Eurobasket Femra 2017/ “Asllan Rusi” nuk i plotëson kriteret e kërkuara nga FIFA

Gjendja e Pallatit të Sportit “Asllan Rusi” në kryeqytet nuk i përmbush kushtet e kërkuara nga Federata Botërore e Basketbollit (FIFA) dhe Kombëtaret shqiptare të këtij sporti rrezikojnë t’i luajnë jashtë vendit ndeshjet e tyre. Ky është alarmi që kanë dhënë inspektorët e FIFA-s, të cilët kanë parë nga afër mjediset e këtij Pallati Sporti, duke vendosur edhe afatet përsa i përket kushteve për ndeshjet ndërkombëtare. Pas disa vitesh mungesë, Shqipëria do të marrë pjesë në Eliminatoret e Kampionatit Evropian të Basketbollit për Femra dhe, për këtë qëllim, ka mbërritur në Tiranë një përfaqësuese e FIBA Evropës, e cila ka inspektuar gjendjen e Pallatit të Sportit “Asllan Rusi” në kryeqytet. Inspektorja Shined Gordon, ka parashtruar kërkesat e FIBA-s përsa i përket infrastrukturës. “Ky Pallat Sporti ka nevojë për një rinovim, pasi nga ky inspektim i parë i yni ka disa kushte që nuk do të pranoheshin dhe ka disa zona në të cilat duhet punuar përpara se të zhvillohet këtu ndeshja e parë e femrave në nëntor”, ka deklaruar Shined Gordon. Zyrtarja e FIBA-s ka vendosur edhe afatet përsa i përket kushteve për ndeshjet ndërkombëtare. “Mendoj se kohë ka, pasi jemi në fund të gushtit dhe ndeshja e parë në fushën tuaj për përfaqësuesen e femrave luhet në fund të nëntorit. Nëse Federata merr mbështetjen e nevojshme, nëse merr financimin e nevojshëm, unë do të thoja, “pse jo?”. Delegacioni i FIBA Evropës ka vizituar edhe Pallatin e Sportit “Ramazan Njala” të Durrësit dhe atë “Tomorr Sinani” në Elbasan.