Erjon Bogdani, si Leo Mesi; hetohet për evazion fiskal

70

Skandali i ri në futbollin italian. 41 klube dhe transfertat e 50 futbollistë në hetim nga Prokuroria

Erjon Bogdani është midis 50 lojtarëve, kontrata e të cilëve do të hetohet nga Prokuroria italiane, në skandalin më të ri të futbollin italian. Lajmi tashmë është në fokusin e të gjitha mediave ndërkombëtare. Çështja në fjalë ka të bëjë më kontratën e transferimit të sulmuesit shqiptar, i cili menaxhohet nga agjenti i FIFA-s, Alesandro Moxhi, djali i ish-drejtorit të përgjithshëm të Juventusit, Luçiano Moxhi, të dënuar me përjashtim të përjetshëm nga futbolli, pas skandaleve të këtij të fundit në lidhje me trukimin e ndeshjeve në çështjen “Kalçopoli”. Disa javë më parë, në hetim për evazion fiskal përfundoi edhe sulmuesi i Barcelonës, Lionel Mesi, për mospagimin e 4 milionë euro taksa.

 SKANDALI

Futbolli italian është duke u përballur me një skandal të ri, pasi policia “sulmoi” selitë e klubeve elitare, për shkak të evazionit fiskal, sipas prokurorëve italianë. Kampioni i Italisë, Juventusi, Milani dhe Lacio janë midis 40 klubeve, të cilave iu sekuestruan dokumentet në lidhje me kontrata midis ekipeve, lojtarëve dhe agjentëve, në një hetim të gjerë të koduar me emrin “Futbolli i sëmurë” (“Sick Soccer”). Lajmi u bë publik nga zyra e Prokurorisë së Napolit. Marrja e provave përfshiu më shumë 200 policë tatimorë të “Guardia di Financa”, të cilët morën kontratat e më shumë se 50 futbollistëve, në veçanti të atyre të hartuara nga dy agjentë futbolli, argjentinasit Alehandro Maconi dhe Alesandro Moxhi, pikërisht me këtë të fundit ka punuar golashënuesi më i mirë i Shqipërisë, Erjon Bogdani. Askush nga Federata Italiane e Futbollit apo “Lega Calcio” (Liga Profesioniste), kjo e fundit administron dy kampionatet maksimale në Itali, Seria A dhe B, nuk e kanë komentuar veprimin, madje as klubet e Juventusit, Milanit dhe Lacios, apo Moxhi dhe Maconi.

 BOGDANI

Në fakt, klubet futbollistike janë jashtë hetimeve, pasi “Guardia di Financa”, policia tatimore italiane, është e interesuar vetëm për hetimin e praktikave të menaxhuara nga dy agjentët Alehandro Maconi dhe Alesandro Moxhi. Në listën e hetimeve janë 12 menaxherë të FIFA-s, por hetimi është fokusuar më shumë tek dy agjentët e sipërpërmendur, pasi dhjetë të tjerët vetëm sa kanë konfirmuar kontratat e përpiluara midis lojtarëve dhe klubeve. Në listën e lojtarëve janë Bogdani, Laveci, Noçerino, Imobile, Skuli, Mutu, Datolo, Pelikori, Takinardi, Perea, Molinaro, Stelini, Franceskini, Kuriale, Danti, Inoçenti, Kalajo, Liverani, Fernandez, Sforcini, Koca, De Roze, Tavano, Çavez, Paleta, D’Agostino, Skarlato, Denis, Statela, Stendardo, Davi, Akosta, Fideleff, Paniagua, Kasetti, Jankulovski, Stankevicius, Odo, Kontini, Paro, Grafiedi, Dorlan, Arkari, Arçe, Legrotalje, Mora, Amodio, Fontanelo, Foxha, Bryan, Batalja, Bota, Aronika, Guzman e Kampanjaro.

 HETIMI

Prokuroria e Napolit ka grumbulluar materiale të bollshëm, për rë nisur hetimet në një numër të madh klubesh në Itali si dhe në klubet e huaja. Para shtatë vitesh, Juventusit iu hoqën titujt e sezoneve 2005 dhe 2006 dhe u dënua me zbritje në Serinë B, për shkak të përfshirjes së tij, midis klubeve të tjera, në fiksimin e ndeshjeve. Çështja “Kalçopoli” përfundoi me dënimin e ish-drejtorit të përgjithshëm të Juventusit, Luçiano Moxhi, të atin e Alesandros, të dënuar përjetë nga autoritet e futbollit italian. Vitin e kaluar, trajneri i Juventusit, Antonio Konte, u pezullua për disa muaj për shkak të përfshirjes në skandalin e trukimeve. Në vitin 2012, Napolit iu hoqën dy pikë pas përfshirjes në fiksimin e ndeshjeve, ndërkohë që kapiteni Paolo Kanavaro dhe Xhanluka Brava u dënuan me gjashtë muaj. Në vitin 1980, sulmuesi Paolo Rosi u pezullua dy vjet, për përfshirje në skandalin e ndeshjeve.

Lacio, 2 milionë euro për Hysajn

 Lacio është gati të bëjë hapin e nevojshëm, për të bërë të vetin Elseid Hysajn, mbrojtësin e Empolit. Mediat italiane raportojnë se lojtari i Kombëtares shqiptare është në majën e listës së dëshirave të presidentit Klaudio Lotito dhe drejtorit Igli Tare, së bashku edhe me Elezin e Hajdukut të Splitit. Sipas portalit “Ilsussidario.net”, më afër lacialëve është Hysaj, i cili është i aftë të luajë si nga e majta ashtu dhe e djathta, dhe që u dallua sezonin e kaluar me Empolin në Serinë B. Çmimi i vendosur për Elseid Hysajn është 4 milionë euro, por Lotito do të synojë ta marrë shqiptarin në bashkëpronësi me Empolin, pra të paguajë të paktën 2 milionë euro. Pritet që, operacioni të përfundojë brenda pak ditëve. Te Lacio luajnë edhe kapiteni i Shqipërisë, Lorik Cana, si dhe portieri Thoma Strakosha.

   Beshiktashi, 900 mijë euro për Kaçen

  Lojtari i PAOK-ut të Selanikut dhe i Kombëtares shqiptare, Ergys Kaçe, mund të luajë sezonin e ardhshëm në Turqi, pas interesimit të fortë të Beshiktashit. Gjiganti turk nga Stambolli është gati të paguajë 900 mijë euro për mesfushorin shtatshkurtër (1.63 m), por me një të ardhme të madhe, pasi është vetëm 19 vjeç. Sipas portalit turk, “Spor3.com”, tratativat janë serioze dhe në fazë të avancuar.

  Mavraj nis stërvitjet me Grojthin

 Aventura e Mërgim Mavrajt, mbrojtësit të Kombëtares shqiptare, mesa duket do të vazhdojë te Grojteth Fyrthi, pavarësisht se skuadra gjermane ra në Bundesligën 2. Mbrojtësi kosovar nisi të hënë stërvitjet me Grojthin, pas pushimeve më të gjata në raport me pjesën tjetër të ekipit, për shkak të angazhimit me Kombëtaren. Kapiteni shqiptar është një nga lojtarët më të rëndësishëm të ekipit.

  Skënderbeu humbet 2-0 me Volgën

 Skënderbeu humbi 2-0 me rusët e Volga Novograd, në miqësoren e zhvilluar në Austri, atje dhe ku dhe po përgatiten kampionët e Shqipërisë. Shënues: Kostyukov 45′ dhe Dvornekovic 89′. Kjo është humbja e trete e ekipit të drejtuar nga tekniku Mirel Josa në po aq ndeshje. “Ujqërit” kanë pësuar 11 gola, duke mos shënuar asnjë gol. Më parë kishin humbur 2-0 me çeçenët e Terek Groznit dhe 7-0 me ukrainasit e Shahktor Donteskut.

 Taulant Xhaka i thotë “po” Shqipërisë

 Futbollisti me origjinë shqiptare  Taulant Xhaka ka thëne se ka vendosur përfundimisht qe ti thotë “PO” ftesës së Shqipërisë. Vëllai i madh i Granit Xhakës ka luajtur në të gjitha kategoritë e kombëtares zvicerane deri në U21 por së fundi, nuk është ftuar në kombëtaren A. Taulanti pritet të jetë i gatshëm për  lojë më 11 tetor në ndeshjen Shqipëri-Zvicër kundër vëllait të tij, Granitit.

 Peshëngritësi i njohur shqiptar fitoi dy medalje në peshën 94 kg. Shqipëria, 8 medalje në “Mersin 2013”

 Tabaku sjell të artën e tretë

  Peshëngritësi Ervis Tabaku fitoi dy medalje në “Mersin 2013”, duke e çuar në tetë numrin e tyre të fituar nga Shqipëria në Lojërat e 17-ta Mesdhetare, që po zhvillohen në Turqi. Peshëngritja tregoi se është ai sporti më elitar në vendin tonë, pasi që të gjitha medaljet i përkasin asaj. Delegacioni shqiptar ka grumbulluar dei tani 3 medalje ari, 1 argjendi dhe 4 bronzi, ku veçohen dy të artat e Daniel Godellit. Ervis Tabaku garoi në peshën deri në 94 kg. Në stilin e shkëputjes 23-vjecari arriti të ngrinte në provën e tretë 166 kg, duke siguruar medaljen e artë, pasi rivali i tij egjiptian Ragab Abdalla dështoi në provën e tretë ku tentoi të ngrinte lart 1 kg më shumë. Në stilin e shtytjes peshëngritësi shqiptar realizoi në provën e dytë 196 kg, duke siguruar medaljen e bronztë. Në këtë stil medalja e artë i takoi pikërisht egjiptianit Abdalla që ngriti 206 kg. Pak ditë më parë, Të shtunën, peshëngritësi Daniel Godelli, vendosi një rekord të ri të Lojërave të Mesdheut, duke ngritur 151 kilogramë në stilin e shkëputjes për kategorinë 69 kilogramë. Ai ka fituar dy medalje të arta, plus rekordin e ri, duke përmirësuar me një kilogram rekordin e vjetër. Njëkohësisht, ai ka përmirësuar me 2.5 kilogramë edhe rekordin kombëtar, i cili mbahej po nga ai. Rezultat absolute për të riun nga Peqini që nderon edhe njëherë vendin si protagonist i padiskutueshëm i sportit të shtangës. Por suksesi i Godellit nuk ndalet aty, pasi 21-vjeçari fitoi dhe medaljen e artë në stilin e shtytjes, ku ngriti 174 kilogram, edhe pse ky rezultat është inferior ndaj atij prej 180 kilogramësh që e shpalli kampion Evrope pak muaj më parë në Tiranë. Romela Begaj fitoi dy medalje në peshën 63 kg, duke e çuar në gjashtë mumrin e medaljeve të Shqipërisë në Lojërat Mesdhetare “Mersin 2013”, ku spikasin sigurisht dy të artat e fituara nga Daniel Godelli. Vendi ynë ka fituar edhe një argjendi dhe tre bronzi. Romela mori pjesë në garën deri në peshën 63 kg, ku garuan gjashtë pjesëmarrëse. Në stilin e shkëputjes, Begaj ngriti 99 kg (në provën e dytë), një më pak se fituesja e medaljes së artë, turkja Sibel Simsek (100 kg). Begaj dështoi në provën e parë (99 kg) dhe në të tretën (104 kg). Në vend të tretë u rendit egjiptiania Sara Ahmed (92 kg). Midis këtyre të triave ishte edhe rivaliteti në stilin e shtytjes, të fituar nga egjiptiania Ahmed me 124 kg. Në vend të dytë doli turkja Simsek me 121 kg, ndërsa Begaj u rendit e treta me 117 kg, të ngritur vetëm në provën e parë, pasi dështoi në dy të tjerat kur tentoi 121 kg. Në dygarësh, Begaj ngriti 216 kg, po aq sa Ahmed. Simsek ngriti 221 kg.

 Hamburgu kërkon Berishën

 Portali suedez i lajmeve sportive, “fotbollskanalen”, shkruan se  gjermanët e Hamburgut janë vënë në garë për të siguruar shërbimet e portierit të kombëtares, Etrit Berishës. Klubi i Bundesligës, më të cilët më parë ka luajtur Besart Berisha, synon që të sigurojë shërbimet e portierit Kosovar gjatë kësaj merkato vere, pra ende pa mbaruar sezoni në Suedi, duke qenë se po luhet aktualisht faza e dytë e kampionatit. Lajmi është konfirmuar edhe nga vetë suedezët. Drejtori sportiv i klubit të Kalmarit, Svante Samuelson, e ka pranuar se ka disa klube që kanë kërkuar portierin shqiptar dhe ish-skuadrës 2 Korriku: “Ka disa klube që kanë qenë të interesuara. Nëse dikush dëshiron të diskutojë për transferim ne do të flasim rreth kësaj çështje”, ka deklaruar Samuelson. Berisha tha pak ditë më parë se, ai dëshiron të largohet nga Kalmari për të provuar një aventurë të re. Ai gjithashtu pranoi se Fulham mbetet një opsion për të. Ndërkohë, sipas mediave suedeze, Kalmari është duke parë për zëvendësuesin e Berishës dhe ai, sipas mediave skandinave, është Mirza Selimoviç, boshnjaku që luan me suedezët Kristianstad. Përsa i përket pistës angleze, ajo mbetet ende e hapur, por gjithçka ka “ngrirë” për faktin se Fulhami që kërkonte futbollistin, ka siguruar shërbimet e Stekelenburgut dhe ndaj nuk dëshiron që të shpenzojë më për portën. Ndërsa, Uatford është një mundësi e vogël, pasi klubi luan në Championship dhe nuk ka mundësi të realizojë shpenzime të mëdha.