Elvir Murriqi: “Nga stërvitjet me trajnerin e Majk Tajsonit te dueli me legjendën Tarver”

700
Sigal

INTERVISTË EKSKLUZIVE/ Flet për gazetën “Telegraf” boksieri fitues i “Dorezave të arta”

 “Kosova Kid” ka arritur në 45 ndeshje, 40 fitore (24 me nokaut) dhe vetëm 5 humbje. Dueli i radhës me hungarezin Zsolt Erdeit

Elvir Murriqi është një ndër boksierët profesionistë më të njohur shqiptarë në arenën ndërkombëtare, duke pasur në karrierën e tij të gjatë 40 fitore (24 me nokaut) dhe vetëm 5 humbje. Kosovari 34-vjeçar jeton prej vitit 1996 në Shtetet e Bashkuara dhe aktualisht po përgatitet për ndeshjen e 31 janarit kundër boksierit hungarez Zsolt Erdeit. “Kosova Kid”, siç thirret edhe ai në botën e boksit, stërvitet me trajnerin Kolin Morgan, i cili ka nxjerrë shumë kampionë bote. Gjatë karrierës së tij si boksier profesionist, Elvir Murriqi ka punuar edhe me ish-trajnerin e legjendës Majk Tajson, Tedi Atlasin. Elviri është marrë me boks qysh në moshën gjashtë vjeç, por në fillimet e tij janë edhe karateja dhe kikboksi, ku me këtë të fundit u shpall kampion i Kosovës. Pejaku ka boksuar me dinjitet kundër legjendës amerikane Antonio Tarver. Muriqi garon në peshën gjysmë të rëndë.

 – Elvir, ju jeni një nga boksierët më të famshëm shqiptarë në botë. Për lexuesin e gazetës “Telegraf” do të ishte me interes të njihej me fillimet e tua sportive.

– Faleminderit. Unë kam nisur të merrem me sport që kur kam qenë gjashtë vjeç. Babai më dërgoi tek Shemsedin Kelmendi në sallën e Partizanit në Pejë. Kam ushtruar karate për 3 vjet edhe pas karatesë nisa të ushtroja boksin te Bekim Muqa në sallën e sportit në Pejë. Aty jam ushtruar për 1 vit e gjysmë, dhe pastaj jam marrë edhe me pak futboll e gjimnastikë në Pejë. Më pas me Toni Kukën, edhe të ndjerin Besnik Istrefin, fillova kikboksin për pesë vjet dhe në vitin 1995 fitova kampionatin e Kosovës në Pejë. Që prej vitit 1996 kam ardhur në Amerikë.

 – Trofeu juaj i parë është ai “Goldey Gloves” (dorezat e arta), të fituar në Shtetet e Bashkuara, si boksier amator. Si e kujtoni atë trofe?

– Po kur kam ardhur në Nju Jork në vitin 1996. Jam marrë me kikboks, ku në 2 vjet kam pasur 15 ndeshje dhe fitova dy kampionate. Më pas nisa të merrem dhe me boks, e mora pjesë në turneun e njohur “Goldey Gloves” ku morën pjesë 39 boksierë të kalibrit tim dhe ja dola të fitoja titullin duke mundur dy boksierë shumë të mirë, që nuk kishin humbur asnjë ndeshje deri në atë moment në Nju Jork. Pas saj kam pasur oferta nga shumë menaxherë të njohur në atë kohë, ndër ta edhe Majk Jonson më ka ofruar që të nënshkruaja një kontratë më të por unë u nënshkrova me këta menaxherët që kisha shtatë vjet që punoja.

 – Ju keni punuar me ish-trajnerin e legjendës Majk Tajson, Tedi Atlasin. Si nisi bashkëpunimi juaj dhe sa ka ndikuar ai tek ju si një boksier profesionist?

– Po, mbasi nënshkrova kontratën më menaxherët e mi Frank edhe babai i tij Joe Locasio ishin arsyeja që pata mundësinë të takoja dhe stërvitesha me Tedi Atlasin. Puna ime me atë ka qenë shumë e mirë, jo vetëm në fushën e boksit, por në çdo aspekt. Kam mësuar shumë prej tij.

– Nga bashkëpunimi me Don King Promotion te klubi “Starboxing” me trajnerin Kolin Morgan, i cili ka nxjerrë shumë kampionë bote, sa ndikoi kjo në rritjen tuaj si boksier profesionist?

– Po, mbasi humba një ndeshje, që e dija që mund ta fitoja, u mërzita shumë dhe Kolin Morgan më telefonon për të më thënë që, të shkoja të nisja trajnimin meqë ai do bënte disa ndryshime. Edhe pasi fillova të stërvitesha me Kolin Morgan kam qenë me Don Kingun. Por nuk qëndrova shumë aty dhe nënshkrova kontratë të re me “Starboxing”. Gjatë asaj kohe munda disa boksierë shumë të mirë dhe mu dha rasti që të boksoja me Antonio Tarver.

-Një nga ndeshjet e tua të para të mëdha është ajo kundër legjendës së peshave gjysmë të rënda, Antonio Tarver. Si e kujtoni sot atë fitore?

– Po kur ma ofruan mua ndeshjen me Antonio Tarver ishte një lajm shumë i mirë për mua sepse kishte ardhur koha që t’i tregoja Botës se sa boksier i mirë isha. Shumë nga ata që e kanë parë ndeshjen atë ditë e kujtojnë të gjithë që unë kam mundur legjendën e madhe Antonio Tarver.

– Fitorja me nokaut kundër Xhejmil Uilson bëri bujë në botën e boksit.

– Po fitorja me Uilson erdhi pas ndeshjes me Tarver. Pra, tani isha rritur në nivel edhe ndeshja me Uilson mu duk shumë e lehtë. Atë natë boksova shumë mirë dhe pas saj më është dashur nja një vit që ndonjë boksier të donte të ndeshej me mua, pasi në atë kohë e dinin të gjithë se kush ishte Elvir Muriqi.

Humbja juaj e fundit daton në vitin 2009, kundër anglezit Klinton Uds. Qysh atëherë numëroni pesë fitore, e fundit ajo me Paul Vaskezin.

– Po ndeshja me Klinton Uds ka qenë në Angli dhe unë pata disa probleme me vizën në atë kohë dhe kam shkuar atje vetëm 3 ditë para ndeshjes. Pra, përgatitja ime s’ka pasur kohën e mjaftueshme. Por sidoqoftë edhe atë ndeshje e kujtoj për mirë sepse mu dha mundësia të mësoja. Pas asaj pata edhe rastin të boksoja në Kosovë dhe i tregova të gjithëve se në çfarë niveli jam.

– Ndeshja e ardhshme është ajo kundër hungarezit Zsolt Erdeit, e programuar për në datën 31 janar. Si po ecin përgatitjet për këtë takim?

– Po, jam shumë i motivuar për këtë ndeshje, ngaqë vitet e fundit nuk kam qenë dhe shumë aktiv. Përgatitjet po shkojnë mirë dhe 6 javë para ndeshjes do të jem në stërvitje intensive që po ma mundëson vëllai dhe daja im Florim Lajqi. Kam nisur të ushtrohem edhe me trajnerin tim të vjetër Kolin Morgan.

– 45 ndeshje në karrierë, nga këto 40 fitore dhe vetëm 5 humbje. Sa ju bën krenar ky bilanc?

– Po me bon krenar, edhe pse kisha menduar që karriera ime në boks nuk do të kishte asnjë humbje. Gjithsesi Zoti donte kështu! Dy humbje që pata i kam rifituar e kam dëshirë që të boksoj edhe me 3 boksierët e tjerë që kam humbur. Nëse e bëj këtë dhe dal fitues atëherë do të jem shumë i lumtur dhe krenar.

   Boksierët shqiptarë

 – Shqipëria dhe Kosova kanë nxjerrë disa boksierë. Kë vlerësoni më shumë nga ata?

– Po për aq jemi si popull kemi shumë talente. Të gjithë boksierët e tjerë janë shokë të mi të mirë dhe ju uroj shumë suksese atyre. Kur kam nisur të merrem me boks profesional kam pasur afër Luan Krasniqin dhe Shpend Abazin. Kam shumë respekt edhe për Nuri Seferin. Kam shokët e mi më të cilët jam përgatitur si Naim Terbuna, Ilir Canolli, Stive Buja, Sevdail Sherifi, Shpëtim Shala, Adnan Salihi, Nasi Hani, Sefer Seferi, edhe normal djemtë e xhaxhait Shqiprim dhe Valdrin Muriqi. Gjithashtu djali i xhaxhait boksieri Arlind Muriqi. Respekte gjithashtu për Reshat ati, të cilin nuk e njoh personalisht, dhe Haxhi Krasniqin. I përshëndes të gjithë këta talente të boksit.

  “Kosova Kid”

 – Në botën e boksit njiheni me nofkën “Kosova Kid”. Çdo të thotë kjo për ju?

– Në vitin që hoqa dorë së qeni amator dhe u ktheva në një profesionist boksi menaxherët e mi mbajtën një mbledhje ku vendosën se si do më thërrisnin me një emër të veçantë. Pas disa emrave menaxheri im, Frank tha që Elviri është djalë i Kosovës dhe prej atij rasti mu vendos nofka “Kosova Kid, që mua më pëlqeu shumë.