Eliminim i pamerituar i korçarëve, bjellorusët i falën golit në Korçë

23

LIGA E KAMPIONEVE/ Skënderbeu-BATE Borisov 1-1. Radash shënon një supergol nga 35 metra

Shtyllat i mohojnë kualifikimin Skënderbeut, që nuk shkoi më shumë se barazimi 1-1 me BATE Borisovin, duke i dhënë kështu fund aventurës në Ligën e Kampioneve, edhe pse korçarët nuk humbën asnjë nga të dyja ndeshjet me gjigantin bjellorus. Takimi i parë ishte mbyllur 0-0, kështu që BATE Borisov u kualifikua me gol në fushën kundërshtare. Nën një atmosferë elektrizuese të impiantit të mbushur plotë e përplot nisi takimi mes Skënderbeut dhe BATE-s. Trajneri Mirel Josa hodhi në fushë një formacion sulmues, ndërsa me euforinë e sfidës së parë kërkon të kalojë me sukses dhe ndeshjen e sotme. Minutat e para flasin për miqtë, të cilët kanë arritur t’i afrohen portës, por më pas korçarët arrijnë të balancojnë lojën, madje duke kërcënuar dhe portën. Në minutën e 21-të, Skënderbeu arrin të shënojë, por për gjyqtarin kroat Vuçemiloviç, Gerhard Progni kishte shkaktuar më parë faull ndaj portierit bjellorus Çernik. Top i gjatë në zonën e rreptësisë së Skënderbeut, atje ku ndodhej Maksim Volodko, i cili harkon menjëherë në zonë, aty ku Olekhnoviç kërceU me kokë, gjuan topin drejt portës, traversë dhe në fund rrjetë. 0-1! Shokohet stadiumi “Skënderbeu”, ndërsa në delir janë afro 40 tifozë bjellorusë të pranishëm në Korçë. 0-1 në minutën e 29-të, pas një çasti pasigurie të mbrojtjes së Skënderbeut. Në minutën e 31-të, Skënderbeu goditi shtyllën e djathtë pingule të kundërshtarit me një gjuajtje të lehtë me anë të Gerhard Prognit. Një mundësi e artë për Skënderbeun! Me fat BATE Borisov!. Marko Radash goditi mjaft bukur ngjitur me trekëndëshin e portës bjelloruse në minutën e 35-të. Volodko shënoi për BATE-n në minutën e 40-të, por numri 8 i bjellorusëve u kap më parë në pozicion jashtë loje. Në momentet e fundit të pjesës së parë, sulmuesi Fatjon Sefa, mund të barazonte rezultatin. BATE ishte shumë e rrezikshme me kundërsulmet, ndërkohë që edhe pse pa shumë në drejtim të portës, nuk mundi të shënojë golin e tepër të dëshiruar, pavarësisht shtyllës së goditur nga Gerhard Progni. Në minutën e 55-të, Nuredin Orelesi, goditi bukur, por reagoi mjaft mirë portieri Çernik. Disa minuta më pas, korçarët pretenduan për një prekje me dorë brenda zonës, por për gjyqtarin kroat nuk ishte penallti. E pabesueshme! Portierit Çernik i rrëshqiti nga duart pas një goditje të lirë, por Tefik Osmani nuk mundi ta shfrytëzojë rastin në minutën e 59-të. Në minutën e 64-t, trajneri Mirel Josa largoi mesfushorin Bernard Berisha duke i bërë vend sulmuesit Andi Ribaj, për të rritur kështu fuqinë sulmuese. Në minutën e 67-të, mesfushori kroat Marko Radash me një supergoditje nga një distancë e largët (rreth 30 metra) nga një goditje standarde realizoi një gol fantastik, edhe pse portieri u duk se e ndaloi topin të pushonte në rrjetë. 1-1, kur janë dhe 23 minuta lojë! Në minutën e 72-të, mbrojtësi Kristi Vangjeli goditi nga distanca, por pa mundur të rrezikojë. Ribaj u përpoq të shënonte, me një goditje në kthim e sipër, por një mbrojtës bjellorus e ndalon me gjoks thuajse mbi vijën fatale, e po kështu edhe Fatjon Sefa nuk arriti ta shtyjë topin në rrjetë. Në minutën e 88-të, Skënderbeu ishte shumë pranë golit të fitores, kur një mbrojtës bjellorus për pak shkaktoi autogol, por topi preku shtyllën pingule. Në minutën e 90-të, Ribaj ekzekutoi shumë bukur, por topi ngeci në rrjetën e jashtme. Katër minutat e shtesës nuk sollën golin, edhe pse thuajse i gjithë formacioni korçar luajti në gjysmëfushën kundërshtare. 1-1 dhe BATE Borisovi kalon në turin e tretë e Ligës së Kampioneve me gol në fushën kundërshtare, pasi ndeshja e parë kishte përfunduar 0-0.

LIGA E KAMPIONEVE

Turi i dytë eliminator

Ndeshja e dytë

Dje, 22 korrik 2014

Skënderbeu-BATE Borisov 1-1

Shënues: Radas 68’ / Olekhnovich 29’

Ndeshja e parë

15 korrik 2014

BATE Borisov-Skënderbeu 0-0

Kualifikohet BATE Borisov me gol në fushën kundërshtare

SKËNDERBEU NË EUROPË

 LIGA E KAMPIONEVE

 Sezoni 2001-2012

Skënderbeu-Apoel 0-2, 0-4

Sezoni 2012-2013

Sënderbeu-Debrecen 1-0, 0-3

SEZONI 2013-2014

 LIGA E KAMPIONEVE

Turi i dytë eliminator

Skënderbeu-Neftçi    1-0, 0-0

Turi i tretë eliminator

Shahkter-Skënderbeu 3-2, 0-3

LIGA E EUROPËS

Çernomerets-Skënderbeu 1-0, 0-1

(Çernomerets fitoi 7-6 me pen.)

SEZONI 2014-2015

Liga e Kampioneve

Bate Borisov-Skënderbeu 0-0

Skënderbeu- Bate Borisov 1-1

Bilanci: 12 ndeshje, 4 fitore, 3 barazime, 5 humbje

Trajneri rumun i Petrolul Ploieshtit nuk e ndjen veten të sigurt edhe pas fitores 2-0

 Luçesku i trembet Flamurtarit: “Mund të na eliminojnë!”

 Trajneri i Petrolul Ploieshtit, Razvan Luçesku, tha për gazetën rumune “Prosport.ro” se në Vlorë e pret një ndeshje shumë e fortë me Flamurtarin, krejt e ndryshme nga ajo që u luajt në Rumani. Luçesku u tregua me stilin e tij karakteristik, tepër i kujdesshëm. “Sigurisht që, pres një ndeshje të madhe. Që të kualifikohesh, ti duhet të jesh i fokusuar dhe shumë mirë i përgatitur, duhet të jesh i freskët. Ne mund të konsiderohemi favoritë, por duhet të tregohenmi të kujdesshëm. Akoma s’e kemi siguruar kualifikimin, gabimi i vogël mund të na ndëshkojë e të na rrezikojë”, – citihet trajneri rumun Razvan Luçesku. Petrolul Ploeishti fitoi 2-0 ndeshjen e parë të zhvilluar në Rumani dhe i mjafton edhe një humbje 1-0 apo 2-1 (dhe çdo humbje tjetër me një gol diferencë) për të kaluar në turin e dytë të Ligës së Europës.

Një gol nga holandezi Gevaro Nepomuseno dhe më pas një tjetër nga izraeliti Toro Tamuz i siguruan një fitore komode 2-0 rumunëve të Petrolul Ploeishtit ndaj Flamurtarit tonë në ndeshjen e parë të turit të dytë paraeliminator të Ligës së Europës. Vlonjatëve u duhet minimalisht për të përsëritur suksesin 2-0, për ta çuar ndeshjen në shtesë e më pas me penallti, ndërsa mund të kualifikohet direkt nëse do të fitojë me tre gola në diferencë. Në turin e parë të Ligës së Europës, Flamurtari eliminoi gjeorgjianët e Sioni Bolnisi. Fitoi 3-2 në Gjeorgji dhe humbi 2-1 në Vlorë. Golin vendimtar të kualifikimit e shënoi Ardit Shehaj pesë minuta nga përfundimi i ndeshjes. Flamurtari e ka kaluar tri herë një tur, pikërisht në edicionin 1987-1988 (Kupa UEFA), në sezonin 2011-2012 (Liga e Europës) dhe në kompeticionin aktual (2014-2015). Në 28 ndeshje në Europë, Flamurtari ka regjistruar 6 fitore, 4 barazime e 18 humbje

 FLAMURTARI KËTË SEZON

2014-2015/ Liga e Europës

 Turi i parë

Sioni Bolnisi-Flamurtari 2-3

Flamurtari-Sioni Bolnisi 1-2

 Turi i dytë

Petrolul Pl.-Flamurtari 2-0

Flamurtari-Petrolul Pl. 19:00

Mision i pamundur për Laçin

 Laçi pësoi një humbje të thellë 0-3 në shtëpi me ukrainasit e Zorja Luhank në ndeshjen e parë të turit të dytë paraeliminator të Ligës së Europës, duke u dhënë një goditje të fortë shpresave për një tjetër kualifikim historik. Shanset e kurbinasve të Stavri Nicës janë thuajse zero, duke parë dhe forcën e kundërshtarit, për më tepër që do të luhet në Ukrainë.

Golashënuesi më i mirë i “Brazil 2014” u ble për 80 milionë euro

 Hames Rodriguez, “galaktiku” i ri i Realit

 Hames Rodrigue është “galaktiku” i ri i Realit të Madridit. Një supergoditje për zbulimin e Botërorit të Brazilit. Hames Rodrigez është blerja e dytë e madhe e kësaj merkatoje të Realit pas asaj të Toni Kros, por që padyshim është goditja e vërtetë e kësaj vere. Reali në fakt ka kryer një goditje prej 90 karatësh dhe prej 80 milionë Eurosh. Është kjo shifra që do t’i paguhet Monakos dhe si shkëmbim në Madrid shkon futbollisti zbulim i Botërorit në Brazil. Akordi me Monakon u mbyll pa përfshirjen e kundërshpërblimeve teknike. Reali do të derdhë në arkat e klubit të principatës 80 milionë Euro. Vetë futbollisti ka firmosur një kontratë 6-vjeçare prej 7 milionë Eurosh në vit. Në Madrid i kanë gjetur shtëpinë dhe numrin e fanellës. Ai do të mbajë mbi shpinë 10-ën. Ajo e Rodriguez është blerja e tretë më e shtrenjtë në historinë e Realit të Madridit, pas asaj të Bale verën e kaluar për të cilin Totenhamit iu paguan 100 milionë Euro dhe asaj të Kristiano Ronaldos për të cilin u derdhën 94 milionë Euro në arkat e Mançester Junaitid. Por mbi të gjitha është përgjigja e menjëhershme e një Reali që nuk e çon nëpër mend të mbetet pas rivalëve të Barcelonës. Ne merkato katalanasit realizuan goditjen Suarez, ndërsa në Madrid rrëmbyen Hamesin. Me të vërtetë një përballje mes gjigantësh.

“Topi i Artë”

 Hames Rodriguez fitoi “Topin e Artë” si golashënuesi më i mirë i Kampionatit Botëror “Brazil 2014”. Kolumbiani shënoi gjashtë gola, teksa goli i tij i realizuar kundër Japonisë u shpall nga FIFA edhe si më i bukuri i Botëorit.