Elez Gjoza: “Ymer Pampuri, simbol i shtangës shqiptare”

682
Sigal

Federata e Peshëngritjes organizoi një ceremoni speciale për nder të 70-vjetorit të kampionit olimpik. Gjoza: “E kam pasur idhull, kam garuar me të”

Në ceremoninë festive në Hotel “Tirana International” morën pjesë personalitete  të njohura të botës së sportit, presidentë të federatave të ndryshme shqiptare

Legjenda e peshëngritjes shqiptare, Ymer Pampuri, mbushi 70 vjeç dhe Federata Shqiptare e Peshëngritjes, në bashkëpunim edhe me Universitetin Ndërkombëtar të Tiranës, morën përsipër organizimin festiv, për ta risjellë në kujtesë këtë njëri të madh, i cili për fat të keq është lënë disi në harresë. Elez Gjoza, Presidenti i Federatës Shqiptare të Peshëngritjes, është një ndër emrat e spikatur të shtangës kuqezi, gjatë intervistës ekskluzive për gazetën “Telegraf”, e cilësoi kampionin e vetëm olimpik, Ymer Pampurin, si një rast unikal për sportin shqiptar. “Duhet të kthehemi 42 vjet pas, pra në vitin 1972, pikërisht në Lojërat Olimpike “Munih 1972” në Gjemani. Atje ku Ymer Pampuri theu rekordin botëror në stilin e forcës me 127,5 kg, ku dhe u shpall kampion olimpik”, – tha Gjoza. Ymeri u bë frymëzim për sportistë të tjerë me shumë vlera, siç është i madhi Aleksandër Kondo, apo Erlin Nikolla, Muharrem Berisha, tashmë sekretar i përgjithshëm i Federatës, Agron Haxhihyseni, apo më të rinjtë si Ilir Suli, Erkand Qerimaj, Daniel Godelli, etj.. Elez Gjoza, Presidenti i Federatës Shqiptare te Peshëngritjes, autor i 42 rekordeve kombëtare dhe mbajtës i 12 medaljeve të arta, i nderuar me dy medalje në Kampionatin Ballkani dhe atë Europian. I rritur te klubi sportiv Partizani, ku kaloi gati 15 vjet si sportist profesionist dhe trajner, ai pati fati ta njohë personalisht dhe të ndeshet në garat e tij të para me legjendën e peshëngritjes shqiptare, të madhin Ymer Pampuri. Ish-kapiteni i ekipit të Partizanit, i cili ishte kampion i shumëfishtë për një përiudhë gjashtëvjeçare (1975-1986), në peshat 60kg dhe 67kg. Gjoza e kujton si një kohë të lavdishme, teksa garonte me disa nga emblemat më të mëdha të shtangës shqiptare. “Peshëngritja është jeta ime. E ndjej shumë atë. Mendoj se, i kam vendosur tashmë pikat mbi ‘i’, sidomos mbi fenomenin më të dëmshme, atë të dopingut. Kam marrë masa drastike dhe këtë fenomen tashmë e quaj të ezauruar. Kam forcuar unitetin midis sportistëve, për të krijuar figurën e një sportisti të pastër, që të mos marrim medalje të pamerituara. I gjithë opinioni shqiptar tashmë pret që Peshëngritja të marrë medalje nga Lojërat Olimpike ‘Rio 2016’. Nuk dëshirojmë aspak ta zhgënjejmë sportdashësin tonë, por jam i bindur se ne do të kthehemi medalje nga Olimpiada”.

– Zoti Gjoza, ditën e martë u organizua një ceremoni festive me rastin e 70-vjetorit të lindjes së legjendës Ymer Pampurin, një prej simboleve të peshëngritjes shqiptare. Kush ishin organizatorët e aktivitetit?

– Më lejoni që, së pari të them se Ymer Pampuri është një nga peshëngritësit më të mëdhenj shqiptar, i vetmi Kampion Olimpik dhe Kampion Bote, është unikal përsa i përket sportit shqiptar. Ai mbushi 70 vjeç. Federata Shqiptare e Peshëngritjes, në bashkëpunim edhe me Universitetin Ndërkombëtar të Tiranës, morën përsipër organizimin duke krijuar një ambient shumë festiv, për ta risjellë në kujtesë këtë njëri të madh, i cili për fat të keq ishte lënë totalisht në harresë. Me iniciativën e Federatës së Peshëngritjes organizuam në Hotel “Tirana International”, një ceremoni shumë të mirë, në prani të figurave më të mëdha të sportit shqiptar, si dhe sportdashës dhe njerëz që e duan sportin.

– Ju e cilësuat Ymer Pampurin, si një sportist unikal në vendin tonë. Çfarë e bën kaq të veçantë atë?

– Duhet të kthehemi 42 vjet pas, pra në vitin 1972, pikërisht në Lojërat Olimpike “Munih 1972” në Gjemani. Atje ku Ymer Pampuri theu rekordin botëror në stilin e forcës me 127,5 kg, ku dhe u shpall kampion olimpik. Kjo është edhe ngjarja më e madhe e sportit shqiptar. Në këtë kuadër, ne si Federatë, në mënyrë të vazhdueshme, jo vetëm për Ymer Pampurin, por dhe për figura të tjera të sportit të peshëngritjes, e cilësuar nga të gjithë, si sporti më elitar në vendin tonë, apo federata elitare në Shqipëri, teksa Ymeri është pasuar nga shumë sportistë të tjerë me shumë vlera, siç është i madhi Aleksandër Kondo, apo Erlin Nikolla, Muharrem Berisha, tashmë sekretar i Përgjithshëm i Federatës, Agron Haxhihyseni, për të vazhduar, me brezin më të ri të peshëngritjes sonë, siç është Kampioni i Europës, Daniel Godelli, nënkampionia e Europës, Romela Begaj, apo Erkand Qerimaj, i cili u radhit i gjashti në Kampionatin Botëror.

– Ju keni qenë një sportist kampion dhe rekordmen. A keni pasur fatin të garoni kundër legjendës Ymer Pampuri?

– Në fakt, Ymeri i përket një brezi tjetër peshëngritësish, por unë kam pasur fatin të garoj kundër tij, kur kam qenë një moshë relativisht të re, 16 vjeç. Kemi garuar në peshën 60 kg, dhe sigurisht që kam zënë vendin e dytë pas tij. Isha ende i ri dhe në atë kohë vija nga ekipi i të rinjve tek ai i pari i Partizanit. Ymeri ka qenë idhulli im. Kishte disiplinë të hekurt, kryente një stërvitje të jashtëzakonshme, por dhe tepër i dashur dhe i edukuar si njeri. Unë dhe brezi im kemi mësuar shumë nga i madhi Ymer Pampuri, nga ky njeri me vlera. Më pëlqeu një thënie shumë e bukur e gazetarit të Televizionit Shqiptar, Dëfrim Met’hasani: “Ymeri ishte një njeri i madh që, pronë i ngeli vetëm një biçikletë”. Kam rastin t’i bëj thirrje Shtetit shqiptar që, për këta njerëz të mëdhenj të ketë më tepër ndjeshmëri, që dhe ata ta gjejnë veten midis shoqërisë, pasi Ymer Pampuri është një ambasador i vendit të tij, pasi ai ka ngritur flamurin në Lojërat Olimpike të Munihut, ku ai bëri për vetë mijëra shikues. Këtë e bën sporti.

– Tradita duket në rrugë të mbarë…

– Ajo që është më e rëndësishme për mua si Presidenti i Federatës së Peshëngritjes është vazhdimi i traditës, me rezultatet dhe suksese në arenën ndërkombëtare. E kam për krenari ta pohoj se, vetëm në dhjetëvjeçarin e fundit peshëngritësit tanë kanë marrë rreth 185 medalje, përfshirë ato të arta, argjendi dhe të bronzta. Këto arritje shërbyen edhe si një sfond i bukur i festimeve të 70-vjetorit të këtij kampioni të madh.

– Cili është vizioni i Federatës?

– Ne si Federatë, dhe unë si president i saj, jemi shumë të qartë në vizionin, strategjinë dhe efikasitetin e punës sonë. Kemi përmirësuar cilësisht bazën materiale. Mos harrojmë se, në vendin tonë u organizua një Kampionat Europian, i standardeve botërore, ndërkohë që Federata jonë u vlerësua me dy medalje të arta, e para e dhënë nga Presidenti i Federatës Botërore të Peshëngritjes dhe tjetra nga Presidenti i Federatës Europiane të Peshëngritjes, Antonio Urso. Dua të kujtoj se aktualisht në vendin tonë, kemi një nga trajnerët më të mëdhenj botërorë të peshëngritjes, David Rigert, i cili si sportist ka thyer 63 rekorde botërore dhe ka fituar medaljen e artë në Lojërat Olimpike “Moskë 1976”, plus që ka qenë kampion i Europës disa herë. Ai ka një karrierë dhe eksperiencë të gjatë në fushën e trajnimit, duke qenë dhe trajner i Ekipit Kombëtar rus. Ai po bën aktualisht një seminar disaditor me të gjithë trajnerët shqiptarë, për të arritur rezultate sa më të larta në aktivitetet ndërkombëtare, por kryesisht në Lojërat Olimpike.

– Zoti Gjoza, tashmë ekziston një bashkëpunim në një stad më të lartë dhe shumëplanësh midis Federatës Shqiptare të Peshëngritjes dhe Federatës Europiane dhe të Botërore. Ku konsiston gama e marrëdhënieve?

– Është pikërisht kështu, dhe kjo gjë na gëzon. Për hir të së vërtetës, kur unë u zgjodha në detyrën e Presidentit të Peshëngritjes, marrëdhëniet midis Federatës sonë dhe atyre Botërore e Europian ishin totalisht të ngrira për disa arsye të njohura tashmë. Duhet të jemi të qartë në një gjë, Federata Botërore e Peshëngritjes ndikon ndjeshëm në rritjen e cilësisë sportive në federatat anëtare, të cilat përfitojnë prej politikave të saj një gamë të gjerë baze materiale. Ia dolëm të shkrijmë “akujt” dhe t’i çojmë në një nivel më të lartë marrëdhëniet tona. Presidenti i Federatës Botërore të Peshëngritjes, zoti Tamas Ajan, erdhi në Shqipëri, duke sjellë një bazë materiale të bollshme me fondet e Federatës Botërore, por njëkohësisht na ka premtuar kurse trajnimi të vazhdueshme, siç ky aktual me David Rigertin. Ai do të na krijojë stërvitjen e sportistëve tanë elitarë në vende me sport të zhvilluar siç janë Rusia, Kina, Bullgaria, Azerbajxhani, etj.. Ne kemi marrëdhënie shumë të ngrohta edhe me Federatën Europiane, veçanërisht me presidentin zotin Antonio Urso.

– Shumë risi që nga ardhja juaj në krye të peshëngritjes…

– Unë erdha me një vizion të qartë në krye të Federatës së Peshëngritjes. Unë vij nga bota e sportit, pikërisht nga shtanga, ku kam qenë një sportist kampion dhe rekordmen. Vizionin e kisha të qartë për të që, më priste dhe duhej të bëja. Grumbullova 45 sportistë për një periudhë 2-mujore në Durrës, ku bëmë edhe seleksionim për në ekipin Kombëtar. U paraqitëm në Kampionatin Europian me rezultate shumë ta larta, ku mund të përmend Daniel Godellin, i cili doli kampion dhe mori medaljen e artë në stilin e shtytjes; Romela Begaj mori tri medalje, ndërkohë që ekipi ynë u rendit në vendin e katërt nga 46 shtete pjesëmarrëse në këtë event shumë të rëndësishëm. Pra, krijuam një frymë bashkëpunimi dhe jo përçarëse, përmirësimi i bazës materiale, ashtu sikundër po punojmë për përgatitjen sa më të mirë të trajnerëve. Më lejoni të përcjell një vlerësim të Daniel Rigertit, i cili më tha shprehimisht: “Unë gjej në Shqipëri trajnerë shumë të përgatitur. Nuk do të ketë nevojë që, ekipi shqiptar të stërvitet me trajnerë të huaj, pasi ata janë të aftë të nxjerrin kampionë bote, pse jo dhe kampionë olimpikë”. Është një bërthamë shumë e mirë sportistësh. Ideja ime ka qenë që, të shtrihemi edhe tek ekipet zinxhir, dhe për këtë arsye organizuam edhe një kampionat U-19. Shpreh bindjen se, Federata do të ketë rezultate të larta dhe në vazhdimësi, por objektivi ynë është të marrim medalje në Olimpiadë.

Kur Ymer Pampuri vendoste rekordin botëror

 Ymer Pampuri fillimisht ka pasur një pasion për cirkun. Në moshën 7-vjeçare pasioni i tij ka qenë cirku, por më pas do të bëhej peshëngritja. E ka zbuluar për herë të parë talentin e Ymerit në peshëngritje, Telat Agolli, i cili mandej e mori Ymerin në palestër dhe nisi ta stërviste. Lojërat Olimpike “Munih 1972”. Shqipëria shkon në Olimpiadën e parë të saj me një ekip të përbërë nga këta gjashtë sportistë:  qitësit Ismail Rama, Afërdita Tusha, Beqir Kosova, Fatos Pilkati dhe peshëngritësi Ymer Pampuri, si dhe trajnerët Zyhdi Mazreku (peshëngritje) dhe Ali Mata (qitje). Kjo ishte Shqipëria në Olimpiadën e Mynihut, në pjesëmarrjen e saj të parë. Në maj të vitit 1972, peshëngritësi 27-vjeçar i 17 Nëntorit të Tiranës (sot SK Tirana), Ymer Pampuri, me 125 kg në stilin e forcës, ishte shpallur Nënkampion i Evropës në Konstanca të Rumanisë, zhvilluar më 13-21 maj 1972. Me 29 gusht të vitit 1972, konkurroi në tregarësh Pampuri ynë i madh, që kishte mbushur 28 vjeç me 21 shkurt të atij viti. Në provën e dytë, Pampuri i pamposhtur, në stilin e forcës, në peshën 60 kg, stabilizon vendin e parë olimpik në këtë disiplinë, duke ngritur peshën 125,0 kg dhe kapërcen kështu me 2,5 kg rekordin olimpik të të madhit Yoshinobu Miyake, i cili e kishte fituar në Tokio në vitin 1964. Japonezi Miyake kishte marrë medaljen e artë në Meksiko 1968, ndërsa në Mynih u rendit i katërti në tregarësh. Në provën e tretë, disa minuta më vonë, arrin të ngrejë 127,5 kg, duke u shpallur kampion bote dhe njëkohësisht rekordmen olimpik në stilin e forcës ose shkëputjes. Ymer Pampuri mbetet sot e kësaj dite i vetmi Kampion i Botës dhe i vetmi Rekordmen Olimpik në historinë e Shqipërisë. Ai ka fituar sërish një medalje të argjendtë në stilin e shtytjes në Europianin e zhvilluar në Berlinin lindor në vitit 1975. Gjithashtu, Pampuri ka fituar 2 herë medaljet e bronzta në kampionatet Europiane të Veronës 1973 dhe Varnës 1977, pra i treti i Europës në stilin e shtytjes, krahas vendit të tretë në Ballkan në vitin 1976 në Selanik të Greqisë. Pampuri, nga viti 1962, deri në vitin 1982, si sportist i 17 Nëntorit të Tiranës, ka thyer shumë rekorde kombëtare dhe është shpallur 19 herë kampion i Shqipërisë dhe fitues i Kupës së Republikës, si dhe katër herë fitues i spartakiadave kombëtare të Shqipërisë. “Mjeshtri i Merituar i Sportit”, “Nderi i Sportit shqiptar” dhe i shumë titujve të tjerë të Shqipërisë e kryeqytetit, vendi i tretë në Europë në Europianin e veteranëve në maj të vitit 1994, 5 herë në dhjetëshen më të mirë të sportistëve të Shqipërisë. Sot, 70-vjeçari Ymer Pampuri, është një njeri i thjeshtë i Tiranës, kryeqytetit shqiptar, por ai mbetet një fenomen i vërtetë, Rekordmen Olimpik dhe Kampion i vetëm i Botës që ka Shqipëria.

  “Sjellim medalje nga Lojërat Olimpike “Rio 2016”

 – Zoti Gjoza, viti 2014 është i veçantë për Peshëngritjen shqiptare. Kjo edhe për faktin se Kampionatin Botëror të radhës garohet edhe për përfaqësimin në Lojërat Olimpike. Shqipëria tashmë e pret një medalje nga një “Ymer Pampuri” i ri. A është gati peshëngritja shqiptare në përmbushjen e këtij misioni?

– Jemi në prag të dy eventeve të mëdha për peshëngritjen tonë, pasi ekipi kombëtar do të marrë pjesë i plotë, si në Kampionatin Botëror të vitit 2014, por dhe vitin e ardhshëm 2015. Këto dy Kampionate Botërore janë kualifikuese për Lojërat Olimpike “Rio 2016” në Brazil. Është eventi më i madh sportiv i gjithë botës. Dua të veçoj faktin se, jemi e vetmja federatë sportive në Shqipëri që premtojmë dhe ne do ta realizojmë që, ne të prezantohemi me pesë sportistë në “Rio 2016”. Pa dashur, të fyej sportet apo federatat e tjera, e them me bindje dhe krenari, se peshëngritja është i vetmi sport që përfaqësohet denjësisht. Pikërisht, për këtë arsye dua të risjellë në kujtesë vitin 1972, kur para 42 vjetësh Ymer Pampuri thyente rekordin botëror dhe doli kampion bote dhe olimpik. Ne si Federatë premtojmë se i kemi të gjitha mundësitë për të sjellë nga Lojërat Olimpike një medalje. Shqipëria ka nevojë për një medalje, dhe ne, pra peshëngritja, jemi të vetmit që mund ta sjellim atë.

 Kupa përcakton gjysmëfinalistët

 Skënderbeu, Flamurtari, Kukësi dhe Teuta presin biletën e gjysmëfinaleve të edicionit të 62-të Kupës së Shqipërisë. Ndeshja më e ekuilibruar mes Flamurtarit dhe Vllaznisë përfundoi me fitoren e ngushtë 1-0 të vlonjatëve që duke përfituar edhe nga barazimi pa gola i ndeshjes së parë, arritën të sigurojnë një vend mes 4 më të mirave të Kupës së Shqipërisë. Me fillimin e pjesës së dytë, Flamurtari e rriti ritmin e lojës duke konkretizuar me golin e Abilaliaj në minutën e 51-të pas një inkursioni personal të sulmuesit nga e majta e sulmit. Në takimet e tjera, Skënderbeu kaloi 1-0 Laçin, Teuta dhe Lushnja prodhuan një ndeshje me gola ku djemtë e detit fituan 3-2, ndërsa Kukësi eliminoi Bylisin pas fitores 2-1 në “Zeqir Ymeri”. Gjatë ditëve të ardhshme do të hidhet shorti nga ku do të dalin edhe dy çiftet e gjysmëfinales së këtij edicioni.

KUPA E SHQIPËRISË

ÇEREKFINALET

NDESHJET E KTHIMIT

GRUPI A

TEUTA-LUSHNJA 3-2

Ndeshja e parë, 12.02

Lushnja–Teuta 2-4

Kualifikohet TEUTA

SKËNDERBEU-LAÇI     1-0

Ndeshja e parë, 12.02

Laçi-Skënderbeu 0-1

Kualifikohet SKËNDERBEU

GRUPI B

FLAMURTARI-VLLAZNIA 1-0

Ndeshja e parë, 12.02

Vllaznia–Flamurtari 0-0

Kualifikohet FLAMURTARI

KUKËSI-BYLIS 2-1

Ndeshja e parë, 12.02

Bylis-Kukësi 1-2

Kualifikohet KUKËSI