Ergys Kaçe: “Së pari, ndihem shqiptar, pastaj grek”

531
Sigal

Te PAOK-u, dje mbërriti zyrtarisht ftesa e trajnerit të Kombëtares, Xhani De Biazit

 Ergys Kaçe, mesfushori i talentuar shqiptar, i cili luan me PAOK-un në Greqi, deklaroi për mediat helene, se ai së pari “ndihet shqiptar, pastaj grek”. Lojtari 19-vjeçar, i lindur në Korçë, por i formuar si futbollist në Greqi, është një nga të kërkuarit e trajnerit të Kombëtares shqiptare, Xhani De Biazi, dhe atij tashmë i ka mbërritur zyrtarisht ftesa nga Federata Shqiptare e Futbollit. Ai ende nuk ka vendosur përfundimisht, ndërkohë që në prag është dhe një ftesë i ka bërë edhe përfaqësuesja helene,nga trajneri Fernando Santos. Gjatë një interviste të gjatë për portalin grek, “Sportdog”, mesfushori i “shqiponjës me dy koka” (stemës së PAOK-ut), e theksoi qartë se ndihet shqiptar. I mbiquajtur “qeni”, për shkak të performancës së tij në fushë, Kaçe ka folur gjatë edhe sesi ndihet përkrahë emrave të mëdhenj si Kostas Katcuranis dhe Pablo Garsiasit.

 – Kaçe, sot (dje) të erdhi ftesa e Kombëtares shqiptare. Ke vendosur nëse do të shkosh?

 – Nuk kam vendosur akoma. Kam nevojë për disa ditë për të menduar.

 – Ama, para disa kohësh e kishte vendosur edhe (trajneri) Fernando Santos, se mendonte të të ftonte për Kombëtaren greke.

 – Nuk e di nëse me duan edhe në Greqi. Por, më duhet të vendos tani dhe është një vendim i vështirë. Dua akoma kohë të mendoj të disa gjëra dhe të vendos nëse do të luaj për Shqipërinë apo për Greqinë.

 – Cilat do të jenë kriteret e tua në vendimin tend?

 – Duhet të bisedoj së pari me familjen time dhe ta mendoj më mirë. Të shoh edhe se çfarë kërkon dhe zemra ime, ta shoh më nga brenda, më thellë këtë gjë. Është vendim i vështirë.

– Ke jetuar në Greqi qysh fëmijë, u rrite këtu, po bën karrierë këtu. Përfundimisht si ndihesh; grek apo shqiptar?

– Ndihem shqiptar, por kjo që nuk luan rol vetëm për faktin sesi ndihem. Luajë rol të tjera gjera, sidomos vendi. Ndihem shqiptar, por jam rritur këtu (në Greqi), kështu që jam prej të dyjave. Por, së pari shqiptar.

 – Le ta mbyllim temën e ftesës tende dhe të flasim për kampionatin. Deri ku mund të shkojë këtë vit PAOK-u?

 – Deri tani po shkojmë shumë mirë, megjithatë duhet të përpiqemi akoma më shumë, të fitojmë më shumë ndeshjes dhe deri në fund të sezonit të grumbullojmë sa më shumë pikë që të mundemi.

– Ndodheni në vendin e dytë, a besoni se do ta rrëzoni Olimpiakosin?

 – Atë do ta shohim. Nuk e di nëse do të mundemi ta rrëzojmë Olimpiakosin këtë do ta tregojnë ndeshjet.

 – Si ju duket që, papritur këtë vit, jo vetëm që luan si titullar me PAOK-un, por që luani në një vend të atillë ku kanë luajtur lojtarë të tillë si Pablo Garsias dhe Kostas Katcuranis?

 – Këtë vit është një ëndërr ajo që po jetoj. Nuk e prisja të luaja kaq shpejt në formacionin bazë. Përsa u përket lojtarëve të sipërpërmendur është nder për mua që të jem në një ekip me ata. Dhe kjo bën shumë shpejt dhe shumë mirë tek mua, pasi që të dy kanë luajtur me ekipe të mëdha dhe do të më ndihmojnë shumë me përvojën që kanë.

 Rexhina kërkon bomberin 35-vjeçar. Erjoni debutoi në Itali me skuadrën kalabreze në vitin 2000

  Bogdani, rikthim te dashuria e vjetër?!

 Erjon Bogdani mund të rikthehet te Rexhina, atje dhe ku nisi aventura e tij e gjatë dhe e pabesueshme në futbollin italian, pikërisht 13 vjet më parë, kur në vitin 2000 ai u transferua nga NK Zagreb në Rexho Kalabria. Lajmin e dhanë mediat italiane. Sulmuesi shqiptar është në qendër të merkatos dimërore, teksa për shërbimet e bomberit veteran të Sienës interesohen të paktën paktën katër skuadra: një nga Seria A, Peskara, dhe tri nga Seria B: Viçenca, Vareze dhe tani Rexhina. Lajmi i ditës për Rexhinën është rikthimi i një “kali të vjetër”, si Erjon Bogdani. Sulmuesi shqiptar ka milituar me skuadrën kalabreze midis vitit 2000 dhe 2003, ku në 67 ndeshje shënoi 11 gola. Qendërsulmuesi shqiptar e ka të vështirë të gjejë hapësirë në Serinë A me bluzën e Sienës, dhe me gjithë moshën e vjetër, 35 vjeç, dëshiron të luajë akoma në nivele të larta. Por, edhe Viçenca, Vareze dhe Peskara janë duke punuar për ta bërë të tyrin sulmuesin veteran shqiptar, Erjon Bogdanin. Trajneri i Sienës, Bebe Jakini, nuk e grumbulloi Bogdanin në ndeshjen e Sienës kundër Torinos, çka shërbeu si një sinjal për ekipet e tjera të interesuara për të. Vareze ndodhet në vendin e 9-të të Serisë B, pas 20 ndeshjeve (dy më pak se kundërshtarët), ndërsa ka grumbulluar 23 pikë, dhe synon të futet minimalisht në fazën “play-off”. Vicenca nuk është duke bërë një kampionat të mirë dhe pozicionohet në “zonën e kuqe”,  (vendi i 20-të nga 22 skuadra), pra në atë rënies direkt nga kategoria. Kështu që, shërbimet e një sulmuesi me eksperiencë si Bogdani do t’i vlenin shumë. Erjon Bogdani ka pasur një aktivizim me pikatore me Sienën deri në këto momente të Serisë A: ka luajtur në gjashtë ndeshja nga 20 të zhvilluara (249 minuta në total, por golashënuesi më i mirë i Kombëtares ka realizuar një gol në katër ndeshjet e tij. Bogdani shënoi në humbjen 4-2 kundër Kaljarit. Sezonin e kaluar, Bogu realizoi katër gola, duke i dhënë pikë shumë të vlefshme Sienës të tij, në luftën për mbijetesë. Siena tani mbyll renditjen në fazën e parë. Erjon Bogdani ka përse të krenohet në karrierën e tij. Është i vetmi shqiptar që u ka shënuar tre gjigantëve italianë: Juventusit, Milanit dhe Interit.

  Në total, janë gjashtë ekipet italiane me të cilat Bogdani ka luajtur: Rexhina, Salernitana, Verona, Kievo, Livorno dhe Siena.

 Tare bën te Lacio “Shqipërinë e Madhe”

 Igli Tare, drejtori sportiv i Lacios – aktualisht në vendin e dytë të Serisë A, pas Juventusit, – vlerësohet si një nga menaxherët më të zotë në Itali. Ish-kapiteni i Shqipërisë, i cili punon nga viti 2008 si drejtor sportiv, synon të afrojë në skuadër edhe kosovarin me pasaportë zvicerane, Granit Xhaka. Aktualisht, te skuadra e kryeqytetit italian aktivizohen me ekipin e parë, Lorik Cana (nga gushti i vitit 2011), dhe me “Primaverën” (Të rinjtë), portieri Thoma Strakosha (djali i Foto Strakoshës). Granit Xhaka, i cili u transferua gjatë merkatos së verës të vitit të kaluar nga Bazeli te Borusia Mynshengladbah nuk po gjen hapësira në radhët e klubit gjerman, duke rizgjuar zërat për një transferim të mundshëm në kryeqytetin italian. Marrëdhëniet e fantazistit të Kombëtares zviceran me trajnerin Favre janë në krizë dhe, Igli Tare, i cili vetë ka luajtur në Gjermani, me Valdhof Mannheim, Sydvest Ludvigshafen, Karlsruher,  Fortuna Dyseldorf dhe Kaiserslauternin, dëshiron të përfitojë nga kjo situatë. Tare bëri bujë në Itali kur arriti të bindë një lojtar të kalibrit botëror, si Miroslav Kloze, ndërkohë që sulmuesi i Kombëtares gjermane rezultoi tepër i suksesshëm.

Gjithsesi, ardhja e Xhakës lidhet ngushtë me transferimin e Mario Zarates, pasi për argjentinasin interesohen disa ekipe. Granit Xhaka e nisi karrierën te Bazeli ku luajti 44 ndeshje si titullar dhe në merkaton e verës u transferua në Gjermani ku është aktivizuar 11 herë dhe ka shënuar vetëm një gol.

Portieri Enes Azizi, në provë të Fulhami

 Enes  Azizi, ish-portieri i Lozanës, mund të bëhet gardiani i tretë shqiptar që luan në Angli, pas Jualian Gjeloshit dhe Mario Cenollit. Për portierin 18-vjeçar, i cili në gushtin e vitit të kaluar kreu një prove te të rinjtë e klubit më të pasur në France, Paris Sën Zhermeni, interesohet Fulhami. Lajmin e bëri të ditur për “Telegraf”, trajneri i njohur i portierëve, me bazë në Holandë, Arben Kasolli. “Po, është e vërtetë, për Azizin interesohet Fulhami. Së bashku, me të dhe menaxherin e tij, Arzen Ramadani, ne do të udhëtojmë drejt Londrës ditën e enjte, ku ai do t’i shihet nga afër nga drejtuesi i merkatos, Cornelius Jol, – tha Kasolli për gazetën. “Azizi është formuar si portier me Lozanën në Zvicër, dhe për mendimin tim ka të dhëna shumë të mira. Është tepër i talentuar dhe besoj se do të ketë të ardhme të madhe. Enesi luajti fazën e parë me Lozanën, por për të qenë i lirë pagoi klauzolën e përcaktuar nga klubi. Tani atë e kërkon Fulhami, por interesim ka pasur edhe nga Anderlehti në Belgjikë dhe Ajaksi në Holandë’, – shtoi Kasolli, i cili drejton “Kasolli Goalkeeping Academy”.

U-19, Shqipëria humbet me Rusinë

 Shqipëria U-19 humbi 1-0 në miqësoren me Rusinë e asaj moshe, gjatë një turneu që po organizohet në Itali, në Romë. Të enjten, Kombëtarja e drejtuar nga Foto Strakosha do të luajë kundër Greqisë. Në program është dhe një miqësore me Italinë.