Ernest Gjoka: “E çoj Flamurtarin në Europë dhe fitoj zemrat e vlonjatëve”

478
Sigal

Trajneri i ri i Flamurtarit të dielën do të debutojë kundër Teutës, në çerekfinalet e Kupës

Ernest Gjoka, trajneri i ri Flamurtarit, është ndier i respektuar nga lojtarët dhe ambienit kuqezi, në ditët e para të punës së tij në Vlorë. Pasuesi i spanjollit Hulian Rubio, të shkarkuar pas humbjes me Bylisin në Vlorë, për Kupën e Shqipërisë, tha për gazetën “Telegraf”, se e ndjen përgjegjësinë e të qenit trajneri i një prej ekipeve më të të mira të Shqipërisë, me traditë të madhe futbollistike dhe me pretendime. I votëbesuar nga kryebashkiaku i Vlorës, Shpëtim Gjika (ish-presidenti i kuqezinjve) dhe nga drejtuesit e klubit, Gjoka, i cili më parë ka drejtuar Apoloninë, Kamzën dhe Tomorin, tha për gazetën: “Do të bëj të pamundur, jo vetëm të përmbush objektivat e klubit, për një vend në Ligat e Europës, por dhe të fitoj zemrat e tifozëve të zjarrtë vlonjatë”. Aktualisht Flamurtari mban vendin e 7 në renditje me 19 pikë, shumë larg pritshmërive të fillimit ku objektivi ishte fitorja e titullit kampion. Ndeshja e parë e Gjokës si trajner i Flamurtarit do të jetë ajo kundër Teutës, në “Niko Dovana”, në ndeshjen e dytë të çerekfinaleve të Kupës. Si Flamurtari, ashtu dhe Teuta, i kanë humbur ndeshjet e para: vlonjatët 1-0 me Bylisin; durrsakët 4-0 me Laçin. Kjo përballje shihet si tepër vendimtare për ecurinë e dy klubeve në Kupë. Gjoka drejtoi këtë sezon Apolonin, por dha dorëheqjen pas javës së 8-të.

 – Zoti Gjoka, së pari urime për detyrën e re si trajneri i ri i Flamurtarit. Keni zhvilluar seancat e para stërvitore, cilat janë përshtypjet e para nga kampi kuqezi?

 – Faleminderit gazetës suaj për urimin, pasi disa herë kam qenë i ftuari i saj, për të dhënë opinione të ndryshme në lidhje me futbollin në vend. Sinqerisht, u prita shumë ngrohtë nga ana e të gjithë futbollstëve, dhe sipas meje, çdo gjë shkoi shumë mirë si ditë e parë e punës. Dua të veçoj sërish edhe mbështetjen e drejtuesve të klubit, dhe, veçanërisht të kryebashkiakut Shpëtim Gjika, për vlerësimin që më bënë.

 – Ndeshja juaj e parë në bankinën e Flamurtarit do të nisë me një takim shumë delikat, pikërisht me takimin ndaj Teutës, në Durrës, për Kupën e Shqipërisë. Çfarë udhëzimesh u keni dhënë lojtarëve?

 – Edhe pse jam vetëm në ditët e para të punës, mund të them se skuadrën e Flamurtarit e njoh disi, pasi ndaj saj jam ndeshur si kundërshtar. Ajo që dua ta theksoj është fakti se, lojtarët janë shumë të motivuar dhe të mobilizuar, pasi si ne, ashtu dhe Teuta, i kemi humbur ndeshjen e parë. Ne me Bylisin, ndërsa durrsakët me Laçin. Ne do të shkojmë në Durrës për të luajtur një futboll sulmues, për të bërë të mundur marrjen e tri pikëve. E dimë që do të jetë e vështirë, por në futboll asgjë nuk është e pamundur, pasi nuk shoh ndonjë diferencë midis të dy ekipeve.

 – Flamurtari ka qenë rregullisht vitet e fundit, pjesëmarrës në Ligën e Europës. Klubi ka deklaruar se, si objektiv është vendi i dytë në kampionat dhe të paktën finalist i Kupës së Shqipërisë. Sa të mundshme i shihni këto synime?

 – Është e vërtetë që, ndaj Skënderbeut kryesues, skuadra jonë ka një diferencë disi të madhe, por aktualisht me ekipin që mban vendin e dytë, pra Teutën, na ndajnë vetëm katër pikë. Unë mendoj se, është plotësisht që dhe në përfundim të këtij sezoni, Flamurtari të marrë pjesë në kompeticionet europiane. Të gjithë jemi të bindur se, me punë dhe përkushtim mund ta arrijmë këtë objektiv, për të cilin është investuar shumë dhe nga pikëpamja financiare.

 – Apolonia, Tomori, Kamza dhe tani Flamurtari. Një karrierë në ngjitje si trajner, por dhe më shumë përgjegjësi. Si po e përjetoni?

 – Për të qenë i sinqertë, e konsideroj si një gjë normale, që një ditë do të drejtoja një ekip me emër. Jam i vetëdijshëm se, tashmë kam përpara një sfidë shumë të fortë për ta fituar. Është emri i Flamurtarit që ta imponon këtë.

 – Flamurtari ka në historikun e tij një titull kampion, të fituar në sezonin 1990-1991 dhe tri Kupa të Shqipërisë, e fundit e fituar në vitin 2009. Sa besoni se, Flamurtari mund të jetë fituesi i Kupës së këtij sezoni?

 – Jam i ndërgjegjshëm se, në Vlorë e presin Kupën e Shqipërisë. Edhe unë do ta dëshiroja shumë ta fitoja këtë trofe, por shpresoj që të kemi edhe fatin me vete. E konsideroj si një objektiv të arritshëm.

 – Si ju është dukur atmosfera futbollistike në Vlorë?

 – Mendoj që, nga shumë media lokale është treguar një farë skepticimi ndaj meje, por mendoj se do të jetë koha, ajo që do ta thotë fjalën e saj.

 – Gjoka, ju jeni një njohës i mirë i futbollit, por dhe një trajner që ka fituar zemrat e tifozëve kudo që ke punuar, në Fier, Berat apo Kamëz. A do të arrijë Ernesti të fitojë zemrat e tifozëve vlonjatë?

 – Mendoj se, qysh tani e kemi krijuar një raport mirëkuptimi. Shpresoj dhe dëshiroj që t’i kem ata miqtë e mi më të mirë. Janë lojtari i 12-të në skuadër, dhe për më tepër janë shumë të zjarrtë.

TRAJNERËT E FLAMURTARIT

Shkëlqim Muça (java 1); Hulian Rubio (javët 2-13), Ernest Gjoka (nga java 14).