Elez Gjoza: “Pse nuk morëm pjesë në Kupën e Mesdheut”

626
Sigal

 Presidenti i Peshëngritjes: “Europiani i Tiranës, një event madhor. Synojmë medalje kuqezi”

 Elez Gjoza, presidenti i ri Federatës Shqiptare të Peshëngritjes, synon t’i japë një dimension më të madh shtangës shqiptare, sportit më të suksesshëm në arenën ndërkombëtare. Gjoza e konsideroi Kampionatin Europian që do të zhvillohet në Tiranë, nga 5-14 prill 2013, një ngjarje madhore. “Do të vijnë mbi 500 peshëngritës, kampionë dhe rekordmenë Europë dhe të Botës, ndërsa dhe do të ndiqet përmes transmetimit direkt të televizionit prestigjioz ‘Eurosport’, nga mbi 50 milionë shikuese. Edhe Shqipëria pretendon për medalje, jam i bindur se, Romela Begaj do ta arrijë atë”. Për herë të parë janë grumbulluar jo vetëm yjet e shtangës sonë, pra ata që janë kandidatë potencialë për të marrë në Europian, por 38 sportistë, një numër i konsiderueshëm. “Njëshi” i shtangës sqaroi edhe zhurmën për mospjesëmarrjn e Shqipërisë në Kupën e Mesdheut, të zhvilluar para pak ditësh në Brindizi të Italisë. I impenjuar maksimalisht dhe me një vizion të ri, ish-peshëngritësi kampion e nisi punën e tij nga ristrukturimi i stafit, jo vetëm të Kryesisë, por dhe të sekretarit administrativ. “Tashmë, në këtë detyrë do të jetë zoti Muharrem Berisha, – tha Gjoza për gazetën “Telegraf’, – një ish-sportist rekordmen, trajner i pasionuar dhe njohës i mirë i problemeve të këtij sporti, ndër më elitarët në vendin tonë”. Kryetari i Njësisë Bashkiake Nr.2 në kryeqytet ka mundur të thithë dhe të angazhojë në rrethin e tij të bashkëpunëtorëve disa prej biznesmenëve më të suksesshëm, por dhe që kanë lidhje direkt me historinë e sportit të peshëngritjes.

 – Zoti Gjoza, dikur një shtangist dhe trajner i njohur dhe tani President i Federatës së Peshëngritjes. Sapo jeni kthyer nga takimi i Konfederatës Mesdhetare, ku marrin pjesë 20 shtete nga rajoni i Mesdheut.

 – Thuajse e gjithë jeta ime është e lidhur me peshëngritjen. Kam qenë sportist kampion dhe rekordmen, anëtar i ekipit Kombëtar. Peshëngritja është pasioni im. Kjo ishte dhe arsyeja madhore që unë kandidova për president të asaj Federate, dhe po ashtu besoj se këtë vlerë panë tek mua edhe ata që më votuan. Fitova me 11 vota pro dhe pesë kundër (ndaj kandidatit tjetër Theodhor Masllavica). Peshëngritja është një sport elitar në Shqipëri, që në 20 vitet e fundit ka marrë mbi 180 medalje ari, argjendi dhe bronzi.

 – Ju keni pasur para pak ditësh një takim me Presidentin e Federatës Botërore të Peshëngritjes, zotin Tamash Ajan. Cila ishte tema e bisedimeve?

 – Në takimin që kam pasur me Presidentin e Federatës Botërore të Peshëngritjes, zotin Tamash Ajan, me ftesë të tij, ne trajtuam një sërë çështjes, teksa besoj se rikrijuam edhe ngrohtësinë e raportit që për fat të keq, nga drejtuesit e mëparshëm  rezultonte i ftohtë. Kjo për shkak të një lobingu ndaj Federatës Europiane. Dua të sqaroj diçka, ne përfitojmë shumë resurse përmes programeve dhe projekteve që aplikon Federata Botërore e Peshëngritjes. Jemi një vend i vogël, por me shumë kampionë në arenën ndërkombëtare. Gjeta një pritje të jashtëzakonshme nga Presidenti i Federatës së Peshëngritjes, mirëkuptim të plotë dhe një përputhje në vizionin tonë të përbashkët, kjo dhe në kuadrin e Kampionatit Europian që do të zhvillohet në muajin prill në Shqipëri. Shumë shpejt, brenda muajit maj do të vijnë në vendin një bazë e bollshme materialesh.

 – Ju ishit fundjavën e kaluar në Brindizi të Italisë, në aktivitetin e Kupës së Mesdheut, ku patët dhe një takim me Presidentin e Federatës Europiane, zotin Antonio Urso. Cili është bilanci i atij takimi?

 – Po, patëm një takim të ngrohtë dhe të dobishëm me të, gjatë Kongresit të Zhvilluar në Brindizi. Atje ishin të pranishëm nga Federata jonë, Presidenti, zëvendëspresidenti dhe sekretari i porsaemëruar i Federatës Shqiptar të Peshëngritjes, zoti Muharrem Berisha. Unë jam zgjedhur në Bordin Ekzekutiv të Federatës Mesdhetare me vota unanime, pra 100 për qind të tyre. Është një vlerësim për vendin tonë.

 – Shqipëria nuk mori pjesë në Kupën e Mesdheut, të zhvilluar në Brindizi të Italisë pak ditë më parë. Cila është e vërteta e mosmarrjes pjesë së vendit tonë?

 – Shqipëria është gjobitur vitin e kaluar me një shumë prej 50 mijë dollarësh, si pasojë e rasteve të kapura me doping. Dua të sqaroj diçka shumë të rëndësishme: kjo është një gjobë e bartur nga drejtuesit e mëparshëm të Federatës. Në lidhje me mospjesëmarrjen e Shqipërisë, kjo nuk ka të bëjë me lajmin se ne ishim të dënuar, por me mospasjen e mundësisë financiare për t’i çuar sportistët tanë. Ne tani kemi filluar ta shlyejmë atë, pjesë-pjesë, në bazë edhe të një marrëveshjeje të bërë me institucionet ndërkombëtare, pasi dhe buxheti i Federatës është i modest. Një pagesë e menjëhershme e gjobës prej 50 mijë dollarë do ta na kufizonte gjithë aktivitetin tonë, si në Shqipëri ashtu dhe në pjesëmarrjet ndërkombëtare.

 – Jeni treguar shumë aktiv, qysh në muajin tuaj të parë të punës?

 – Po, brenda një kohë relativisht të shkurtër unë kam bërë një ristrukturim të organeve drejtuese të Federatës. Në Kryesinë e mëparshme kanë qenë tre trajnerë, të cilët kanë pasur konflikt interesi me detyrën, për shkak të pozicionit të tyre, kjo sipas statutit. Kam afruar njerëz nga bota e biznesit dhe ata që e kanë pasion peshëngritjen. Po mundohem të afroj edhe personazhe të njohur të politikë, por dhe të tjerë njerëz të biznesit, siç është rasti i drejtorit të Fondacionit “Besa”, Bajram Muça, Kujtim Kapollari, biznesmeni Ilir Kulla, deputetja Lalja Përnaska, dhe shumë figura të tjera. Unë u kam bërë ftesë të gjithëve, kundërshtarëve të mi në zgjedhje, apo që ndajnë edhe mendime ndryshe, të bashkëpunojmë për ta çuar sa më përpara sportin e peshëngritjes.

– Zoti Gjoza, Shqipëria do të organizojë për herë të parë një Kampionat Europian për Të Rritur dhe të Rritura, të programuar për muajin prill. Si po e përgatit Federata që, ju drejtoni këta event madhor?

 – Është kënaqësi që, një event kaq i madh, siç është Kampionati Europian për të Rritur të zhvillohet në Shqipëri. Në Tiranë do të vijën kampionë dhe rekordmenë të Europës dhe të Botës, pra ajka e peshëngritjes. Zhvillohet për herë të parë në vendin tonë dhe kjo i jep një përmase shumëplanëshe. Organizmi do të jetë një spektakël i denjë për vetë eventin. I gjithë aktiviteti do të jetë nën kujdesin e Kryeministrit, zotit Sali Berisha. Kemi gjetur mbështetjen e Ministrit të Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, zotit Aldo Bumçi; Kryetarit të Bashkisë së Tiranës, zotit Lulzim Basha dhe të Ministrit të Mbrojtjes, zotit Arben Imami, ky i fundit na krijoi kushte optimale për stërvitjen e anëtarëve të ekipit Kombëtar.

–  Shqipëria është mësuar me medalje në sportin e peshëngritjes. A do të arrijmë të fitojmë në Europianin e Tiranës?

 – Jam plotësisht i bindur që, po. Ne kemi sportistë shumë të mirë, që kanë fituar medalje. Ne do të jemi në zonën e medaljeve. Peshëngritësja jonë e talentuar, Romela Begaj, së cilës fondacioni “Besa”, Bajram Muça, i ka krijuar kushtet për një stërvitje më të specializuar në Greqi, do të jetë në podium. Ajo do të stërvitet nga një trajner si Luan Shabani, kampion i madh i shtangës. E kam ndjekur personalisht para disa ditësh dhe besoj se, ajo do të arrijë të fitojë medalje.

 Muharrem Berisha, sekretari i ri i Peshëngritjes

 Nga posti i Sekretarit të Përgjithshëm të FSHP-së largohet Ilir Kraja dhe në vend të tij është emëruar Muharrem Berisha. “Zoti Berisha është një nga prej talenteve më të mëdha të peshëngritjes sonë, një ish-kampion i shumëfishtë dhe një rekordmen. I njohur gjerësisht në sportin e peshëngritjes. Është punëtor, korrekt dhe besoj se, ka për të dhënë shumë për këtë sport. E njoh personalisht, dikur si rival, dhe tani e konsideroj si një bashkëpunëtor të ngushtë”, – tha Presidenti Gjoza.

 “E vërteta e konfliktit me ish-sekretarin e Kraja”

  Pas Asamblesë Zgjedhore të 16 dhjetorit 2012, ku Elez Gjoza u zgjodh Presidenti i ri i Federatës Shqiptare të Peshëngritjes, duke fituar 11 me 5 përballë kandidatit tjetër, Theodhor Masllavica, FSHP-ja organizoi një tjetër asamble (të zakonshme), më 7 janar 2013, kjo për të kompletuar edhe Kryesinë e asaj federate. Në asamblenë e janarit pati disa akuza dhe kundërakuza midis Presidentit Gjoza dhe sekretarit Ilir Kraja (sot një ish-sekretar). Gjoza sqaron për “Telegraf”: “Unë, me të drejtën e Presidentit, me ndryshimet statutore të cilat u përkrahën dhe u votuan nga të gjithë trajnerët, sportistët dhe komuniteti i peshëngritjes, thirra asamblenë për të zëvendësuar edhe tre trajnerët që kishin konflikt interesi me detyrën që kryejnë. Kjo është një e drejtë e Presidentit. Detyra e sekretarit të përgjithshëm është të marrë masat organizative, të jetë i pranishëm në mbledhje, pra në këtë rast në asamble, por nuk ka të drejtë të diskutojë, por të mbajë protokollin. Ai është thjesht teknik. Unë drejtova mbledhjen, duke kryer detyrën time, ndërkohë që sekretari i Federatës, në mënyrë abuzive ngrihet dhe kërkon dorëheqjen time, sipas tij për konflikt interesi, pa qenë në të vërtetë e tillë. Ai fyeu anëtarët e zgjedhur, por dhe figurat e nderuara nga bota e biznesit që do të votoheshin për të qenë anëtarë kryesie, emra të nderuar si drejtori i Fondacionit “Besa”, Bajram Muça; biznesmeni i suksesshëm Kujtim Kapollari, apo Ilir Kulla, një njeri me potenciale dhe me shumë vlera. Ideja e Krajës ishte ta shkatërronte asamblenë. Jo se kam bërë investigime, por fakti që në aktivitetet ndërkombëtare, në disa raste janë krijuar probleme me sportistët: mosmarrje rrogash, shpërblimesh, ndërkohë që dhe Federatën e gjeta pa asnjë lek. Edhe në disa deklarata të tij në media ai ka qenë abuziv, si në lidhje me mosmarrjen pjesë të Shqipërisë në Kupën e Mesdheut, ashtu dhe për rrezikimin e mosmarrjes pjesë të vendit tonë në Kampionatit Europian”.

“Kush kapet me doping, do të ndiqet penalisht”

P avarësisht sukseseve në arenën ndërkombëtare, peshëngritja shqiptare u përfshi vitin e kaluar nga një dukuri e pazakontë: katër sportistë rezultuan me doping, në harkun e një viti. Presidenti Gjoza pohoi se do te jetë i ashpër ndaj këtij fenomeni: “Është me të vërtetë për të ardhur keq. Unë si President i Federatës do të jem shumë i ashpër ndaj këtyre fenomeneve. Sportistët që do të rezultojnë pozitiv, pra si përdorues të substancave të ndaluara, por dhe trajnerët e tyre, përveçse do të bëjnë shlyerjen e gjobës së vendosur, që Federata Botërore dhe ajo Europiane do të aplikojë, ata do të përgjigjen dhe përpara organeve të drejtësisë për ndjekje penale. Personalisht, e konsideroj një krim përdorimin e dopingut nga sportistët. Kemi krijuar dosje për çdo sportist. Do të bëhen kontrolle të befasishme dhe të përhershme. Kam qenë par pak kohës në një Kongres të organizuar në Baku të Azerbajxhanit, dhe më erdhi turp kur vendi ynë u përmend për përdorimin e dopingut. Më mirë një medalje më pak, sesa një medalje e dorëzuar kur sportisti kapet me doping”.

 Takimi me Piro Dhimën

 Presidenti i Federatës Greke të Peshëngritjes është Piro Dhima. “Pata një takim me Piron, në Baku. Dhimën e njoh, qysh në kohën kur ai ishte sportist dhe unë isha trajner i Partizanit. Gjetëm bashkëpunimin dhe ndihmën reciproke. Ne do të bashkëpunojmë që  sporti të ecin përpara”.