Elis Bakaj: “Një ndeshje speciale”

544
Sigal

Ish-mesfushori i Partizanit dhe i Dinamos tani luan për ukrainasit e Çernomoretsit

Elis Bakaj është një nga dy lojtarët shqiptarë, së bashku edhe me mbrojtësin Kristi Vangjeli që, luajnë në radhët e ukrainasve të Çernomorets Odesës, që sot do të përballet me “Skënderbeun” në “Qemal Stafa”, në ndeshjen e kthimit për fazën “play*off” të Ligës së Europës. Në takimin e parë në Odesa, të fituar 1-0 nga ukrainasit, Bakaj mungoi pasi ishte ende në rikuperim e sipër, por ai pritet që sot të jetë në fushë kundër kampionëve të Shqipërisë. “Është një ndeshje speciale për mua, – tha Bakaj, për gazetën “Telegraf”. – Kam shumë respekt për Skënderbeu, por tani dua të fitoj Çernomoretsi, ekipi im”.

– Bakaj, ju pret një ndeshje në “Qemal Stafa:, tani jo më si lojtar i Partizanit apo Dinamos,  por me ukrainasit e Çernomeretsit. Si po e prisni?

– Është një emocion i veçantë për mua që, të rikthehem pas tre vjetësh për të luajtur në shtëpinë time, në “Qemal Stafa”, ku kam zhvilluar qindra ndeshje më përpara me Partizanin dhe Dinamon.

– Si e parashikoni ndeshjen me Skënderbeun, pasi Çernomoretsi e fitoi 1-0 takimin e parë?

– Parashikoj një ndeshje shumë të vështirë, pasi dhe në Ukrainë na vuri në vështirësi dhe fituam me rezultatin të ngushtë. Jemi përgatitur shumë seriozisht për këtë takim. Objektivi ynë është të fitojmë ndeshjen dhe të arrijmë ëndrrën e të gjithëve ne, të shkojmë në fazën e grupeve të Ligës së Europës.

– A do të festoni nëse do të shënoni gol?

– Nuk e di. Për mua e rëndësishme është të fitojë dhe të kualifikohet ekipi, se kush shënon pak rëndësi ka. Janë momente, që muk mund të vendosësh tani.

– Kur ke luajtur me Dinamon kundër Sherif Tiraspolin, Dinamo ishte në të njëjta pozita: nëse fitonte kalonte në fazën “play-off”. Çfarë ka më shumë Skënderbeu i sotëm nga Dinamo, skuadra e fundit që ke luajtur në Shqipëri?

– Nuk mund të jap një mendim të qartë, pasi kanë kaluar disa vite dhe situatat janë krejt të ndryshme. Gjithsesi, e ritheksoj se Skënderbeu ka një ekip shumë të mirë, për t’u respektuar. Ekipi im, Çernomoretsi duhet të japë nesër (sot) maksimumin për ta fituar ndeshjen.

– Golin e fundit që, keni shënuar në Shqipëri, ia keni realizuar Skënderbeut…

– Nuk më kujtohet, me saktësi.

– Vazhdoni të bëni tifozllëk për Partizanin?

– Sigurisht, unë do të bëj gjithmonë tifozllëk për Partizanin.

– Si mund t’i komentoni reagimin kundër jush të tifozëve, kur të luani nesër (sot) në “Qemal Stafa”?

– Unë luaj prej dy vjetësh për Çernomoretsin. Jam një lojtar profesionist. Njerëzit janë të lirë të komentojnë si të duan. Bëj punë time, atje ku paguhem.

Trajneri i Çernomerets Odesës, Roman Grigorçuk

 “Fitojmë dhe në Tiranë”

  Trajneri i Çernemoretsit, Roman Grigorçuk, tha për “Telegraf” se, ekipi i tij ka ardhur për të fituar kundër Skënderbeut dhe u kualifikuar për në fazën e grupeve të Ligës së Europës.

 – Zoti Grigoriç, Çernomoretsi e fitoi me rezultat të ngushtë ndeshjen e parë. Ju duhet ta mbroni rezultatin në Tiranë?

– Është një ndeshje shumë e rëndësishme për ne, ashtu si dhe për Skënderbeun, rivalin tonë shqiptar. Ne synojmë ta fitojmë ndeshjen, me qëllim që të shkojmë në fazën e grupeve të Ligës së Europës. Jemi shumë të përqendruar për këtë ndeshje.

– Kukësi u kualifikua me Metalurg Donteskun një raund më parë. A njihni tani me mirë futbollin shqiptar?

– Nuk mund të krahasoj Kukësin dhe Skënderbeun, pasi Skënderbeu vjen nga Liga e Kampioneve, një kompeticion me nivel më të lartë. Por, ne do të bëjmë gjithçka për ta fituar.

– A do të luajnë Vangjeli dhe Bakaj?

– Unë nuk mund ta them tani formacionin, pasi zakonisht vendos për të, vetëm disa orë para ndeshjes.

– A është e vërtetë, që është vendosur një premio prej 1 milion eurosh për të eliminuar Skënderbeun?

– Nuk e di, nuk merrem me këto fantazi të shtypit ukrainas.

– A keni frikë nga Skënderbeu?

– Nuk dua ta përdor fjalën frikë për këtë ndeshje. Ne do të bëjmë më të mirën tonë.

– Strategjia juaj do të jetë në mbrojtje të rezultatit, apo në sulm?

– Ne nuk e ndryshojmë stilin e lojës, edhe kur luajmë në trasnfertë apo jemi në avantazh. Në do të sulmojmë. Ne do të jemi shumë përqendruar.

– A e konsideroni tragjedi, nëse eliminoheni nga Skënderbeu?

– Jo, në futboll nuk ka tragjedi. Nuk është si në jetë, bëhet fjalë për një lojë.

Liga e Europës

Faza “play-off”

22 gusht 2013

Çernomerts-Skënderbeu      1-0

Kukësi-Trabzonspor         0-2

29 gusht 2013

Trabzonspor-Kukësi         18:30

Skënderbeu-Çernomorets     20:00