Ekspertët: “Kristiano Ronaldo meriton ‘Topin e Artë’ këtë vit”

416
Sigal

“El Comandante” realizoi tregolëshin e pestë në këtë sezon futbollistik: 34 gola në 22 ndeshje

Kristiano Ronaldo bëri një paraqitje monumentale në ndeshjen kundër Suedisë, teksa shënoi një tregolësh, fitoi duelin personal me Zlatan Ibrahimoviçin dhe ndihmoi Portugalinë për të arritur në finalet e Kupës së Botës “Brazil 2014”. Sulmuesi 28-vjeçar i Realit të Madridit shënoi tregollëshin e tij të pestë në këtë sezon, teksa shënoi katër gola në dy takimet kundër Suedisë. Ronaldo fitoi komplimentet e gjithë botës së sportive, që tashmë e shohin portugezin si një prej favoritëve kryesorë për të fituar “Topin e Artë”, ku rivalë të tjerë janë argjentinasi i Barcelonës, Lionel Mesi dhe francezi i Bajernit, Frenk Riberi. Performanca e tij e fundit mund ta rrisë shanset e tij pët ta fituar për herë të dytë trofeun e çmuar, pasi FIFA e shtyu afatin e votimit nga 15 në 29 nëntor.

ELOZHET

Ish-mbrojtësi i Anglisë, Rio Ferdinand tha: “Kristiano duhet ta fitojë sërish. ‘Topi i Artë’ duhet të jetë në duart e tij tani!”. Ish-sulmuesi i Anglisë, Geri Lineker: “Unë nuk dua t’ia di sesa trofe ka fituar Riberi, lojtari më i mirë është lojtari më mirë. Dhe gjatë këtij viti Kristiano Ronaldo ka qenë i padiskutueshëm”. Edhe Presidenti i FIFA-s, Sep Blater, nuk mungoi të bënte elozhet e tij. “Bravo Portugalia! Ekipi i 29-të që konfirmohet për në Kupën e Botës; pjesëmarrja e tyre e gjashtë. Performancë fantastike nga Ronaldo”. Ish-mesfushori i Anglisë dhe i Evertonit, Fil Nevil: “Ai është lojtari më i mirë në botë, në fakt”. Ish-mesfushori i Boltonit, Fabrise Muamba: “Ronaldo e meriton të fitojë ‘Topin e Artë’. Larg duart!”.

REKORDI

Tregolëshi kundër Portugalisë e barazoi atë me Pauletën, me nga 47 gola me përfaqësuesen portugeze, por Kristiano i ka të gjitha shanset të jetë ai rekordmeni, pasi ka nevojë vetëm për një gol të vockël. “Kjo është një ditë e bukur për mua personalisht dhe për vendin tim. Unë shënova tre gola, çka më barazoi me Pauletën, kjo më bën të lumtur. Unë duhet ta shijoj këtë moment. Unë e di se Portugalia ka nevojë për mua në këto ndeshje dhe unë tregova që isha aty. Unë vetëm bëra punën time, ashtu siç e kam bërë kohët e fundit. Për të qenë i ndershëm, unë mendoj se në të dyja ndeshjet ne luajtëm më mirë se Suedia. Unë e respektoj shumë Suedinë, mendoj se kanë një ekip fantastike, kanë lojtarë me eksperiencë, kanë një trajner të mirë, por në të dyja ndeshje ne luajtëm më mirë, ne krijuam më shumë shanse, ne luajtëm solidë”, – tha Kristiano Ronaldo. Mediat portugeze, natyrisht i bën shumë elozhe. “Diario de Noticas”: “Kristiano tregoi se jo më kot e mban shiritin e kapitenit. Ai e meriton atë”. Gazeta “Correio De Manha”: “Ronaldo, mbreti i ri”.

 Ronaldo në statistika

 * Ronaldo ka shënuar 8 gola në Ligën e Kampioneve të këtij sezoni, më shumë se të gjitha, madje edhe më shumë se tetë nga 32 ekipet e fazës së grupeve.

 * Ai ka shënuar katër “hat-tricks” në kampionat gjatë vitit 2013, dy herë më shumë se çdo lojtar tjetër në pesë kampionatet e mëdha europiane: Angli, Spanjë, Gjemani, Francë dhe Itali.

 * Tre nga këto tregolësha janë shënuar në gjashtë paraqitjet e fundit (në të gjitha kompeticionet, me Realin e Madridit dhe Portugalinë).

 * Ronaldo ka shënuar 16 gola në 19 ndeshjet e tij me Realin dhe Portugalinë.

 *  Vetëm nëntë nga 20 ekipet që ka La Liga kanë shënuar më shumë se Kristiano këtë sezon (16). Ai ka shënuar apo asistuar në 19 prek 35 golave të Realit në këtë sezon (54%).

Golat gjatë sezonit 2013-2014

(në të gjitha kompeticionet)

Player         Nd   Gola G/Nd

Ronaldo         24   34   1.42

Ibrahimovic     22   22   1.00

Messi           17   16   0.94

Suarez          13   12   0.92

Falcao          17   12   0.71

Cavani          21   14   0.67

Bale            12   4    0.33

EKIPET E KUALIFIKUARA

PËR NË BOTËROR

AMERIKA E JUGUT

Brazil (vend organizator)

Argjentina

Kolumbia

Kili

Ekuadori

EUROPA

Italia

Holanda

Belgjika

Zvicra

Gjermani

Rusia

Bosnja

Anglia

Spanja

Greqia

Kroacia

Portugalia

Franca

AFRIKA

Bregu i Fildishtë

Nigeria

Kameruni

Gana

Algjeria

AZIA

Australia

Irani

Japonia

Koreja e Jugut

AMERIKA E VERIUT,

QËDRORE DHE KARAIBET

Kosta Rika

Shtetet e Bashkuara

Hondurasi

 Ylli i Barcelonës u bë lojtar i parë që e fiton për herë të tretë “Këpucën e Artë” të Europës

 Lionel Mesi vendos një rekord të ri

 Lionel Mesi thyen një tjetër rekord në historinë e futbollit. Ylli argjentinas i Barcelonës mori “Këpucën e Artë” të Europës për herë të tretë, si askush tjetër më parë. Ai arriti të shënojë plot 46 gola në kampionat në sezonin 2012-13 dhe duke i bashkangjitur edhe koeficientin e lartë që ka La Liga (2), kap kuotën e 92 pikëve. Rivali i vetëm i denjë që kishte, ishte Kristiano Ronaldo. Nëntë futbollistë të tjerë kanë arritur të fitojnë dy herë trofeun prestigjioz, por askush nuk kishte arritur ta fitonte më tepër dhe është pikërisht lideri i Barçës që e realizoi një arritje të tillë, në moshën 26-vjeçare. Madje, ai mban edhe rekordin e më shumë golave të shënuar në kampionat brenda një edicioni (sa u përket fituesve të Këpucës së Artë, pikërisht në sezonin 2011-12, kur shënoi 50 herë dhe grumbulloi 100 pikë. Aktualisht është duke u riaftësuar nga dëmtimi i pësuar, që do e mbajë jashtë fushave të lojës deri në fund të vitit 2013.

 Amir Rrahmani: “Partizani, zgjedhja ideale”

 Mbrojtësi kosovar i Partizanit, Armir Rrhamani, ishte një nga lojtarët më të mirë të skuadrës së kuqe gjatë fazës së parë, duke kontribuar jo pak në performancën e pëlqyeshme të 15 herë kampionëve. “Partizani ka rezultuar zgjedhja ime ideale. Është një klub nga i cili kanë dale shumë lojtarë me emër. Synoj që, edhe unë të bëhem një prej tyre”. Duke folur për ndeshjen e radhës, atë ndaj Kastriotit, takim që do të zhvillohet ditën e diel në “Qemal Stafa” (14:00), Rrahmani tha: “Kastrioti mbetet një kundërshtar për t’u vlerësuar, por objektivi ynë për këtë sfidë është vetëm fitorja”. Partizani fitoi 2-0 në fazën e parë, ndërkohë që në përfundim të fazës së parë ka pesë pikë më shumë se krutanët.

  Mile: “Më kënaq dhe barazimi”

 Kristaq Mile është emëruar ditët e fundit si trajneri i ri i Kastriotit dhe prova e parë e beratasit në krye të stolit krutan do të jetë ditën e dielë në kryeqytet me Partizanin. Duke vlerësuar potencialin e grupit që ka në dispozicion, por edhe vështirësinë që paraqet kundërshtari, Mile ka theksuar se Kastrioti do të shkojë në kryeqytet për pikë. “Kemi një grup futbollistësh që dihen vlerat e tyre në kampionatin shqiptar. Do të mundohemi të bëjmë më të mirën ndaj Partizanit. Pavarësisht se është një ndeshje e vështirë, ne e quajmë si të gjitha të tjerat, pasi nuk mund të themi se në kampionatin tonë ka ndeshje të lehta dhe secila prej tyre duhet vlerësuar në maksimum. Ne duhet që në këtë 90 minutësh të mos gabojmë dhe të dalim me një rezultat pozitiv, ku do të jemi të kënaqur natyrisht me fitoren, por edhe me një barazim”, deklaroi tekniku i krutanëve.

 Mehmeti i Dinamos: “Fitojmë me Apoloninë”

 Në kuadër të javës së 11-të të Kategorisë së Parë, Dinamo do të përballet me Apoloninë në ndeshjen që do të luhet të shtunën në stadiumin “Roza Haxhiu” të qytetit të Lushnjës. Fierakët mbajnë vendin e dytë në renditje, vetëm dy pikë me pak se Elbasani kryesues, ndërsa blutë e kryeqytetit renditen të shtatët me 14 pikë të grumbulluara në dhjetë ndeshje. Trajneri i dinamovitëve, Dritan Mehmeti, është ambicioz për sfidën me Apoloninë, ku thotë: “Natyrisht që do të shkojmë për të marrë një rezultat pozitiv, që do të thotë që do të kënaqemi vetëm me tri pikët. E vlerësojmë në maksimum ekipin e Apolonisë, por edhe ne i kemi kualitetet, pavarësisht pikëve që kemi marrë gjatë këtyre javëve dhe vendit ku ndodhemi në renditje. Mendoj se skuadra jonë meriton të jetë shumë më lart në tabelën e klasifikimit”.