Sigal

Elhan Kastrati është një nga talentet më premtues të futbollit shqiptar. Portieri me origjinë nga Hasi vlerësohet si e ardhmja e portës së kombëtares shqiptare, por edhe e futbollit italian në veçanti, ku ai aktivizohet prej disa sezonesh.

21-vjeçari Kastrati, aktualisht mbron portën e skuadrës së Pescarës në Serinë B të kampionatit italian, dhe po afirmohet ndeshje pas ndeshjeje si një nga më të mirët e skuadrës abruceze. Në sfidat e fundit të Serisë B, Elhan Kastrati është aktivizuar titullar duke e ndihmuar skuadrën e tij të renditet në vendin e 4-t dhe duke synuar në këtë mënyrë ngjitjen në kategorinë elitare të futbollit azurr.

Portieri i talentuar është një emër i njohur për sportdashësit shqiptarë pasi  është aktivizuar për 2 sezone tek Teuta e Durrësit, ndërsa është edhe gardiani i portës së kombëtares shqiptare U-21.

Me dëshirën dhe ëndërrën  që në të ardhmen  të përfaqësoj kombin dhe që një ditë të marr pjesë në kompeticionet më të rëndësishme për klube si Champions  League minori Kastrati do të “braktiste” Teutën për të hedhur një hap të madh në karrierën e tij duke u transferuar në Itali në ekipin e Pescarës.  Përballë  konkurencës italiane do të vinte përpara talentin dhe përkushtimin për të arritur aty ku ai  ëndërron dhe meriton. Një “skaut”  nga Verona do të bëhej kumbari i talentit  hasian teksa do ta ftonte që të  provohej tek Pescara. Gjithçka rrezultoi pozitive dhe mbas një viti  i huazuar tek  Piacenza dhe duke qenë njëherazi edhe portieri i kombëtares U 21, talenti i ka trokitur në “portë” trajnerit Panuçi.

Pritshmëritë për Elhan Kastratin janë të mëdha dhe paraqitjet e tij në ndeshjet e fundit me Pescarën, apo dhe eksperienca tepër pozitive 2-vjeçare me Teutën në futbollin shqiptar, përforcojnë idenë se Kastrati është e ardhmja e portës shqiptare.