Eugert Zhupa, “shqiponja” e çiklizmit shqiptar në Itali

893
Sigal

Kampioni 24-vjeçar fitoi para pak ditësh turneun “La Coppa Caduti di Reda” kundër 135 çiklistëve

 Eugert Zhupa është një nga emrat më të spikatur të çiklizmit shqiptar në arenën ndërkombëtare, e veçanërisht në Itali, atje ku 24-vjeçari jeton prej më shumë se 16 vjetësh, nga 1998-ta kur ai ishte 8 vjeç. I dashuruar me biçikletën qysh kur ishte vetëm 13 vjeç, rrogozhinasi me banim në Skandiano të Rexhio Emilias, fitoi para pak ditësh “La Coppa Caduti di Reda” me fanelën e “Zalf Euromobil Desirree Fior”, një nga turnetë më të rëndësishëm çiklistikë në Itali. Kampioni i Kombëtares shqiptare të çiklizmit, apo “L’aquila albanese” (shqiponja shqiptare) siç thirret ai në Itali, apo dhe me nofkën “il guerriero” (Luftëtari), zhvilloi një garë perfekte, duke qenë ai fituesi i madh. Gazeta “Telegraf” zhvilloi një intervistë me Zhupën.

 – Eugert, ju jeni një nga emrat më të njohur të çiklizmit shqiptar, pavarësisht se pjesën më të madhe të aktivitetit tuaj si çiklist profesionist e kryeni në Itali. Për lexuesin e gazetës “Telegraf”, si nisi dashuria juaj për “dyrrotakët”?

– Mbërrita në Itali në moshën shumë të vogël, kush isha vetëm tetë vjeç, në vitin 1988. Nisa të ushtrohem me biçikletën në moshën 13 vjeç, duke qenë pjesë e ekipit “Ciclistica 2000 Rubiero”, ku fitova katër gara. Kështu vitin e parë si amator në 2009-n kam fituar trofeun ‘Alfredo Lando’, në vitin 2010 ‘Targa Libero Ferrario’, ndërsa vitin 2011 fitova “Grand Prix’-n e Cedas, garën e 150- vjetorit të Bashkimit të Italisë dhe trofeun “Mechanic System”

– Disa ekipe në karrierën tuaj në Itali. Si jenë përfshirë?

Në kategorinë e moshave kam fituar më shumë se 15 gara, në të cilat kam pasur konkurrencë dhe me kundërshtarë të fortë.

– Me të rinjtë e Nial Nizzoli di Correge, me drejtor sportiv Xhampiero Borgi, kam fituar tetë gara ndër të cilat disa janë ndërkombëtare. Karriera ime vazhdoi me ekipin Trevigiani Dynamon Bottoli, të moshës U-23, dhe pavarësisht se nuk isha në formën time më të mirë, fitova disa gara. Aktualisht jam në ekipin e Zalf Desire Fior dhe kam treguar sesa vlej. Arrita menjëherë në një vend të dytë në Bolgera di Trento.

– Fitorja juaj e fundit është në “La Coppa Caduti di Reda”. Si do ta komentonit?

– Në të vërtetë, bëra një garë perfekte, duke arritur jo vetëm objektivin tim, por edhe atë të skuadrës sonë, pasi i gjithë podiumi ishte yni, pra i skuadrës Zalf Euromobil Desire Fior U-23. Unë u rendita i pari midis 135 çiklistëve, duke i përshkuar 155 kilometrat në kohën 3 orë 46 minuta e 36 sekonda, me një shpejtësi mesatare prej 41 km në orë. I dyti doli Daniele Kavasin dhe i treti Davide Gomirato, po nga ekipi ynë. E kryesova garë nga fillimi, dhe mund të them që kur mungonin 20 km nga finishi, kishe një distancë prej 10 km nga grupi i madh dhe mbi një minutë nga dhjetë ndjekësit e mi më të afërt, ku katër prej tyre ishin të ekipit tim. E fitova garën me 32 sekonda më shpejt nga vendi i dyti.

– Cili ishte reagimi në mediat italiane?

– Jashtëzakonisht i mirë. Një artikull i bukur u shkrua edhe në gazetën më të madhe sportive në Itali, “La Gazzetta dello Sport”, pasi fitorja ime ishte e dhjeta sezonale për ekipin tonë. Edhe Luçiano Rui, një nga drejtuesit e ekipit tonë më vlerësoi dhe foli shumë pozitivisht për mua në media italiane.

– Cila është “ëndrra në sirtar” e Zhupës?

– Dua të fitoj në “Paris Roubaix”, një turne prestigjioz ndërkombëtar. Është ëndrra ime. Aty kam marrë pjesë në vitin 2013, ku dola i nënti.

– Me cilët emra të mëdhenj të çiklizmit italian keni garuar?

– Unë kam garuar me Adriano Malorin, Xhakomo Nicolon, Shasha Modolo, Mauro Fineton, por dhe shumë të tjerë.

– Një kampion i padiskutueshëm në Shqipëri. Cilat kanë qenë disa nga garat dhe kampionat ku keni fituar?

– Në fakt, në Shqipëri kam zhvilluar pak gara, por i kam fituar të gjitha, midis të cilave shtatë tituj kampionë dhe një “Xhiro të Shqipërisë. Në Kampionatin Kombëtar shqiptar kam garuar për herë të parë në vitin 2008, pra 18 vjeç. Falë dhe eksperiencës së fituar në turnetë në Itali dhe ato ndërkombëtarë, dola kampion në vitet 2008-2012, ku kam fituar edhe garën me kronometër individual. Suksesin e përsërita në vitin 2013.

– Cila është receta juaj për të qenë kampion?

– Receta ime është shumë e thjeshtë: stërvitje dhe vetëm stërvitje, disiplinë dhe regjim, seriozitet dhe profesionalizëm. Vetëm kështu mund të jesh në elitën e një sporti dhe të jesh fitues. Stërvitem thuajse çdo ditë nga 6 orë.

– Ndryshe nga Shqipëria, në Itali çiklistët janë profesionistë. Cili është statusi juaj?

– Unë jam një çiklist profesionist, aktualisht me ekipin Zalf Euromobil Desire Fior, me të cilën kam dhe një kontratë të rregullt, brenda të gjitha termave të një sportist. Tani jam një nga çiklistët më të fortë në Itali. Shpresoj të fitoj akoma deri në fund të gushtit. Më ka kontaktuar një skuadër profesioniste dhe nga muaji gusht do të kryej disa testime në këtë ekip.

– Jemi mësuar që, sportistët të kenë edhe nofkat e tyre. Ty si të quajnë në Itali?

– “L’aquila albanese”, që do të thotë “shqiponja shqiptare”. Më jep shumë kënaqësi, kur më thërrasin ashtu. Më motivon. Shtypi sportiv italian ma përmend shpesh, por dhe shokët dhe drejtuesit e skuadrës. Një tjetër nofkë është dhe “Il guerrierro”, që do të thotë “luftëtari”.

  Ëndrra

“Dua të fitoj në “Paris Roubaix”, një turne prestigjioz ndërkombëtar. Është ëndrra ime. Aty kam marrë pjesë në vitin 2011, ku dola i nënti”

 Nofka

“Në Itali më quajnë L’aquila albanese”, që do të thotë “shqiponja shqiptare”. Më jep shumë kënaqësi, kur më thërrasin ashtu. Më motivon shumë”

 Kampion

“Në Shqipëri kam zhvilluar pak gara, por i kam fituar të gjitha, midis të cilave shtatë tituj kampionë dhe një “Xhiro të Shqipërisë”