Ermal Tahiri: Ja pse dështojnë trajnerët e huaj në Shqipëri

887
Sigal

“Skaneri” i Superligës në analizën e ish-lojtarit të njohur të Dinamos: “Skënderbeu, më i miri”

Ermal Tahiri, ish-lojtari i njohur i Dinamos në vitet 1980-1990 dhe i Kombëtares shqiptare, tha për gazetën “Telegraf” se, Skënderbeu është ekipi më i mirë i fazës së parë të Superligës, jo vetëm për faktin se e kryesoi atë bindshëm, por dhe për vlerat e lojës që tregoi. Gjatë intervistës së tij, ish-lojtari me një të kaluar futbollistike edhe në Greqi, dhe tashmë një trajner i licencuar, foli dhe për arsyet sepse është më mirë që në futbollin tonë të punojnë trajnerë shqiptare dhe jo të huaj. Tahiri u ndal dhe në dyshimet e hedhura nga “Sportradar” në lidhje me trukimet e mundshme të ndeshjeve të kampionateve tona, duke sjellë edhe informacione nga ajo qa ka ndodhur në Greqi.

Ermal Tahiri është i vetmi lojtar shqiptar, i cili i ka shënuar një ekipi francez, pikërisht Olimpikut të Marsejës, në atë humbje 5-1, kur Dinamoja jonë luajti në Ligën e Kampioneve, në sezonin 1990-1991, por me gjigantët e Marsejës që u shpallën atë edicion Kampionë të Europës. Ermali ishte pjesë e Kombëtares shqiptare, në atë humbje të thellë 5-0 me Francën, në “Park dë Prëns”, por dhe në atë humbje 9-0 me Spanjën (1990) në Sevilje. Ermal Tahiri (i lindur më 27 prill 1969), sot 42 vjeç, ishte pjesë e Dinamos që fitoi titujt në sezonet 1985-1986 (trajner Fatmir Frashëri) dhe 1989-1990 (trajner Bejkush Birçe). Si lojtar i Dinamos ka fituar edhe Kupën e Republikës në sezonin 1988-1989 dhe 1989-1990, si dhe Superkupën e Shqipërisë (1990). Pas largimit nga Shqipëria, Ermali luajti në Greqi me një numër të madh ekipesh, PAS Janinën, Atromiton, Apolon Athinon, Jaliso Rodos, A.O. Velisariu, Panegjaleio, Markos, etj. Vari “këpucët në gozhdë” pas sezonit 1997-1998. Me Kombëtaren ka luajtur 4 ndeshje” Greqi (2), Spanjë dhe Francë.

 – Zoti Tahiri, faza e parë e Kategorisë Superiore u mbyll me Skënderbeun në krye, por me një diferencë prej +10 pikësh me Teuten e vendit të dytë. Si e vlerësoni këtë pjesë të parë të sezonit?

– Nëse do ta përmblidhja me një fjalë të gjithë zhvillimin e fazës së parë, më duhet të pranoj se pamë një ekip si Skënderbeu, kampion në fuqi dhe lideri i kampionatit, që më së shumti kundërshtar pati veten. U duk qartësisht se, Skënderbeu ishte në një nivel shumë më të lartë se ekipet e tjera, thuajse nga të gjithë komponentët: lojë e shpejtë dhe uniform në të gjithë sektorët e fushës, duke filluar nga një mbrojtje kompakte, duke pësuar numrin më të vogël të golave, dhe deri në vijën e parë, teksa ka realizuar numrin me të madh të tyre. Kjo tregon punën dhe seriozitetin e klubit dhe, këtu duhet të përmend edhe atë të trajnerit Mirel Josa.

 – Disa ekipe që investuan fort në merkato, si Flamurtari dhe Vllaznia, zhgënjyen në këtë fazë të parë të Kampionatit të 74-t Kombëtar. Cilat mund të jene arsyet?

 – Të gjithë duhet të jenë të qartë se, nuk janë vetëm lekët që e bëjnë një ekip fitues, por janë shumë faktorë. Për mua

lojtarët që blihen, kanë nevojë të ambientohen sa më shpejt tek ekipet e tyre të reja dhe të bëhen një me skuadrën.

 – Dje u emërua një trajner i ri te Flamurtari, Ernest Gjoka, i cili është i tretë sezonal për vlonjatet. Ndërkaq, dhjetë ekipe nga 14 i kanë ndryshuar trajnerët në fazën e parë. Perse ndodh kaq shpesh tek ne?

 –  Për të qenë i sinqertë, kjo nuk është e mirë për ekipet dhe për futbollin tonë. Jo për çdo gjë që ndodh, fajin e ka trajneri. Unë mendoj se, trajneri duhet të ketë kohën e mjaftueshme që të punojë, që t’i duket puna. Por te ne, për çdo rezultat negativ që merr skuadra, gjëja e parë që bëhet është shkarkimi i trajnerit. Sa për ilustrim, iku Shkëlqim Muça, por asgjë nuk ndryshoi te Flamurtari me ardhjen e Hulian Rubios. Nga ana tjetër, dua t’i uroj Ernestit fat dhe të jetë me “stomak” të fortë.

 – Edhe pse vinte nga një prej vendeve me futbolli shumë të zhvilluar, madje me ekipe me emër, spanjolli Hulian Rubio nuk e ka gjurmën që të gjithë prisnin. Sa të dobishëm janë trajnerët e huaj në futbollin tonë?

 – Fakti që, Rubio vinte nga Spanja, mund të jetë një argument i dorës së dytë. Spanjolli nuk mundi të mblidhte lojtarët dhe të fuste filozofinë e tij, edhe pse kishte në dispozicion lojtarë të shquar dhe të paguar mirë. Në lidhje me dobinë e trajnerëve të huaj, kam nxjerrë konkluzionin se janë të dobishëm deri në një farë mase. Për mendimin tim, futbolli shqiptar ka nevojë jo për një trajner të huaj, por për një vendas qe e njeh mentalitetin dhe mendjen e lojtarëve, nëse mund të shprehem kështu, pasi kanë të bëjnë me karaktere dhe mentalitete të ndryshme. Jam i bindur se, në Shqipëri kemi trajnerë të mirë, por duhet t’iu lëmë kohë dhe të kemi besim tek ata, që të shohim rezultatet.

 – Kohët e fundit është përfolur shumë për rezultatet e dyshimta, madje për trukime ndeshjesh ne kampionatin shqiptar. Sipas kompanisë ndërkombëtare “Sportradar” janë 97 gjatë dy sezoneve të fundit. Sa të besueshme janë këto akuza, kur futbollin tonë e konsiderojnë si më të korruptuar në botë?

 – Duhet të jemi të qartë për një gjë. Dyshimi dhe fakti janë dy gjëra krejt të ndryshme. Për mua, për momentin ato janë në kuadrin e fjalëve, pasi personalisht, pa u vërtetuar nuk mund të them se ka trukime. Gjithsesi, ashtu siç ka në të gjitha kampionatet e Europës, mund të ketë dhe këtu te ne.

 – Ju keni kaluar një periudhë të gjatë futbollistike në Greqi, si lojtar, ashtu dhe si trajner në akademinë e PAS Janinës. Për kampionatin grek ka pasur disa akuza të forta për trukime ndeshjesh, madje sipas mediave helene ka pasur dhe arrestime…

 – Po është e vërtetë që ka pasur rezultate të fiksuara. Drejtësia greke madje kreu edhe arrestime të dy presidentëve të klubeve të Kavalës dhe Volosit, të cilët kishin luajtur mijëra euro në baste. I kapi sistemi i ngritur nga UEFA dhe u dënuan si klubet dhe ashtu dhe presidentët e tyre.

 – Një nga bashkëlojtarët e tu, te skuadra e Dinamos, Sulejman Demollari, u përzgjodh ndër “Dhjetë sportistët më të mirë të shekullit”. Gjatë një interviste për “Telegraf’, Sula e ndau meritën me të gjithë shokët e skuadrës…

 – Sulejman Demollarin e konsideroj si, një nga lojtarët më të mitë që ka nxjerrë jo vetëm Dinamo, por dhe Shqipëria. Kemi qenë dhe mbetemi shumë miq të ngushtë. Ia urova me gjithë zemër përzgjedhjen e tij në këtë anketë prestigjioze, pasi një herë në një shekull dalin lojtar si ai, dhe Demollari e meritonte plotësisht çmimin.

 Dënohet Daniel Xhafaj

Sulmuesi kryesor i Teutës, Daniel Xhafaj, dy herë golashënuesi më i mirë i Shqipërisë (2010, 2011), u dënua me katër ndeshje pezullim nga Komisioni i Disiplinës. Ish-lojtari veteran i Tiranës, Flamurtarit, Skënderbeut dhe Dinamos, u pezullua për shkak të ofendimeve të tij ndaj zyrtarëve të ndeshjes Laçi-Teuta.

 Fishekzjarrët dhe Partizani

Partizani do të luajë një ndeshje pa shikues, pikërisht atë ndaj Adës, në javën e parë të fazës së dytë, për shkak se u dënua nga Komisioni i Disiplinës, për hedhje të mjeteve ndezëse, pra fishekzjarrëve, gjatë ndeshjes kundër Lushnjës. Pogradeci u paralamërua me penalizim, pas shkeljeve në takimin me Dinamon.

Tiranasi drejtoi në këtë sezon për disa javë Apoloninë

 Gjika zgjedh Gjokën, Flamurtar gjen trajnerin

 Ernest Gjoka është trajneri i ri Flamurtarit, duke pasuar kështu në harkun e 48 orëve, spanjollin Hulian Rubio, të shkarkuar pas humbjes me Bylisin në Vlorën, për ndeshjet çerekfinale të Edicionit të 61-të të Kupës së Shqipërisë. Lajmin e konfirmoi kryebashkiaku i Vlorës, Shpëtim Gjika, njëherësh edhe ish-presidenti i kuqezinjve. Tiranasi drejtoi në këtë sezon për disa javë Apoloninë (dha dorëheqjen pas javës së 8-të), ndërkohë që më parë ka qenë edhe në bankinën e Kazmës dhe Tomorit. Aktualisht Flamurtari mban vendin e 7 në renditje me 19 pikë, shumë larg pritshmërive të fillimit ku objektivi ishte fitorja e titullit kampion. Misioni i Ernest Gjokës është ta bëjë Flamurtarin nënkampion të Superligës dhe finaliste të Kupës së Shqipërisë. Gjoka do të jetë trajneri i tretë sezonal i Flamurtarit, pas Shkëlqim Muçës (e drejtoi skuadrën vetëm në javën e parë) dhe Hulian Rubios (spanjolli drejtoi në javët 2-13, pra deri në përfundim të fazës së parë). Shpëtim Gjika tha për mediat: “Është zyrtare që Ernest Gjoka që nga ky moment është trajneri i ri i Flamurtarit dhe nesër paradite (sot) do të prezantohet para ekipit për të nisur punën. Këto gjashtë muaj ai do të jetë në drejtimin e skuadrës dhe ka një opsion rinovimi për vitin e ardhshëm. Të drejtosh Flamurtarin është dëshirë për çdo trajner, sigurisht dhe zgjedhja ka qenë e vështirë. Por këtë radhë unë kam preferuar përkundër dëshirave apo ambicieve të kujtdo, edhe pse të respektuar në futbollin tonë, t’i jap mundësinë një emri të ri, një djali të ri, të cilit i kam respektuar personalitetin, seriozitetin, dëshirën dhe sigurisht ambicien për të ecur përpara në këtë profesion të vështirë. Me thënë të vërtetën nuk kam patur asnjë hezitim, të paktën që nga momenti që është ndërprerë marrëdhënia me trajnerin Rubio, ku në mendjen time ka qenë vetëm një emër dhe ky është emri i Ernest Gjokës”. Vetë trajneri i ri, Gjoka tha: “Është përgjegjësi e madhe. Këtë rast që me erdhi besoj se do të di ta mirëpres e ta ngrejë akoma më lart Flamurtarin. Me këtë ekip, që është gjithnjë pretendent, pavarësisht luhatjeve që ka patur në kampionat, mendoj se gradualisht do të ndryshojmë shumë gjëra”, janë fjalët e para të Gjokës si trajner i vlonjatëve. Vështirësia me e madhe me të cilën pritet të përballet tekniku i ri është fakti që do të drejtojë një skuadër që u ndërtua gjatë verës nga Shkëlqim Muça e më pas u drejtua për rreth tre muaj nga Rubio. “Duke patur parasysh se Flamurtari ka disa lojtarë me shumë kualitet, them se ideja që kam për këtë skuadër, duke ja kërkuar dhe shpjeguar dhe atyre, mendoj se në union mendimi së bashku me futbollistët do të arrijmë aty ku na kërkohet. Edhe lojtarët vetë e kanë të qartë se nuk kanë më se çfarë të thonë e se çfarë të kërkojnë më përveç rezultateve pozitive. Ky është një obligim shumë i madh si për ato, por sigurisht edhe për mua, duke pasur parasysh se vij pas dy trajnerëve të larguar dhe synimi im dhe mundësia ime është të ndryshoj disa gjëra, aty ku unë mendoj”. Një objektiv parësor i trajnerit të ri të Flamurtarit është ndërtimi i raporteve profesionale me të gjithë futbollistët, në mënyrë që t’i marrë maksimumin këtij grupi dhe të realizojë synimet që ka klubi. “Nëse gjërat do të kërkohen nga ana profesionale, fusha do të flasë e do të nxjerrë në pah të mirat e gabimet e çdo futbollisti. Çdo njeri do të jetë i bindur që ne, të dy palët, unë dhe ata (futbollistët) dhe jam i bindur që tashmë do jemi një, do jemi ne, do të shkojmë mirë. Kryesorja në futboll është se nëse nuk shkohet mirë atëherë nuk shkon kjo punë”, – theksoi “timonieri” i ri i stolit të Flamurtarit, Ernest Gjoka.  Ndeshja e parë e Gjokës si trajner i Flamurtarit do të jetë ajo kundër Teutës, në “Niko Dovana”, në ndeshjen e dytë të çerekfinaleve të Kupës. Si Flamurtari, ashtu dhe Teuta, i kanë humbur ndeshjet e para: vlonjatët 1-0 me Bylisin; durrsakët 4-0 me Laçin. Kjo përballje shihet si tepër vendimtare për ecurinë e dy klubeve në Kupë.

KATEGORIA SUPERIORE

SEZONI 2012-2013

LEVIZJET NË BANKINA

1. TIRANA

Hulian Rubio (java 1); Alban Tafaj (javët 2-3); Artur Lekbello (javët 4-8), Alban Tafaj (nga java 9);

2. LAÇI

Përparim Daiu (java 1); Stavri Nica (javët 2-5), Ylber Zani (javët 6-7), Ramadan Shehu (javët 8-13), Stavri Nica (nga java 14)

3. FLAMURTARI

Shkëlqim Muça (java 1); Hulian Rubio (javët 2-13), Ernest Gjoka (nga java 14).

4. TEUTA

Hasan Lika (javët 1-2); Gentian Begeja (nga java 3)

5. KASTRIOTI

Artan Mërgjyshi (javët 1-5), Shaban Dollaku (nga java 6)

6. LUFTËTARI

Nevil Dede (javët 1-8), Edi Martini (nga java 9)

7. APOLONIA

Ernest Gjoka (javët 1-8), Elidon Demiri (nga java 10)

8. TOMORI

Kristaq Mile (javët 1-9), Madrid Muzhai (nga java 10)

9. SHKUMBINI

Gugash Magani (javët 1-10), Kristaq Mile (nga java 11)

10. BYLIS

Agim Canaj (javët 1-11), Naxhi Shensoj (nga java 12).

BANKINAT E PANDRYSHUARA

 

1. VLLAZNIA

Shpëtim Duro

2. SKËNDERBEU

Mirel Josa

3. KUKËSI

Armando Cungu

4. BESA

Ilir Daja