Emir Rezi: Kamza skuadër serioze, jo vetëm debutuese

613
Nga Agron KAJA
INTERVISTA/ Flet për “Telegraf”, autori i golit të parë të Kamzës në Kategorinë Superiore 2017-2018
Emir Rezi është emri i golit të parë të Kamzës në Kategorinë Superiore 2017-2018, si ndjeheni sot me atë gol barazimi?
Kanë kaluar disa ditë, dhe më duket se kam shënuar një gol me shumë vlera. Para ndeshjes, nëse do të luaja, e kisha një parandjenjë se do të shënoja. Unë hyra në lojë si zëvendësues në minutën e 63-të, me besimin se do të shënoja. U shpërbleve, e njëherësh ndjehem mirë, sepse ky është goli i parë i Kamzës në këtë sezon të ri të Kategorisë Superiore.

Një kohë e shkurtër, vetëm 4 minuta për të shënuar gol, ishte ky një “shpërthim” për këtë sezon?
Për një sulmues, besoj se çdo gol është një shpërthim, por goli varet se si e shënon. Unë isha pjesë e aksionit, dhe në veçanti e falenderoj mbrojtësin Fushtar për atë aksion e top që kaloi në zonën e Skënderbeut. Goli ishte i gjithë Kamzës, madje edhe për ata që ishin në shkallët e stadiumit, të cilët besoj se nuk do të zhgënjehen nga kjo skuadër.

Keni hyrë në lojë si zëvendësues, mendoni se duhet të aktivizoheni që nga minuta e parë?
Aktivizimi është në dorën e trajnerit, unë kam qenë dhe jam i gatshëm në çdo kohë që ai do të më besojë të luaj, nga minuta e parë, apo si zëvendësues. Rëndësi ka që unë të jap maksimumin tim në shërbim të skuadrës, në çdo moment të lojës.

Janë luajtur dy javët e para të Kategorisë Superiore 2017-2018, çfarë ka treguar skuadra e Kamzës në këto 180 minuta lojë?
Mendoj se ne (Kamza) kemi një skuadër të mirë, skuadër serioze dhe jo vetëm një debutuese e këtij sezoni. Gjatë merkatos së verës, skuadra është kompletuar me disa futbollistë cilësorë, të cilët kanë luajtur edhe më parë në Kategorinë Superiore. Ky seriozitet që ka treguar Bashkia e Kamzës si financuesja e skuadrës, tregon se nuk do të jemi thjesht një skuadër debutuese e këtij kampionati. 

Si skuadër që financoheni nga Bashkia, ndjeheni të barabartë me 10 skuadrat e tjera?
Barazi nuk ka asnjëherë, si në fushë dhe jashtë saj. Këto janë kushtet, por duke qenë se unë bëra vite me skuadrën e Kamzës, e veçoj Bashkinë dhe Kryetarin Mziu, për angazhimin e përkrahjen që i japin skuadrës së futbollit. Është diçka e veçantë kjo, njëherësh edhe fakti se janë shumë korrektë në marrëdhëniet me skuadrën, pa harruar edhe ato financiare. 

Cili është synimi i Kamzës për këtë sezon futbollistik?
Kur them se nuk do të ndjehemi skuadër inferiore, synimi shkon më tej. Konkretisht, ne synojmë mesin e tabelës, dhe të gjithë besojmë se do t’ia arrijmë.

Ndeshjen e radhës e keni në Lushnje, mund ta quajmë këtë një sfidë mes skuadrave debutuese ende të papërshtatura me Superioren?
Përshtatje ende nuk kanë treguar edhe skuadrat që kanë qenë në Superiore, dhe rasti i Partizanit e tregon qartë, por që edhe ne do të na duhet pak kohë në këtë drejtim. Në përballjen me Lushnjen, do mundohemi që të marrim maksimumin, sepse ne me çdo skuadër që do të luajmë, synimin asnjëherë nuk e kemi ndryshe.
Kamza është e kompletuar me futbollistë cilësorë, të cilët kanë luajtur edhe më parë në Kategorinë Superiore, dhe ky seriozitet që ka treguar Bashkia e Kamzës si financuesja e skuadrës, tregon se nuk do të jemi thjesht një debutuese e këtij kampionati
1 gol
Në dy ndeshjet e para të Kategorisë Superiore 2017-2018, Kamza ka shënuar 1 gol me autor Emir Rezin
KATEGORIA SUPERIORE
Ndeshjet-Java e tretë
E shtunë, 23 shtator 2017 
Luftëtari-Vllaznia 14:00
Lushnja-Kamza 14:00
Skënderbeu-Partizani 19:00
E dielë, 24 shtator 2017
Kukësi-Laçi 14:00
Teuta-Flamurtari 17:00
RENDITJA
Skuadrat Nd P
1.Teuta 2 6 
2.Skënderbeu 2 4
3.Kukësi 2 4
4.Laçi 2 3
5.Vllaznia 2 3
6.Flamurtari 2 3
7.Luftëtari 2 3
8.Kamza 2 1
9.Partizani 2 1
10.Lushnja 2 0
Sigal