Elis Bakaj: Europa, e vështirë. Tirana mbetet ekipi im i zemrës

553
Katër gola në gjashtë ndeshje me Vllazninë e kanë kthyer shumë shpejt Elis Bakajn në sulmuesin kryesor të skuadrës shkodrane duke qenë vetëm një gola larg Shtubinës që është lojtari më rezultativ i kuqebluve në këtë sezon. Në “Gol pas Goli”, Bakaj pranoi se në fillim kishte pasur dyshime nëse do të arrinte të shfaqej menjëherë kaq vendimtar me klubin e ri, ndërsa pranoi se ishte i pavendosur për të ardhmen e tij në fund të këtij sezoni.
Për formën sportive që po kalon
“Normalisht jam futbollist profesionist dhe çdokush duhet të kuptojë limitet e veta. Vija këtu me 4 muaj pa ekip, që nga momenti kur ika nga RNK Split nuk kisha ekip. Kur erdha te Vllaznia isha pak skeptik për veten. Ekip i ri, ambient i ri, thashë me vete se do ta kisha të vështirë. Por shpesh lojtarët kur fitojnë eksperiencë nga vitet, i zgjidh gjërat me këtë eksperiencë”.
Për kontributin te Vllaznia
“Unë e kam thënë edhe më parë që kam ardhur me dëshirë shumë të madhe te ky ekip, ta ndihmoj se është ndër ekipet me traditë të futbollit shqiptar, ka një stadium të mrekullueshëm dhe tifozë të mrekullueshëm. Kam ardhur për të qëndruar deri në fund të sezonit, dhe pastaj të shohim se si do të shkojnë gjërat”.
Për goditjet e dënimit që ka shpërdoruar ndaj Laçit
“Duhet të isha përqendruar edhe më shumë se ishin dy goditje në pozicione ku unë gjuaj vazhdimisht. Por me kalimin e kohës edhe goditjet besoj se do të vazhdoj t’i shënoj më në vazhdimësi”.
Për objektivat e golave në këtë sezon
“Normalisht që një futbollist duhet të kërkojë shumë nga vetja, nuk duhet të kënaqet. Duhet gjithmonë motivim për të shënuar më shumë. Një sulmues nuk duhet të kënaqet asnjëherë me golat që shënon, duhet të kërkojë më shumë”.
Për rivalitetin në kampionat
“Ky është një kampionat shumë i bukur, është garë e hapur si për të dalë kampion, ashtu edhe për kush del nga kategoria. Për sa i përket ekipeve që janë lart, nuk shoh një pretendent të vetëm, se të gjithë kanë investuar për lojtarë shumë cilësorë, e rëndësishme është të bëhet kampionat i bukur dhe ta fitojë më i miri”.
Për ofertën e Tiranës
“Tirana është shtëpia ime, ekipi që më ka pritur më mirë dhe unë ia kam kaluar mirë, pavarësisht objektivave. Aty kam miq dhe njerëz të afërt dhe është ekipi i zemrës. Por them të mbarojmë këtë sezon më përpara. Sa herë kam bërë plane kohët e fundit nuk kanë dalë ndaj më mirë të themi t’ia lëmë kohës”.
Për arritjen e Europës me Vllazninë
“Është shumë e vështirë se jemi ekip i ri, duhet të rrimë me këmbë në tokë, në radhë të parë të sigurojmë sa më shumë pikë që të rrimë në kategori. Europa është e vështirë por jo e pamundur, duhet të kesh besim se ndryshe në futboll nuk ecën përpara. Unë kam besim se çdo gjë në jetë mund të arrihet”.
Për vazhdimësinë në futboll
“Edhe unë veteran po bëhem, vitet ikin. Por unë do të vazhdoj të luaj futboll, kam shumë vite para, edhe pse në futboll nuk i dihet. E rëndësishme është të stërvitem mirë, ju e dini që unë stërvitem rregullisht, nuk abuzoj, ndaj do më keni edhe disa vite në futbollin e luajtur”.
Sigal