Eduart Cane: Do të jetë një Kampionat i fortë, EAGLES synon titullin Kampion për të Rritur

761
Nga Agron KAJA
NOT-KAMPIONATI KOMBËTAR/ Flet për “Telegraf” trajneri-notar i skuadrës me emrin më të ri në këtë event, ka pritshmëri për rekorde të reja kombëtare
Të shtunën, në pishinën 25 m të Resortit “Te Stela”, do të zhvillohet Kampionati Kombëtar i Notit për të Rinj e të Rritur, meshkuj-femra, ku në këtë veprimtari merr pjesë edhe skuadra EAGLES, me emrin e saj më të ri në këtë sezon. Në bisedë me trajnerin Eduart Cane, u mësua se EAGLES do të garojë me 21 notarë, 8 femra e 21 meshkuj, por e veçantë mbetet fakti se, vetë ai është trajner-notar në këto gara. Për gazetën “Telegraf”, Cane deklaroi se është bërë një punë stërvitore e veçantë në prag të këtij Kampionati Kombëtar, i pari për këtë sezon në pishinën 25 m. “Duke qenë se për këtë vit ne e kemi garën e dytë Kampionatin Kombëtar që nis të shtunën në pishinën “Te Stela”, i kemi ulur pak ngarkesat stërvitore me notarët tanë. Pas pjesëmarrjes në Mitingun Ndërkombëtar në Niobeia të Greqisë, dy muaj më parë, ne kemi menduar se kjo ulje ngarkese dhe testet e shpeshta mbi garat që do të zhvillojmë, do të sjellin formën më optimale të sportistëve që do përfaqësojnë EAGLES në këtë Kampionat”, kështu theksoi fillimisht në deklarimin e tij Eduart Cane, trajneri i skuadrës së notit, EAGLES. Te kjo skuadër, të gjithë notarët garues janë në gjendje të mirë dhe pretendentë në garat që do të zhvillojnë, por Cane veçon treshen Franci Aleksi-Sonja Kapedani-Paolo Priska. “Natyrisht që, të 21 notarët të cilët do të garojnë për EAGLES, kanë synime të qarta në këtë Kampionat Kombëtar. Në grupin tonë janë edhe notarë rekordmenë, si Franci Aleksi, Sonja Kapedani e Paolo Priska, të cilët jo vetëm që nuk do t’i diskutojnë vendet e para në garat ku do të marrin pjesë, por prej tyre ne si trajnerë kemi më shumë pritshmëri, rekorde të reja kombëtare”. Por, për trajnerin-notar të skuadrës kryeqytetase ka edhe një synim final, ekipi i të Rriturve të fitojë Titullin Kampion. “Ne besojmë dhe shpresojmë se do të përsërisim suksesin që arritëm në Kampionatin Kombëtar 2017, kur dolëm Kampionë Kombëtare për të Rritur, meshkuj e femra. “Duke parë start-listën, kohët janë të forta, e besoj se do të zhvillohet një Kampionat i fortë dhe me rivalitet. Kësisoj, edhe konkurrenca do të jetë më e lartë nga sezoni i kaluar, por më duhet të veçoj edhe faktin se, në garat 50 m krol dhe 50 m delfin do të ketë probleme me kohën, pasi nuk kemi një tabelë elektronike”, ishte ky deklarimi i djeshëm i Eudart Canes, trajner dhe notar në ekipin EAGLES në Tiranë. Kampionati Kombëtar për të Rinj e të Rritur, do të zhvillohet në datat 21 e 22 prill, në pishinën 25 m të Resortit “Te Stela”.
Në grupin tonë janë edhe notarë rekordmenë, si Franci Aleksi, Sonja Kapedani e Paolo Priska, të cilët jo vetëm që nuk do t’i diskutojnë vendet e para në garat që do të zhvillojnë, por prej tyre ne si trajnerë kemi më shumë pritshmëri, presim rekorde të reja kombëtare
21 notarë
Ky është numri i notarëve që ekipi EAGLES do të marrë pjesë në Kampionatin Kombëtar, me 8 femra e 13 meshkuj

PROGRAMI I GARAVE
Datë 21 prill/ Paradite
Nr. Garat M/F
1.400 m Miks M
2.400 m Miks F 
3.200 m Bretkosë M 
4.200 m Bretkosë F 
5.400 m Stil i lirë M
6.400 m Stil i lirë F
7.200 m Delfin M
8.200 m Delfin F
9.100 m Shpinë M
10.100 m Shpinë F
11.4X50 Stil i lirë M
12.4X50 Stil i lirë F

Datë 21 prill/ Pasdite
Nr. Garat M/F
1.50 m Delfin M
2.50 m Delfin F
3.200 m Shpinë M
4.200 m Shpinë F
5.1500 m Stil i lirë M
6.1500 m Stil i lirë F
7.100 m Stil i lirë M
8.100 m Stil i lirë F
9.50 m Bretkosë M
10.50 m Bretkosë F
11.4×100 m staf. Mix M
12.4×100 m staf. Mix F
Datë 22 prill/ Paradite
Nr. Garat M/F
1.200 Katërnotim F 
2.200 Katërnotim M 
3.50 m Stil i lirë F 
4.50 m Stil i lirë M 
5.800 m Stil i lirë F 
6.800 m Stil i lirë M 
7.100 m Bretkosë F 
8.100 m Bretkosë M 
9.100 m Delfin F 
10.100 m Delfin M 
11.4×100 m staf. S.lirë F
12.4×100 m staf. S.lirë M

Datë 22 prill/ Pasdite
Nr. Garat M/F
1.4×50 m Stafetë Mix F
2.4×50 m Stafetë Mix M
3.50 m Shpinë F
4.50 m Shpinë M
5.100 Katërnotim F
6.100 Katërnotim M
7.200 m Stil i lirë F
8.200 m Stil i lirë M
9.4X200 m staf. S.lirë F 
10.4X200 m staf. S.lirëM 
PROGRAMI I VEPRIMTARISË
Garat do të zhvillohen në datat 21 dhe 22 prill 2018, paradite dhe pasdite.
Ditën e shtunë dhe të dielën paradite, garat fillojnë në ora 10:00 (nxemje 09:00-09:50)
Ditën e shtunë dhe të dielën pasdite, garat fillojnë ora në 16:00 (nxemje 15:00-15:50)
Sigal