Ervin BAKU/ Pele, Maradona, Zidane… pastaj vjen Mesi

517
Sigal

Kristiano Ronaldo fitoi për të dytën herë “Topin e Artë” pa qenë kampion në kampionatin spanjoll

13 janar 2014. Kristiano Ronaldo fitoi për të dytën herë “Topin e Artë”. Pa qenë kampion në kampionatin spanjoll. Madje pa fituar asgjë. Në votimin e 13 janarit, ashtu si vjet, ashtu si në atë të vitit 2010 dhe 2012, janë shkelur disa kritere apo rregulla të pashkruara. Të hënën, për shembull, Ronaldo u kurorëzua në Zyrih pra pa qenë kampion në kampionatin spanjoll. Vjet po ashtu, Mesi  u kurorëzua në Zyrih pa qenë kampion në kampionatin spanjoll. Ndërkohë që, në vitin 2010 dhe 2012 janë anashkaluar dy kampionë të mëdhenj Bote dhe Europe: Ksavi dhe Injesta, të cilët ishin liderët absolutë të Spanjës, Kampione e Botës në vitin 2010 dhe Kampione e Europës në vitet 2008 dhe 2012. Zgjedhja e Ronaldos këtë vit u kontestua edhe nga 1-shi i UEFA-s Mishel Platini. Platini ngeli shumë i zhgënjyer nga sistemi i ri i votimit. Sistem që hyri në fuqi pas bashkimit të “France Football” me FIFA World Player. Sepse me sistemin e vjetër, do të fitonte francezi Frank Riberi. Vjet po ashtu kishte kontestime të mëdha. Zgjedhja e Mesit u kontestua edhe nga ikona e futbollit gjerman. Dhe Bekenbaueri flet rrallë, por asnjëherë nuk ia fut kot. Megjithatë nuk do të merrem me këtë çështje sot. Në fund të fundit, të gjithë e pranojmë, Lionel Mesi dhe Kristiano Ronaldo po dominojnë botën e sotme futbollistike dhe kanë një vend të merituar në panteonin e legjendave të futbollit.  Të rikthehemi te Ronaldo dhe Mesi. Dhe në fakt sot do të merrem vetëm me Mesin. Pyetja që shtrohet sot është: Mesi, a është më i miri i të gjitha kohërave? Sepse askush nuk mund të pretendojë sot një gjë të tillë për Portugezin. Se që Mesi dominon epokën e tij, ashtu si Pele, Maradona dhe Zidane të tyren, kjo nuk ka as më të voglin diskutim. Me gjithë tre dëmtimet e rënda këtë sezon. Jo, Mesi nuk është futbollisti më i mirë i të gjitha kohërave. Futbolli matet me rezultate. Rezultatet dhe faktet janë kokëforte. I pari, mbreti, është braziliani Pele. I zgjedhur futbollisti më i mirë i shekullit të XX nga FIFA dhe nga IFFHS-ja, 3 herë kampion i Botës, me 1281 gola në gjithë karrierën e tij, Pele është thjesht i paarritshëm. Pele është zgjedhur dhe sportisti më i mirë i shekullit të XX nga Komiteti Ndërkombëtar Olimpik. “Palmaresi” i tij është po aq i gjatë sa dhe emri i tij. Jo më kot ai fitoi më 13 janar 2014 “Çmimin e Nderit” të FIFA-s Topi i Artë. “Kur ne mendojmë për futbollin, një emër të vjen në mendje para gjithë të tjerëve. Asnjë emër nuk ka kaq shumë influencë dhe mbi kaq shumë njerëz sa Pele”, deklaroi 1-shi i FIFA-s, Sep Blater, në momentin e dhënies së çmimit prestigjioz. Pele është thjesht dhe vetëm Mbreti i Futbollit. I dyti është argjentinasi Maradona. I zgjedhur futbollisti më i mirë i shekullit të XX nga një votim ndërkombëtar në internet dhe organizuar nga FIFA (Maradona 36,27 %, Pele 36,20 % dhe Euzebio 16 %), kampion i Botës në vitin 1986 dhe nënkampion në vitin 1990, kampion në Argjentinë me Boka Juniors, fitues i Kupës së Mbretit me Barcelonën në Spanjë, Maradona shkon dhe fiton gjithçka me Napolin në Itali: 2 herë kampionatin, 1 herë Kupën e Italisë dhe 1 herë Kupën UEFA. Maradona mori për dore Argjentinën dhe Napolin dhe i shpalli kampionë. I treti është francezi Zidane. Kampion i Botës në vitin 1998 dhe nënkampion në vitin 2006, kampion i Europës në vitin 2000, 2 herë kampion në Itali me Juventusin, kampion në Spanjë me Realin e Madridit, fitues i Ligës së kampioneve me Relin e Madridit (ku shënoi dhe një gol të mrekullueshëm), 2 herë fitues i Kupës interkontinentale me Juventusin dhe Realin e Madridit. Zidane është futbollisti francez më i mirë i shekullit të XX. Që të tre, Pele, Maradona dhe Zidane janë në 11-shin e “Dream Team FIFA”, ose e shqipëruar “Ekipi i Endrrës FIFA”. Të vijmë te Mesi, që, për mua, është i 4-ti në renditjen e më të mirëve për të gjitha kohërat. Flas deri në momentin që po ndaj me ju këtë opinion. Mesi ka fituar gjithçka me Barcelonën, absolutisht gjithçka: 3 herë Ligën e kampioneve (edhe pse në finalen e Parisit 2006 nuk ka luajtur), 6 herë kampionatin spanjoll, 2 herë Kupën e Mbretit dhe 2 herë Kupën e botës së klubeve. Por ka fituar vetëm dhe vetëm me Barcelonën. Me Argjentinën nuk ka fituar asgjë deri më sot. Barcelona ka fituar edhe pa “pleshtin”. Barcelona pa Mesin ka fituar 16 herë kampionatin spanjoll dhe 2 herë Ligën e kampioneve. Napoli nuk ka fituar asgjë, para dhe pas Maradonës… Mesi është i ri dhe ka gjithë potencialin dhe kohën për të hyrë në podiumin Pele-Maradona-Zidane, madje edhe t’i kalojë ata. Ai vetë e pranon: “Më mungon vetëm Kupa e Botës”. Kjo është ëndrra e tij e madhe. Mesi edhe vetë e kupton. Ky është një kriter shumë i rëndësishëm. Pa Kupën e Botës do të mbetet thjesht më i miri i epokës së tij. Dhe tani në rivalitet të plotë me Ronaldon. Deri atëherë, Pele, Maradona dhe Zidane janë 3-shja e më të mirëve të të gjitha kohërave.

 Andres Iniesta, organizatori më i mirë

 Mesfushori i Barcelonës, Andres Iniesta është vlerësuar si organizatori më i mirë në Botë për vitin 2013 nga Instituti Ndërkombëtar i Historisë dhe Statistikave në Futboll, IFFHS. Ky është viti i dytë radhazi për asin katalanas që e fiton këtë çmim. Përpara tij e kanë fituar edhe Zinedin Zidane në vitin 2006, Rikardo Kaka në 2007 dhe shoku i tij i skuadrës Ksavi Hernandez nga 2008 në 2011. Iniesta grumbulloi 132 pikë. Ai la pas në këtë garë gjermanin Mesut Ozil dhe italianin Andrea Pirlo respektivisht me 94 dhe 78 pikë. Vendi i katërt shkoi për mesfushorin e Bajernit të Munihut Bastian Shvajnshtajgeri, i cili grumbulloi 61 pikë. I pesti u rendit katër herë fituesi i këtij çmimi katalanasi Xavi Hernandez me 56 pikë.

  Hënes: “Bajerni, numri një në Botë”

 Bajerni i Munihut fitoi pesë nga gjashtë trofetë e mundshëm në një sezon futbollistik, duke filluar nga Liga e Kampioneve e mbaruar me Botërorin e Klubeve. Skuadra gjermane u cilësua si më e mira në Botë për vitin 2013, ndërsa të njëjtin mendim ndan edhe presidenti i klubit bavarez, Uli Henes. Ai mendon se, Bajerni nuk rivalë në Europë, pasi fitoi tre trofe me Jup Hajnknesin në bankinë dhe dy të tjerë me Pep Guardiolën, pikërisht Superkupën e Europës dhe Botërorin i Klubeve. “Mund të pohoj se, për momentin Bajerni është klubi numër një në botë. Do të ishte arrogante po të thosha se jemi të pathyeshëm, por në fakt gjendemi në një pozicion mjaft të mirë. Duhet falënderuar trajneri për këtë”.

Në kampionat, Bajerni udhëheq me 7 diferencë dhe një ndeshje më pak. Në këto kushte, Hënes mendon se nuk nevojiten përforcime në Janar, por shpreson ndërkohë që të ardhurat e klubit të shtohen për blerje në të ardhmen.

 Venger: “Ozil, cilësia ekstra e Arsenalit”

 Arsenali kryeson më meritë kampionatin anglez. Një meritë kryesore në ecurinë e jashtëzakonshme të “topçinjve” ka padyshim mesfushori gjerman Mesut Ozil, i blerë për 50 milionë euro nga Reali i Madridit. Trajneri i Arsenalit, Arsen Venger, në një deklaratë për mediat britanike tha se, tifozët presin shumë nga Mesut Ozil. Gjithsesi, ky nuk është një motiv që e gëzon teknikun francez, i cili kërkon sa më pak presion ndaj mesfushorit gjerman që e transferoi këtë verë në “Fly Emirates” për 50 milionë Euro. “Ndonjëherë njerëzit presin që ai të bëjë diferencën i vetëm. Ndonjëherë kur loja nuk funksionon, të gjithë mendojnë se ai do të marrë topin i vetëm dhe do ta çojë në rrjetë. Por dua t’ju kujtoj se ai është më shumë një pasues se sa golashënues. Shënimi I golave është një cilësi ekstra e tij prandaj nëse nuk e bën një gjë të tillë duhet inkurajuar dhe jo kritikuar. Ozil është vetëm 25 vjeç dhe mund të përmirësohet më shumë”.

Barcelona, 95 milionë euro për Nejmarin

 Barcelona pagoi për Nejmarin plot 95 milionë euro dhe jo 57 që deklaroi zyrtarisht presidenti katalanas Sandro Rosell. Është e shkruar, 38 milionë euro më shumë. Kjo është shifra që është e përcaktuar në kontratën mes klubit katalanas. Sipas informacioneve që jep gazeta spanjolle “El Mundo”, gjenden dokumente te shkruara mes nëntorit 2011 dhe shtator 2013 që përfshihen, mes çështjeve të tjera, 3 milionë komision të përcaktuara për familjen e Nejmarit që deri më tani mbaheshin të fshehura. 2 milionë euro ishin për të atin që do të kërkojë talente të tjera tek Santos, klubi i mëparshëm i Nejmarit. 4 milionë më shumë për një publikim gjoja të kontratës nga kompanitë braziliane dhe 2.5 milionë të tjera të cilat Nejmari do t’i dhuroje teorikisht shoqatave sociale konkretisht fëmijëve të sëmurë në Sao Paulo.