Erkand Qerimaj: Në Evropian, synoj podiumin

680
Nga Agron KAJA
PESHËNGRITJE/ Edhe tre ditë na ndajnë nga zhvillimi i Kampionatit Evropian në Rumani, ja përgatitjet e fundit të rekordmenit
Përgatitjet e peshëngritësve tanë që do të marrin pjesë në Kampionatin Evropian që zhvillohet në Rumani në datat 25 mars e deri më 1 prill, tashmë janë në ditët e fundit të tyre. Në fakt, ato kanë nisur që në muajin dhjetor 2017, pas mbylljes së garave të Kampionatit Botëror që u zhvillua në Anaheim të SHBA-ve, ndërsa në këtë Evropian, pjesëmarrja e peshëngritësve tanë do të jetë më e madhe. Do të marrin pjesë 7 peshëngritës (1 femër e 6 meshkuj), ku mes tyre është edhe Erkand Qerimaj, i cili tashmë garon në peshën 77 kg. Në bisedën e djeshme për gazetën “Telegraf”, Kampioni Qerimaj deklaroi se përgatitjet janë bërë, vetëm pritet dita e garimit. “Grumbullimi që kemi bërë në javët e fundit, ka qenë piku i përgatitjeve për pjesëmarrjen në Kampionatin Evropian të Peshëngritjes, i cili do të startojë më 26 mars në Rumani. Tashmë më mbetet vetëm gara më 29 mars, për të thënë se edhe këtu ne si peshëngritës shqiptarë do të jemi protagonistë në rezultate”, kështu deklaroi fillimisht Erkand Qerimaj, i cili përpos vështirësisë së grumbullimit e stërvitjes, nuk tërhiqet nga synimi i tij për të zënë një nga vendet e podiumit. “Synimi im në këtë Kampionat Evropian do të jetë që të kap rezultatet e mia më të mira, të cilat i kam arritur në stërvitje gjatë këtyre muajve të fundit. Nëse i kap ato, kuptohet më pas se çfarë rezultati mund të marr në këtë Evropian”. Përpos kushteve të mundimshme stërvitore dhe të akomodimit, Qerimaj deklaron se tashmë dihen të gjitha situatat që po kalon peshëngritja shqiptare. “Ne jemi munduar si peshëngritës që t’i ndajmë përgatitjet tona nga situata në të cilën është futur peshëngritja në tre muajt e fundit. Pesë peshëngritës jemi grumbulluar këtu në Durrës, dy të tjerë po përgatiten jashtë Shqipërisë, por kjo nuk besoj se do të jetë pengesë që të gjithë ne sportistët shqiptarë që do të marrim pjesë në këtë Kampionat Evropian, të arrijmë rezultate të larta”. Ndërsa trajneri Zef Kovaçi, i cili përgatit prej vitesh peshëngritësin Erkand Qerimaj, ditë më parë, këtë grumbullim e ka quajtur mediatikisht “rrumpallë”, por pavarësisht gjithçkaje, për gazetën “Telegraf” ai i deklaron pretendentë peshëngritësit shqiptarë në këtë Evropian. “Sportistët shqiptarë do të jenë pretendentët kryesorë për medalje në këtë Evropian, nisur edhe nga mungesa e rivalëve si sportistët rusë, rumunë apo polakë, të cilët nuk marrin pjesë për shkak të dopingut. Gjithsesi, këta janë djem heroikë”, kështu rikonfirmoi dje trajneri Kovaçi, ndërkohë që në vendgrumbullimin e Kombëtares, dy ditë më parë ka arritur për herë të dytë kontrolli antidoping i Federatës Botërore të Peshëngritjes, në të cilin ishte e pranishme edhe peshëngritësja Romela Begaj, pavarësisht pezullimit të fundit të saj për përdorim dopingu. Delegacioni shqiptar do të jetë në Bukuresht pikërisht më 26 mars, kur fillojnë zyrtarisht edhe garat e Kampionatit Evropian.
Grumbullimi që kemi bërë në javët e fundit, ka qenë piku i përgatitjeve për pjesëmarrjen në Kampionatin Evropian të Peshëngritjes, i cili do të startojë më 26 mars në Rumani. Tashmë na mbetet vetëm gara, për të thënë se edhe këtu, ne si peshëngritës shqiptarë do të jemi protagonistë
Nga Shqipëria në Rumani, ja pse u transferua Evropiani
Në vizitën që kreu më 14 nëntor 2017 në Shqipëri, Presidenti i Federatës Evropiane të Peshëngritjes, Antonio Urso, midis të tjerave dha lajmin se Kampionati Evropian i Peshëngritjes për të rritur, do të zhvillohej në Tiranë në datat 26 mars e deri më 1 prill. “Duke parë suksesin e fundit, të organizimit të Kampionatit Evropian për të rinj në Durrës, Federata Evropiane në bashkëpunim me Federatën Shqiptare të Peshëngritjes do kujdeset të organizojë një Evropian të mirë në Shqipëri. Jam shumë i sigurt që Federata Shqiptare e Peshëngritjes është e aftë të organizojë edhe kampionate botërore”, kështu deklaroi atëherë Antonio Urso, sepse më pas planet ndryshuan. Përdorimi i dopingut nga peshëngritësit shqiptarë, dhënia e dorëheqjes nga Presidenti i Federatës Shqiptare, Elez Gjoza, dhe situata aspak normale, e detyroi këtë federatë që Kampionatin Evropian ta transferonte në Rumani.

Peshëngritësit shqiptarë
FEMRA
Evangjeli Veli 58 kg
MESHKUJ
Romario Avdiraj 62 kg
Arbër Çerçizi 62 kg
Briken Calja 69 kg
Daniel Godelli 69 kg
Erkand Qerimaj 77 kg
Krenar Shoraj 85 kg
Sigal