Ersi Çaku, kapiteni që theu “tabunë” e moshës në futbollin shqiptar

771
Sigal

Interviste me futbollistin shkodran që aktivizohet në skuadrën e Adës e aktualisht është nderuar me një çmim nga FSHF si më i riu kapiten në dy ligat kryesore në futbollin shqiptar

Flet Ersi Çaku, futbollisti që aktivizohet në radhët e Adës së Velipojës duke qenë edhe kapiteni i kësaj të fundit, detyrë që e ushtron që prej një viti e gjysmë, duke u bërë kështu kapiteni më i ri në dy ligat kryesore të futbollit në vend, si në Kategorinë e Parë, ashtu edhe në atë Superiore. Nisur nga kjo FSHF nuk ka ngurruar që në çmimet e fundvitit, ne 2014-ën, t’i dorëzonte çmimin e kapitenit më të ri, çmim që ashtu siç shprehet edhe ai e motivon të ecë përpara dhe të përqendrohet më shumë në rrugën që ka nisur.

-Ju e keni filluar karrierën tuaj si futbollist ne akademinë e Vllaznisë, keni fituar ndonjë titull?

-Unë kam luajtur me te gjitha moshat e Akademisë së Vllaznisë, që për mendimin tim është një nga akademitë më të mira në Shqipëri. Nga të gjitha moshat, kam arritur që të shpallem me U17 nënkampion Shqipërie, në kohën që Lushnja u shpall kampione atë vit.

-Prej sa sezonesh aktivizoheni me skuadrën e Adës?

-Ky është sezoni i katër që luaj për Adën, por në karrierën time kam pasur edhe një përvojë 2 vjeçare me ekipin e Burrelit, që me një llogari të thjeshtë i bie që luaj prej 6 vitesh në Kategorinë e Parë.

-Ju jeni kapiteni më i ri sa i takon dy ligave kryesore të futbollit. Superligës dhe Kategorisë së Parë. Sa krenar ndiheni për këtë fakt?

-Sigurisht që ndihem shumë krenar. Është privilegj për mua që mbaj këtë “titull”, nëse mund ta quajmë kështu.

-Meqë jemi tek titujt, FSHF në darkën e fundvitit 2014 ju dha çmimin si kapiteni më i ri në ligat kryesore të futbollit në Shqipëri. Si u ndjetë?

-Për fat të keq unë nuk isha dot i pranishëm, por duhet thënë se u ndjeva shumë mirë kur e mora vesh, pasi ka një vit e gjysmë që jam kapiten i skuadrës, e sigurisht që është përgjegjësi por që unë e kam pranuar me kënaqësi të madhe e së bashku me skuadrën mundohemi të bëjmë sa më mirë për një ecuri më pozitive.

-Sa i përket Adës, nuk ndodhet në pozita shumë të mira në kampionat. A pritet të ndryshojë diçka në gjysmën e dytë të sezonit?

Aktualisht ekipi është në vështirësi financiare dhe kjo gjë ka ndikuar në skuadër. Vendi që jemi aktualisht nuk e justifikon përbërjen e lojtarëve që kemi, pasi shumë nga lojtarët janë me përvojë në këtë kategori. Me fillimin e gjysmës së dytë të sezonit ne do të bëjmë më të mirën dhe që skuadra t’i shpëtojë rënies nga kategoria. Në fakt, në grupin A, vendi i katërt, Kastrioti, ka vetëm pesë pikë më shumë sesa ne, kështu që objektivi jonë sigurisht që është qëndrimi në këtë kategori, duke bërë ballë edhe problemeve financiare, siç e ceka më sipër.

Cila nga tre ekipet e vendit të parë në grupin A mendoni se do shpallet kampione në fund?

-Ne jemi ndeshur me të tria ekipet, Besëlidhja ka një përbërje të mirë lojtarësh që të bën të mendosh se në fund do të jenë ata që do të shpallen kampionë, por sigurisht që prapa nuk mbesin as Mamurrasi dhe as Tërbuni, që aktualisht edhe kryeson.

-E shihni veten në të ardhmen pjesë të një skuadre në Kategorinë Superiore, apo doni të jeni pjesë e Adës që luan në Kategorinë Superiore?

Aktualisht po mendoj vetëm për ecurinë e ekipit që jam në kontratë dhe shpresoj që në fund të saj, të arrijmë objektivat, pastaj të shohim. Si çdo sportist edhe unë kam dëshirë që të arrij sa më larg dhe pse jo, me kalimin e kohës të bëhem pjesë e ndonjë ekipi të Kategorisë Superiore.

-Fillesa sportive për ju i ka rrënjët në Shkodër. Një kalim tek Vllaznia a është në synimet tuaja?

-Si çdo kush, edhe unë nuk e mohoj dot faktin se më pëlqen të luaj dhe të kontribuoj për qytetin tim, por për momentin kjo nuk është në radarët e mi pasi dua të përqendrohem tek skuadra aktuale.

-E keni filluar fazën përgatitore si skuadër?

Aktualisht ekipi është shndërruar në një “kantier ndërtimi” pasi priten shumë afrime, detyrimisht do ketë edhe shumë largime. Kemi filluar stërvitjen me datë 5, sigurisht për zhvillimin e një ecurie të mëtejshme në rritjen e cilësisë së skuadrës.

-Ka ndonjë ndeshje të veçantë që e mbani mend me Adën?

Po kam, ndeshja më e veçantë ishte ajo kur unë luajta takimin e parë si kapiten skuadre, ku në shkallët e stadiumit ishin edhe dy prindërit bashkë më vëllain tim. Kjo ndeshje u luajt sezonin e kaluar, në Fier, ku edhe Apolonia inauguroi stadiumin po atë ditë.

Faleminderit!

 

 

Gjergji Muzaka “përqafon” Tiranën, rikthehet pas pesë vitesh

 Më në fund edhe “telenovelës” Muzaka i vjen fundi, pasi vetëm mbrëmë u zyrtarizua kalimi tek Tirana, duke lënë pas mundësinë “Partizani”. Në fakt, në orët e fundit të pasdites së djeshme, u luajt shumë me lajmin se ku do të drejtohej futbollisti, por vetëm vonë u zbulua se synimi ishin “bardheblutë” e kryeqytetit dhe jo “demat e kuq”. Ky është një rikthim për Muzakën, që pas përvojave në skuadrat më të mira në Shqipëri, vendosi edhe një herë të bëhej pjesë e Tiranës. Në fakt kjo blerje është më se e goditur për Tiranën, që duke parë vlerat e Muzakës si futbollist, pa dyshim që do të ndikojë shumë në ecurinë pozitive për gjysmën e dytë të sezonit.

Miqësorja e mundimshme “5-0”, Skënderbeu shkërmoqet nga Klub Bryzh

 Dje, Skënderbeu ka luajtur një miqësore luksi me skuadrën e njohur belge, Klub Bryzh, në sajë të fazës përgatitore që po e zhvillojnë në të njëjtin vend, në Spanjë. Kjo miqësore sigurisht që ka të njëjtën vlerë për të  dy skuadrat, që duan vetëm të testohen para fillimit të sezonit, por mesa duket nuk ka rezultuar e suksesshme për korçarët që u munden bindshëm në miqësoren e djeshme. Në fakt Skënderbeu tregoi edhe një herë se klubet shqiptare, fatkeqësisht, janë akoma shumë të dobëta në krahasim me nivelin e skuadrave europiane.

Formacioni 2014

 Sipas “Telegraf”, ja “VIP”-at e fushës

Gjatë vitit 2014, gazeta “Telegraf” ka përshkruar në ritmikë futbollin shqiptar, duke u përqendruar kryesisht në Kategorinë Superiore, për të cilën ka pasur edhe falënderime të shumta nga lexuesit e saj në të gjithë vendin. Nisur nga kërkesat e tyre, por edhe nga pozicioni prioritar që zë në treg kjo gazetë, ku në faqet e saj periodikisht shkruhet edhe për sportin, për vitin e kaluar ka përzgjedhur formacionin e vitit, në të cilin është munduar që të mos ketë subjektivizëm. Më shumë se kaq, për këta emra që janë vendosur si më të mirët e vitit 2014, gazeta “Telegraf” është konsultuar me specialistë të ndryshëm të futbollit në Shqipëri, me trajnerë e drejtues të klubeve të futbollit. Të gjithë këta futbollistë kanë vendosur emrin e mirë në fushën e lojës.

Portier

A. Hoxha (Partizani)

Mbrojtës

K. Vangjeli (Skënderbeu)

D. Curri (Tirana)

S. Buljan (Laçi)

A. Cuculi (Partizani)

Mesfushorë

Xh. Ofoje (Laçi)

H. Zeqiri (Kukësi)

Gj. Muzaka (Flamurtari)

E. Bakaj (Tirana)

Sulmuesa

P. Olayinka (Skënderbeu)

P. Pejiç (Kukësi)

Trajner: Sh. Duro (Partizani)

Trajnerët 2014

Bankina informale, treg i hallakatur

Tregu i trajnerëve në Kategorinë Superiore në çdo sezon reflekton një informalitet të trashëguar, madje si në formë ashtu edhe në përmbajtje. Nëse do ta nisnim këtë hallakatje me gjysmën e dytë të sezonit të kaluar, trajnerët bënë bllofin, ndoshta të imponuar nga formula e cila ishte me 14 skuadra, ku 4 prej tyre zbritën në Kategorinë e Parë. Në sezonin në vazhdim ku luajnë vetëm 10 skuadra, në 50% të tyre trajnerët kanë lëvizur gjatë vitit, madje që në fazën e parë të sezonit 2014-2015. Dukuria kryesore në këto lëvizje është fakti se trajnerët janë lëvizur vetëm te skuadrat që formojnë grupin e dytë në tabelën e renditjes, ndërkohë që në ato të kreut ka më shumë besueshmëri në vlerat e trajnimit të tyre. Deri në 24 janar që rinis Kampionati, ndoshta do të ketë edhe ndonjë lëvizje të fundit si ajo me Apoloninë që ka marrë Artan Mergjyshin në bankinë.

Skuadrat             Trajnerët

Kukësi                  A. Shaqiri

Skënderbeu          M. Josa

Partizani               Sh. Duro

Tirana                  G. Magani

Vllaznia                B. Raineri

Flamurtari            E. Gjoka-E. Ramela

Laçi                      S. Nica-A. Cungu

Teuta                    H. Lika-G. Begeja

Elbasani               I. File-M. Dosti

Apolonia              E. Demiri-M. Miho