Ervin Baku/ Nderim dhe vlerësim për Muhamet Malon!

608
Sigal

Akademia Universale Botërore e Paqes, e akredituar në OKB, BE, SHBA dhe Misioni Diplomatik për Paqen dhe Prosperitetin kanë nderuar dhe vlerësuar dje Misionarin e Paqes, Muhamet Malo, me titullin e lartë “Doktor Honoris Causa”, si Lidership në Edukimin e Sporteve dhe Menaxhim. Titull i propozuar nga Misioni Diplomatik për Paqe dhe Prosperitet dhe që iu dorëzua nga Akademia Universale Botërore e Paqes me Kryetar Doktor Madhu Krishan. Titulli Doktor “Honoris Causa” është një vlerësim shumë i lartë që i akordohet  personaliteteve nga e gjithë bota. Me këtë titull çmohet, vlerësohet dhe nderohet kontributi që këto figura japin për vendin e tyre. “Diplomatic Mission Peace and Prosperity” është organizatë lobimi e ideuar nga i ndjeri Richard Holbrooke, ish-diplomat i shquar amerikan, performues i Ballkanit të sotëm, e mbështetur nga një grup diplomatësh të huaj miq të tij. Qendrën e ka në Tiranë dhe vepron në Republikën e Shqipërisë, në Kosovë, Maqedoni, në Mal të Zi dhe në shumë shtete të mëdhenj të mbarë botës. Ky mision vepron gjithashtu dhe në ato shtete ku janë përqëndruar komunitetet shqiptare, si në Greqi, Gjermani, Francë, Itali, Turqi, Zvicër etj., veçanërisht në SHBA si vendi mik i fuqishëm që ka më shumë se një shekull që me politikat dhe diplomacinë e vet e ka marrë në mbrojtje Shqipërinë tonë të vogël. Me vendim të Bordit drejtues të Akademisë Universale Botërore të Paqes, akademi e akredituar në OKB, BE dhe SHBA, dhe me miratimin e 70 shteteve, Misioni Diplomatik për Paqen dhe Prosperitetin ka nderuar dhe vlerësuar dje Misionarin e Paqes, Muhamet Malo, me titullin e lartë “Doktor Honoris Causa”, si Lidership në Edukimin e Sporteve dhe Menaxhim. Muhamet Malo është sot një nga biznesmenët më të njohur shqiptarë. Megjithatë ai nuk e konsideron veten si njeri të privilegjuar, që bën një jetë të veçantë, ndryshe dhe të shkëputur nga njerëzit e thjeshtë. Ai nuk ka ndryshuar asgjë nga zakonet e tij të mëparshme dhe në mënyrën e tij të jetesës. Ka të njëjtët miq të vjetër, të cilët i vlerëson dhe respekton shumë, të njëjtët parime. Të njëjtin moral human. I mbetet totalisht besnik raporteve njerëzore. Mjerimi e trishton, i vret sytë dhe ai është gjithmonë pranë njerëzve në nevojë. Bashkë me bashkëshorten e tij, Miranda Malo, nuk mungojnë në asnjë nga aktivitetet me qëllim humanitar. Aktiviteti i tyre humanitar shkon rregullisht në ndihmë të azileve të pleqve, jetimëve, personave me aftësi të kufizuar, veçanërisht për grupin e të verbërve dhe të paraplegjikëve, dhe njerëzve në vështirësi. Po përmend vetëm rastin e fundit në kompleksin luksoz të Dajtit, ku Muhamet Malo shtroi një drekë për personat me aftësi të kufizuar. Në këtë aktivitet bamirësie ishin të pranishëm rreth 270 persona me aftësi të kufizuar, nga Shoqata e të Verbërve, si dhe nga Shoqata e Para e Tetraplegjikëve të Shqipërisë. Çdo aktivitet i buron çiftit nga thellësia e zemrës së tyre, sepse lumturinë më të madhe e ndjejnë kur bëjnë të lumtur një person në nevojë, një fëmijë të gjymtuar, pa prindër dhe pa asnjë lloj përkrahje. Muhamet Malo, “Mjeshtër Sporti”, ka ndihmuar shumë e shumë sportistë të rinj dhe njihet nga të gjithë si lobist i sportit shqiptar ne botë. Ai ka bërë veprime që kanë revolucionarizuar jetën dhe kulturën shqiptare. Dhe nuk mund të lë pa përmendur spektaklin “Ethet e së premtes mbrëma”, sjelljen e familjes mbretërore në Tiranë, etj.. Po të kishim mes nesh më shumë Muhamet Malo, do të kishte më shumë paqe mes njerëzve, më shumë mirësi e dashuri, më shumë humanizëm, më pak nevojtarë, më pak shpirtra të vrarë, më pak trishtim. Me më shumë burra të tillë do të kishim një shoqëri më humane dhe më optimiste, do të kishim një Shqipëri më të mire. Zoti e bekoftë Muhamet Malon!