Ëndrra e Lutës: “Dua fanellën e Kombëtares”

640
Sigal

Talenti elbasanas ka bërë prova te Empoli në Itali. Ka idhull Ezekuel Lavecin e PSG-së

Elbasani është një klub që ndër vite ka nxjerrë talente në futboll, që kanë luajtur si me Elbasanin, por edhe me skuadra të tjera të kampionatit tonë dhe jashtë vendit. Edhe Kombëtarja Shqiptare e futbollit ka pasur gjithnjë futbollistë të dalë nga kjo akademi. Këtë sezon, me verdheblutë po shkëlqen një talent, që në fushë e tregon atë duke shënuar gola. Bëhet fjalë për Shamet Lutën, një sulmues që ende nuk i ka mbushur 18 vjeç dhe ka një të ardhme të ndritur përpara. Sulmuesi elbasanas po ndiqet me vëmendje edhe nga skuadra e parë e Elbasanit, që mund ta afrojë shumë shpejt në gjirin e vet. Bomberi verdheblu ka bërë një provë tek skuadra e Empolit në Itali, ku pas fjalëve të mira nga drejtuesit e skuadrës italiane, tani pret vetëm ftesën për të qenë pjesë e saj. Në një intervistë për “Telegraf”, Luta rrëfehet për karrierën e tij që sapo ka nisur, duke treguar idhujt e tij në fushën e lojës dhe synimet që ka për të ardhmen.

  – Luta, si e nisët karrierën tuaj në futboll?

 Kur isha 12 vjeç nisa të stërvitesha me trajner Sabri Dalipin prej disa vitesh, ku më pas edhe me këtë trajner militoja në radhët e 17-vjeçarëve të Elbasanit. Më pas kalova tek 19-vjeçarët, ku edhe jam aktualisht, me trajner Arjan Kilën.

Luani si sulmues dhe në fushë “flisni” me gola, apo jo?

Ndonjëherë jam sulmues i parë dhe ndonjëherë luaj edhe pas dy sulmuesve. Këtë sezon po kaloj një formë të mirë, pasi kam shënuar 11 gola në 14 takime. Por, nuk dua të ndalem me kaq dhe më e rëndësishme për mua është të kontribuoj në fitoren e skuadrës sesa në shënimin e golave në aspektin personal.

 – Nga shifrat duket se jeni një “bomber” i lindur. Ku dëshironi të arrini në të ardhmen?

 – Po, fillimisht si çdo elbasanas dua të luaj për Elbasanin, më pas do të dëshiroja një karrierë jashtë vendit. Kam bërë dy prova tek skuadra e Empolit në Itali dhe më kanë thënë fjalë të mira drejtuesit atje, nëpërmjet menaxherit tim, Altin Selmani. Shënova edhe gol në provën që pata, ndaj kam besim se e kam kaluar pozitivisht këtë test.

 – Po me kombëtaret e moshave, je thirrur ndonjëherë?

 – Jam thirrur për provë tek Kombëtarja U-19 dhe arrita të shprehem mirë, pasi realizova edhe tre gola. Pastaj, një ditë si çdo shqiptar, dua të jem pjesë e Kombëtares së madhe, sepse kjo është ëndrra e çdo lojtari.

 – Po idhujt tuaj në futboll cilët janë?

 – Në Shqipëri kam një idhull dhe ai është Dorian Bylykbashi, një futbollist që luan ende për Elbasanin. Nga të huajt më pas, më pëlqen lojtari i PSG-së, Ezekuel Lavezi.

SKEDA

Emri: Shamet Luta

Datëlindja: 26/ 06/ 1995

Skuadra: Elbasani U – 19

Pozicioni: Sulmues

Gola këtë sezon: 11