Elton Tukseferi: “Partizani po rikthehet fuqishëm, Kombëtarja është vlerë për cilindo sportist

634
Agron KAJA

INTERVISTA/ Flet volejbollisti me karrierën 25 vjeçare, 42 vjeç largohet nga sporti
Nëse edhe sportistët kanë një moshë, dikur në Shqipëri ajo limitohej në emër të hapjes së rrugës për talentet e reja, dhe atëherë pas 30 viteve, dukeshe si një “veteran” në fushën e lojës (kishte edhe ndonjë përjashtim). Por, sot kanë ndryshuar tërësisht ato tabu të atëhershme, dhe shembulli i Elton Tukseferit tregon se talentet i duhen fushës, edhe me prezencën fizike të tyre. Në moshën 42 vjeçare ai ju largua volejbollit të luajtur, me një karrierë 25 vjeçare, shumë të suksesshme. “Fillimisht do të thosha se në startin e karrierës sime unë kam pasur pak fat, pasi në vitin 1992 kishte eksod kombëtar, e mes tyre u larguan shumë volejbollistë. Kur e fillova, isha pasues i katërt, por fati atëherë e solli që të dilja direkt pauzës i dytë. E kujtoj dhe e vlerësoj shumë periudhën kur u aktivizova si titullar te Tirana, ishte një eksperiencë e bukur, dhe prej aty ndoshta u përzgjodha nga trajneri Ylli Tomori për të vazhduar më pas karrierën nën “diktatin” profesional e njerëzor të tij, tepër brilant”, kështu deklaroi në intervistën e tij Elton Tukseferi, i cili më pas, në gazetën “Telegraf” e kaloi në një “skaner” gjithë karrierën e tij 25 vjeçare në këtë sport.
Një javë pasi jeni larguar zyrtarisht nga volejbolli i luajtur, si ndjehet Elton Tukseferi 42 vjeçar pa djersën e lojës?
Realisht dukem i trishtuar, sepse siç e thatë edhe ju, më mungon volejbolli i luajtur. Një karrierë e gjatë që e meriton këtë nostalgji, por unë isha dhe jam i ndërgjegjshëm se një ditë do të largohesha nga loja. Dhe data 4 shkurt 2017 do të mbahet mend për këtë largim, por jo përgjithmonë, sepse tashmë më duhet të mendoj për të ardhmen, e cila nuk do të jetë larg këtij sporti, natyrisht në pozicione të tjera.
Në kujtesën tuaj, sa vite luajtët në elitën e volejbollit shqiptar?
Unë kam nisur të luaj me të rriturit e Tiranës në vitin 1992, dhe deri 5 ditë më parë që e mbylla me Partizanin, më 4 shkurt 2017. Brenda këtyre viteve karrierë kam kujtime nga më të ndryshmit, por tani rëndësi ka që ishte një karrierë e bukur.
Pse u larguat pikërisht tani dhe jo më parë, ose edhe më vonë?
Sepse ky ishte moment i duhur për ta bërë këtë largim, ndarje nga jeta e sportistit. Në fakt, e kisha menduar më parë, por trajneri Ylli Tomori më kishte sugjeruar të vazhdoja, ndërsa ky largim ishte në kohën e duhur. Pikërisht në ndeshjen Partizani-Tirana 3-0.
Po ndeshjen e parë në volejbollin e të rriturve, si e mbani mend?
Patjetër që e kujtoj, por vetëm vitin. Kështu, në 1992-in kam luajtur si zëvendësues në ndeshjen Tirana-Apolonia, të cilën e mbaj mend të fituar nga Tirana, ndërsa setet nuk i kujtoj. Kisha shumë emocion, pasi atëherë te Tirana luanin volejbollistë të njohur si Reka, Musai, Biçaku, Lushaj etj.
Keni luajtur në katër skuadrat e kryeqytetit: Tirana, Dinamo, Studenti e Partizani, si e përshkruani këtë karrierë nga njëra skuadër tek tjetra?
Fillimisht do të thosha se në startin e karrierës sime unë kam pasur pak fat, pasi në vitin 1992 kishte eksod kombëtar, e mes tyre u larguan shumë volejbollistë. Kur e fillova, isha pasues i katërt, por fati atëherë e solli që të dilja direkt pasues i dytë. E kujtoj dhe e vlerësoj shumë periudhën kur u aktivizova si titullar te Tirana, ishte një eksperiencë e bukur, dhe prej aty ndoshta u përzgjodha nga trajneri Ylli Tomori për të vazhduar më pas karrierën nën “diktatin” profesional e njerëzor të tij, tepër brilant.
Gati 10 vite keni pasur trajner Ylli Tomorin, çfarë të veçante ka pasur për ju ky bashkëpunim?
Dëshira për të fituar gjithmonë çdo trofe në Shqipëri. Faktet flasin qartë, pasi unë realisht kam pasur luksin që kam punuar, e vazhdoj të punoj me Ylli Tomorin. E vlerësoj shumë për kontributin e tij në volejbollin shqiptar, e vlerësoj si një trajner modern, e mbi të gjitha, si një njeri shumë të mirë, njerëzor dhe profesionist. Zgjuarsia, korrektësia dhe menaxhimi i situatave në të gjitha aspektet, kështu e veçoj Ylli Tomorin në kaq vite që punoj me të. Kemi funksionuar si një familje sportive.
Gjatë këtyre viteve në “familjen sportive”, ka qenë kjo një periudhë me ndikim në formimin tuaj profesional?
Absolutisht po, sepse pjesën më të mirë të karakterit dhe të formimit tim sportiv e kam marrë nga babai im (Mustafa Tukseferi). Ai më ka qëndruar shumë pranë gjatë gjithë karrierës, prandaj e veçoj sit ë parin në kontribut për formimin tim në volejboll. Dhe më pas do të përmendja disa emra të mëdhenj, me të cilët unë u rrita në këtë sport, si Arian Voci, Gjergji Pishtari, Zhan Bonati e Skënder Qefalia, për ta mbyllur me Ylli Tomorin. 
E sillni në kujtesën tuaj një ndeshje të vështirë?
Unë kam shumë ndeshje të stampuara në kujtesë për shkallën e vështirësisë që ato kam patur, madje në të gjitha skuadrat ku jam aktivizuar. Në Shqipëri, të gjitha ndeshjet kanë qenë të vështira, prandaj kanë qenë njëherësh edhe të bukura, ndërkohë që në ato ndërkombëtare po veçoj një ndeshje në Bosnje, Pikërisht në vitin 1996 kur luajtëm në Kupën e Kupave me një ekip boshnjak të cilin e eliminuam duke kaluar turin e parë. Ose në vitin 2005, kur në Estoni kemi luajtur në një palestër të mbuluar thjesht me kapriata, por shumë moderne.
E keni në kujtesën tuaj ndeshjen më të vështirë, apo më interesante në arenën ndërkombëtare?
Një ndeshje interesante dhe e bukur ka qenë ajo që luajtëm me ekipin Potje të Francës në vitin 2009. Ka qenë një ndeshje e bukur me një ambient e atmosferë të mrekullueshme, edhe pse ata fituan, pasi kishin nivel shumë më të lartë se sa ne. Por emocionet gjatë ndeshjes ishin të bukura, pasi tifozët e të pranishmit në atë ndeshje na kanë duartrokitur aq shpesh, sa asnjëherë tjetër nuk më ka ndodhur në ndeshje të tjera të nivelit ndërkombëtar.
Gjatë gjithë kësaj karriere 25 vjeçare si volejbollist, e keni menduar ndonjëherë që të largoheshit më parë nga fusha?
Karriera e gjatë ka shumë kujtime e shumë të veçanta, e mes saj është edhe viti 2011 kur me Studentin humbën Titullin Kampion. Por, sportivisht nuk është e lehtë të humbasësh, dhe për mua të gjitha humbjet kanë pasur faturat e mërzisë.
Nëse do të flasim për volejbollin në këtë periudhë 25 vjeçare që ju luajtët, çfarë ndryshime ka pësuar nga viti në vit?
Po, ndryshimet janë evident që nga rregullat e lojës dhe te niveli, të dy kanë qenë në progres. Mendoj se në këtë periudhë, volejbolli i meshkujve është i orientuar dukshëm me nivelet e kohës, edhe pse ka shumë për të bërë.
Në këto ndryshime, ju veçoni edhe ato që janë bërë në infrastrukturë?
Patjetër që po, por infrastruktura në volejboll vlen shumë për të dëshiruar. Mos pasja e kushte normale, ka ndikuar në rritjen e nivelit të volejbollit për të rritur në Shqipëri, por ato kanë qenë si një detyrim për largime e për mos afrimin e brezave në këtë sport. Duhet të mendohet e të punohet seriozisht për ambientet ekzistuese.
Duke qenë ndihmës i Ylli Tomorit në stolin e Partizanit, cilat janë synimet e kësaj skuadre për këtë sezon?
Më parë më lejoni që në parantezë të kësaj përgjigjeje të them diçka që duhet në këtë moment. Kanë folur zëra të ndryshëm që Partizani duhej të bëhej që nga fillimi, jo me lojtarë që blihen. Kujtoj se jemi në një kohë tjetër ku edhe lëvizja e sportistëve është e lirë, natyrisht kundrejt të gjitha rregullave. Çdo lojtar i është bashkuar me dëshirë skuadrës së Partizanit, i nxitur njëherësh nga synimet, nga personalitetet që e morën këtë nismë, por edhe nga trajtimi financiar. Para se të flasin për Partizanin, të mendojnë një herë çfarë i kanë dhënë këtij volejbolli, sepse ky Partizan po rikthehet fuqishëm në volejbollin tonë.
Sot, e mendoni veten pa volejbollin?
Asnjëherë jo, sepse loja e volejbollit është jeta ime, është investimi im. Me të do të jem i lidhur gjithë jetën.
Somario 1
Ndryshimet në volejbollin shqiptar kanë qenë evidente gjatë gjithë periudhës së karrierës sime. Që nga rregullat e lojës dhe te niveli, të dy kanë qenë në progres. Mendoj se në këtë periudhë, volejbolli i meshkujve është i orientuar dukshëm me nivelet e kohës, edhe pse ka shumë për të bërë, sidomos në afrimin e brezave të rinj, njëherësh edhe në infrastrukturë, e cila sot vlen shumë për të dëshiruar, në raport me atë synim që kërkohet
Somario 2
Brezit të sotëm që është i angazhuar me lojën e volejbollit në Shqipëri, do ti këshilloja të kenë më shumë përkushtim. Është një sport nga më të bukurit dhe ata duhet ta ngrenë nivelin e tij duke u orientuar nga progresi. Duke treguar çdo lojtar vlerat reale, e duke pasur si synim ekipin Kombëtar, do të rritet niveli, e do të ketë kujdes më ndryshe nga periudha ime
CV/ Elton Tukseferi
Datëlindja: 30 korrik 1975/ Vendlindja: Tiranë
Arsimimi: Universiteti Sporteve, Tiranë
Sporti që ka ushtruar: Volejboll/ Roli në fushë: Organizator
Gjatësia trupore: 183 cm Numri në fanellë: 4
Skuadrat ku ka luajtur: Në periudhën 1992-1996 me Tiranën, në periudhën 1996-2006 me Studentin, në sezonin 2006-2007 me Dinamon, në sezonin 2007-2008 me Tiranën, në periudhën 2008-2016 me Studentin, në sezonin 2016-2017 me Partizanin
Tituj e trofe të fituara: Me Tiranën, 2 Kampionate Kombëtarë dhe 1 Kupë të Shqipërisë: me Studentin, 12 Kampionate Kombëtarë, 11 Kupa të Shqipërisë dhe 4 Superkupa. Fitues i 4 Kupave të FSHV-së
Ndeshje ndërkombëtare: Me klubet dhe me Kombëtaren, luajtur në mbi 100 ndeshje ndërkombëtare
Me Kombëtaren: Në periudhën 2001-2013 (edhe kapiten)
Largimi nga volejbolli i luajtur: 4 shkurt 2017
Aktualisht: Mësues i edukimit fizik në shkollën “Arben Broci” Tiranë
Hobi: Leximi dhe motorët
22 vjet
Nga viti 1992 e deri më 4 shkurt 2017, Elton Tukseferi mbetet si volejbollisti me karrierën më jetëgjatë, por edhe më i suksesshëm 
Sigal