Ernest Gjoka: “Ky Flamurtar po përgatitet për Europën!”

476
Sigal

 Trajneri i kuqezinjve: “Ende më dhëmbin tri pikët e hequra. Komisionet e FSHF-së, me dy standarde”

Trajneri i Flamurtarit, Ernest Gjoka, tha për gazetën “Telegraf” se, skuadra vlonjatë ndodhet në kulmin e marrjes së ngarkesave fizike gjatë fazës përgatitore që po zhvillon në Antalia të Turqisë. “Lojtarët janë impenjuar seriozisht dhe të gjithë po japin maksimumin, për të arritur në parametrat optimalë fizikë përpara fillimit të pjesës së dytë të sezonit. Kushtet dhe infrastruktura në Antalia të Turqisë janë të shkëlqyera”, – tha Gjoka, i cili fundvitin e kaluar u nderove me çmimin e “Njeriut të vitit” në Vlorë. Trajneri karizmatik rishprehu pakënaqësinë për heqjen e tri pikëve nga Komisioni i Disiplinës dhe kërkoi kthimin e tyre: “Unë vazhdoj të këmbëngul dhe të them se, ato pikë duhen të na kthehen. Janë pikët e mundit dhe djersës së futbollistëve dhe, sigurisht që më dhembin. Ende kemi një shije të hidhur për komisionet e Federatës”. Flamurtari i ka të gjitha mundësitë për të kapur zonën evropiane, që të çon në Ligën e Europës, pas nga Partizani i vendit të dytë e ndajnë vetëm dy pikë, ndërsa nga vendi i tretë vetëm një pikë. Kuqezinjtë do të luajnë sot ndeshjen e dytë miqësore ndërkombëtares, kësaj radhe kundër Karabakut, skuadrës azerbajxhanase me të cilën luajnë edhe dy lojtarët e ekipit Kombëtar shqiptar, mbrojtësi Admir Teli dhe mesfushori Ansi Agolli. Në ndeshjen e parë, Flamurtari barazoi pa gola me kampionen e Tanzanisë, Jang Afrikans.

– Zoti Gjoka, Flamurtari prej disa ditësh po realizon fazën përgatitore në Antalia të Turqisë. Si po shkojnë përgatitjet?

– Jemi në kulmin e ngarkesave fizike, të cilat deri tashmë janë ezauruar me shumë sukses nga ekipi. Lojtarët janë impenjuar seriozisht dhe të gjithë po japin maksimumin, për të arritur në parametrat optimalë fizikë përpara fillimit të pjesës së dytë të sezonit. Kushtet dhe infrastruktura në Antalia të Turqisë janë të shkëlqyera, çka na ndihmon jashtëzakonisht në zhvillimin e seancave stërvitore.

– Keni zhvilluar një ndeshje miqësore me Jang Afrikans, një skuadër nga Tanzania. Sa i kënaqur jeni me paraqitjen e lojtarëve?

– Ndeshje me ekipin nga kampionen e Tanzanisë u mbyll në barazim pa gola, pavarësisht rasteve që ne patëm si ekip. Ndeshja ishte pozitive dhe e luftuar nga të dyja ekipet. Ishte një takim pozitiv në sensin e lojës që ne zhvilluam. Patëm edhe shumë mungesa, por ekipi e bëri mjaft mirë detyrën. Mos harroni se edhe kundërshtari ishte shumë i fortë. Për të thënë të vërtetën, deri diku jam i kënaqur me performancën e lojtarëve, kjo dhe për shkak se janë duke marrë ngarkesa të larta fizike.

– Nesër (sot) do të zhvilloni ndeshjen e dytë miqësorë në Turqi. Kësaj radhe bëhet për një nga ekipet më të njohura të Azerbajxhanit. Si do ta vlerësonit ndeshjen?

– Po, të mërkurën (sot) do të zhvillojmë ndeshjen e dytë dhe të fundit miqësore për këtë periudhë përgatitore në Turqi. Përrallë do të kemi një ekip të fortë, siç është Karabaku i Azerbajxhanit, me të cilën luajnë edhe dy lojtarë shqiptarë siç janë (mbrojtësi shkodran) Admir Teli dhe (mesfushori tiranas) Ansi Agolli. Shpresoj të bëjmë një paraqitje të mirë, për te treguar dhe vlerat tona.

– Flamurtari e rriti në mënyrë progresive performancën në ndeshjet e fundit të pjesës së parë të sezonit. A besoni se, do të kemi një Flamurtar më të mirë fizikisht, për të përballuar me sukses pjesën e mbetur të kampionatit?

– Sigurisht, kjo periudhë këtë qëllim ka. Së bashku edhe me stafin teknik, po mundohemi të rrisim cilësitë fizike të lojtarëve. Atmosfera në ekip është shumë e mirë dhe unë besoj, për një fillim të mbarë të fazës së dytë. Lojtarët janë të vetëdijshëm për misionin që kanë. Rezultatet tona e kanë treguar këtë.

– Flamurtari e mbylli pjesën e parë të sezonit me 24 pikë, dy më pak se Partizani i vendit të dytë. Skuadrës suaj Komisioni i Disiplinës i hoqi tri pikë nga klasifikimi, ndërkohë që dhe Apeli la këtë vendim. Nëse do t’i kishte dhe ato tri pikë, do të ishit vendin e dytë. A iu dhembin ende ato pikë të hequra?

– Sigurisht. Në fakt, kjo është një pikë e vështirë për të folur, por unë vazhdoj të këmbëngul dhe të them se, ato pikë duhen të na kthehen. Janë pikët e mundit dhe djersës së futbollistëve dhe, sigurisht që më dhembin. Ende kemi një shije të hidhur për komisionet e Federatës, ato të Disiplinës dhe Apelit, të cilat luajnë me dy standarde dhe ky është një precedent për vijimësinë e kampionatit.

– Zoti Gjoka, fundvitin e kaluar u nderove me çmimin e “Njeriut të Vitit” në Vlorë. Si do ta komentonit këtë vlerësim?

– Ishte një kënaqësi e madhe për mua, pasi kjo tregoi edhe një herë vlerësimin për punën time, por njëkohësisht është dhe një obligim për mua për vazhdimësinë.

KATEGORIA SUPERIORE

Java XVII

1 shkurt 2014

Besa-Laçi

Bylis-Flamurtari

Partizani-Kukësi

Kastrioti-Tirana

Teuta-Lushnja

Skënderbeu-Vllaznia

RENDITJA

1     Skënderbeu  16   +12 33

2     Partizani       16   +3   26

3     Kukësi  16   +1   25

4     Laçi              16   +3   25

5     Flamurtari    16   +4   24

6     Teuta            16   +0   24

7     Besa             16   -3    21

8     Vllaznia 16   +1   21

9     Bylis            16   +2   21

10   Lushnja 16   -6    18

11   Kastrioti       16   -6    16

12   Tirana   16   -11  12

Flamurtari e nis kundër Bylisit

 Flamurtari do ta nisë fazën e dytë me ndeshjen kundër Bylisit në Ballsh, një skuadre me të cilën në fazën e parë barazuan 2-2, por me ballshiotët që e mbyllën takimin me nëntë lojtarë, pas kartonëve të kuq të Ruçit dhe Basriut. Në ndeshjen e fundit të kampionatit, atë të vlefshme për javën e 16-të, Flamurtari fitoi 1-0 me Partizanin, falë në goli të realizuar nga kapiteni Hair Zeqiri në minutën e 13-të. Flamurtari ka grumbulluar 24 pikë, duke u renditur në vendin e pestë, me pikë të barabarta me Teutën e vendit të gjashtë. Bilanci i vlonjatëve është 8 fitore, 3 barazime dhe 5 humbje; 20 gola të shënuar dhe 16 gola të pësuar. Vlonjatëve u janë hequr tri pikë nga Komisioni i Disiplinës, pas incidenteve të tifozëve me presidentin e Skënderbeut, Artan Takja, gjatë ndeshjes Flamurtari-Skënderbeu, të vlefshme për javën e 2-të (15 shtator 2013). Flamurtari ka shënuar 1,25 gola për ndeshje dhe ka pësuar 1 gol për ndeshje. Në 8 ndeshje në shtëpi, ka fituar 6 barazuar 1 dhe ka humbur 1. Në 8 ndeshje jashtë ka fituar 2, barazuar 2 dhe humbur 4. Më shumë gola ka realizuar në 15 minutat e fundit, 8 të tillë nga 20 të realizuar në total. Realizuesi më i mirë është kapiteni Hair Zeqiri, me 5 gola, i ndjekur nga Arbëri, Telushi dhe Abilaliaj, të tre nga 2 gola.

Realizojnë Hyshmeri në pjesën e parë dhe Saban në të dytën. Pesë ndeshjet e të kuqve në Turqi

 Partizani shkatërron kinezët e Shandongut

Partizani shkatërroi 2-0 kinezët e Shandon Luneng Taishan, duke realizuar me elbasanasin Renato Hyshmeri (13’) në pjesën e parë dhe kroatin Saban (75’) në pjesën e dytë. Partizani bëri një paraqitje shumë të mirë në pjesën e parë, duke u treguar agresivë që në minutat e para. Falë këtyre aksioneve doli në dritë dhe goli i Hyshmerit. Skuadra kineze zhvilloi një lojë të rëndë gjatë fraksionit të parë, në të cilën Partizani pati rasti të shënonte dhe dy gola të tjerë. Me përjashtim të 20 minutave të para të pjesës së dytë më të mira për kinezët, gjatë cilave portieri i Partizanit, Hoxha shpëtoi dy gola të sigurt, një herë tjetër u godit shtylla, të kuqtë ishin superiorë ndaj kundërshtarëve duke luajtur në sulm deri në fund. Përveç golit të Saban në minutën e 75-të, Partizani humbet dy raste të pastra për golin e tretë me Mazrekajn dhe Sabanin, të cilit mund t’i jepej në favor edhe një penallti. Pas humbjes 4-0 me gjermanët e Holsten Kiel, testi me kinezët ishte një test pozitiv për Partizanin, një paraqitje mirë për të kuqtë që pretendojnë të fitojnë titullin e parë kampion pas 21 vjetësh, qysh kur e fituan për herë të fundit në sezonin 1992-1993. Sipas informacioneve, kinezët luajtën rëndë. Një lojtar i tyre, Alosio, doli më karton të kuq. Partizani luajti me Darmshtadin (humbi 2-1), Neftçin (humbi 2-0), Karlsruhen (2-2) dhe Holsten Keilin (4-0). Në përfundim të pesë ndeshjeve në Antalia të Turqisë, Partizani regjistroi këtë bilanc: 1 fitore, 1 barazim dhe 3 humbje. Ndeshja e tjetër përgatitore do të jetë pas kthimit në Tiranë kundër Dinamos, ditën e shtunë në orën 11:00.

Ndeshjet miqësore

të Partizanit

në Turqi

11 janar

Partizani-Darmstadt (Gjermani) 1-2

15 janar

Partizani-Neftçi (Azerbajxhan) 0-2

17 janar

Partizani-Karlsruhe (Gjermani) 2-2

18 janar

Partizani-Holsten Kiel (Gjermani) 0-4

22 janar

Partizani-Shandong Luneng (Kinë) 2-0

Fiorentina kërkon Lorik Canën

 Lorik Cana mund të transferohet te Fiorentina. Mediat italiane kanë zbuluar se klubi vjollcë kërkon dy lojtarë të Lacios, mes tyre edhe kapitenin e Kombëtares shqiptare. Sipas gazetës lokale “Corriere Fiorentino”, që është pranë klubit vjollcë, drejtuesit kanë në planet e tyre dyshen e mbrojtjes laciale: Cana-Ciani.

Nuk dihet ende nëse kontaktet mes palëve kanë nisur, por gjithsesi mediat italiane po insistojnë gjithnjë e më tepër se, pas ardhjes së trajnerit Edi Reja, kapiteni kuqezi do të largohet nga Lacio. Është fakt se, që kur drejtimin e skuadrës e ka marrë Reja, 30-vjeçari nga Gjakova nuk ka qenë titullar fiks. Edhe në ndeshjen e fundit për kampionat kundër Udinezes, ai luajti vetëm në 4 minutat e fundit. Kontrata e Lorikut me bardhekaltrit skadon në verën e vitit 2016.

 De Biazi ndjek talentet e Kombëtares U-19

 Federata Shqiptare e Futbollit po zhvillon një grumbullim talentet shqiptarë që luajnë nëpër ekipet evropiane për të piketuar lojtarët që mund të shërbejnë për ekipin kombëtar U-19. Në Tiranë po mbahet  seleksionimi i futbollistëve të datëlindjes 1996, të cilët kanë mbërritur në Shqipëri nga vende të ndryshme të Europës. Lojtarët e rinj janë vëzhguar me vëmendje nga drejtuesit kryesore të futbollit shqiptar. I pranishëm ka qenë edhe trajneri i ekipit kombëtar A, Xhani De Biazi i shoqëruar nga stafi i tij i përbërë nga Alban Bushi, Altin Lala dhe Drejtori i Ekipeve Kombëtare, Redi Jupi. Trajneri Strakosha ka drejtuar vetëm për 30 minuta këtë seleksionim, i cili është ndërprerë nga reshjet e shumta te shiut. Ky seleksionim do të vazhdoj nesër në orën 10 paradite.

 Skënderbeu zhvendoset në Malaga

 Skënderbeu do të vazhdojë përgatitjet në Malaga të Spanjës, duke i dhënë fund fazës dimërore në Portugali. Kampionët në fuqi do të qëndrojnë dhjetë në Malaga. Për shkak të një virozë që preku disa lojtarë kryesorë, tekniku Josa preferoi të anulojë ndeshjen e djeshme miqësore. Gjatë qëndrimit Në Malaga, lideri i Kategorisë Superiore do të zhvillojë dy ndeshje miqësore. Në Malaga ndodhet edhe ekipi tjetër shqiptar, Laçi. Gjatë qëndrimit në Portugali, Skënderbeu e fiton testin e parë në tokën portugeze me rezultatin e pastër 3-0. Korçarët mposhtën skuadrën e Ligës së Tretë vendëse, FC Ferreiras. Skënderbeu nuk mundi t’i bëjë dot ballë ekipit zviceran, Jang Bojs, teksa u mposht dje me rezultatin e pastër 2-0, me dy gola të pësuar në pjesën e dytë.