Eliminohet Partizani, Skënderbeu kërkon trofeun e parë në histori

643
KUPA E SHQIPËRISË/ Dje u mbyllën dilemat për skuadrat gjysmëfinaliste, vendimtarë avantazhet e ndeshjeve të para 
U mbyllën dje ndeshjet e dyta të turit çerekfinal të Kupës së Shqipërisë, ku më shumë vendosën rezultatet që u fiksuan në takimet e para të këtij turi. Dhe, të kualifikuarit në gjysmëfinale, të gjithë fituesit të këtij trofeu, ndërsa Skënderbeu, edhe pse ka qenë 7 herë finalist, asnjëherë nuk ka mundur ta fitojë Kupën e Shqipërisë. Dhe, duke iu referuar rezultateve dje, në mesditë fjalën e kishin Laçi me Kukësin, të cilët eliminuan Luftëtarin e Tiranën. Në Gjirokastër, laçianët shkonin të sigurt në kualifikim, pasi e kishin fituar 3-0 takimin e parë, dhe më e veçanta e kësaj sfide ishte goli që shënoi Rexhinaldo, sulmuesi që sezonin e kaluar u largua nga Luftëtari te Laçi mes shumë polemikave. Laçi është 3 herë finalist dhe 2 herë fitues i Kupës së Shqipërisë, ndaj ky kualifikim i tij në gjysmëfinale nuk mund të quhet si rastësi. I tillë mund të quhet edhe kualifikimi i Kukësit, i cili në historinë e tij ka qenë 3 herë finalist dhe 1 herë fitues i këtij trofeu. Goli që shënoi Sidri Guri që në minutën e 5-të, tregoi se kuksianet, jo vetëm që e synojnë trofeun, por japin siguri për sezonin në Evropë, sepse në Kampionat janë shumë larg titullit. Pas këtyre ndeshjeve që u luajtën në mesditë, interes kishte në dy takimet e mbrëmjes, të cilët nuk ngjanin fare me njeri-tjetrin. Sepse në Korçë, Skënderbeu e kishte siguruar kualifikimin që në takimin e parë në Durrës, të cilin e fitoi 2-0, ndërsa dje fitoi 3-0, duke shkuar në gjysmëfinale, në kërkim të trofeut të parë të Kupës. Por, mbrëmja e djeshme kishte edhe një “betejë”, sepse Partizani e Flamurtari dhuruan një ndeshje të shkëlqyer, mes terrenit të rënduar në “Selman Stërmasi”. Në takimin e parë, vlonjatët fituan minimalisht 1-0, dhe ky takim i kthimit ishte një thikë me dy presa për Partizanin, sepse vetëm një rezultat i pastër 2-0 e kualifikonte në gjysmëfinale. Por nuk ndodhi kështu, sepse vlonjatët shënuan që në fillim me Sidiben, dhe u duk se mbaroi aty kualifikimi i tyre. Por, në fundin e pjesës së parë, Trashi barazoi me një gol shumë të bukur, e njëherësh ngjalli shpresat e Partizanit për kualifikim. Në pjesën e dytë ishte evident presion i Partizanit, por goli i avantazhit, dhe jo i kualifikimit, erdhi vonë. Në minutën e 80-të Asani shënoi golin e shpresës, por vetëm kaq. E gjithë ndeshja mbyllet 2-1 për Partizanin, por Flamurtarin të kualifikuar në gjysmëfinale.
Ndeshjet çerekfinale
Takimet e kthimit
Dje, datë 14 shkurt 2018 

GRUPI A
Kukësi-Tirana 1-0
Shënues: Guri 5’
(Takimi parë 1-1)
Skënderbeu-Teuta 3-0
Shënues: Lilaj 45+1’, 
Soue 60’ dhe 71’
(Takimi i parë 2-0)

GRUPI B
Luftëtari-Laçi 0-1
Shënues: Rexhinaldo 49’
(Takimi i parë 0-3)
Partizani-Flamurtari 2-1
Shënues: Trashi 38’, 
Asani 80’ / Sidibe 12’ 
(Takimi i parë 0-1)
KUALIFIKOHEN
Kukësi, Skënderbeu, Laçi, Flamurtari

HISTORIA NË KUPË

KUKËSI
Pjesëmarrje: 25
Në çerekfinale: 6
Në gjysmëfinale: 4
Në finale: 3
Fitues: 1
LAÇI
Pjesëmarrje: 29
Në çerekfinale: 8
Në gjysmëfinale: 4
Në finale: 3
Fitues: 2
SKËNDERBEU
Pjesëmarrje: 62
Në çerekfinale: 31
Në gjysmëfinale: 13
Në finale: 7
Fitues: 0
FLAMURTARI
Pjesëmarrje: 63
Në çerekfinale: 37
Në gjysmëfinale: 20
Në finale: 11
Fitues: 3
Ndeshjet gjysmëfinale
Takimet e para
Datë 4 prill 2018
Takimet e dyta
Datë 18 prill 2018
(Çiftet përcaktohen 
me short të lirë)
Ndeshja finale
Datë 24 maj 2018
Sigal