Ervin Baku: kandidati më i denjë për në KE, kontribues i drejtpërdrejtë me futbollin

1332
Nga Agron KAJA
PROFIL/ Ja si vjen në gazetën “Telegraf” një nga rastet më të rralla, pse jo edhe prekëse në këtë situatë zgjedhore në FSHF
Intervistat mes kolegësh shpesh kanë emocion, si ta freskojë memorien lexuesi i gazetës “Telegraf” punën tuaj me sportin, e në veçanti me futbollin?
Në këtë profesion jam prej gati 28 vitesh, ndërkohë që nga viti 1997 si i akredituar permanent në UEFA e në FIFA. Këtu në Shqipëri kam punuar në disa media sportive, në të cilat besoj sa kam lënë gjurmët e mia profesionale. Aktualisht punoj në Radio Tirana.

Admirimi im si koleg është se ju keni gjetur forcën për ti përballuar sfidat e jetës, në media ka qenë e vështirë për ju?
Nuk është fare e vështirë për mua, madje do të thosha se këtë e kam marrë si bekim nga Zoti, i cili më ka bërë të fortë sa “10 vetë së bashku”. Në të gjithë hapësirën e jetës sime, jetoj jetën normalisht, dhe për këtë mendoj se edhe gazetaria më ka dhënë “uratat” e saj.

Mes Shqipërisë, Francës e Belgjikës, ku jeni ndjerë më komod në këtë profesion?
Normalisht, çdo gazetar ndjehet komod në çdo moment, edhe kur puna ka ecur mirë, por edhe në rastet kur dalin pengesa gjatë rrugës. Nga të gjitha këto shtete, unë do të veçoja Francën, dhe shtetin francez unë do ta falënderoja, pasi më adaptoi kështu siç jam.

Stacioni juaj i fundit profesional është Radio Tirana, e dalloni ndryshimin që ka pësuar ky institucion në vitet e fundit?
Natyrisht që ka shumë ndryshim, madje duket qartë se, që nga fillimet e mia e deri më sot, progresi ka qenë pjesa më aktive në këtë institucion. Radio Tirana gjithmonë më ka dhënë emocion, dhe sot këtu ndjehem i vlerësuar moralisht e profesionalisht.

Ditë më parë keni deklaruar kandidaturën tuaj për anëtar në KE të FSHF-së, do të largoheni kësisoj nga gazetaria?
Kjo do të varet nga Asambleja. Nëse unë fitoj për anëtar në KE të FSHF-së, natyrisht që do ti jap një drejtim edhe angazhimeve të mia me gazetarinë, por asnjëherë nuk do të largohem prej saj. Por, do të zbatoj rregullat dhe Statutin e FSHF-së.

Si e përshkruani atmosferën zgjedhore në FSHF, tashmë si një kandidat zyrtar për në forumin e saj më të lartë?
Sikundër e kemi ndjekur mediatikisht, duket një atmosferë shumë e zjarrtë, dhe kjo për faktin se në mes ka hyrë politika. Por unë kam besim se në fund futbolli do të triumfojë mbi politikën, dhe Asambleja e 7 shkurtit do ta vulosë këtë verdikt të komunitetit të futbollit.

Çfarë mendoni se do të bëni më shumë nga paraardhësit tuaj në këtë komitet?
Duke qenë një përvojë e re për mua, por e dëshiruar në këtë periudhë, do të jem shumë aktiv në gjithçka që Statuti i FSHF-së i jep kompetenca një anëtari të KE-së. Përvojën që unë kam akumuluar ndër vite, do ta ve në dispozicion të ecjes përpara të futbollit. 

E keni mundësinë që të sfidoni edhe këtu, sikundër keni bërë në gazetari?
Vetë jeta është sfidë, dhe ajo duhet përballuar me kurajë, guxim e profesionalizëm. Unë armën time më të fortë kam profesionalizmin, ndershmërinë dhe njohjet e thella për futbollin. Nuk i trembem kësaj rruge, e cila për mua do të jetë sa e re, aq edhe e vjetër për të ecurinë me hapa progresivë.

Të “trembin” emrat e tjerë që janë zyrtarizuar si kandidatë për anëtarë në KE të FSHF-së?
Absolutisht asnjeri prej tyre. Unë kam respekt për të gjithë ata njerëz guximtarë, të cilët në këto kandidime venë në dispozicion dijet dhe aftësitë e tyre. Vota e komunitetit të futbollit për mua do të jetë një barometër, dhe nëse do të më besojnë mua si pjesë e KE-së, me të gjithë të tjerët bashkëpunimi do të jetë në të mirën e futbollit shqiptar.

Në përgjithësi, në këtë atmosferë zgjedhore, sa mendoni se futbolli duhet të jetë “peng” i saj?
Unë mendoj se futbolli asnjëherë nuk duhet të mbetet peng i politikës, por edhe i politikave që nuk i shërbejnë progresit të tij. Nëse do të më besojnë që të jem në Komitetin Ekzekutiv, do të luftoj me të gjitha format ligjore e statutore, që politika të jetë larg këtij sporti.

Nëse nuk fiton për anëtar në KE të FSHF-së, do ta kesh peng të karrierës, apo do të keni vazhdimësinë e zakonshme në gazetarinë sportive?
Duke qenë se unë kam hyrë në një garë ku ka fitues dhe humbës, sot për sot e mendoj veten time fitues. Por, edhe nëse ndodh ndryshe, që nuk dua ta besoj, gjithçka në jetën time do të vazhdojë normalisht, si më parë. Unë nuk e nisa këtu karrierën time profesionale.

Po ju, e keni një preferencë personale për presidentin e ardhshëm të FSHF-së?
Duke qenë se jam një nga kandidatët për anëtar në Komitetin Ekzekutiv të FSHF-së, për etikë profesionale e personale, këtë t’ia lemë kutisë së votimit më 7 shkurt. 

Duke qenë tashmë një kandidat zyrtar, çfarë do të uronit të prodhonte kjo fushatë paksa e politizuar, e më në fund, edhe Asambleja e 7 shkurtit?
Të prodhojë një rezultat të pranueshëm nga të gjitha palët, dhe nga komuniteti i futbollit në Shqipëri. Rezultati duhet të pranohet nga humbësit, të cilët pas kësaj Asambleje duhet të gjejnë kurajë, forca e mundësi që të japin kontribut profesional në progresin e futbollit tonë. 
1 kandidat
Në pesë Asambletë e fundit Zgjedhore, gazetari sportiv Ervin Baku është i pari që kandidon për anëtar në Komitetin Ekzekutiv të FSHF-së
10 anëtarë
Komiteti Ekzekutiv i FSHF-së përbëhet nga 10 anëtarë. Ata do të zgjidhen me votim të fshehtë nga delegatët në Asamblenë e 7 shkurtit
Asambleja duhet të prodhojë një rezultat të pranueshëm nga të gjitha palët, dhe nga komuniteti i futbollit në Shqipëri. Rezultati duhet të pranohet nga humbësit, të cilët pas kësaj Asambleje duhet të gjejnë kurajë, forca e mundësi që të japin kontribut profesional në progresin e futbollit tonë
Ervin Baku
Datëlindja: 10 mars 1970/ Vendlindja: Tiranë
Profesioni: Gazetar prej 28 vjetësh
Mediat ku ka punuar: 1990-1994, Përkthyes, Interpret dhe Shoqërues i organeve prestigjioze të shtypit dhe televizionit francez dhe belg; Le Monde, Le Figaro, l’Express, Marie-Claire, l’Evenement du jeudi, TF1, Le Quotidien de Paris, L’Humanite, Newesweek, Vers l’Avenir, France 2, France 3, RFI; 1991-1994, Përkthyes, Interpret dhe Shoqërues pranë Organizatës Humanitare, «Pharmaciens sans frontieres», Tiranë, Shqipëri; 1993-1997, Korrespondent i shtypit të shkruar-Revista trimestrale franceze «Confluences Mediteranee», Paris, Francë; 

1998-Gazetar në TV Arbëria; 1999, Gazetar në “L’alsace“-Strasburg, Francë; 1997-2004, Përkthyes, Interpret dhe Shoqërues pranë Shoqatës shëndetësore “Migrations Sante, Alsace“-Strasburg, Francë; 1997-2008, Gazetar, Korrespondent i përhershëm pranë Këshillit të Evropës, Parlamentit Evropian dhe Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut-Strasburg, Francë

(Top Media Group, Shekulli, RFI-Seksioni Shqiptar, TV Norba, Panorama, Koha, Intervista, Spektër, Radio +2, Radio Koha); 1997-2008, Gazetar, Korrespondent i përhershëm pranë Këshillit të Evropës, Parlamentit Evropian dhe Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut-Strasburg, Francë (Top Media Group, Shekulli, RFI-Seksioni Shqiptar, TV Norba, Panorama, Koha, Intervista, Spektër, Radio +2, Radio Koha); Shtator 2008-Qershor 2011, Përgjegjës për marrëdhëniet me publikun dhe komunikimin për produktin mjekësor natyral “Arthri Plus“-Montreal, Kanada; Tetor 2011-Tetor 2012, Drejtor i revistës “Sport 360o”; Nëntor 2012-Janar 2013, Drejtor i revistës “aSport”; Shtator 2012-Mars 2013, Editorialist i gazetës “Sporti Shqiptar”; Shtator 2011 e në vazhdim, Gazetar, analist dhe opinionist i rregullt në Ora News, News24, UTV News, TVSH, AS, ABC, Vizion Plus, si dhe në “Gazeta Shqiptare“ dhe “Sport Ekspres”; Janar-Tetor 2014, Drejtor i informacionit në televizionin “Tele Sport”; 5 Nëntor 2013-Mars 2015, Kryeredaktor i gazetës “Sport Plus”; 22 Tetor 2015 e në vazhdim, Anëtar i Këshillit Kombëtar të Sportit; 2 Mars 2017 e në vazhdim, Gazetar në RTSH (RTSH Sport, Radio Tirana); në UEFA dhe në FIFA, i akredituar në mënyrë permanente që prej 21 vjetësh.

Gjuhët e huaja: Frëngjisht Perfekt; Gjermanisht Shumë mirë; Anglisht Shumë mirë; Italisht Shumë mirë.
Duke lexuar CV-në e Ervin Bakut
Duke e menduar veten profesionist në gazetarinë sportive shqiptare, nuk do të shkruaja asnjë radhë për këdo që shpall kandidaturën për anëtar në KE të FSHF-së, madje as edhe për kreun e kësaj federate. Por, duke qenë brenda ndjenjave e profesionalizmit, këto pak radhë për kolegun Ervin Baku, vijnë edhe si një detyrim moral, për këtë njeri të përkushtuar, që me kurajën e guximin e tij profesional, ka sfiduar deri më sot edhe problemet e tij me shëndetin. Madje ai më dha edhe mua kurajë, kur dje, gjatë bisedës që e ndamë së bashku për gati 60 minuta, Ervini më deklaroi mes të tjerave, se Zoti e ka bekuar dhe ai e ka bërë të fortë sa “10 vetë së bashku”! Dhe kjo forcë e tij kërkohet që në 7 shkurt 2018, në Asamblenë Zgjedhore të FSHF-së, të shpërblehet me votën e delegatëve. Natyrisht që edhe ata kanë preferencat e detyrimet e tyre, por kanë edhe ndjenjat, sepse rasti i gazetarit Ervin Baku, mbetet një “Guinnes” që nuk duhet humbur. Urime!
Sigal