Elbasan Arena/ Platini, “kush gabon, do të digjet, do ta pësojë rëndë”

432
Qeveria e Futbollit Europian, UEFA, do të jetë gjithë sy e veshë të enjten e 8 tetorit, kur në “Elbasan Arena” do të zbresë Shqipëria dhe Serbia, për të luajtur takimin e radhës të vlefshme për eliminatoret e evropianit “Francë 2016″. Pas ngjarjeve të turpshme të 14 tetorit të vitit të shkuar, ku organizimi skandaloz i ndeshjes nga ana e Serbisë solli dhunimin e Kombëtares së Shqipërisë nga ana e tifozëve që u futën në fushë, policisë dhe sigurisë së stadiumit, UEFA, e cila doli e turpëruar pas vendimit të KAS-it që rrëzoi Disiplinën dhe Apelin e Nionit, dëshiron me çdo kusht që të shmangë ngjarje të tilla. Në fakt, vlen të theksohet se ajo që ndodhi në “Humska” të Beogradit, ishte pjellë e tolerancës së shpeshtë të UEFA-s pikërisht ndaj Serbisë, pasi nuk ishte hera e parë që koret raciste dhe ofendimet me bazë etnike dëgjoheshin në ndeshje të tilla.

Sigal

Prandaj, presidenti i UEFA-s, Mishel Platini, ka shfrytëzuar mbledhjen e Komitetit Ekzekutiv në Maltë për të biseduar personalisht me presidentin e FSHF-së, Armand Dukën, dhe presidentin e federatës serbe, Tomislav Karaxhiçin, për të biseduar rreth argumentit më të nxehtë të eliminatoreve të tetorit dhe për të lëshuar kërcënime ndaj të dyja federative. Nga sa është mësuar, Platini është shprehur qartë se “kush gabon, do të digjet, do ta pësojë rëndë”. Kërcënimi i francezit që udhëheq UEFA-s është serioz, pasi ai nuk do të mund t’i lejonte vetes një tjetër turpërim publik pas qëndrimit të njëanshëm dhe fare të hapur që mbajti pas ndeshjes Serbi-Shqipëri, e cila u ndërpre nga gjyqtari Atkinson pas hedhjes së flakadanëve në fushë nga tifozëria vendëse. Platini është shprehur ashpër, ndërsa ka kërkuar që t’i vijë fundi dhe përplasjes mes dy vendeve, që situata të tilla të mos përsëriten më. Nga kjo kuptohet dhe arsyeja e takimit të Dukës me kreun e SHISH, Visho Ajazin, dhe kreun e Policisë së Shtetit, Haki Çakon. Çdo gjë pritet që të jetë e monitoruar dhe e kontrolluar deri në detaje, për të shmangur incidente që mund të sillnin dhe përjashtimin e Shqipërisë nga arena europiane për një periudhë të gjatë kohore.