojtar e më pas si trajnerë. Miguel Munjoz i Realit të Madridit, Karlo Ançeloti me Milanin dhe Pep Guardiola me Barcelonën.

  PJESËMARRËSIT

Reali i Madridit mban rekordin e pjesëmarrjeve rresht në Kupën e Kampioneve, me 17 të tilla: nga 1955-1956 deri në 1969-1970. Mançester Junaitid ka rekordin e pjesëmarrjeve rresht në Ligën e Kampioneve, me 18 të tilla nga 1996-1997 deri në 2010-2011.

 RAST I RRALLË

Notingem Forest është klubi i vetëm që e ka fituar Kupën e Kampioneve më shumë herë (dy herë) se sa ka fituar kampionatin vendas (një herë). Forest fitoi kampionatin anglez në vitin 1978, përpara se të fitonte Kupën e Kampioneve në vitin 1979 dhe 1980.

 FINALE “VENDASE”

Vetëm në katër raste finalet e Ligës së Kampioneve kanë përfshirë ekipe të njëjtit vend: Real Madrid-Valencia (Spanjë, 1999-2000, fitoi Reali), Milan-Juventus (Itali, 2002-2003, fitoi Milan) dhe Mançester Junaitid-Çelsi (Angli, 2007-2008, fitoi Mançesteri) dhe tani Bajern-Borusia Dortmund.

 MEGA-QYTETET

Londra (Angli) dhe Athina (Greqi) janë dy qytetet e vetme që janë prezantuar në fazën e grupeve me nga tri skuadra brenda një sezoni. Athina me Olmpiakos, Panathinaikos dhe AEK-un në 2003-2004; Londra me Çelsin, Arsenalin dhe Totenhemin në 2010-2011

 SUPER-DERBIT

Vetëm katër derbi midis skuadrave të njëjtit qytet janë ndeshur midis tyre: 1958-59, Real Madrid-Atletico Madrid (gjysmëfinale); 2002-2003, Inter-Milan (gjysmëfinale), 2003-2004, Çelsi-Arsenal (çerekfinale) dhe në edicionin 2004-2005, Inter-Milan (çerekfinale).