EURO 2016/ Ceremonia e hapjes, mes spektaklit dhe muzikës

464
Vetëm pak orë na ndajnë nga fillimi i Europianit 2016 dhe si në çdo veprimtari prestigjioze ndërkombëtare, surprizat nuk do të mungojnë. Ceremonia e hapjes do të zhvillohet në stadiumin “Stade de France”, përpara ndeshjes së parë mes Francës dhe Rumanisë, e vlefshme për Grupin A, ku bëjnë pjesë edhe Shqipëria me Zvicrën që do të ndeshen nesër në orën 15:00. Sipas organizatorëve, do të jetë një spektakël festiv, që do të shndërrohet në një koreografi në masë. Një vendtakim me identitetin francez. Stadiumi në qendër të Parisit do të mirëpresë 24 përfaqësueset pjesëmarrëse në këtë ngjarje. Fusha do të shndërrohet në një “Kopsht francez”, me kërcimtarët që do të performojnë rreth një karoseli, duke bashkuar tingujt e muzikës klasike vendase, me ritmet moderne. Koreografia gjigante do të vazhdojë e frymëzuar nga kultura popullore franceze, e simbolizuar nga personazhe festivë ekstravagantë, kostume shumëngjyrëshe dhe rreth 150 balerina të “Cancan”. Më pas karoseli do të hapet, duke nxjerrë në skenë ‘DJ’ e famshëm francez, David Guetta, i cili për këngën zyrtare do të ketë përkrah këngëtaren suedeze, Zara Larsson. Performanca muzikore, në të cilën do të përfshihet edhe publiku, do të mbyllet me shpalosjen në tribuna të flamujve të 24 vendeve pjesëmarrëse. Në fund të ceremonisë është parashikuar edhe prezenca e “Patrullës së Francës” për një demonstrim akrobatik të Forcave Ajrore Franceze, të cilat do të fluturojnë mbi stadium, duke lënë në qiej ngjyrat e flamurit francez.
Sigal