Sigal

Nga AGIM JAZAJ

Selenicës i rikthehet tradita e ëndërruar gjatë. Rikthehet në një realitet të ri, pas 22 vitesh, ekipi i futbollit “21 Shkurti”, falë iniciativës e përpjekjeve të kryetarit të Bashkisë z. Përparim Shametaj. Me një përkushtim të pa shoq dhe investim nga bashkia; është rehabilituar tërësisht, duke plotësuar gjithë parametrat: Fusha e futbollit, ambientet, tribuna, si dhe grumbullimi dhe stërvitja e ekipit, etj. Nga debutimi i parë në vitin 1949, kur ka luajtur në kategorinë e dytë (grupi i 11-të), maja më e lartë në sezonin 1991-1992, kur për here të parë dhe të fundit Selenica, ka arritur të luajë deri në kategorinë Superiore (Elitë) të futbollit Shqiptar. Në mes është një histori, afro 70-vjeçare. Kjo skuadër modeste e qarkut të Vlorës, e njohur për shumë vite me emrin: “21 Shkurti”, në sezonin 2018-2019, ka përgatitur të gjithë dokumentacionin dhe e ka dorëzuar në FSHF, mbi konkurrimin e saj në kategorinë e tretë. Iniciativa i përket Bashkisë Selenicë dhe personalisht kryetarit të saj z. Përparim Shametaj, shefit të klubit z. Dritan Hoxha, ish futbollist dhe golashënuesi më i mirë i kësaj skuadre, si dhe një bord biznesmenësh që duan të riorganizojnë dhe ngrenë në nivelin e duhur futbollin në këtë qytezë.


Kryebashkiaku deklaron: “Se tradita e futbollit ka qenë prezent, pavarësisht disa viteve të vështira, kur skuadra dhe klubi, nuk kanë mundur t’i mbijetojnë vështirësive”. Prej vitit 1997, Selenica i mungon prej 22 vitesh futbollit Shqiptar. Trajner i skuadrës është emëruar Erion Duro, ish-lojtar i Himarës, sezonin 2008-2009 e më pas duke u transferuar tek “Norga” për dy sezone. Ekipit do të ketë lojtarë nga qyteti i Vlorës, si dhe nga Selenica, disa të rinj që duan të kontribuojnë për këtë ekip. Për herë të fundit Selenica, është përfaqësuar në sezonin 1996-1997, në kategorinë e dytë. Ekipi vazhdon stërvitjen intensive në fushën e skuadrës së futbollit “Flamurtari”- të cilin e falënderon për këtë mirëkuptim e bashkëpunim edhe kryebashkiaku- Shametaj.

Shënime nga Lorenc Keqaj, ish lojtar i Klubit të futbollit: “21 Shkurti”- Selenicë

“Miku ynë, i publicistikës, Agim Jazaj më nxiti të hidhja në pak radhë ekipin e futbollit, të qytezës së lashtë, të Bitumit – Selenicë. Të flasësh për të shkuarën e skuadrës së futbollit, do të nisësh me: “21 Shkurtin”, emrin legjendar të ekipit të futbollit, përpara viteve 1990.

Shkurti, muaji i shkurtër që “shkurton urat e zjarrit në dimër” dhe “21 Shkurti”, ekipi i futbollit që ndizte flakë zemrat e Selenicarëve, në të gjithë muajt e vitit… Ekipi i futbollit, lindi dhe u zhvillua bashkë me qytetin minator të Selenicës, duke iu dhuruar lumturi edhe kur selenicarët nuk ishin të lumtur! Selenicarët e donin dhe e duan të bukurën, ishin dhe mbetën artdashës dhe sportdashës. Kurrë nuk mungonin pa e mbushur sallën e kinemasë me spektator dhe fushën e futbollit me tifozeri të shumtë. Dashuria më e madhe për Selenicarët ishte; skuadra e futbollit, të cilët e ndiqnin me pasion, jo vetëm në fushën e tyre, por edhe jashtë saj. Djemtë e Selenicës mundoheshin të kapërcenin çdo lloj pengese, që i ndalonte për të ndjekur ndeshjet e ekipit, qoftë ato ekonomike, shoqërore apo familjare. Kur në një familje kish ndodhur një mosmarrëveshje, pasi prindërit nuk i lejonin të ndiqnin pas ekipin, djali kthehej dhe i thoshte babait: “Kishim s’kishim, në Ballsh ishim/ Kemi s’kemi, në Patos do vemi”. Selenicarët e ndiqnin ekipin e tyre të zemrës, duke përshkruar një itinerar prej tri orësh, në këmbë duke shkuar në Ballsh, në Patos. U luajt futboll në një kohë tjetër, ndoshta pa shumë privilegje, pa kushte, mungonin ndoshta dhe ato minimalet, të cilat detyronin edhe përgjegjësin e fushës; Cano Pashaj të bënte maksimalen, për mirëmbajtjen e fushës, fondet, për sportin ishin të pakta, të varfër, por të pasur në shpirt. Ekipi i “21 Shkurtit” u udhëhoq prej shumë vitesh nga trajneri, i madhi: Skënder Xhaferri, i cili pasionin dhe shpirtin e tij ia dedikoi ekipit të Selenicës. Ai ndërtoi një ekip dinjitoz, me ambicie për kohën. Lojtarët që aktivizoi në ekip ishin: Petrit Çela, Jorgji Dollaku, Mihal Bombaj, Agim Hyseni, Kujtim Hoxhaj, Tajar Aliaj, Ëngjëlush Keqaj, Kristaq Doko, Harilla Dhamaj, Enerik Haxhiraj, Dritan Hoxha, Vika Islamaj, pa harruar bukurinë e ekipit, të ndjerin; Bujar Braho. Thonë se fotografia është pjesë e memories historike e një kombi, e një shoqërie që kërkon t’u lerë brezave të saj:

Kush ishin paraardhësit e tyre, Kjo ekziston në gjithë fushat edhe në atë të sportit. Në kabinën e fushës së sportit, në një nga stendat e kohës, varur në mur ishin disa foto të vjetra të ekipit, të “21 Shkurtit”, në vite dhe breza. Ata punonin në sektor të ndryshëm, dhe në pasdite i gjeje duke u stërvitur 2 deri në 3 orë në ditë. I vetmi stimul për ta ishte, mirënjohja e popullit të Selenicës. Po të përmendja Jani Çapi, Vasil Seferi, Qatip Bashaj, mirënjohja ishte virtyt i shoqërisë, i shoqërive të civilizuara, një mirënjohje që ky popull do të jepte për gjithë ata drejtues të ekipit dhe futbollist, që pasuan në vite, e ndoshta të më falin që nuk mund t’u përmend të gjithëve emrat. Por, po e filloj me të madhin, trajnerin: Faredin Bejkosalaj, i cili e mori ekipin e Selenicës nga kategoria e tretë dhe e ngjiti në kategorinë e dytë, duke ndërtuar një ekip modest për kohën, ku disa lojtarë i pruri nga qyteti i Vlorës. Për të përmendur janë: Ilir Muçaj, Ilir Laçja, Aleko Berberi, Arben Rexhepaj, Dhori Pano, por dhe shumë të rinj të talentuar nga Selenica si: Mikel Bregu, Ilir Simoni, Altin Rrapaj, Ilir Abazaj, Ariton Mitraj, Genci Begaj, Ilir Allushaj, Emiljano Petraj, Lorenc Keqaj etj. Por Selenica kishte ambicie, pse jo dhe për në kategorinë e parë, ku një rol të rëndësishëm për të realizuar këtë ambicie dha përgjegjësi i ekipit; Baki Mahilaj, i cili pruri si trajner atë kohë: Sotir Seferin, djalë i Selenicës, ish-futbollist i “Partizanit”.Trajner Sotiri gjeti një ekip të përgatitur dhe të kompletuar nga paraardhësi i tij, duke korrur fitore ato vite në kategorinë e dytë e drejtoi sport Klub – Selenicën për në kategorinë e parë. Një Klub – Sport që u shua ato vite, po atë vit ra nga kategoria e dytë. Por koha ka dhe kohën e saj. Aty të ngre dhe aty të ul. Sport, Klub – Selenica luajti në vitin 1994 për një vit në kategorinë e tretë, me grumbullim në Gjirokastër, kur trajner i skuadrës ishte Zybi Aliaj. Prej atij viti ekipi i mungoi sportdashësve të Selenicës, po dhe historikut të futbollit. Ndeshja që ka mbetur në memorien e sportdashësve selenicarë: “21 Shkurti” ishte ndeshja me: “Vetëtimën” e Himarës, ndeshje e fituar nga skuadra e Selenicës 3 me 1. Kjo ndeshje u luajt në stadiumin “Flamurtari”, të qytetit të Vlorës dhe e ngjiti ekipin e “21 Shkurti” në kategorinë e dytë. Në atë ndeshje kishin zbritur në Vlorë dhe kishin “pushtuar” stadiumin e gjithë Selenica, ngjarje e pa harruar. Tifozët zbritën në qytetin e tyre të Vlorës; më këmbë, me mjetet e pakta të kohës, me “Zisa”, “Skoda”, mbi ngarkesat e tyre. Kur mbaroi ndeshja e duhet të ktheheshim për në Selenicë, po rikujtoj një ngjarje të pa shlyeshme: Një grup i madh tifozësh, u fut në autobusin e ekipit. Mjeti nuk mund të mbante më shumë se sa ekipi. Shoferi u mundua t’i bindte tifozët të zbrisnin, po ishte e pa mundur, nuk tundeshin tifozët. Atëherë shoferi e drejtoi mjetin drejt policisë, Degës Punëve të Brendshme të kohës. Atje zbritën të gjithë me lojtarë e tifozë nga mjeti. Shefi i Degës, një burrë i gjatë, iu drejtua turmës së madhe me fjalët. “Të dalin lojtarët e ekipit në një krah dhe tifozët në krahun tjetër”. Ashtu u bë. U formuan dy grupe. Një grup i futbollistëve dhe një grup i tifozëve. Shefi i policisë iu drejtua tifozëve: “Të ngrenë duart, ata që kanë lozur futboll me Selenicën”. Ashtu në heshtje gati 80 % e tifozëve ngritën duart përpjetë. Shefi i befasuar, thyen heshtjen duke thënë: “Po ju paskeni luajtur të gjithë me Selenicën?” Nga grupi i madh i tifozëve, u dëgjua zëri i një meso burri. “Mund të mos kemi luajtur të gjithë me këmbë, por kemi luajtur me zemër”. Shefi e degës, u vu në mendime përballë asaj situate. Mundi të gjente atë natë një mjet transporti, për tifozët dhe shkuan të gjithë me këngë nga karroceria e mjetit, nëpër rrugë dhe në rrugët e qytezës së Selenicës. Këto ngjarje nuk e kanë pasur mundësinë e teknologjisë, për t’i filmuar, por kujtesa njerëzorë e selenicarëve i ka skalitur fort dhe i ruan në memorie dhe në vite!