Ernest Gjoka: Fitorja me Teutën me vlera mbijetese, por asgjë nuk ka përfunduar

631
Nga Agron KAJA
INTERVISTA/ Flet për “Telegraf” trajneri i Vllaznisë, vlerëson 6 pikët në dy ndeshjet e fundit, kërkon vazhdimësi nga skuadra e tij
Vllaznia ka arritur dy fitore rresht në javët 19 e 20, është ky një reagim i potencialeve reale që ka skuadra aktualisht?
Them se po, pasi tashmë kemi një situatë ku skuadra ka reaguar pozitivisht. Edhe dy fitoret resht, në Lushnje dhe me Teutën, besoj se janë pjesë e gjendjes së mirë që ka skuadra e Vllaznisë. Lojtarët janë bërë më të ndërgjegjshëm për mundësitë që kanë dhe atë që kërkojnë.

Tri pikët me Teutën, mendoni se ju qetësojnë në luftën për mbijetesë në Superiore?
Fitorja me Teutën natyrisht që kishte vlera për mbijetesën tonë në Kategorinë Superiore, por asgjë nuk mund të pretendojmë se ka përfunduar. Kemi marrë një fitore të merituar, ndoshta për një qetësi në menaxhimin e 16 javëve të mbetura, dhe kemi fituar besimin në skuadër.

Çfarë keni konstatuar ju se nuk shkon mirë te Vllaznia e këtyre javëve?
Na duhet që të kalojmë shpejt këtë handikapin e marrjes së pikëve, sepse luajmë mirë e krijojmë raste, por nuk shënojmë sa duhet. Gjithsesi, mendoj se ka rëndësi fakti që skuadra luan me disiplinë taktike, e këtë e quaj si një shenjë të mirë për tu afruar te goli.

Deri në mbylljen e Kampionatit, si e mendoni ecurinë e Vllaznisë?
E mendoj si një malore të fortë, dhe që do të na duhet shumë punë për të arritur atje ku duam. Gjatë merkatos së janarit kemi ndryshuar gati gjysmën e skuadrës, por unë besoj shumë te vlerat e grupit që kemi aktualisht.

Ndeshjen e radhës e luani në Gjirokastër, e quani këtë një sfidë të vështirë?
Të gjitha ndeshjet që luhen në Kategorinë Superiore, kanë shkallën e tyre të vështirësisë, pavarësisht renditjes së skuadrave. Kështu që edhe transferta me Luftëtarin në Gjirokastër është e vështirë, por ne do të bëjmë detyrën tonë, për të marrë rezultat pozitiv.

Në tërësinë e saj, si e mendoni Kategorinë Superiore të këtij sezoni?
Mendoj se është një kampionat shumë i fortë, dhe ne kemi bërë vetëm detyrën në dy fitoret që kemi arritur në dy javët e fundit. Të gjitha skuadrat, nga kreu në fundin e renditjes, luftojnë që të arrijnë synimet e tyre, ndaj them se është kampionat i fortë, përpos edhe dukurive të tjera që e bëjnë njëherësh edhe një kampionat interesant.
Deri në mbylljen e Kampionatit, ecurinë e Vllaznisë e mendoj si një malore të fortë, ndaj do të na duhet shumë punë për të arritur atje ku duam. Është kampionat i fortë, ku përpos dukurive të tjera, e bëjnë atë edhe një kampionat interesant
20 javë
Kategoria Superiore e sezonit 2017-2018 ka luajtur 20 javë, dhe deri në mbyllje të tij do të luhen edhe 16 javët e tjera
15 gola
Kaq u shënuan në javën e 20-të të Kategorisë Superiore, ndërkohë që në Laç e Tiranë u shënua gjysma e tyre
Ndeshjet-Java e 21-të 
Datë 23 shkurt 2018
Skënderbeu-Partizani 18:00
Datë 24 shkurt 2018
Kukësi-Laçi 14:00
Luftëtari-Vllaznia 14:00
Lushnja-Kamza 14:00
Teuta-Flamurtari 17:00

RENDITJA
Skuadrat Nd P
1. Skënderbeu 20 46
2. Flamurtari 20 35
3. Kukësi 20 32
4. Laçi 20 30
5. Kamza 20 29
6. Partizani 20 28
7. Luftëtari 20 27
8. Vllaznia 20 21
9. Teuta 20 17
10. Lushnja 20 10
Sigal