Eduard Zhupa: Futbolli dhe noti më aktivët, kalendari “kapriçioz” me të mëdhatë

Nga Agron KAJA

INTERVISTA/ Flet për “Telegraf” specialisti i futbollit shqiptar, “skanon” përgatitjet e skuadrave, paraqitjen në Evropë e shortin e ri

Në këtë mot të nxehtë, sa e keni ndjekur ritmikën e zhvillimeve në futbollin shqiptar?
Për vetë kushtet dhe mënyrën se si zhvillohet ritmika sportive, jo vetëm e futbollit, në këtë periudhë ana mediatike është ajo që na mban në tonusin e gjithçkaje. Kjo ka qenë një periudhë me ngarkesë më shumë për skuadrat që luajnë në Evropë, por edhe të tjerat e Superiores, pak janë duke lëvizur për përgatitjet e sezonit të ri. 

Nga mbyllja e sezonit të kaluar e deri tani, çfarë shikoni se ka lëvizur në futbollin tonë?
Në fakt, ka lëvizje në futbollin tonë. Kemi një lëvizje intensive nga FSHF-ja për trajnerin e ri të Kombëtares, kemi lëvizje në merkato, njëherësh edhe aktivizimin e tre skuadrave tona në EVropa Ligë. Në përgjithësi, lëvizjet kanë qenë të administruara, më shumë konkrete, se sa për vazhdimësinë. Noti dhe futbolli janë treguar më aktivët në këtë periudhë të motit të nxehtë.

Nga tre skuadrat tona që luajtën në Evropa Ligë, dy u eliminuan, njëra u kualifikua, ishte tregues pozitiv ky?
Unë mendoj se jo, sepse skuadrat që u eliminuan nuk kishin marrë masa të plota për menaxhimin e kualiteteve në skuadrat e tyre. Edhe Partizani duhet ta kishte kaluar turin, nëse do të kishte bërë përgatitje me konkrete, por përballjet e forta kërkojnë investime më të mëdha nga skuadrat tona. Kundërshtari i Skënderbeut në turin e dytë është i përmasave të tilla.

Kukësi luajti disa miqësore, të cilat i humbi me rezultate të thella, janë përgatitje serioze këto në këndvështrimin e humbjes 1-0 me Sherif Tiraspol në Ligën e Kampioneve?
Kukësi zhvilloi një fazë përgatitore shumë normale, madje ajo duket se është e programuar edhe për vazhdimësinë e sezonit të ri. Për ndeshjet miqësore, për mua nuk ka ndonjë shqetësim se janë mundur me rezultate të thella. Sepse miqësoret nuk kanë qëllim rezultatin, por formatimin e skuadrës, të cilën Kukësi e ka pasur të konsoliduar nga sezoni i kaluar. Ndërsa për humbjen në ndeshjen e parë me Sherif Tiraspol, mendoj se Kukësi luajti mirë, pësoi një gol me penallti pas një gabimi të mbrojtësit, por këto janë tregues që ja afrojnë kualifikimin.

Deri në këtë mes korriku, të gjitha skuadrat e Kategorisë Superiore kanë folur për merkaton, si e shikoni këtë te skuadrat e tjera?
Vetë merkato bëhet kur ka financa të konsoliduara te skuadrat. Pa u deklaruar buxheti, asnjëherë nuk mund të pretendohet se skuadrat do të bëjnë merkato cilësisht të arrira. Nëse do të blejnë futbollistë që të kenë luajtur në 80% të sezonit, atëherë janë të vlefshëm. Ka edhe politika të tjera merkato, e këto vetëm kur nis sezoni kuptohen se çfarë efekte kanë.

Në këtë këndvështrim, si do të ndikojnë përgatitjet e skuadrave për sezonin e ri?
Sezoni ka edhe dy muaj kohë, dhe vetë skuadrat e kanë kohën e mundshme që të bëjnë përgatitje të mira. Të fillojnë në fundin e korrikut, ose në fillimin e muajit gusht, është teknikisht një periudhë optimale që trajnerët të bëjnë formatimin sa më të mirë të skuadrave, nëpërmjet fazave e cikleve stërvitore.

Në fillimjavë u hodh shorti i Kampionatit të Kategorisë Superiore për sezonin 2017-2018, ishte në kohë?
Nga hedhja e shortit e deri në nisjen e kampionatit, janë dy muaj kohë që do tu shërbejnë skuadrave për të ndërtuar programe sa më konkretë. Sepse duke njohur kundërshtarët javë pas jave, trajnerët kanë mundësinë e stërvitshmërisë më të kualifikuar. FSHF-ja kështu po tregon se, standardet e saj në administrimin e futbollit shqiptar janë në rritje.

Në katër javët e para, thuajse mbyllen ndeshjet mes skuadrave të mëdha, si i shikoni përballjet “big”?
Java e dytë me Partizani-Kukësi, e treta me ndeshjen Skënderbeu-Partizani, dhe e katërta me ndeshjen Kukësi-Skënderbeu, do të hedhin “themelet” e këtyre skuadrave për vazhdimësinë. Realisht, se në çfarë gjendje janë këto skuadra që në letër mund ti quaj pretendente, kur të luhen ndeshjet do ta tregojnë, por kështu, le ta themi se ky kalendar është treguar pak “kapriçioz” me të mëdhatë.

Po për skuadrat e tjera që ende janë në përgatitje e sipër, çfarë ka ofruar ky kalendar?
Të zakonshmet, ndeshjet me çdo kundërshtar. Zakonisht, kur hidhet shorti, thuhet se kalendari është i lehtë, ose i vështirë. Këto janë sa për fillim, se gjithçka përcaktohet gjatë rrugës, kryesisht me mbylljen e 9 ndeshjeve të fazës së parë.

Kombëtarja është zyrtarisht me pushime, pa aktivitet e pa trajner, por duke qenë se ndeshjet eliminatore të Botërorit janë në proces, mungesa një mujore e trajnerit nuk mund të kenë efekte negative te lojtarët e kombëtares. Një psikologji e largët mbetet në sfond, edhe pse FSHF-ja po bën gjithçka që të gjejë në trajner, jo vetëm për katër muaj, Besoj se kërkon një emër për vazhdimësinë, kryesisht për ndeshjet e Evropianit 2020.

KATEGORIA SUPERIORE
Përballjet “big”, Faza e parë
Java e 2-të/ 17.09.2017 
Partizani-Kukësi 00:00
Java e 3-të, 20.09.2017 
Skënderbeu-Partizani 00:00
Java 4-ët/ 24.09.2017 
Kukësi-Skënderbeu 00:00

LIGA E KAMPIONEVE
Turi i dytë eliminator
Takimi i parë/ 12.07.2017 
Sherif Tiraspol-Kukësi 1-0
Takimi kthimit/ 19.07.2017 
Kukësi-Sherif Tiraspol 19:30
LIGA E EVROPËS
Turi i dytë eliminator
Takimi i parë/ Dje, 13.07.2017 
K. Almaty-Skënderbeu 
Takimi kthimit/ 20.07.2017 
Skënderbeu-K. Almaty 20:00