Ernest Gjoka: “Tani Flamurtari, në Europë!”

535
Sigal

Trajneri i Flamurtarit flet për “Telegraf” pas fitores së bujshme 6-3 ndaj Tiranës

 “E vetmja frikë për vendin e dytë, aleancat e kundërshtarëve”

Flamurtari shkatërroi 6-3 Tiranën, në “Selman Stërmasi”, duke “hequr qafe” një kundërshtar direkt në luftën për një biletë në Europë. Vlonjatët nuk fitonin në kryeqytet me 24 herë kampionët, qysh nga 26 gushti i vitit 2009, kur fitoi 3-1 ndaj Tiranës së drejtuar nga kroati Ilija Lonçareviç. Flamurtari vazhdon të jetë në vendin e tretë, me 35 pikë, dy më pak se Teuta. Por, në javën e ardhshme do të kemi në Korçë supersfidën Skënderbeu-Teuta, dhe në rast të një fitoreje të kampionëve në fuqi, e kombinuar kjo edhe me fitoren e Flamurtarit ndaj Besës së Kavajës, do t’i çonte kuqezinjtë e Ernest Gjokës në vendin e dytë, atje ku ishte dhe objektivi i trajnerit tiranas kur nënshkroi me presidentin Shëptim Gjika. “Vendi i dytë është plotësisht i mundshëm, pasi kanë mbetur edhe shtatë javë nga përfundimi i sezonit, – tha Gjoka për gazetën “Telegraf”, – por, për të thënë të vërtetën rrugës mund të ketë aleanca midis ekipeve kundërshtare, që mund të ndikojnë me rezultatet e tyre”. Në fakt, Flamurtari ishte shumë pranë kalimit të gjysëmfinaleve të Kupës së Shqipërisë, por kompromisi midis Laçit dhe Bylisit, në atë fitore 3-2 të kurbinasve në minutën e pestë shtesë, i nxori jashtë loje vlonjatët edhe pse këta të fundit fituan bindshëm 3-0 me Teutën. “Kupa është një histori që i përket së kaluarës, tani jemi të fokusuar në kampionat”, – thekson trajneri simpatik.

 – Zoti Gjoka, një fitore e bujshme ajo e Flamurtarit tuaj me Tiranën, një 6-3, i pazakonshëm, për më tepër në kryeqytet. Si do ta komentonit takimin?

 – Ishte një fitore e merituar nga ana jonë. Një fitore që, për ne ishte shumë e rëndësishme për vazhdimësinë. Sigurisht, që nuk e prisja me atë rezultat, por më duhet ta theksoj se në pjesën e dytë krijuam shumë volum lojë dhe reaguam mjaft mirë. Në pjesën e parë pësuam tre gola për disa gabimet tona. Flamurtari është një ekip sulmues.

– Kur morët në dorëzim Flamurtarin, në dhjetor të vitit të kaluar, synimi ishte Europa. A e ndjeni se jeni shumë afër plotësimit të objektivit?

 – Ka ende dhe shumë rrugë deri në fund të kampionatit. Duhet të jemi me këmbët në tokë, pavarësisht se e dimë se dhe vendi i tretë të çon në Europë. Europa, edhe pse duket pranë, mendoj se kemi ende rrugë të gjatë përpara. Dëshira është e madhe, ndaj kemi nisur të rikuperojmë gabimet e fazës së parë. Me këtë fitore hoqëm qafe një rival serioz. Mendoj se jemi në rrugë të mbarë.

– Ndeshja e radhës është me Besën e Kavajës. Në fazën e parë, Flamurtari humbi në Kavajë. Në rast fitoreje, kjo e kombinuar edhe me humbjen e Teutës në Korçë, shkoni direkt e në vendin e dytë. Si e parashikon ndeshjen me kavajasit, që tani duken më të qetë pas dy fitoreve rresht?

 – Ne duhet të jemi shumë të vëmendshëm në çdo ndeshje. Prandaj dhe në takimin e radhës në shtëpi duhet të jemi shumë seriozë dhe të mos i lejojmë vetes asnjë gabim në shtëpi. Nuk duhet të nënvlerësojmë asnjë kundërshtar, pavarësisht renditjeve që ka në tabelë.

– Kalendari është në favor të Flamurtarit, kështu që vendi i dytë është plotësisht i arritshëm…
 – Ne do ta kërkojmë me këmbëngulje vendin e dytë  por s’e di se çfarë presim rrugës dhe aleancat e kundërshtarëve mund të na bëjnë dëm.

 – Keni frike ndonjë aleance të Laçi-Bylis?

 – Nuk e di, do të presim dhe do ta shikojmë.

– Jeni ekipi që keni shënuar më shumë gola në këto 19 javë: 41 të tillë, gjashtë më shumë se Skënderbeu i vendit të parë. A ka qenë theksi ofensiv edhe fokusi i punës tënde?

 – Mendoj që, kemi kërkuar dhe punuar shumë për të qenë agresivë, me synimin për të grumbulluar sa më shumë pikë. Dhe kjo arrihet duke u munduar të shënojmë çdo moment.

 – Flamurtari ka dhe golashënuesin më të mirë të kampionatit, Migen Memellin, 16 gola, i ndjekur po Gjergji Muzaka i ekipit tuaj, me 11 gola, dhe sulmuesi i Skënderbeut, Pero Pejiç, po 11 gola…

 – Migen Memelli është një lojtar profesionist dhe një sulmues shumë i përgatitur, me shumë eksperiencë si në vendin tonë ashtu dhe në shtetet e tjera ku ai ka luajtur (Suedi, Norvegji, Arabinë Saudite. Më vjen mirë që, dhe Gjergji Muzaka po shënojnë në vazhdimësi dhe po i japin pikë shumë të vlefshëm skuadrës. Do të më behej qejfi, kushdo që do ta merrte “Këpucën e Artë”.

 – Të gjithë në Vlorë thonë se i ke fituar tifozë, a e ndjen ti mbështetjen e tyre?

 – Po, sigurisht ato më kanë respektuar me mbështetjen e tyre dhe unë i falënderoj shumë.

Nëntë golat e ndeshjes

 1-0: 13′ Ahmataj hedh një top në zonë për Morinën, i cili gjuan, topi përplaset në shtyllë dhe më pas përfundon në rrjetë dhe 1-0.

1-1: 22′ Rrëmujë në zonë, Muzaka përfiton dhe arrin ta marrë topin, godet mbi portierin, 1-1.

2-1: 35′ Morina kombinohet me Takun, i cili nga 20 metra gjuan. Topi devijohet dhe përfundon në portë, 2-1.

3-1: 42′ Hysenbelliu-Taku-Morina pasojnë mes tyre topin me kokë, e çojnë te G.Lika, që merr krahun dhe pa vështirësi e dërgon në rrjetë dhe 3-1.

3-2: 50′ Kroson Memelli, gabon Pigoni në tentativë për ta larguar topin, e merr Pepa, i cili shënon dhe 3-2.

3-3: 68′ Eurogol i Muzakës, i cili nga 25 metra e dërgon pa probleme topin në portë dhe 3-3.

3-4: 69′ Memelli i jep një asist perfekt Pepës, i cili nuk e ka problem që ta çojë topin në trekëndëshin e portës, 3-4.

3-5: 81′ Muzaka pason për Lenën, i cili parakalon edhe Sejdon dhe shënon golin e pestë dhe 3-5.

3-6: 95′ Ndërhyrje e gabuar e Sejdos dhe akordohet penallti. Në portë është vendosur Ahmataj, gjuan Memelli dhe shënon, 3-6.

Migjen Basha dhe Valdet Rama thirren për herë të parë në Kombëtare

 De Biazi zgjedh 25 “muskutierë” kundër Norvegjisë

  Trajneri Xhani De Biazi zbardhi dje në orët e vona të mbrëmjes listën prej 25 lojtarësh, të thirrur për ndeshjet kundër Norvegjisë (22 mars, në Oslo, për kualifikueset e Botërorit 2014 dhe atë kundër Lituanisë (miqësore, 26 mars në “Qemal Stafa”. Mesfushori i Torinos, Migjen Basha, dhe ai i Real Valodolidit (Spanjë, Valdet Rama, thirren për herë të parë në Kombëtare. Në fakt, Migjen Basha duhet të presë konfirmimin zyrtar të FIFA-s për t’u lejuar të veshë fanellën kuqëzezë. Në rast se, ai nuk vjen atëherë vetëm sa do të përgatitet me kuqezinjtë. Trajneri italian ka rithirrur portierin veteran  të Skënderbeut, Orges Shehi, por dhe mbrojtësin e Flamurtarit, Franc Veliu. Në ndeshjen kundër Gjeorgnisë munguan për arsye shëndetësore Mërgim Mavraj dhe Alban Meha, që tani janë pjesë e Kombëtares, ashtu sikundër dhe Dallku. Rikthehet Hamdi Salihi, madje nga tepër larg: nga Kina, ndërkohë që rikonfirmohen sulmuesi Armando Vajushi dhe mbrojtësi Elseid Hysaj, njëherësh edhe lojtari më i ri në moshë i Kombëtares, 19 vjeç. Pas një mungesë të gjatë vjen në Kombëtare edhe Jahmir Hyka. Vetëm katër lojtarë janë thirrur nga kampionati shqiptar: Orges Shehi (Skënderbeu, Tefik Osmani (Teuta, Franc Veliu (Flamurtari dhe Sabien Lilaj (Skënderbeu. Shqipëria dhe Norvegjia janë takuar dy herë midis tyre, për kualifikueset e Euro 2000: 2-2, në Oslo (14 tetor 1998: për Shqipërinë shënuan Bushi dhe Tare, përpara se norvegjezët me dy gola në minutat e fundit, ndërkohë që takimin e Tiranës humbëm 2-1 (më 5 qershor 1999, goli i Tares për Shqipërinë. Në të dyja takimet trajner ishte Astrit Hafizi.

LISTA

 Samir Ujkani    Kievo

Etrit Berisha   Kalmar

Orges Shehi     Skënderbeu

Lorik Cana      Lacio

Debatik Curri   Genshlerbirlixhi

Andi Lila       PAS Jannina

Mërgim Mavraj   Greuther Furth

Franc Veliu     Flamurtari

Elseid Hysaj    Empoli

Tefik Osmani    Teuta

Armend Dallku   Vorskla Poltava

Odise Roshi     FSV Frankfurt

Alban Meha      Paderborn 07

Emiliano Vila   PAS Jannina

Migjen Basha    Torino

Ansi Agolli     Qarabak

Armando Vajushi Liteks Loveç

Ervin Bulku     Sepahan

Valdet Rama     Real Valladolid

Sabien Lilaj    Skënderbeu

Jahmir Hyka     Lucern

Armando Sadiku  Lugano

Erjon Bodgani   Siena

Edgar Çani      Katania

Hamdi Salihi    Jiangsu

 Turneu U-21 në Austri Dëmtohet talenti Taipi, shqetësohet trajneri Gega

  Mesfushori i talentuar i Shkëndisë së Tetovës, Gjelbërim Taipi, nuk do të jetë pjesë e lojtarëve të thirrur nga trajneri i Shpresave, Skënder Gega, për turneun ndërkombëtar të Austrisë. “Mesfushori kosovar u dëmtua në kavilje gjatë ndeshjes së ekipit të tij, Shkëndija e Tetovës kundër Dritës, kështu që më vjen keq, që, ai nuk do të vijë me ne. Po, kështu edhe pse ishin të planifikuar nuk do të jenë për arsye objektive katër lojtarë të tjerë: Agonit Sallaj, i dëmtuar; Andi Thanoj, i cili ka ndeshje me ekipin tij anglez, Grimsbi Taun, Armir Rrahamani i Drenica, për arsye vize. Ne kishim ftuar edhe portierin e ri Thoma Strakosha, por ramë dakord edhe me drejtorin sportiv të Lacios, Igli Taren, që ai të mos vijë, pasi Lacio e do për ekipin e parë të saj, dhe këtu përfshihet edhe ndeshja e Ligës së Europës, ajo kundër Fenerbahçes”, – tha Gega për gazetën “Telegraf”. Kombëtarja U-21 do të marrë pjesë në një turne miqësor ndërkombëtar, që do të zhvillohet në Austri nga data 18 deri më 27 mars, ku do të zhvillojë tri ndeshje, përkatësisht me Azerbajxhanin, Gjeorgjinë dhe një ekip nga Superliga e Austrisë. Trajneri ka thirrur për këto sfida 19 lojtarë. Ndeshja e fundit e Kombëtares U-21, ishte miqësorja me Maqedoninë (0-0, më 6 shkurt, në Laç.

LISTA

Orestis Menka   Levadhiakos

Amarildo Çekrezi Anderleht

Valentin Gjokaj      Derbi Kounti

Shpend Matoshi Kiaso

Mërgim Bajrkatari Tun

Idriz Batha     Besa

Elvis Pençi     Partizani

Emiljano Musta Shkumbini

Vasil Shkurtaj  Tondela

Ardit Peposhi   Tirana

Jurgen Vogli    Shkumbini

Gentian Duraku Nojmunster

Fabio Hoxha     Novazano

Mateus Shkreta Teplice

Alfred Deliallisi Teuta

Mërgim Neziri   Nuremberg 2

Ndriçim Halili Hamburger 2

Klodian Gino    Olimpiakos

Harrallmab Qiqi Vareze