Eduard Zhupa: Me Italinë, taktikisht gaboi trajneri, duheshin dy sulmues

528
Nga Agron KAJA
INTERVISTA/ Për situatën më të fundit në Kombëtare dhe në prag të javës së 27-të të Kategorisë Superiore, flet për “Telegraf” ish-futbollisti e trajneri i Partizanit e Dinamos
Atmosfera pas ndeshjes me Italinë duket shumë gri, ju si e përshkruani atë ndeshje: normale, mesatare apo dobët?
Në totalin e 90 minutave, unë e quaj një ndeshje mesatare nga ana e skuadrës sonë, ndërsa duke e parë në të dyja pjesët, kishte ndryshime. Kështu, në pjesën e parë ndeshja ishte e ekuilibruar, dhe nëse marrim vetëm momentin e penalltisë, këtu e bëri diferencën Italia. Ndërkohë që edhe në pjesën e dytë Kombëtarja jonë zhvilloi volum loje, por ana psikologjike e madhe bëri që të lëshonte në fragmente loje. 

Në dy pjesë dy gola, pse ndodhi kështu kur sipas jush loja ka qenë mesatare dhe shpesh e barabartë?
Kur them se Italia bëri diferencën me shfrytëzimin më mirë të rasteve, kjo nuk e luhat ekuilibrimin e ndeshjes. Sepse ndëshkimi me golin e dytë mendoj se duhet parë më shumë teknikisht, pasi të dy futbollistët që hynë në luftë për topin e krosuar ishin në pozicion jashtë loje.

Me këtë rezultat, ishte emri i madh i Italisë që na “trembi”, apo kaq mundësi kishte nga Kombëtarja jonë?
Emri i Italisë është normal që të jetë në psikologjinë e lojës së Kombëtares tonë, ndërsa për mundësitë, unë them se deri këtu ishin. Sepse më shumë kjo ka qenë një ndeshje psikologjike nga skuadra jonë, ndërkohë që Italia këto probleme nuk i kishte, dhe nuk i ka kundrejt çdo kundërshtari.

Sa e justifikuan me lojën e tyre ata futbollistë që u aktivizuan nga trajneri De Biazi?
Këtu kam diçka ndryshe. Unë mendoj se nga trajneri De Biazi duhet të ishte bërë një vendosje më sulmuese e skuadrës sonë në fushën e lojës. Sepse sikundër luajtëm, më shumë ishim të prirur në mbrojtje e mesfushë, me pak forcë në vijën e sulmit që nuk u mbështet si duhej. Nëse do të luanim me dy sulmues, Cikalleshin e Sadikun, edhe pjesa tjetër e skuadrës do të kishte më pak ngarkesë dhe do të kishte më shumë cilësi në lojë.

Për zgjedhjet e trajnerit De Biazi ka pasur qejfmbetje nga Xhaka kryesisht, dhe nga Abrashi. Duhej të aktivizoheshin të dy këta futbollistë që kanë qenë titullarë?
Në një skuadër futbolli, aq më shumë në Kombëtare, trajneri është i plotfuqishëm për formacionin. Kështu që lojtarë profesionistë sikundër janë Xhaka e Abrashi, nuk i kërkojnë llogari trajnerit për formacionin, janë të detyruar të respektojnë zgjedhjet e tij. Kështu që sjellja e këtyre dy futbollistëve del jashtë çdo rregulli.

Në këndvështrimin tuaj, si e përkufizoni sjelljen e tifozëve shqiptarë në ndeshjen me Italinë?
Një sjellje të dobët, jashtë kornizave të tifozllëkut shqiptar ndër vite. Kjo sjellje e tyre mundet të na penalizojë, dhe nga ana e FSHF-së duhet që të ketë më shumë organizim me tifozët, njëherësh të kërkojë penalitete më të forta ndaj atyre që pamë në Palermo.

Tashmë Italia quhet një çështje e mbyllur, përpos analizës që i është bërë. Sot me Bosnjën, çfarë do të kërkojë De Biazi nga Kombëtarja jonë?
Natyrisht që në të tilla ndeshje, trajneri ka më shumë mundësi që të aktivizojë lojtarë të rinj, për tu dhënë atyre hapësirë për të ardhmen. Ndeshjet miqësore kanë një specifikë tjetër, dhe këtë unë e mendoj si një ndeshje dhe përgatitje në funksion të ndeshjes me Izraelin në muajin qershor. 

Është momenti që nga kjo miqësore me Bosnjën të shikohet më shumë nga elementët e së ardhmes për në Evropianin 2020?
Realisht ky duhet të jetë objektivi, sepse për në Botëror duket se shanset kanë humbur. Në Kombëtaren tonë ka elementë që ndoshta edhe për 4-5 apo 6 vite do të jenë titullarë, njëherësh edhe në stolin e rezervave ka lojtarë të mirë. Bashkimi i vlerave të tyre duhet të na çojë që tani me mendje drejt Evropianit të vitit 2020.

Nga Kombëtarja te Superiorja, e cila luan javën e fundit të fazës së tretë. Në çfarë këndvështrimi i shikoni ndeshjet e kësaj jave?
Natyrisht që kryendeshje do të jetë ajo mes Partizanit e Skënderbeut, por jo më pak të rëndësishme janë edhe ndeshjet e tjera Teuta-Laçi, Kukësi-Luftëtari e Tirana-Vllaznia. 

Unë mendoj se veç tre pretendenteve për titullin kampion, të gjitha skuadrat e tjera janë të rrezikuara për mbijetesë, prandaj që të gjitha ndeshjet janë të veçanta, duke menduar të sigurt vetëm fitoren e Flamurtarit ndaj Korabit.

Kryendeshja Partizani-Skënderbeu, do të hedhë më shumë dritë për vazhdimësinë në kreun e renditjes?
Nuk e mendoj kështu, sepse si do që të dalë rezultati i saj, ka edhe 9 ndeshje të tjera për tu luajtur, në të cilat “fshihen” 27 pikë. Kështu që mbetet për gjysmën e dytë të fazës së katërt për të bërë një përcaktim të përafërt, por tani më shumë rëndësi kanë pikët për çdo skuadër.

Për ndeshjen Teuta-Laçi, mundet të thuhet se luhet mbijetesa për të dyja?
Në fakt, Laçi është më poshtë Teutës në renditje, e duke qenë se ndeshja luhet në Durrës. Këtu prioritet merr skuadra e Teutës. Laçi ka skuadër të mirë dhe e ka eksperiencën e duhur për Superiore, dhe unë më shumë të rrezikuar shikoj Flamurtarin, edhe nëse e fiton ndeshjen me Korabin.
Në Kombëtaren tonë ka elementë që ndoshta edhe për 4-5 apo 6 vite do të jenë titullarë, njëherësh edhe në stolin e rezervave ka lojtarë të mirë. Bashkimi i vlerave të tyre duhet të na çojë që tani me mendje drejt Evropianit të vitit 2020

Berisha në merkato “big”, sirena nga Anglia e Gjermania
Portieri i Kombëtares sonë Etrit Berisha, gjatë një interviste të dhënë në mediat italiane dy ditë më parë, ka deklaruar se muajin e ardhshëm do të ulej në tavolinën e diskutimeve me Atalantën dhe Lacion, për të vendosur për të ardhmen e tij. Por ndryshe ka ndodhur dje, pasi në mediat italiane aludohet për transferimin përfundimtar të Berishës si pjesë të Atalantës, dhe sulmuesi Petanja në këtë këmbim. Vlera e sulmuesit italian llogaritet rreth 15 milionë euro, dhe Lacio do të kërkojë që ta ulë këtë pagesë, duke përfshirë aty edhe kartonin e Berishës. Dhe lajmi më i fundit rreth kësaj lëvizjeje vjen nga menaxheri i portierit, Federiko Pastorelo, i cili ka zbuluar se këto nuk janë variantet e vetme që ka përpara 28-vjeçari shqiptar. “Berisha ka shumë treg, sidomos në Bundesligë dhe Premier Ligë”, ka shpjeguar përfaqësuesi italian i Berishës.
U 21 SHQIPËRI-MOLDAVI 2-0
Shënues: K. Abazaj 15’, B. Bytyçi 87’
Shpresa fiton me Moldavinë, një miqësore kolaudimi
Dje në “Selman Stërmasi” skuadra jonë Kombëtare Shpresa U 21 vjeç, ka fituar ndeshjen miqësore me Moldavinë. Me rezultatin 2-0, me dy golat të shënuar nga një në secilën pjesë, në këtë ndeshje tekniku Bushi i provoi thuajse të gjithë lojtarët që kishte në dispozicion, për të krijuar një ide më të plotë për skuadrën me të cilën do të zhvillojë kualifikueset e Kampionatit Evropian. Në provën e parë, kuqezinjtë do të presin Estoninë më 12 qershor, ndërkohë që në të dyja përballjet me Moldavinë (0-0 dhe 2-0), trajneri Bushi ka pasur mundësinë të shohë gjendjen e më shumë se 18 futbollistëve. Ky ishte edhe “zbori” i fundit që Bushi zhvilloi gjatë këtyre tre muajve të parë të këtij viti, duke pritur tashmë startin e ndeshjeve eliminatore të Evropianit. Në përballjen e djeshme golat u shënuan nga Abazaj në 15’ dhe Bytyçi në 87’.
MIQËSORE SOT
Ndeshjet Ora
Gjeorgji-Letoni 16:00
Shqipëri-Bosnje H 18:00
Estoni-Kroaci 18:00
Maqedoni-Bjellorusi 18:00
Rusi-Belgjikë 18:00
Afrika J-Angola 19:00
Kamerun-Guine 20:00
Luksemburg-Bregu F 20:00
Marok-Tunizi 20:00
Austri-Finlandë 20:00
Irlandë-Islandë 20:45
Holandë-Itali 20:45
Francë-Spanjë 21:00
Sigal