Ende nuk ka kandidatura zyrtare, afati deri më 18 janar

632
Nga Agron KAJA
FSHF/ Ekzekutivi shpall datën, Asambleja zhvillohet më 7 shkurt, një muaj më parë nga sa mendohej
Të shtunën paradite, Komiteti Ekzekutiv i FSHF-së e shuajti çdo kureshtje që vërdallosej në ambientet sportive në Shqipëri. Fjala është për zhvillimin e punimeve të Asamblesë Zgjedhore, e cila në datën 7 shkurt 2018, në Hotel “Adriatik” në Durrës, veç të tjerave, do të zgjedhë edhe presidentin e ri për një mandat katërvjeçar, 2018-2022. Duke ju referuar komunikimit që FSHF-ja krijoi në rrjetin social Facebook dhe në faqen e saj zyrtare, ku janë trajtuar me hollësi të gjitha kushtet e vendosjes së 7 shkurtit, si datë e zhvillimit të punimeve të Asamblesë Zgjedhore. Me qëllim sqarimin e opinionit publik, duke marrë shkas nga shqetësimet e ngritura në disa media sportive, FSHF-ja në këtë komunikim thekson se, KE në mbledhjen e tij të datës 6 janar 2018, në bazë të kompetencave që i jep Statuti, vendosi të thërrasë Asamblenë e Përgjithshme të Zakonshme (Zgjedhore), e cila do të zhvillojë punimet me datë 7 shkurt 2018, ora 09:00, në Hotel “Adriatik“, Durrës. “Ky vendim është marrë në përputhje dhe në respektim të plotë të përcaktimeve të Statutit të FSHF-së dhe të kohëzgjatjes së mandatit aktual, i cili përfundon po në muajin shkurt 2018, dhe nuk mund të zgjatet tej këtij afati”, kështu deklarohej në komunikimin zyrtar të FSHF-së, menjëherë pas vendimit për datën e Asamblesë, ndërkohë që, propozimet për kandidatët në postin e Presidentit, kanë afat të propozohen deri më datën 18 janar. Ndërsa lajmeve të ndryshme në mediat shqiptare për këtë Asamble, FSHF-ja i përgjigjet me nenet e Statutit. “Në përputhje me Statutin, nga ana e Sekretariatit të Përgjithshëm, anëtarëve të FSHF iu dërgua njoftimi përkatës, së bashku me rendin e propozuar të ditës. Në zbatim të nenit 21, pika 3, brenda datës 18 janar 2017, anëtarët duhet të depozitojnë zyrtarisht në Sekretariat emrin e delegatit me të drejtë vote që do t’i përfaqësojë në këtë Asamble. Po sipas Statutit, delegati nuk mund të zëvendësohet pas afatit të dorëzimit të listës”. 

Statuti i FSHF-së, ja nenet për Asamblenë
Neni 24
1. Asamblenë e Përgjithshme e thërret Komiteti Ekzekutiv një herë në vit, në gjashtëmujorin që vijon pas përfundimit të vitit financiar. Ftesa për mbledhjen e saj u dorëzohet anëtarëve të paktën 30 ditë më parë.

2. Secili kandidat që hyn në garën për President në FSHF, duhet të propozohet nga të paktën prej 1 anëtari. Që vendimi të jetë i vlefshëm, në votim duhet të marrin pjesë 50+1% e anëtarëve të FSHF-së në këtë Asamble.

Neni 30
3. Gjatë zgjedhjes së parë, Presidenti ka nevojë për 2/3 e votave të vlefshme, dhe në rast se asnjë nga kandidatët nuk e arrin këtë shumicë, zhvillohet një raund I dytë midis dy kandidatëve me më shumë vota. Kandidati që merr më shumë vota në raundin e dytë, zgjidhet President i FSHF-së.
Sigal