Ermal Tahiri: “Tirana ka nevojë për sakrifica”

102

Ish-lojtari i Dinamos dhe i Kombëtares: “Partizani ka bërë një figurë shumë të mirë”

Ermal Tahiri, ish-lojtari i Dinamos dhe i Kombëtares, analizoi për gazetën “Telegraf” pjesën e parë të sezonit të Kategorisë Superiore dhe atë që prodhoi futbolli shqiptar në vitin futbollistik. “Partizani ka bërë një figurë shumë të mirë, edhe pse ka në përbërje një ekip të ri dhe me disa lojtarë nga Kosova. Sigurisht, që kërkon kohë për të luajtur një futboll të mirë, në harmoni në të gjitha repartet. Gjithsesi, ka nevojë të ndërhyjë në merkato”, – tha Tahiri. Duke folur për pozitën e pazakontë të Tiranës, ai tha: “Tirana ka nevojë për punë psikologjike tek lojtaret e jo për ndërrim trajnerësh; e dyta, për mua duhet trajner që ka luajtur për Tiranën, me emër për t’i dhënë asaj dhe lojtarëve atë që i mungon sot”.

 – Zoti Tahiri, Kategoria Superiore mbylli pjesën e parë të sezonit, me dominimin e Skënderbeut për të katërtin vit rresht. Cili është komenti juaj?

– Skënderbeu është ekipi më i kompletuar, me një stol të fortë për të përballuar këtë kampionat. E filloi me probleme për shkak të ndeshjeve të Europes dhe lodhjes. Erdhi gradualisht në vendin që i takon në kampionat. Kryeson me lojë të mirë dhe potente ndaj të gjithë kundërshtarëve.

– Partizani u rikthye në Superligë pas katër vitesh mungesë. A prisnit ta shihnit në vendin e dytë?

– Për mendimin tim, Partizani ka bërë një figurë shumë të mirë, edhe pse ka në përbërje një ekip të ri dhe me disa lojtarë nga Kosova. Sigurisht, që kërkon kohë për të luajtur një futboll të mirë, në harmoni në të gjitha repartet. Gjithsesi, ka nevojë të ndërhyjë në merkato.

– Kukësi e nisi shumë keq, madje ishte skuadra e parë që zëvendësoi trajnerin këtë sezon. Tashmë, pas 16 javëve e shohim pretendent…

– Mendoj se, Kukësi ka një ekip të mirë. Hapat e gabuara që hodhi në fillim të sezonit, edhe për shkak të mbilodhjes nga aktivizimi i gjatë në Ligën e Europës, të mos harrojmë luajti katër ture apo tetë ndeshje ndërkombëtare. Mendoj se, këtë sezon do të luajë sërish për vendin e dytë, dhe vitin tjetër për titullin kampion.

– Në të njëjtat gjurmë eci dhe Flamurtari: fillim me probleme, më pas ngjitja. Si do të përshkruanit ekipin vlonjat?

–  Në fakt, me pikët që ai ka grumbulluar, duke futur këtu edhe tri pikët e zbritura nga Komisioni i Disiplinës, Flamurtarit i takonte vendi i dytë. Ka zhvilluar lojëra shumë të mira në ndeshjet e fundit. Duket puna e trajnerit dhe përgjegjshmëria që kanë pasur lojtarët, pavarësisht problemeve që kanë kaluar.

– Nga ekipet e mesit të artë, Laçi është ai që veçohet më shumë…

– Për mendimin tim, Laçi është ekipi që realizon më mirë nga të gjitha presingun dhe kundërsulmin. Bylisi është një ekip me lojtarë të mirë dhe me rendimentin në fushën e vet do të shpëtojë nga Kategoria.

– Katër ekipe bien këtë sezon nga Kategoria Superiore. Duke parë dhe renditjen e tabelës, kë shikoni më favorit?

– Lushnja, Besa dhe Kastrioti do të përpiqen të shpëtojnë deri në fund të sezonit.

– Tirana, si asnjëherë tjetër në historinë e futbollit ndodhet në vendin e fundit. Përse çalon kjo Tiranë?

– Për hir të së vërtetës, Tiranën nuk mund ta imagjinoja në fund të klasifikimit, por ashtu si Dinamos dhe Partizanit po i vjen radha dhe Tiranës për të rënë një kategori më poshtë. Do ta ketë shumë vështirë të shpëtojë. E para, Tirana ka nevojë për punë psikologjike tek lojtaret e jo për ndërrim trajnerësh; e dyta, për mua duhet trajner që ka luajtur për Tiranën, me emër për t’i dhënë asaj dhe lojtarëve atë që i mungon sot, që është fanella dhe sa e rëndë është ajo, për të kaluar në fitore dhe për një shpëtim nga kategoria.

 KATEGORIA SUPERIORE

Java XVII

1 shkurt 2014

Besa-Laçi

Bylis-Flamurtari

Partizani-Kukësi

Kastrioti-Tirana

Teuta-Lushnja

Skënderbeu-Vllaznia

RENDITJA

1    Skënderbeu      16   33

2    Partizani       16   26

3    Kukësi          16   25

4    Laçi            16   25

5    Flamurtari      16   24

6    Teuta           16   24

7    Besa            16   21

8    Vllaznia        16   21

9    Bylis           16   21

10   Lushnja         16   18

11   Kastrioti       16   16

12   Tirana          16   12

– Flamurtarit i janë zbritur tri pikë nga Komisioni i Disiplinës

GOLASHËNUESIT NË 16 JAVË

9 gola: D. Xhafaj (Teuta), Bushiç (1p) (Vllaznia)

6 gola: Pejiç (Skënderbeu), F. Sefa (Besa)

5 gola: Kuli, Izuçuku (Bylis), Zeqiri (2p) (Flamurtari), Vuçaj (Laçi)

Gol, kundër Olimpikut të Marsejës

 Ermal Tahiri ka luajtur në Shqipëri me Dinamon (1988-1992, fitoi titullin kampion 1989-1990). Si lojtar i Dinamos ai ka fituar edhe Kupën e Shqipërisë në sezonet 1988-1989 dhe 198-1989, si dhe Superkupën në vitin 1990. Pjesën më të madhe të karrierës së tij e ka shpenzuar në Greqi, sidomos me PAS Janinën ku ka qenë edhe trajneri i ekipit të rinjve. Ai ka luajtur me PAS Janinën, Atromiton, Apolon Athinon, Jaliso Rodos, A.O. Velisariu, Markos. Ai ka zhvilluar katër ndeshje me Kombëtaren shqiptare, teksa ka luajtur kundër Greqisë (2), Spanjës dhe Francës. Ermal Tahiri është i vetmi lojtar shqiptar, i cili i ka shënuar një ekip francez, pikërisht Olimipikut të Marsejës, në atë humbje 5-1 kur Dinamoja jonë luajti në Ligën e Kampioneve në sezonin 1990-1991, por me gjigantët e Marsejës që u shpallën atë edicion Kampion të Europës.

Palermo e Samir Ujkanit merr kryesimin e Serisë B. Zhgënjen Empoli i Elseid Hysajt

  Ledian Memushaj shënon për Karpin

 Ledian Memushaj ishte një nga protagonistët e fitores 3-1 të Karpit në transfertën e vështirë ndaj Virtus Lançianos në ndeshjen e vlefshme për javën e 20-të të Serisë B në Itali. Mesfushori realizoi në minutën e 22-të, me një gjuajtje me të majtën nga jashtë zonës (asist i Alesandro Sgrinjës nga goditja e këndit) golin e barazimit të përkohshëm 1-1, duke i hapur rrugën fitores së skuadrës së tij, të kompletuar me rrjetat e Leticias (40’) dhe Konsas (54’). Për Memushajn bëhet fjalë për golin e tij të katërt, pas atyre me Palermon, Latinën dhe Rexhinën. Sulmuesi i Kombëtares shqiptare, Edgar Çani, ishte në stol, duke mos qenë më ndër të preferuarit e trajnerit. Në këtë javë të 20 të Serisë B zhgënjeu totalisht Empoli i Elseid Hysajt, që u befasua në stadiumin “Carlo Castellani” nga Çitadela, skuadër që lufton për mbijetesë në Serinë B. Goli i shënuar nga Korali në minutën e 13 mbeti në fuqi deri në vërshëllimën e fundit të gjyqtarit, pavarësisht përpjekjeve të vendasve për të kthyer rezultatin. Hysaj u aktivizua deri në minutën e 67 për t’u zëvendësuar nga portugezi Mario Rui, i cili në minutën e 82 u ndëshkua më karton të kuq duke e lënë Empolin me një lojtar më pak. Palermo e portierit Samir Ujkani (luajti si titullar) fitoi 1-0 me Ternanën dhe mori kryesimin e Serisë B, me 37 pikë, një më shumë se Empoli i Elseid Hysajt.

“Skuadra e vitit”, dominon Bajerni

 Gazeta sportive franceze “L’Equipe” publikoi formacionin ideal të vitit 2013, ku dominojnë lojtarët e Bajernit, me pesë futbollistë. Nuk mungojnë tre kandidatët për Topin e Artë, Messi, Ronaldo e Riberi. Lista plotësohet nga braziliani Tiago Silva i  Saint Germain dhe Yaja Ture i Mançester Siti. Janë 5 kampionë të Europës me Franck Ribery në krye, që formojnë këtë skuadër yjesh”, shkruan gazeta franceze. Në total janë 4 lojtarë gjermanë ata që dominojnë, ndërsa bie në sy prezenca e ulët nga Spanja me vetëm një lojtar, është Jordi Alba i Barcelonës. Kështu, për portën, “L’Equipe” ka zgjedhur gardianin e Bajernit, Manuel Nojer, i shoqëruar në mbrojtje nga gjermani tjetër, Filip Lahm, belgu Vinsent Kompany, kapiteni i Brazilit, Tiago Silva, si dhe spanjolli i blaugranave, Jordi Alba. Në qendër të fushës qëndrojnë Yaya Toure i Mançester Siti dhe treshja e fortë e Bayernit, Shvajnshtajger, Myler e Riberi. Ndërsa në sulm, gazeta franceze ka pajtuar dy rivalë të përjetshëm, duke vendosur në krah të njëri tjetrit, portugezin e Realit, Kristiano Ronaldo dhe argjentinasin e Barcelonës, Lionel Mesi, të cilët janë në garë ndërkohë për Topin e Artë, që do të jepet më 13 Janar.