Emin Lishi: Emergjente në not, mbetet tabela elektronike

690
Si është pjesëmarrja në këtë kampionat të parë të vitit 2017, pikërisht në pishinë të hapur 50m?
Ky është aktiviteti i parë veror në pishinën 50 metra, i cili vjen pas disa veprimtarive të tilla, por që janë zhvilluar në pishinë të mbyllur 25 metra. Por, do të thoja se pjesëmarrja la për të dëshiruar, sepse mungonin shumë ekipe të rretheve. Arsyeja është e thjeshtë, nuk kanë infrastrukturë stërvitore gjithëvjetore, duke mos arritur që të përgatisnin notarët.

Sa ekipe u përfaqësuan në këtë veprimtari?
Janë 12 ekipe, por pjesa më e madhe e tyre janë nga Tirana. Qytetet me tradita në not, si Vlora, Saranda, Durrësi e Shkodra, nuk kanë ardhur në kompletimin e tyre më të mirë, ndoshta për arsyen e mësipërme. Nëse do të ishte infrastruktura e plotë, unë mendoj se do të kishim dyfishin e kësaj pjesëmarrje që kemi sot.

Cili është ndryshimi nga sezoni i kaluar, pikërisht në pishinë të hapur 50 m?
Ka shumë rritje cilësore në gara, e këtë e tregojnë vetë rezultatet, ku vetëm në ditën e parë janë thyer 14 Rekorde Kombëtare. Ndryshimi tjetër është se, trajnerët janë më të kualifikuar, dhe kanë punuar më mirë me notarët e tyre.

Cilat ekipe kanë notarë me me shumë rekorde Kombëtare?
Në fakt, pjesa më e madhe e rekordeve janë thyer nga notarë që përgatiten gjatë gjithë vitit, si Stela, ventus, Partizani, Studenti, Tirana e Teuta. Gjithsesi, e përsëris se, nëse do të kishte më shumë notarë, do të kishim më shumë rekorde kombëtare të thyera.

Sa nga këta notarë që kanë thyer rekorde, premtojnë për rezultate të larta në veprimtari ndërkombëtare të notit?
Aktualisht, duke ju referuar zhvillimit të këtij Kampionati me grupmoshat nga 9 e deri në 14 vjeç, kemi shumë notarë, meshkuj e femra, që premtojnë shumë, e për këtë unë jam shumë optimist. Por, që të kemi përfaqësime më dinjitoze, duhet që trajnerët të ndërtojnë programe më të kualifikuara, sepse këtu bëhet stopimi i notarëve cilësorë. Trajnerët duhet të jenë të përgatitur për të përgatitur notarë që të garojnë denjësisht në veprimtaritë ndërkombëtare.

Mendoni se janë ndjerrë edhe efektet e përgatitjes që bënë disa trajnerë me italianin Bolonjani?
Këtë edhe e them por edhe jo. Sepse duhet një kohë relativisht më e gjatë për efektet e atij trajningu me italianin Bolonjani. Besoj se gradualisht, do të përmirësohet trajningu i vetë trajnerëve, për të sjellë rezultate më të mira se deri më sot.

Po masat organizative të këtij kampionati, kanë ndikuar në rezultatet që janë arritur?
Patjetër që po, dhe këtu unë do ndalesha te serioziteti i FSHN-së, dhe vetë Presidentit Agim Çiraku, i cili në çdo veprimtari, nga viti në vit, sjell ndryshime cilësore në organizmin e çdo gare.

Çfarë mendoni se duhet më shumë në infrastrukturën e garave të notit?
Në gjithçka që kemi aktualisht, mendoj se më emergjente mbetet një tabelë elektronike. Kjo është premtuar nga Presidenti i FSHN-së, madje që në datat 11-12 korrik, kur në Durrës do të zhvillohet Kampionati Kombëtar për të Rritur, meshkuj e femra. Kjo ndihmon shumë në përcaktimin më preciz të kohës së garimit.

Po nga MAS-i, si ka qenë angazhimi në garat e notit këtu në vendin tonë?
Ndoshta kjo është një pyetje që u takon drejtuesve të federatës, por me sa kam parë, në disa gara kanë qenë prezentë. Nëse ajo do të angazhohej që të siguronte kronometra elektronikë, jo me kronometra dore, besoj se këtu do na kishte bërë një shërbim shumë të mirë.
KAMPIONATI I NOTIT/ Flet për “Telegraf” Kryegjyqtari 
Për dy ditë me radhë, në pishinat e Akuadromit të Tiranës, Federata Shqiptare e Notit organizoi Kampionatin Kombëtar për grupmoshat nga 9 vjeç e deri në 14 vjeç. E veçantë ishte, se kjo veprimtari startoi si e para e këtij sezoni në pishina të hapura 50 metra, në të cilën morën pjesë mbi 150 notarë, meshkuj e femra. Nëse do ta quanim veprimtari të rekordeve, kjo do të ishte gjetja më e pakët, pasi në dy ditë, rekordet pasuan njeri tjetrin. Gjatë zhvillimit të garave, u mësua se në këtë veprimtari mund të kishte më shumë pjesëmarrës në gara, por duke qenë se infrastruktura në rrethe mungon për stërvitshmëri e gara gjithëvjetore, disa ekipe nuk mundën të sillnin notarë, të përgatitur enkas për këtë pishinë. Gjithsesi, referuar dy ditëve të zhvillimit të këtyre garave, duhet thënë se garuan edhe notarë me origjinë shqiptare, por që jetojnë në shtete të tjera, kryesisht në Amerikë e Itali.
Sigal