“Elbasan Arena”/ Partizani dhe Skënderbeu me sytë nga… “bishat”

513
Sigal

Një duel kampionësh do të luhet sot në “Elbasan Arena”. Partizani, klubi që përfaqësoi Shqipërinë në Ligën e Kampioneve, do të kërkojë të sfidojë Skënderbeun, fituesit e titullit të fundit dhe për më tepër kryesuesit aktualë të Kategorisë Superiore. Një 90-minutësh i gjithi për t’u ndjekur, që duket sikur mezi është pritur nga të dyja skuadrat. Inatet, xhelozitë dhe polemikat nisën që në sezonin e kaluar, kur vetëm në javën e fundit u përcaktua titulli kampion. Si për ironi të fatit, ishte Andrea Agostineli ai që kërkoi të thyente Skënderbeun si trajner i Partizanit në garën për titull. Tashmë pankinat kanë ndryshuar dhe italianin e vendosur në krye të korçarëve do ta sfidojë një emër i njohur i trajningut shqiptar, si Sulejman Starova.

Me rikthimin e trajnerit që ka nxjerrë për herë të fundit Partizanin kampion, te të kuqtë shpërtheu edhe një bomber. Kaleb Ekuban është njeriu i momentit te “demat”, me pesë gola të shënuar në tetë ndeshje të luajtura në kampionat. Shpresat e të kuqve janë nga forma e mirë që po kalon ganezi, i cili në këtë takim shkon në një kuotë të barabartë golash me bomberin e Skënderbeut, Hamdi Salihi. Sulmuesi shkodran ka që më 1 tetor që nuk gjen golin, por në shtëpinë e Skënderbeut janë të bindur se sot do të jetë ndeshja e tij.

Shifrat
Kaleb Ekuban zbarkoi te Partizani në muajin korrik dhe bindi drejtuesit e kuq që në ndeshjet e para të Kupave të Europës. Sulmuesi 22-vjeçar është nën kontratë me Kievon dhe në Shqipëri ka ardhur si i huazuar nga klubi italian. Paga e tij mujore është 4300 euro, por në fund të sezonit, palët mund të ulen në bisedime dhe Partizani ka të drejtën e blerjes së kartonit për një shifër prej 130 mijë eurosh.

Për momentin, sulmuesi ganez ka përmbushur të gjitha pritshmëritë. Të kuqtë e afruan me mendimin se do të ishte një sulmues krahu, por më shumë ai ka luajtur në qendër, për vetë emergjencën që ka pasur Partizani. Nga ana tjetër, në Korçë kanë luksin që në sezonin e dytë radhazi të kenë Hamdi Salihin. Golashënuesi më i mirë i Kategorisë Superiore zgjodhi të rinovonte me klubin korçar, nisur edhe nga fakti se nuk kishte ndonjë ofertë joshëse jashtë Shqipërisë. 32-vjeçari ka firmosur për 150 mijë euro në sezon, një shifër shumë e lartë për kampionatin shqiptar. Megjithatë, shkodrani ka justifikuar gjithçka me golat.

Ecuria
Tetë ndeshje secili në këtë kampionat dhe nga pesë gola. Salihi ndoshta nuk e ka menduar se si rival do të kishte ganezin, në një kohë që sipër tij për momentin me gola është Pero Pejiç. Pas një starti fantastik me dopietë ndaj Flamurtarit dhe vijoi me një tjetër gol në javën e dytë kundër Korabit, shkodrani ka pasur oshilacionet e tij, edhe pse është brenda të gjitha pritshmërive.

Një sulmues i madh e tregon veten në ndeshje të mëdha dhe supergoli me roveshatë ndaj Partizanit në sezonin e kaluar, mund të jetë një frymëzim për ndeshjen e sotme. Ndërsa te të kuqtë tashmë nuk krenohen vetëm me mbrojtjen, që ka pësuar një gol në tetë ndeshje, por edhe me sulmin, aty ku ganezi Ekuban donte vetëm sa të zhbllokohej për të shpërthyer më pas. Sot ka një duel për golin me Salihin, por mbi të gjitha për të treguar se është vërtet një lojtar mund të bëjë të harrohet Xhevahir Suka.