Ekipet shqiptare kundër De Biazit

504
Sigal

Trajneri italian i Kombëtares përbuzi hapur nivelin e kampionatit të Kategorisë Superiore

Të gjithë kundër trajnerit të Kombëtares, Xhani De Biazi, në lidhje me deklaratat përbuzëse të italianit ndaj nivelit që ka Kategoria Superiore në Shqipëri. De Biazi e cilësoi një kthim prapa dhe lëvizje të gabuar rikthimin e disa lojtarëve të kombëtares në kampionatin shqiptar. Ekipe si Partizani, Tirana, Skënderbeu apo Flamurtari e kanë quajtur të pavend. Duke marrë shkas nga një prononcim i trajnerit të ekipit tonë përfaqësues Xhani De Biazi dhënë për një nga mediat e shkruara sportive sot, nëpërmjet të cilës ai e konsideron zgjedhje të gabuar kalimin e Emiljano Vilës te Partizani, klubi reagon me këtë deklarate për shtyp: Klubi Futbollit Partizani kërkon ti kujtojë trajnerit De Biazi se Partizani është një skuadër me një reputacion dhe histori të lavdishme jo vetëm në arenën kombëtare por edhe në atë ndërkombëtare në krahasim me klubin grek PAS Janina. Trajneri i ekipit tonë përfaqësues përpara se ta konsiderojë një hap prapa transferimin e Vilës te 15 herë kampionët e Shqipërisë duhet të lexojë më shumë rreth historisë dhe trofeve të klubit tonë. Të njëjtën gjë mund të themi edhe për klubin tjetër të kryeqytetit Tiranën ku edhe në gjirin e saj në këtë sezon kanë zgjedhur të vijojnë karrierën e tyre sportive Curri, Bakaj dhe Ervin Bulku pjesëtar të ekipit përfaqësues, pa harruar edhe Kristi Vangjelin tek Kampionët e Skënderbeut. Ç’mund të thoni për Bakajn , Vangjelin, Sabien Lilën, Osmanin apo Cikalleshin të cilët pothuajse kanë një moshe me Vilën. Zoti De Biazi ju garantojmë se tek Partizani Vila do të jetë në qendër të vëmendjes dhe jo si disa lojtar të ekipit tonë përfaqësues që publiku nuk i di akoma emrin. Zoti De Biazi përse zgjedhjen e Vilës tek Partizani ju e konsideroni një hap prapa!!! Si do ta komentonit zgjedhjen tuaj në krye të ekipit tonë përfaqësues një hap prapa apo një hap përpara në karrierën tuaj !!! Ardhjen e lojtarëve si Vila , Curri, Bakaj, Ervin Bulku, Vangjeli ne e konsiderojmë si një mundësi mjaft pozitive për të rritur nivelin e kampionatit shqiptar. Më mirë për ju do të ishte të përqendroheni maksimalisht në dy ndeshjet e para eliminatore që po afrojnë , të cilat publiku shqiptar po i pret me padurim, se sa të ndaleni në emra të veçantë lojtarësh dhe me zgjedhjet që ata bëjnë në këtë merkato vere. Duke folur për aktivizimin e Emiliano Vilës tek Partizani, De Biasi, tha në një intervistë për “Panorama Sport” se ai nuk kishte asgjë kundër Superiores, por për nivelin që ka, lojtarët duhet të luajnë më mirë jashtë. “Unë mund të kuptoj lëvizjen e Ervin Bulkut, i cili, pasi ka bërë një karrierë për disa vite jashtë, në një moshë të caktuar, por jo për një si Vila. Ka gabuar”, – u shpreh trajneri i kombëtares. I pyetur nëse ishte më mirë të luaje në kampionatin shqiptar apo në Serie C, në Itali, kategoria e tretë në kampionatin italian, ai tha: “Nuk përbën ndonjë ndryshim të madh. Gjithsesi, të paktën tani e tutje nuk do të kritikohem se nuk arrij të afroj lojtarë nga kampionati shqiptar”. Klubet kryesore të Kategorisë Superiore po përpiqen prej vitesh të ofrojnë lojtarë të njohur, për të ringritur nivelin e kampionatit. Ndaj deklarata e De Biazit është konsideruar si një sulm i pavend ndaj këtyre përpjekjeve dhe dekurajim i lojtarëve me eksperiencë që duan të luajnë në kampionatin shqiptar.

 Skënderbeu, Soza drejt përmirësimit

 Lajme të mira nga infermieria për Skënderbeun. Mbrojtësi Ademir Soza, i cili u dëmtua kundër BATE-s, po rikuperohet me ritme të shpjeta. Braziliani ka krye një vizitë mjekësore për ligamentin e gjurit nga ku mësohet se më e keqja ka kaluar dhe se lojtari nuk ka pse t’i nënshtrohet operacionit, i cili do të shtynte kohën e rikuperimit. Futbollisti pritet t’i bashkohet skuadrës për 2-3 javë.

Administratori Grabova: “Kompletuam ristrukturimin e plotë të klubit”

 Kujtim Shaba, shefi i Vllaznisë

 Vllaznia mbylli një cikël shumë të rëndësishëm të funksionimit të klubit, tashmë nën administrimin e përbashkët të shoqërisë zvicerane “Gea Sport” dhe Bashkisë së Shkodrës. Administratori i ri i Klubit te Futbollit Vllaznia, Ardian Grabova, bëri të ditur se, tashmë bashkë me drejtuesit e tjerë të kompanisë “Gea Sport” po mbyllin ristrukturimin e kuqebluve. “Me emërimin e Kujtim Shabës në postin e shefit të klubit, tashmë thuajse është mbyllur strukturimi i ri i klubit. Në fakt përveç tij, ka qenë edhe kandidatura e Hysen Zmijanit për këtë post, por ky i fundit për shkak të angazhimeve me FSHF-në nuk ka qene i gatshëm për ta pranuar. Kështu që kemi zgjedhur Shabën, nisur edhe nga përvoja e shumtë që ka pasur ne funksionet drejtuese të mëparshme në klub. Ai, bashke me stafin teknik dhe drejtorin sportiv, do të merret me çdo gjë teknike që ka të bëjë me skuadrën. Ndërsa unë si administrator kam për detyrë të merrem vetëm me anën organizative të klubit. Shumë shpejt do te hartojmë një rregullore të re të klubit ku do të jetë i qartë pozicioni, detyrat dhe përgjegjësitë e gjithsecilit që punon tek Vllaznia, në mënyrë që të bëjmë më të mirën e mundshme për ngjitjen e këtij klubi me shumë emër serish në nivele të larta”. Sot, në orën në orën 11.00 do të bëhet mbledhja e parë e Këshillit të ri Mbikëqyrës të shoqërisë aksionere Vllaznia. Pesë anëtaret e rinj do të caktojnë dhe administratorin e ri te klubit që do të jetë Ardian Grabova. Në mbledhjen e dytë të këtij Këshilli do te miratohet struktura e re e Klubit të Futbollit Vllaznia dhe rregullorja e funksionimit te tij.

 Behrami: Ja pse ika nga Napoli!

 Valon Behrami ishte dje në qendër të mediave gjermane, pas prezantimit zyrtar te Hamburgu. Pas eksperiencave në Zvicër, Angli dhe Itali, Bundesliga gjermane është një tjetër aventurë për mesfushorin kosovar me pasaportë zvicerane. Valon Behrami shënoi golin e parë me fanellën e Hamburgut në fitoren 2-0 kundër ekipit turk Akhisar Belediyspor. Behrami zbuloi edhe shkakun që e shtyhu atë të largohej nga Napoli i Serisë A italiane. “Nuk bëhej fjalë për një problem taktik, sepse unë punoj shumë por marrëdhënia ime me Benitezin nuk ishte në nivelin e duhur. Ndryshe nga Maxarri me të cilin kisha një bashkëpunim të ngushtë, ndodhi ndryshe me pasardhësin e tij. Benitezi është një trajner i zoti por aspak i vendosur”. Gjithsesi, Napoli do të mbetet përherë në zemrën e mesfushorit pasi te kjo skuadër ka kaluar disa nga vitet më të bukura të karrierës së tij. “Për mua personalisht Napoli ishte një eksperiencë fantastike dhe nuk do ta harroj asnjëherë. Kalova dy vite emocionuese me shumë ulje ngritje. Tani e kuptoj më mirë se çfarë do të thotë të përfaqësosh atë qytet”. Në vijim, lideri i mesfushës së Zvicrës u përqendrua te aventura e re me skuadrën e Hamburgut. “Nuk më intereson fakti që njerëzit thonë se sezonin e shkuar Hamburgu ka luajtur keq. Që në fillim Hamburgu ishte një opsion shumë i mirë për mua. Tani dua të punoj sa më shumë dhe të ndihmoj skuadrën për sezonin e ri”.

Dash FRASHËRI