Ergys Alushi: Dekada e artë e viteve ’80-90′. Ja cilët ishin mundësitë e Vlorës, të fortët e shqipërisë

2133
Sigal

Mundësit e Vlorës, të fortët e Shqipërisë!

Nga mentaliteti i gabuar në vitet 1975-1980 kur elementi i ri në sportin e mundjes mezi afrohej e deri në fundin e vitit 1990 me kampionët e padiskutueshëm vlonjatë të mundjes klasike

Vladimir Muka e Kozma Prifti, Migjen Rama e Bashkim Canaj (Baka), vëllezërit Zguro, Krenar Luto e Shkëlqim Korkaj, vëllezërit Stroka e Abazi, deri tek Ruzhdi Zeneli, janë disa nga shumë kampionët e Vlorës në sportin e mundjes klasike

 

Fitoret me tuç, rivaliteti me “Dinamon”, “Partizanin” e “17 nëntorin”, Medaljet e Arit në Spartakiadat Kombëtare, janë disa nga kulmet e historisë së mundjes vlonjate

 

Nga
Ergys Alushi

 

Në ditët e para të korrikut të vitit 1972, këndi sportiv “Spartak”, do të kishte për pesë ditë me radhë një gjallëri jo të zakonshme. Djem të rinj vlonjatë por edhe mosha më të mëdha brohorisnin fort. Zhvillohej kampionati kombëtar i mundjes së lirë për kategorinë e dytë. Në qytet ishin të gjithë të bindur dhe entuziastë se “Flamurtari” do të ngjitej në kategorinë e parë. Dhe kështu ndodhi.

“Flamurtari” u rendit i pari midis 8 ekipeve pjesëmarrëse. Suksesi ishte arritur. Djersa e mundësve vlonjatë ishte shpërblyer.

Sali Saliu i “Flamurtarit” ishte shpallur kampion për peshën e parë.

Kozma Prifti i “Flamurtarit” ishte shpallur kampion për peshën e katërt.

Shyqyri Hajro i “Flamurtarit” ishte shpallur kampion për peshën e gjashtë.

Gëzimi në këndin “Spartak” nuk kishte kufij. Pak ditë më parë, të drejtën për të luajtur në kategorinë e parë e kishin fituar edhe basketbollistet femra të qytetit. Dy ekipe të cilat që nga viti 1972, do të bënin epokë në sportin shqiptar. Vajzat basketbolliste dhe djemtë mundës të Vlorës do të ishin më të fortët e vendit. Këndi sportiv “Spartak” në vitet 60-70 do të kthehej në “Mekën” e sportdashësve vlonjatë, të cilët do t’i kthenin në festa të vërteta sportive ndeshjet e ekipeve të tyre me ekipe të tjera të vendit, kryesisht ndeshjet me ekipet e Tiranës.

Fillimet e mundjes

 

Historia e sportit të mundjes në qytetin e Vlorës i ka pasur më herët fillimet e veta. Bashkë me futbollin, notin e atletikën. Kur në lagjet e qytetit, fëmijë e të rinj mundeshin në gara me njëri tjetrin për të përcaktuar se kush ishte më i forti i grupit të shokëve, i rrugicës, i lagjes e për të vazhduar dhe me gara midis më të fortëve të lagjeve. Fushat me bar në rastin më të mirë ishin “tapeti” i ndeshjeve, por në shumicën e herëve ndeshjet zhvilloheshin në fusha me baltë, pluhur apo dhe qymyr e tullë të thërrmuar.
Pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore, kur sporti i mundjes filloi të organizohej me ekipe të rregullta të qyteteve, për të marrë pjesë në kampionatet e para kombëtare, edhe në qytetin e Vlorës, sporti i mundjes pati organizimet e para dhe sportistët e saj të parë.
Kështu, në tetor të vitit 1951, në kampionatin kombëtar të mundjes klasike për të rritur, të zhvilluar në Kuçovë, Panajot Mano i “Flamurtarit” do të shpallet kampion në peshën 79 kg. Edhe në vitet në vazhdim, sporti i mundjes në Vlorë do të jetë i dashur për të rinjtë e Vlorës, por pa arritur dot të jetë në grupin e ekipeve më të mira të vendit. Në vitin 1968, në muajin qershor në Tiranë, “Flamurtari” shpallet kampion kombëtar në mundje klasike për të rinj (kategoria e dytë). Po në vitin 1968, në kampionatin kombëtar për të rritur për kategorinë e dytë të zhvilluar në muajin korrik në Elbasan, Dy mundës të Vlorës, Kujtim Agalliu dhe Muhamet Doçi, do të shpallen kampion kombëtar në peshën e parë e të gjashtë. Një vit më vonë, korrik 1969, dy mundësit e rinj vlonjatë, Vladimir Muka e Shyqyri Hajro do të shpallen kampion kombëta për të rinj në peshën e tretë e të gjashtë. Në kampionatin kombëtar për të rritur, kategoria e dytë, të zhvilluar në Kukës, në vitin 1971, Mundësit e Vlorës, Kozma Prifti e Et’hem Pulaj do të shpallen kampion kombëtar në peshën e katërt e të pestë. Një vit më vonë, 1972, mundja e Vlorës, do të ngjitet në kategorinë e parë.

Vëllezërit Zguro

Në 23 mars të vitit 1974, Niko Zguro, do të shpallej mundësi më i mirë i kampionatit kombëtar të mundjes për të rritur. Në takimet finaliste të zhvilluara në Vlorë, vëllezërit Piro e Niko Zguro do të shpalleshin kampion në peshat e tyre. “Flamurtari” fitoi dy vende të para, tre vende të dyta, një vend të tretë, një të katërt e një të pestë. Ekipi u rendit në vendin e dytë për shkak se konkurroi me dy kategori peshash më pak se ekipi i “Traktorit” që u shpall kampion dhe kishte mundës në të gjitha peshat. Trajneri Ramadan Batalli kishte përgatitur një ekip me mundës cilësorë, të cilët premtonin shumë për të ardhmen.

Rezultate të arritura

 

1973 – 20 mars – Vlorë

Kampionati kombëtar i mundjes klasike për të rinj. Garat u zhvilluan në këndin e lojërave “Spartak”. Në peshën e shtatë u shpall kampion kombëtar Iliaz Dalipi.

1973 – 20 – 23 nëntor – Tiranë

Kampionati Kombëtar Individual i Mundjes Klasike për të Rritur e për të Rinj. Morën pjesë 92 mundësit më të mirë. Niko Zguro – kampion në peshën e tij.

1974 – maj – Kukës
Kampionati kombëtar për të rinj.
Migjen Rama – pesha e pestë – kampion.

1975 – qershor – Korçë.
Kampionati kombëtar për të rinj.
Qirjako Gjikoka – pesha e dytë – kampion. Migjen Rama – pesha e gjashtë – kampion.

1976 – 17 – 19 nëntor në Tiranë

Kampionati 38-të Kombëtar i Mundjes Klasike për të Rritur, 60 mundës pjesëmarrës. Në peshën e parë Arben Stroka shpallet kampion teksa i fiton të gjitha ndeshjet me rezultatin e pastër 4 me 0. U dallua edhe mundësi Vladimir Muka.

1978 – tetor – Shkodër
Kampionati kombëtar individual për të rritur

Migjen Rama – pesha 82 kg – kampion

1979

Më të mirët e vitit.

Në mundje

Migjen Rama.

Berndard Lulo.

1980 – 21 – 23 maj – Durrës

Kupa e Republikës 59 mundës nga 12 klubet më të mira. Arben Stroka – 57 kg – fitoi 4 ndeshje me tuç dhe një me pikë. Tregoi edhe njëherë talentin dhe përgatitjen e tij më të mirë se kundërshtarët.

1980 – 3 dhjetor – Vlorë

Kampionati Kombëtar individual i mundjes klasike 127 mundës – 12 ekipe. Në peshën e 5-të deri në 68 kg – Benard Lulo fiton titullin me Mazrekun e “Partizanit”. Migjen Rama – pesha 82 kg – kampion. Në peshën e 10 mbi 100 kg– fiton Bashkim Canaj.

1981 – mars – Durrës.
Kupa e Republikës, stil i lirë, për të rinj.
Sadik Zotaj – pesha e tretë – fitues.

1981 – 12 – 13 korrik në Shkodër.

Kampionati kombëtar i mundjes për pionierë. Mustafa Abazi – pesha 41 kg – kampion.

1981 – tetor – Vlorë
Kampionati kombëtar i mundjes klasike për të rinj.
Jaup Barjami – pesha 81 kg – kampion.

1981

Kampionët Kombëtarë në Mundje Klasike. Krenar Luto – pesha 52 kg. Bernard Lulo – pesha 74 kg.

Arben Stroka (Mjeshtër i sportit )

Fillimet e tij me sportin i ka me futbollin, ku aktivizohej si mbrojtës me fanellën me numrin 2. Por, shumë shpejt do të kalonte me sportin e mundjes, me Niko e Piro Zguron.

Garën e parë do ta zhvillonte në Vlorë në vitin 1974, ku emocionet do t’i kishte të mëdha sepse ndeshej para qytetarëve të vet, por edhe shokëve që e brohorisnin fort. Stërvitej shumë dhe ashtu si të gjithë të rinjtë e kohës, ëndrra e tij ishte të bëhej një kampion dhe të hynte në radhën e mundësve më të fortë të vendit. Dhe rezultatet, nuk munguan. Në vitin 1976, do të shpallej kampion kombëtar në peshën 48 kg. Ka dalë tre herë kampion kombëtar, duke fituar titullin “Mjeshtër i sportit”. Në kulmin e formës sportive, do të pësonte një dëmtim në menisk, por nuk do të tërhiqej nga sporti burrëror i mundjes. Disa nga rivalët e tij më të fortë kanë qenë Kadri Nuri, Ben Fejzo, Xhelil Çibuku, Kujtim Agolli e të tjerë. Vendin e Arben Strokës në ekipin e “Flamurtarit” do ta zinte vëllai i vogël i tij, Marenglen Stroka. Edhe Marengleni do të bëhej një kampion i madh i mundjes shqiptare, ku bashkë me fitoret me tuç dhuronte edhe spektakël për sportdashësit që e ndiqnin sportin e mundjes në të gjitha qytetet e Shqipërisë, kryesisht për vlonjatët e tij të dashur.

 

Në vitet 1975 – 1980 elementi i ri në sportin e mundjes mezi afrohej

 

Në vitin 1984 ishte e nevojshme që ekipi i mundjes të freskohej me elementë të rinj. Dhe të rinjtë e afruar në ekipin e parë e justifikuan veten. Ata e ngritën ekipin nga vendi i shtatë në vendin e dytë.

Pas një viti, Krenar Luto, Marenglen Stroka, Shkëlqim Korkaj e Ruzhdi Zeneli, do të shpallen kampionë kombëtarë. Emrave të këtyre kampionëve iu shtuan bashkë me sukseset e tyre edhe emrat e rinj si Musatafa Abazi, Eduard Ahmeti, Balil Asllani etj. Veteranët Bernard Lulo e Bashkim Cane. Edhe shkollat kanë bërë punë të mirë si është rasti i vëllezërve Abazi, të cilët u morën që të vegjël në mundje nga shkolla “15 tetori”.
“Ç’mund të thuhet për ardhjen në ekip të elementit të ri? Përmendim se ky element në vitet 1975-1980 mezi afrohej në palestër, ndërsa sot krejt e kundërta. Shumë punëtorë, oficerë, intelektualë marrin fëmijët prej dore që në moshë të vogël, i çojnë në palestër dhe kanë dëshirë që fëmijët e tyre të bëhen mundës të talentuar. Mendimi jo i drejtë për sportin e mundjes u thye në sajë të punës së mirë që kanë bërë edhe shkollat, ekipi i të rinjve dhe më vonë ai të rriturve…” Ngaqë është derdhur djersë, janë arritur edhe rezultate(Vojo Veliu – “Zëri i Vlorës”, 22 mars 1987)

Në takimet finale për kupën e Republikës në mundjen klasike për të rinj, të zhvilluar në vitin 1982, nga datat 19 e 21 maj në Elbasan, mundësit e rinj të “Flamurtarit” do të jepnin sinjalin e parë të një brezi të rinjsh mundësish të talentuar. Ekipi i “Flamurtarit” fiton kupën e Republikës me trajner Piro Zguro dhe u kthye në Vlorë me katër fitues peshash – Safet Abazi, Roland Hita, Krenar Brati, Robert Zguro.

Kishte dy vjet që në palestrën e sporteve të rënda të Vlorës, stërviten plot mund e djersë një grup të rinjsh në sportin e mundjes. Dhe rezultatet nuk kanë munguar. 7 – 10 prill 1981 – në finalet e Kupës së Republikës ekipi zuri vendin e 4 nga 12 ekipe pjesëmarrëse. 23 – 25 tetor 1981 në Vlorë, ekipi zuri përsëri vendin e katërt.

 

Vijon